Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Zanë Mahmeti

Mallkimi i ndjeshmërisë

Akoma arrij ta ndiej,
etjen e mushkonjës
për gjakun tim,
se, edhe ajo ka një arsye
të vogël për të jetuar.

Arrij akoma ta shoh,
lotin që nuk e pashë
në syrin e milingonës,
që e shkela pa dashur.
Që atëherë çdo hap i imi
më duket si një faj,
që toka e mban mend.

Ndoshta kjo është dhembja;
të mos kesh më mundësi
të jetosh vetëm për vete,
e t’i mbash brenda vetes
britmat e gjërave,
që nuk dinë të bërtasin,
ngordhjet, që bota
i quan të parëndësishme.

Akoma arrij,
ta ndiej përpjekjen
e bletës së ngatërruar
në palat e perdes,
duke kërkuar një çarje,
ku liria të mos jetë
vetëm një fjalë.

Nuk arrij
oh, jo kursesi!
Kursesi nuk arrij,
ta ngrij këtë shpirt!
Ende më dhemb
ajo që nuk më përket.
Ende më prek
ajo që s’mund të më prekë.

Por, jo nuk arrij…
oh, jo, nuk arrij
ta ngrij këtë shpirt,
që dridhet, edhe për atë,
që s’e di, se po vdes.

Mbase, njeriu fillon të vdes,
pikërisht atëherë,
kur nuk i dhemb më
asgjë përveç vetes?!

Rrëmujë

Në ajrin që nuk mbahet nga asgjëja ulem.
Shtrihem në ajër, ku çdo gravitet më harron,
përdridhem si dua,
duke e gjetur vetveten në lëvizje që më pëlqejnë.

S’kam karrige, divan s’kam,
krevat, jo se jo!

Ç’më duhen?

Gjithçka që më duhet, e gjej brenda vetes,
çdo lëvizje e imja bëhet hapësirë dhe kohë,
çdo rrahje e trupit bëhet ritëm,
çdo frymë pasqyrim.

Rrëmujë jam.
Gjithçka shpërthen, përplaset,
kthehet në lëvizje, nuk mund të ndaloj…

Jo, jo, jooo!
Nuk mundem ta mbyll veten,
por s’mund t’i iki, as vetvetes.
Vuaj nga unë…

Vetvetja nuk është vetëm qenie,
është gjithçka që gëlltit dhe lëshon,
rrjedhë që refuzon çdo kufi dhe çdo qetësi,
vetë ekzistenca,
që më përplas dhe më shpërndan,
më ndan dhe më bashkon, pa pushim.

Jam pak e çmendur?
Nuk ka rëndësi.
Të gjithë jemi ndopak… përbrendash.
Fundja, rrëmuja,
është e gjithsecilit prej nesh.

Profetët e vetvetes

Përditë shohim,
përditë dëgjojmë,
budallenj të çfarëdolloji,
që zjarrit të budallallëkut të tyre
i fryjnë me zell,
sikur të ishte një altar,
ku digjet vetëm mendja e tyre bosh.

I gjejmë të shkolluar,
të pashkolluar,
të stërshkolluar.

Politikanë që flasin me gojë të hapur,
e tru të mbyllur.

Gazetarë që i lajnë duart në pellgje balte,
dhe e quajnë baltën, ujë të pastër.

Shkrimtarë që shkruajnë vetëm për t’u lexuar,
që shkruajnë shumë,
e s’thonë asgjë.

Piktorë, që ngjajnë,
se e vizatojnë mendjet e tyre bosh.

Këngëtarë, që mendojnë se zëri i tyre
E shëron shpirtin e botës,
ndërsa nuk i shëron dot as veshët e tyre.

Ktheje kah ta kthesh, kokën,
i gjen gjithkund.

Janë si bari i keq, rriten pa ftesë,
e kur mendon se je vetëm,
një budalla shfaqet
për të ta kujtuar,
se shoqëria kurrë s’ta kursen.

E më ironikja është kjo;
nëse sheh gjatë në pasqyrë,
pyetja filozofike vjen vetë.

Mos vallë budallallëku i tyre
është pasqyra e heshtur
e budallallëkut tonë?

Bota nuk digjet nga të marrët,
por nga heshtja e atyre
që i shohin si vallëzojnë në llum
dhe u japin duartrokitje.

