Departamenti Amerikan i Shtetit: Investimet në Shqipëri
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2026.
Ndër të tjera në raport theksohet se investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë shënuar rritje. Sipas raportit, ato arritën në 1,84 miliardë dollarë në vitin 2025, nga 1,72 miliardë dollarë në vitin 2024.
Pasuritë e paluajtshme zunë pjesën më të madhe të flukseve të investimeve, me 34%, të ndjekura nga shërbimet financiare me 18%, industritë nxjerrëse me 10% dhe tregtia me 10%.
Stoku i investimeve amerikane në Shqipëri arriti në 490 milionë dollarë në vitin 2025, nga 382 milionë dollarë në vitin 2024, ndërsa investimet e reja amerikane arritën në 72 milionë dollarë.
Ajo nisi negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) në korrik 2022, përfundoi procesin e shqyrtimit të legjislacionit në vitin 2023 dhe
Qeveria e cila deri në nëntor 2025 ka hapur të gjitha grupkapitujt për negociata, shprehet DASH, shpreson ta përfundojë procesin e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.
Sa i përket gjendjes makroekonomike, thuhet se ekonomia u rrit me 3,7% në vitin 2025, sipas FMN-së, kryesisht falë rritjes së vazhdueshme të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme. Inflacioni ra në 2,2% në vitin 2025, brenda intervalit prej 2–3% që synon Banka e Shqipërisë. Borxhi publik ra nga 75% në vitin 2021 në 52,6% në vitin 2025, falë lonsolidimit fiskal, pra përpjekjeve për të mbajtur nën kontroll financat publike; politikës monetare të kujdesshme; forcimit të monedhës vendase; dhe rritjes së të ardhurave nga taksat.
Kuadri ligjor i Shqipërisë, thuhet në raport është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe nuk diskriminon investitorët e huaj.
Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015 për të tërhequr investime vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, ka tërhequr pak investitorë të huaj, pavarësisht shtyrjeve të shumta të afatit fillestar, i cili përfundonte në dhjetor 2018. Ndryshimi më i fundit, i bërë në janar 2025, e zgjati afatin deri në dhjetor 2026.
Shumica e projekteve të miratuara janë të përqendruara në turizëm dhe financohen nga kapitali vendas.
Në vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr nivele rekord të investimeve të huaja direkte (IHD). Të dhënat paraprake të Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja direkte arritën një rekord prej 1,84 miliardë dollarësh në vitin 2025. Stoku total i investimeve të huaja direkte arriti në 17 miliardë dollarë, 57% më shumë se në vitin 2021.
Sektorët kryesorë që tërhoqën investime ishin pasuritë e paluajtshme, shërbimet financiare, industritë nxjerrëse dhe tregtia me shumicë dhe pakicë.
Sektorët që përbëjnë pjesën më të madhe të stokut të investimeve të huaja direkte janë industritë nxjerrëse dhe përpunuese – 25%; energjia – 23%; pasuritë e paluajtshme – 13%; dhe ndërmjetësimi financiar – 11%.
Stoku i investimeve amerikane në Shqipëri arriti në 490 milionë dollarë në vitin 2025, nga 382 milionë dollarë në vitin 2024, ndërsa investimet e reja amerikane arritën në 72 milionë dollarë.
Shqipëria miratoi reforma të gjera në drejtësi në vitin 2016, duke krijuar institucione të pavarura kundër korrupsionit, përfshirë Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu nënshtruan procesit të vetingut në kuadër të këtyre reformave u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen.
BE-ja pret që Shqipëria të intensifikojë hetimet për rastet e profilit të lartë të korrupsionit dhe të krijojë një historik të qartë të ngritjes së akuzave.
Raporti evidenton se shumë investitorë të huaj ankohen se korrupsioni në gjyqësor dhe procedurat joefikase të gjykatave e dobësojnë mbrojtjen gjyqësore në Shqipëri dhe kërkojnë arbitrazh ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ndërsa komuniteti i biznesit vlerëson përpjekjet kundër korrupsionit, thuhet në raport, vendet vakante në gjyqësor kanë krijuar grumbullim të çështjeve gjyqësore, veçanërisht në gjykatat e apelit, duke ngadalësuar shqyrtimin dhe përfundimin e çështjeve.
Në raport thuhet se Ligji për Investimet e Huaja përcakton mbrojtje të veçanta për investitorët e huaj dhe lejon pronësinë 100% të huaj të kompanive, me përjashtim të transportit ajror të pasagjerëve, vendas dhe ndërkombëtar, si dhe transmetimeve televizive. Legjislacioni shqiptar nuk bën dallim ndërmjet investimeve vendase dhe të huaja.
Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015, ofron stimuj dhe procedura administrative të përshpejtuara, në varësi të madhësisë së investimit dhe numrit të vendeve të reja të punës, si për investitorët e huaj, ashtu edhe për ata vendas. Afati i ligjit është shtyrë disa herë dhe ndryshimi i fundit, në janar 2025, e zgjati atë deri në dhjetor 2026.
Në raport thuhet se Shqipëria ka krijuar një kuadër për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte, në përputhje me standardet e BE-së, për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
DASH evidenton në raport se problemet me pronësinë vazhdojnë të jenë të ndërlikuara dhe investitorët e mundshëm duhet të tregohen të kujdesshëm kur kryejnë transaksione pronësie.
Në raportin e progresit të vitit 2025, BE-ja vuri në dukje se Shqipëria duhet të përmirësojë ushtrimin e së drejtës së pronës dhe sigurinë juridike duke bërë përparim në regjistrimet fillestare, digjitalizimin e titujve të pronësisë, dokumenteve dhe hartave, përmirësimin e cilësisë dhe saktësisë së të dhënave kadastrale, forcimin e integritetit, transparencës dhe efikasitetit të shërbimeve publike në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe avancimin e procedurave të kompensimit, duke garantuar të drejtën për një gjykim të drejtë në rastet e shpronësimit dhe heqjes së pronave.
Ligji për Zonat e Zhvillimit Ekonomik, thuhet ndër të tjera në raport, ofron stimuj fiskalë dhe administrativë për kompanitë që investojnë në këtë sektor dhe për kompanitë që vendosen në këto zona.
DASH përmend Durana Tech Park Durrës, në qytetin e dytë më të madh të Shqipërisë, hapur në prill 2025.
Durana Tech Park synon të tërheqë kompani të huaja të teknologjisë së informacionit, të mbështesë sipërmarrjet e reja të IT-së dhe nomadët digjitalë dhe të krijojë 5.000 vende të reja pune.
Sa i përket mjedisit politik dhe të sigurisë, DASH evidenton në raport se dhuna politike është e rrallë dhe mjedisi i sigurisë është i qëndrueshëm.” Zgjedhjet kombëtare të majit 2025 ishin paqësore. Shqipëria përgjithësisht ka nxitur stabilitetin në rajon dhe mban marrëdhënie miqësore me vendet fqinje”.