Ruzhdi Gole: Përvojë gjelbërimi
3 tetor, ora 17.8′
Një kosë e hirtë prej së largu
korr gjelbërimin
ende pa ardhur.
Ç’të jetë?
Kjo kosë perëndimi
korr retë, trishtimin
që vyshken shpejt.
Kësaj nate, përtej kësaj nate
Gjelbërime do jeh
nur e nuhatje…
(tetor, pas mesnate, ora 2.53′)
1.
Si qajnë macet në mesnatë?
Si foshnja djepi.
Macet kokë më kokë.
Pas pak
fishekzjarret trembin
gjumin e qytetit
përpëlitje,
prehje,
bombë.
Gjithandej
e ndjeshme mesnata
ende zgjuar pijetore
lakuriq gurgullon
frymë e tejme
perëndish,
çel gjith’ ato
bebe belbëzimesh
nga puthja dhe paqja
unazat i rrëzëllijnë në gisht.
Yjet nuk janë këmborët e natës
por sonte tingëllojnë
gjuhë detare të paqtë,
Sytë e tyre
me qerpikë t’kaltër velash
në çastin e flaktë të vashës
shegët e yjeve
prushe grash.
2.
O yje, paskeni zbritur përtokë
kë do rrokni ju sonte
në shtratin e natës?
Gjethe hiresh
ngjethje
gazplot,
të vranët ushtarët e statujat
varfëria kokërr hudhër
loti gjer në palcë
Limfa ngjall botë…
Diku përgjakeni ju, yje,
gjelbërimi nuk rron
dot pa pyjet,
ecja nuk rron ngathëti,
Ne, në Durrës, rrojmë
me rrezet, me rreziqet
gjysmëhënën kryqin
pa lundrimin
pa përmbytjet
më shumë mardhim.
3.
Këtu
pyjet e vuajtura mbi kodër
e duan edhe vjeshtën
t’ua ndjell
durimin gjer në kockë,
qielli i do fishekjaret
jo ta djegin
por t’ia
ndriçojnë
terrin thëllimin
sa më hershëm
teksa cijatjet e reve
k’saj mesnate premtimi
si mace flejnë kokë më kokë.
ora 3.41′
Këpucari
me gjilpërën dhe perin,
me makinën qepëse,
me këpucën e shqepur
shtrirë mbi kudhër,
me lëkurën dhe lëngun ngjitës,
me gërshërën dhe thumbat,
bukëpjekësi
me miellin e ujin,
kripën e tretur tek brumi,
me gishtrinjtë e lyer pak vaj,
me tavën gjer tek furra
dhe me afshin
ndjellës
pas pjekjes
peshkatari me rrjetën
dhe fenerin mbi natë,
me riskun e mbytjes
dhe të përmbytjes
nuk shkruajnë poezi,
Secili pret tyre
shkruan vargu pas vargu,
unë pa droje
përkrah tyre,
pas tyre
vë dhe emrin tim.
Vetëm kështu më lexoni mirëfilli
jo vetëm këtë mesnatë vjeshte
pa asnjë bubullimë
dhe të gjitha
bubullimat
me një gjilpërë
dhe plot afsh
me një fener brenda vetes…
ora 3.58′
Dy-tri orë kësaj mesnate
caqet ia shkel
tej e më tej
afër e afër
nuk ia njoh
thellë
caqet.
Dy-tri hapa shkul ca, plot gjemba…
Asgjë nuk përsoset nga e bukura
tek yjet po nuk u yllësove
nga përpjekjet
dhe shembja.
Një çast, gjithë çastet
e kësaj mesnate
këtu, atje, përtej…
me qiej pa qyqe
me qyqe ndoshta
ndoshta pa lypës,
pa mëndjemëdhenj.
mesnate, 4.11′
Përmbytja ushqen baltërat
baltërat gjithandej kacafyten,
plugjet
para këmbëve të fushës
vuajnë nga reumatizma
dhe vapa
nuk lërojnë asgjë,
as hijet e tyre.
Përmbys mbi plugjet
bie hija ime
e fjalëve
acar në grykë,
më duket vetja
teharrjesh
në fill e në fillim të vetes
jo në fund.
mesnate 4.21′
Në Skrofotinë, në kripore
përcëlloja i gjithi nga këmbët,
Dielli i mesditës më shihte
paqësisht mua
me rrezet e tij
kodrën e njelmët
që s’lodhej
unë e shihja vëngërt.
Me të hollat e para
bleva shall për motrën
e mbaj mend dhe një libër
për mëditësin që nisej kriporeve
dhe digjej nga këmbët
kur lodhjes
jo njeriut
i binte të fikët.
ora 4.26′
Me përmendore
mburrej ahere qyteti,
të verbërit
nuk shihnin asgjë
gjithçka ata shihnin
tek të çmendurit.
Të përvuajturit në burgje
kafshonin mjerimin
paskëtaj :
të gjithë ne ishim
të mençur mjegullt
të çmendurit e verbër
me faj dhe pa faj.
ora 4.35′
Pafundësisht bien pafundësive
ëndrra që qilimave thurren
tehe të rinj pas shpine.
Thurrim, shthurrim
gjithçka
nga ajo që na duhet
asgjë nga ajo
që na shqepet hershmi,
pafundësisht pafundësive
çdo vrasje çdo përkryerje
kudo që shkon
veten merr borxh
nuk shlyen veten por tjetrin.
ora 4.48′
Këtu, kumbimet janë pak, fare pak
më shumë të kumbueshmit,
shumë leqe dhe pranga
për çdo plagë
në duart e ditës fatkeqe
qajnë pluhuri e plumbi.
Me një plumb në pulpë Dita çalon
a s’e ndini dhe ju një teh dinak,
së shpejti do çalosh
dhe ti
o njeri i kumbueshëm
vromë – vromë
pa kumbime
për vrap.
ora 4.57′
Kthehem përmbys
nuk më mbahet fryma
i gjithi përmbys veç me ndërresa,
si gdhihem nesër, si e qysh
nuk e di as unë, as gruaja,
as e mirënjohura ime
zemra.
Hedh sytë përpjetë në tavan,
duart më prehen
pas tëmthit, pas koke,
mbyll dritën të fle
Drita
pranë folenë e zogjve më le
jo vetëm sonte por qysh
nga lindja e zogjve.
ora 5.7′
E gjatë mesnata me gruan, pa gruan,
me gruan, pa gruan e shkurtër nata,
ajo fle me puthje të purpurta
m’i tret mua dyshimet
dikur ca i huaj
plasa – plasa.
O grua e gjumit përtej gjumësie
po e fik unë dritën të fle
aq sa mundem,
po drita nuk fle
ajo përzemërsisht
përzë
hijet hilet
nga fytyra jote
perëndi e lume.
afër’ag, ora 5.22′
Afër’agu paska kapërxyer mesnatë …
Sonte gjithçka jetoi e shtrenjtë
zjarri në gjurmë
qiriri tek kryet
gjindja ankth.
Mesnata shtriu duart e veta
përpjekjet e reja në spitale
e burgje
në aeroporte
gjithandej,
gjithçka
tek afër’agu
më e qeshur qënka
dhe brengë
lot i të pamundurve
s’na g’njen dot
dot s’e gënjejmë.