Na mbetet të zgjedhim:
t’i quajmë ata budallenj,
apo t’i pranojmë si profetët e rinj
të një epoke, ku mendja është krim
dhe budallallëku fe.

Dhe më tragjikja, që të bën
të qeshëshqash, është kjo;
në këtë tempull të marrësh,
ne jemi edhe klerikët, edhe besimtarët,
edhe flijimi.

Mallkuar qofsha!

Seç m’vjen të’mallkoj, sonte!
Oh, seç m’vjen t’mallkoj!
Dikë… e dikë… e krejt ata,
që sofrën ma shtruan me buzëqeshje,
e në bukë ma përzien hirin;
sikur hiri, të ishte kripa e besimit të djegur,
Ka mikpritje që nuk ushqen;
vetëm e mëson urinë ta marrë fytyrën e bukës.

Oh, seç m’vjen…!
“Mos e bëj. S’e ke bërë kurrë”!

Ik, sonte shpirt. Lermë!
Mos ma prek gojën me atë gisht të ndezur.
Fjalët, kur kalojnë nëpër zjarrin tënd,
nuk digjen… zhvishen.

Ik!
Kam frikë nga ajo lakuriqësi,
ku heshtja fillon të mbijë në gojë,
si një pyll që i ka harruar emrat e dritës,
ku edhe zogjtë e mendimit
e harrojnë këngën e kthimit.

Ik, shpirt! Mos më mbro më!

E di, ti, o krijesë hyjnore,
sa herë të kam rrjepur deri në palcë,
e të kam servirur në pjatën e tyre,
sa herë të kam djegur me zjarrin që nuk ishte i yti,
por i gjysmëdjallit brenda meje.

Më lër ta zbraz kupën, deri në fund!
Errësirën time, ta shoh, pa e mbuluar me dritën tënde.
M’vjen t’i mallkoj,
sepse kam qenë pemë, që i jepte hije edhe sëpatës,
pus që e shuante etjen e duarve,
që hidhnin gurë në thellësinë e tij,
derë që e priste tradhtinë me të njëjtën përkulje,
me të cilën pritet një mik.

Zoti i dënoooft…

“Shhht… Mos e përdhos qiellin,
me atë që lindi në baltën tënde”.

Oh, shpirt, e mallkoj veten me palcën e shpirtit tënd.
Jo një herë. Jo dhjetë. Jo njëqind.

Mallkuar qofsha, aq herë,
sa lejova të hynë në jetën time me këmbë të pastra,
por dolën duke marrë me vete,
copat e dyshemesë ku qëndronte besimi.

Ata s’e paskëshin pasur fuqinë të më vrisnin.
Unë e paskëshkam pasur vetëm dobësinë, t’ua lejoja.
Njeriu vritet edhe nga vetja,
sepse askush nuk di të bëhet
armik më i madh i shpirtit të tij,
se ai që nuk mëson kur duhet të ndalojë.
Nuk vdes atë ditë që e godasin;
vdes atëherë, kur fillon ta justifikojë dorën që e godet.

Eh, shpirt i shkërrmoqur!
Ka çaste kur njeriu do ta shohë të keqen deri në fund,
vetëm që ta besojë se ajo ekziston vërtet.

Verboje dritën!

Hapu e përhimta guackë,
bukurisht verboje dritën!
Ke ndenjur kaq gjatë n’ruajtje t’heshtjes!
Ke ndejtur, si një zog deti, thyer, në brinjët e tua.
N’kujtesën tënde, rëra ka hyrë kaq thellë,
kokërr më kokërr ka hyrë;
kohë që harron të largohet.
S’e përthith dot dritën, perla brenda teje,
po nuk e zgjove ti.
Rri, e pret, perla jote,
nën peshën e kohës heshtëse,
si një hënë e vogël në fund të detit.

