Albspirit

Media/News/Publishing

Teuta Sadiku: Bashkëbisedim me Virginia Woolf

 

E mbaj mend atë pasdite.

Ishim mbledhur të gjithë aktorët, rreth shtatëmbëdhjetë veta. Duhej të fillonim provat për një shfaqje kushtuar Virginia Woolf-it, por qendra ku do të bënim provat nuk na kishte lënë vend atë ditë. Regjisori na ftoi në shtëpinë e tij. Ende nuk ishin ndarë rolet. Secili prej nesh priste të shihte se çfarë roli do t’i caktohej. Do të bënim një audicion të vogël. Do të lexonim fragmente të ndryshme dhe regjisori, bashkë me ndihmësin e tij, do të vendoste se kush do të luante secilin personazh.

Unë kisha një dëshirë shumë të madhe të luaja Virginia Woolf-in. Emrin e saj e kisha dëgjuar më parë, por për shfaqjen kisha filluar të lexoja më shumë për të. Kisha shfletuar rrëfime për jetën dhe veprën e saj dhe, pak nga pak, kisha krijuar në mendjen time një imazh të Virginia Woolf-it.

E imagjinoja mes librave, mes tregimeve, mes romaneve, mes fletëve të shpërndara mbi tavolinë. E imagjinoja në dhomën e saj, duke shkruar. Në imagjinatën time ajo ishte gjithmonë pranë një dritareje të hapur. Përtej dritares shtriheshin livadhe me lule,gardhe dhe bar i gjelbërt. Diku më larg rridhte një lumë. Më dukej sikur dëgjoja gurgullimën e tij, sikur uji përplasej lehtë në brigje.

E imagjinoja Virginia-n me fustanet e saj të gjata, elegante, me fytyrën melankolike, me flokët e mbledhura pas, ulur përpara skrivanisë së saj. Por ajo që më tërhiqte më shumë nuk ishte vetëm pamja e saj. Ishte bota e madhe shpirtërore që mbante brenda vetes.

Më dukej sikur gjithë bota e jashtme mund të hynte brenda saj dhe të merrte një tjetër formë.Dhe kjo më intriguonte.

Mendoja se, nëse do ta luaja Virginia Woolf-in, do të mund të hyja edhe më thellë në atë botë. Prandaj doja aq shumë ta luaja. Por regjisori vendosi ndryshe.

Më tha se isha shumë e ndjeshme se nuk mund ta përballoja rolin. Emocionet mund të më merrnin përpara. Mund të qaja, mund të gjunjëzohesha, mund të dilja nga roli. Ai kërkonte një aktore që të mund t’i përmbante më shumë emocionet e saj, një aktore që të qëndronte përballë dhimbjes së personazhit pa u pushtuar prej saj.

Në atë moment nuk e dija se kjo fjalë e regjisorit do të më ndiqte gjatë gjithë shfaqjes.

“Je shumë e ndjeshme”.

Në fund ai zgjodhi një shoqen tonë për të luajtur Virginia Woolf-in. Ajo e luajti shumë bukur. Mua më caktoi të luaja motrën e saj.

Dhe pikërisht këtu filloi një marrëdhënie tjetër me Virginia-n.

Jo më nga brenda rolit të saj,nga një distancë.

Më shumë se një vit u përgatitëm për shfaqjen. Prova kishim çdo mbrëmje. Në shi, në të ftohtë, në vapë. Shpesh nuk kishim as vendin ku të bënim provat, sepse salla ku mblidheshim zihej nga prova ose nga shfaqje të tjera. Megjithatë vazhduam. Në fund ia dolëm.Për rolin tim kisha një fustan akllas të verdhë, elegant, që më pëlqente shumë. Kisha edhe një kapelë, të cilën e bëra vetë. I vendosa disa lule nga kopshti. Çdo herë që e jepnim shfaqjen, lulet në kapelë i vendosja të freskëta.

Shfaqjen e dhamë tri herë dhe çdo herë lulet ishin të freskëta. Por ajo që më ka mbetur më shumë në kujtesë është hyrja ime në skenë. Hyja nga pas skenës dhe përballë meje ishte një pasqyrë ovale.

