Vasil Muka: Falenderim zemre, mësueses Toninë Hido
Mësuesja ime e nderuar dhe e dashur!
Me ndjesë e përulje ju kërkoj të falur që ju kam munduar kaq shumë, pasi nuk është e lehtë të lexosh librin tim voluminoz, ‘’ Portat e kujtesës’’ prej 544 faqe, me tema e detaje të përsëritura herë pas here. Analiza kritike juaj prej 8 faqesh më ka befasuar.
Ju ndjek me sytë e mendjes kur ju ‘’shikoj’’ tek lexoni me lupë zmadhuese, ku duhet vullnet, durim e përkushtim e tundni kokën në shenjë qortimi për mua, për gabimet e shumta drejtshkrimore, e nisni të shkruani me dorën e bukur që nga pesha e kohës ju dridhet sadopak. Mos më kërkoni ndjesë, shkrimi Juaj i bukur shkruar me dorën e moshuar që dridhet, është i lexueshëm lehtë nga unë, pasi jemi në një valë mendimi…
Ju kam quajtur Zonja e rëndë prej Shkodre se më kujtoni burrneshat e malsisë, Zanat e Orët, Ajkunën e Rozafën e më afër pedagogët e mi shkencëtarë; Kol Ashtën e Jup Kastratin, Vebi Balën e Fadil Krajën, Selami Tabakun e Tomor Osmanin të bukurën e ndjerë Fatbardha Fishta e të tjerë.
Ju erdhët nuse prej Shkodre, por u bëtë nikoqire gjirokastrite, zotëruese e skenës së mësimdhënies e emancipimit shoqëror, demokrate e vërtetë, “Mësuese e meritura”, ” Nderi i Gjirokastrës”, “Ambasadore e Paqes Universale”.
Unë krenohem e mburrem me Ju e ju kam udhërrëfyese për sfidat e jetës.
Zërin Tuaj të ëmbël e të dashur e kam në vesh, që në shkollën 8-vjeçare.
Bekimi Juaj me një puthje në ballë, detyrimi im të eci në rrugën Tuaj të ndritur.
Ju jam falënderues me plot dashuri e mirënjohje, me respekt e nderim për mbështetjen, inkurajimin e vlerësimet Tuaja të çmuara.
Zoti Ju Bekoftë Ju dhe familjen tuaj për shëndet e mbarësi.
Me dashuri e venerim, nxënësi Juaj Vasil Muka.