Hapu, guackë e përhimtë!
Lëre dritën, ta puthë, ta shpërfaqë,
bukurinë që fsheh ti, brenda barkut tënd!
Drita mahnitëse, le të mahnitet më tej!
Le të mos e fshehë rëra, përgjithnjë,
bukurgjënë e bërë për shkëlqim.
Kaq e bukur është drita, guackë!
Veçmas është bukur,
kur endet mbi valë,
duke të kërkuar të të gjejë,
ndërkohë që perla jote ëndërron,
t’i japë asaj drite,
një emër edhe më të drittë.
Bukurisht verboje dritën,
me perlën tënde, që e fsheh n’bark!
Hapu, hapu, hapu,
hhhaaapppuuu, e përhimta guackë!
Derisa koha të vijë

Kam harruar, si nisin gjërat pa zhurmë,
si një hap bëhet fluturim
pa kërkuar prova,
si heshtja merr trajtë
dhe gjuha i gjen tingujt
që besohej, se s’ktheheshin më.
Diku brenda,
rrëmuja më kundron me qetësi,
një pasqyrë që nuk pranon ngjyra,
derisa vetë koha t’i gjejë.
S’ka ngutje në frymëmarrje,
s’ka dorë që ta shtyjë pulsin;
çdo gjë që lind shpejt, shuhet shpejt.
Kemi kohë.
E kemi thënë, pa e thënë.

Ka një ylber të shuar në ujë
që askush s’e sheh,
por lë një dritë të fshehtë,
tek ai që e njeh harresën.
Ka një dridhje nën lëkurë
që ngjan me rikujtim, jo me fillim.
Ndonjëherë mendoj;
nuk jemi të dashuruar,
këtë e dimë mirë,
por ndoshta kemi harruar, si dashurohet,
si ngjyrat nuk ngjallen me forcë
derisa vetë të marrin ton.
Heshtja na mban, rrëmuja na njeh,
dhe çdo hap që duket tokë
ka tingull fluturimi.
Kaq mjafton për tani.
Jo më shumë.
Gjërat që flasin vetë, mos i prek,
derisa ta zgjojnë zërin.

Gjysmëvdekje

Pasditesh m’vjen,
me hapa fryme,
si një hije që s’e njeh token ku shkel.
Mendja nis t’i heqë thonjtë
nga muret e ditës së lodhur,
edhe rrjedh si kohë e harruar
në gotë të çarë.
Pa zë m’afrohesh, o kafshë e butë drite,
që e di emrin e palcës sime,
siç ua di nata emrat yjeve,
që s’i thotë me zë.

Përkëdhelshëm m’i përshkon sytë
me gishta engjëjsh.
Pa ta kërkuar, ma lë një të puthur,
aq lehtë ma lë,
sa më duket se ma dëlir shpirtin.

Ti frymë e hollë,
m’ depërton thellë në mushkëri,
dhe degëzohesh nëpër dejet e shpirtit,
si rrënjë yjesh,
që kërkojnë ujë në errësirë.
Më këput.
Jo menjëherë, po dalëngadalë.
Siç çahet heshtur
një frut nate nën dhëmbët e qetësisë,
a siç bie heshtas një shekull.

Bie në delir, sa m’vjen.
Sa herë përpiqem të të kundërshtoj,
trupi më tradhton më parë se unë.

Ma kap lehtaz dorën,
edhe më shpie nëpër korridore
ku graviteti e harron vetëligjin,
ku koha e pi veten, si ujë i ndaluar.
Nuk di si ec, si lëviz.
Dyshemeja m’i fal hapat.
Kaloj nëpër ajër si lutje pa gojë,
si fjalë që s’u shkrua kurrë prej erërash.

Më merr ndër krahë,
kokën ma vë mbi nënkresën e mbushur
me pendla engjëjsh të rrëzuar,
në krevatin e shtruar
me re të pambukta, e heshtje foshnjash,
e më mbulon me jorgan të qendisur
me fije dritash, yjesh të vdekura,
që kanë harruar të digjen.

Ma fal përqafimin tënd të ngrohtë,
që vetëm ti, di ta prodhosh, ta pish,
siç pi vetmia nga vetja, pa u ngopur kurrë.

Frymëmarrjen ta ndiej,
teksa m’i përkëdhel qepallat
me duar të padukshme,
e unë s’di, më,
nëse jam gjallë apo veç kujtim.
Shpirti m’niset, m’ngjitet në kate qiejsh,
me biletë njëdrejtimshme;
jehonë e një lutjeje që nuk di,
a pranohet, a jo.

Ti dashuria ime,
që çdo natë m’ tradhton
me gjithë njerëzit e botës,
e prapë rikthehesh tek unë,
si dhembja te plaga, si vera te kupa
që e ruan kujtimin.
Ooo, gjysmëvdekje,
të dua, e m’duhesh
si ligji i natyrës,
që s’e pranon kundërshtimin!