Nuk ishte një pasqyrë e madhe, ishte e vogël, ovale.

Dhe përmes saj shikoja Virginia-n. Ajo ishte ulur përpara skrivanisë së saj.

Unë e shikoja, përmes pasqyrës. Shikoja lëvizjet e saj. Shkrivanija, fletët, lapsi, një vazo e vogël me disa lule, një gotë ujë. Fletët herë ishin të rregulluara, herë ngatërroheshin. Ajo i merrte, i lexonte, i kthente përsëri. Ndonjëherë i hidhte në dysheme. Pastaj rrinte e përqendruar mbi tavolinë dhe përpiqej të vazhdonte mendimin. Herë i dridhej dora, herë lapsi i binte.

Herë dukej sikur kishte harruar gjithçka që kishte përreth. Dëgjoja edhe frymëmarrjen e saj të vështirësuar. Dhe ndjeja se ajo po vuante përbrenda. Unë qëndroja përballë pasqyrës dhe e shikoja. Si ka mundësi që kjo grua kaq e bukur,  dhe  është e pakënaqur, melankolike…

Ka një burrë pranë saj. Ka njerëz që kujdesen për të. Ka një shtëpi. Ka librat e saj. Ka mundësinë të shkruajë. Dhe përsëri diçka e mundon. Çfarë është ajo që i mungon vallë?

Në shfaqje unë e ftoja të dilnim për një shëtitje,por ajo ishte e humbur në shkrimet e saj. Ndonjëherë më përgjigjej për diçka tjetër. Ndonjëherë dukej sikur nuk më dëgjonte fare.

Ajo nuk mund të largonte sytë nga fletët.

Nuk kishte arritur të shkruante atë që donte.

Nuk kishte arritur ta kapte atë ndjenjë që kërkonte të shprehte.

Dhe unë e shikoja nga pasqyra.

Ishte një distancë e çuditshme.

Unë isha motra e saj, por në skenë isha gjithmonë pak larg saj.

Ndoshta pikërisht kjo distancë më lejoi ta shihja më qartë.

Më lejoi të vëreja atë që ndoshta nuk do ta kisha parë po të isha brenda saj.

Dhe një ditë më lindi një pyetje:

A po shikoja vërtet Virginia-n, apo po shikoja një version të vetes që ende nuk e njihja?

Sepse unë e kisha provuar vetë atë gjendje.

Sa herë që ulesha për të shkruar, mund të harroja gjithçka që kisha përreth.

Mund të harroja se duhej të gatuaja.

Se duhej të kujdesesha për fëmijët.

Se duhej të mbaroja punët e shtëpisë.

Se duhej të kujdesesha për bashkëshortin.

Se kishte rroba për t’u larë, për t’u nderur, për t’u hekurosur.

Mund të kisha një tregim të hapur dhe të isha brenda tij.

Një fjali më çonte te tjetra.

Një mendim më sillte një tjetër.

Dhe papritur vinte një moment kur duhej të ngrihesha.

Gjella ishte në zjarr.

Fëmijët prisnin.

Rrobat duhej të nxirreshin nga lavatriçja.

Diçka tjetër kërkonte vëmendjen time.

Dhe unë duhej ta lija shkrimin në mes.

Ky ishte konflikti im.

Jo se nuk i doja fëmijët.

Përkundrazi.

I doja.

I kisha pasur me dëshirën time.

Doja të isha nënë.

Doja të isha bashkëshorte.

Por doja edhe të shkruaja.

Dhe ndonjëherë nuk dija si mund të ekzistonin të dyja në të njëjtin moment.

Nuk ishte gjithmonë e lehtë të ngrihesha nga tavolina.

Ndonjëherë bëhesha nervoze me veten.

Ndihesha sikur diçka brenda meje ngushtohej.

Isha në konflikt me veten:

A duhet të vazhdoj ta shkruaj këtë tregim?

Apo duhet të ngrihem?

