Albspirit

Media/News/Publishing

Dea Toçi: Sytë e qielltë

 

Në dy sytë e qielltë fshihen galaktika,

herë vij nga malli, herë iki nga frika,

herë më shmang vetëdija, ëndrrat m’i rrëmben,

krahëve hedh një trastë, ti vjen pas më kthen.

 

Nga shpina ma heq, një nga një e zbraz,

nxjerr çdo gjë që kam tek e imja trastë,

fill nis ta ngarkosh bosh nuk mund t’ma lesh

të dy sytë e qielltë, një mbi një i ngjesh.

 

Ashtu nisem larg, them se do ia dal,

me trastën mbi supe hapat hedh ngadalë,

por dy sytë më ndjekin, kthehen në çdo vend

e në çdo hap timin, ëndrrat nis e gdhend.