Violinë e harruar në morg

Prej një errësire të ngrohtë, dal.
Dal nga deti amniotik i një nëne.
Zemra m’rreh para emrit,
para gjuhës, para frikës.
Ndoshta qielli tkurret, paksa.
Ndoshta një yll,
e humb veten n’hutime.
Ndoshta asgjë.
Bota di të jetë e ftohtë,
edhe kur një univers i ri lind.
Ndoshta, jeta është mall i zakontë.
Ndodh, edhe të qajmë, pa arsye.
Kërkojmë përqafime,
si astronautë me mungesë oksigjeni.
Ndonjëherë, njerëzit na dhimbsen,
edhe kur na shkatërrojnë.
E kam ndier dridhjen e krijimit
kur e pashë, s’pari herë,
fëmijën tim t’parë.
Në sytë e saja,
e kam parë dritën si lind,
dhe e kam kuptuar,
pse prindërit e mi më mbanin ndër duar,
si dikënd a diçka,
që mund ta thyejë edhe krahu më i hollë
i një ere pranvere.
(Nuk paska qenë veç dashuri.
Frikë e shenjtë paska qenë.)
Tashmë, di dhe nuk di asgjë.
Sa më shumë i njoh njerëzit,
aq më tepër më duken,
si qenie të lodhura,
që i hanë copat e veta, për mbijetesë.
Njeriu e mbyt shpirtin ngadalë.
Me heshtje plastike e mbyt.
Ka njerëz që ecin
me zemra të balsamosura,
brenda kraharorësh.
Normalisht flasin, qeshin,
puthen, premtojnë.
Se si ndihem nganjëherë
si specie e gabuar,
si zog i ngecur aksidentalisht,
në fytin oxhak të një fabrike
që kollit tym, në vend të këngës.
Nganjëherë, vetja m’duket,
si qenie e ardhur nga një planet tjetër,
ku njerëzit nuk flasin me gojë,
por me dridhje shpirti,
dhe ku, loti nuk është turp, por gjuhë.
Ndoshta tjetërfare jam,
por, jo nga mungesa e arsyes.
Tjetërfare, nga teprica e ndjeshmërisë.
E dëgjoj zhurmën e heshtjes.
Një shikim mund të më gjakosë,
si një gozhdë hekuri.
E ndiej lodhjen
edhe në buzëqeshjet e të tjerëve.
Shpirti im nuk ka lëkurë.
Kjo hapësi, i dashka njerëzit,
të mpirë, të programuar,
si semaforë, që s’digjen përbrendash,
as nga një kujtim, as nga një mungesë,
a nga një fjalë e pathënë.
Zot, se si ndihem sot,
si një violinë e harruar në morg,
por edhe si një pemë,
me rrënjët n’galaktikë!?

Edhe yjet flasin me zë të ulët

Kur tisi i natës të ketë rënë
mbi çatitë e shtëpive,
e qielli akoma t’i ketë sytë gjysmë të mbyllur;
mes dy vijave të bardha,
që koha i ka kryqëzuar në kaltërsi,
ti… eja!

Eja, ulu mbi shpirtin tim prajshëm;
dallëndyshe, mbi telat e rrymëpërçuesit,
mbi dejet e zjarrta,
ku toka ia përcjell qiellit rrahjet e zemrës.

Ndoshta e dinë dallëndyshet,
se drita dhe djegia janë të së njëjtës gjakësi.
Megjithatë, prajshëm dashurojnë,
prajshëm e ëndërrojnë fluturimin.

Më kap, e më rrëmbe rrugëve të qiellit,
aty ku gjurmët e avionëve
ngjajnë me udhë të lëna hapur,
për shpirtrat që nuk pranojnë
të ecin vetëm mbi tokë.

Të ecim me hapa të pambuktë,
sikur pesha të ishte vetëm një zakon i tokës.

Në qiellin e shtatë të mbërrijmë,
atje ku drita nuk ndriçon, por zbulon.

Ku shpirtrat nuk zhvishen nga vetja,
por nga hijet që kanë mbartur,
siç e merr mbrëmja qiellin ngadalë, pa e lënduar.

Përjetësisht të qëndrojmë në atë përqafim,
pasi engjëjt të na kenë mbuluar
me flatrat e dashurisë!

Shshshttt!
Kujdes…
se mos po e tremb, dashurinë!

Ajo fle lehtë;
dallëndyshe mbi damarët e dritës.