A duhet ta mbaroj këtë fjali?

Apo duhet të heq gjellën nga zjarri?

A duhet të vazhdoj me atë që po lind brenda meje?

Apo duhet të kthehem te detyrimet e mia?

Dhe atëherë Virginia Woolf më dukej edhe më afër.

Por jo sepse jetët tona ishin të njëjta.

Përkundrazi.

Ne ishim shumë të ndryshme.

Unë kisha fëmijë.

Ajo nuk kishte fëmijë.

Dhe kjo më bënte të mendoja për kuptimin e amësisë dhe të hapësirës së një gruaje.

Unë nuk dua ta gjykoj Virginia-n sepse nuk kishte fëmijë.

Jeta e saj ishte e saj.

Dëshira për fëmijë dhe marrëdhënia me amësinë janë pjesë komplekse të jetës së saj dhe nuk mund të shpjegohen me një fjali.

Por pikërisht ndryshimi mes nesh më bënte të mendoja.

Çfarë është “dhoma” për një grua që ka fëmijë?

Dhe çfarë është për një grua që nuk i ka?

Çfarë ndodh me hapësirën e një gruaje kur ajo duhet të ndajë kohën, trupin, mendjen dhe jetën me të tjerët?

Ndoshta këtu qëndronte edhe ndryshimi mes nesh.

Unë kisha shumë hapësira.

Hapësirën e fëmijëve.

Hapësirën e bashkëshortit.

Hapësirën e shtëpisë.

Hapësirën e detyrimeve.

Dhe, diku mes tyre, përpiqesha të krijoja hapësirën e shkrimit.

Virginia kishte krijuar një hapësirë tjetër.

Ajo kishte fletët.

Librat.

Fjalët.

Tavolinën.

Shkrimin.

Dhe ndoshta ajo hapësirë ishte aq e madhe sa një jetë.

Ndoshta për të fletët ishin vendi ku ajo mund të jetonte atë që nuk mund ta jetonte diku tjetër.

Unë nuk do të thoja se librat ishin “fëmijët” e saj.

Kjo do të ishte shumë e thjeshtë.

Por ndonjëherë, duke e parë në skenë, mendoja se si ajo i merrte fletët, i përkëdhelte, i lexonte, i kthente përsëri në tavolinë, i hidhte dhe i merrte sërish.

Kishte një marrëdhënie fizike me fjalët.

Ajo vuante me to.

Luftonte me to.

Dhe pastaj kthehej përsëri tek ato.

Ndoshta çdo shkrimtar ka një marrëdhënie të tillë me atë që shkruan.

Ndoshta fëmija dhe libri janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Por të dyja mund të kërkojnë prej një gruaje një pjesë të saj.

Në fund të shfaqjes vinte momenti më i rëndë.

Virginia largohej.

Dhe ne e dinim se ajo do të hynte në ujë.

Do t’i dorëzohej ujit.

Por atëherë, për mua, pyetja e “dhomës” kishte marrë një kuptim tjetër.

Virginia Woolf donte një dhomë.

Por çfarë nëse dhoma nuk ishte vetëm një dhomë?

Çfarë nëse ishte hapësirë?

Liri?

Vetmi?

Kohë?

Mundësi për të menduar?

E drejtë për të shkruar?

Një gjendje e brendshme ku mendimi mund të zhvillohej pa u ndërprerë?

Dhe atëherë fillova të mendoja për jetën time.

Unë nuk e kisha atë dhomë gjatë viteve të emigracionit.

Kisha hapësira, sigurisht.

Por jo një dhomë që ta ndieja si timen.

Gjithmonë përpiqesha të plotësoja dëshirat e të tjerëve.

Fëmijët duhej të kishin dhomën e tyre.

Bashkëshorti kishte hapësirën e tij.

Shtëpia organizohej sipas nevojave të të gjithëve.

Por unë, si grua dhe si shkrimtare, nuk e mendoja se duhej të kisha një hapësirë vetëm për veten.

Nuk e merrja si të drejtë.

Ndoshta kjo ishte arsyeja pse ajo fjali e Virginia Woolf-it më preku kaq shumë.

Sepse unë mund të kisha një dhomë.

Por nuk e kisha domosdoshmërisht hapësirën time.

Më kujtohet një vend ku shkruaja.

Nuk ishte dhomë.

Ishte një korridor.

Një hapësirë ku vendosnim palltot dhe rrobat që vinin nga jashtë.

Aty kisha vendosur një tavolinë të vogël.

Drita vinte nga pas dhe nuk ishte shumë e mirë.

Kisha vendosur një abazhur të vogël.

Ai ishte drita ime.

Nga aty mund të shikoja vetëm një rrugicë të vogël pas pallatit.

Jo rrugën e madhe përpara sallonit.

Vetëm atë rrugicën e vogël ku kalonin njerëzit.

Dhe aty shkruaja.

Në një korridor.

Në një hapësirë të mbetur.

Ndoshta ishte e çuditshme që aty përpiqesha të krijoja një botë.

Por ndoshta shkrimtari e krijon hapësirën e tij edhe atëherë kur ajo hapësirë nuk ekziston fizikisht.

Unë nuk kisha livadhet që imagjinoja për Virginia Woolf-in.

Nuk kisha lumin që rridhte përtej dritares.

Nuk kisha atë peizazh të hapur që e kisha krijuar në mendjen time.

Por imagjinata ime e krijonte.

Ndonjëherë, kur shkruaja në atë korridor, imagjinoja hapësira të tjera.

Mendoja për livadhet.

Për lumin.

Për gurgullimën e ujit.

Për valët që përplaseshin në breg.

Dhe ndonjëherë më dukej sikur edhe mendimet e mia përplaseshin në fletë si ato valë.

Njëra sillte tjetrën.

Një mendim largohej dhe një tjetër kthehej.

Nuk po përpiqesha të kopjoja jetën e Virginia Woolf-it.

Unë po bashkëbisedoja me të.

Ndoshta këtë kishte bërë për mua gjithë ajo periudhë e gjatë e provave.

Për muaj të tërë kisha qenë motra e saj në skenë.

E kisha parë përmes pasqyrës.

E kisha ndjekur në lëvizjet e saj.

E kisha parë të shkruante.

E kisha parë të vuante.

E kisha ftuar të dilte dhe ajo nuk kishte ardhur.

Dhe tani, shumë kohë më pas, vazhdoj të flas me të.

Jo si aktore.

Jo si studiuese.

Por si një grua që shkruan dhe që dikur e ka parë një grua tjetër duke luftuar me fjalët.

Ndoshta dhoma që kërkonte Virginia Woolf nuk ishte vetëm një dhomë.

Ndoshta ishte një hapësirë ku një grua mund të dëgjonte mendimet e veta.

Ndoshta ishte koha që nuk i përkiste askujt tjetër.

Ndoshta ishte liria për të mos qenë për disa çaste nënë, bashkëshorte, motër, bijë, apo kujdestare e dikujt tjetër.

Vetëm shkrimtare.

Dhe ndoshta edhe unë, pa e ditur, kam kërkuar të njëjtën gjë.

Jo një dhomë me mure.

Por një hapësirë ku mund të isha vetëm unë.

Një tavolinë.

Një abazhur.

Një rrugicë pas pallatit.

Disa fletë.

Dhe mendimet që vinin njëra pas tjetrës.

Ndoshta dhoma ime nuk ka qenë gjithmonë një vend.

Ndoshta ka qenë ajo pak hapësirë që kam arritur të krijoj brenda një jete që gjithmonë kërkonte prej meje diçka tjetër.

Dhe ndoshta, tani që e kam një shtëpi dhe një hapësirë më të madhe, e kuptoj më mirë se çfarë më mungonte atëherë.

Nuk më mungonin vetëm muret.

Më mungonte guximi për të qenë vetëm me mendimin tim,për të qenë vetvetja.

Dhe këtë, ndoshta, e kuptova duke parë Virginia Woolf-in përmes një pasqyre ovale.