Edhe yjet flasin me zë të ulët,
kur kalojnë pranë saj.
Nata e di.
Prandaj ec kaq ngadalë mbi çati.
Ndoshta e di atë,
që ne e harrojmë shpesh.

Gjërat më të brishta janë ato,
që e mbajnë peshën e qiellit.

E ndërsa muzgu ia mbyll qiellit
qepallat… ngadalë…

ti… eja!

Penj nate, penj drite

E di ç’do bëja
kur të të shihja për herë të parë,
dashuria ime e paqenë?
Ajo që ekziston
vetëm si mungesë e projeksionit tim?
Do qaja.
Si shkarkim i një tensioni të mbajtur gjatë,
kur ndjenja grumbullohet
deri në dhembje dhe kërkon dalje.
Do qaja shumë. Pa zë.
Nuk do e thoja, as edhe një fjalë!
Në atë çast, do ishte e pavërtetë.
Ajo vjen gjithmonë pas përjetimit,
një përkthim i vonuar i shpirtit,
tepër e vogël për ta mbajtur peshën e tij.
Nuk do nxirrja, as edhe një tingull.
Çdo emër është kufi, përtej çdo forme.
Sa e sa fjali kam thurur për ty,
përpjekje për ta ndërtuar një urë
dhe për ta çliruar ndjenjën që më mban pezull,
mes asaj që ndiej
dhe asaj që arrij ta kuptoj.
I kam qëndisur me fije gjaku,
me fije drite,
ato çaste të rralla kur vetëdija kthjellohet;
me penjë të këputur nga netët e vona,
kur mendja nuk pushon,
por rrotullohet në një qark vetëshkatërrues.
Qante gjaku.
Netët që i gjymtoja, koha që ia hiqja vetes
për të mbetur e plotë.
Por, nuk kisha mëshirë.
Sepse krijimi nuk është akt i butë.
Është domosdoshmëri e egër,
detyrim që nuk negocion
me lodhjen, me dhembjen, as me arsyen.
Më duheshin ato penjë, për ta qëndisur vargun.
Atë varg që nuk lind nga dëshira,
por nga presioni i tepërt i qenies,
nga shtërzimi që egërsohet, deri sa i ngjan vdekjes,
por në të vërtetë
është forma më e pastër e mbijetesës.
Sepse vargu lind aty,
ku njeriu nuk ka më hapësirë të mbetet i tërë…
dhe zgjedh të copëtohet me vetëdije.

Mendojnë, edhe thonë…

Mendojnë, edhe thonë:
nuk jam e zgjuar.
I dëgjoj dhe m’vjen të buzëqesh.
E kam kodin e njohjes, kuptimit,
por nuk e përdor.
S’e kam mprehtësinë e një rase guri,
as gjuhën që bën fjalë, përgjigje.
Ndryshe jam.
Në një mënyrë që e di veç heshtja,
jam ndryshe.
Frymë dykëmbshash lexoj.
Lexoj sy, që të vërtetës së vet i ikin.
Me heshtje i lexoj,
me heshtje ua heq maskat e fytyrave.
Është leximi, është gjuha që s’e njohin,
as s’do ta njohin kurrë.
Për të qetë më marrin, çuditërisht.
Mbase, edhe jam, por ther, pres, pa përgjakje.
S’kuptojnë gjë ata;
përpiqem të mos i kuptoj,
por sa më shumë përpiqem, aq më shumë i kuptoj.
Nuk m’vijnë fjalët, nuk u them gjë,
por e njoh, e kuptoj,
gjuhën e vetullave, gjuhën e skajbuzëve,
dialektin e heshtur të duarve,
gramatikën e trupit
që di ta tradhtojë secilën gënjeshtër.
Oh, përpiqen të fshehin ata,
por i tradhëton përpjekja.
Nuk kam shpatë mendjeje,
por një intuitë që kafshon qençe.
I shoh, neveritem, dhe vetiu, ujk nën dritë hëne bëhem.
Nuk teoretizoj.
Më teoretizon, më terrorizon
ndjesia që e njeh të ardhmen,
akoma pa ardhë ajo.
Mjaftueshëm e qetë jam.
I shoh si shfaqen e zhduken,
i shoh edhe si i zhvesh e vërteta
një nga një.
Pyesin, çuditen pse s’flas,
unë vazhdoj të buzëqesh.
Pse duhet t’ua prish iluzionin e rremë…?