Xhoi Jakaj: Thuaj “jo” poshtërimit!

Mirëmëngjes njerëz të mirë!
Mund të të ofrojnë, të joshin, të të bëjnë presion apo të të hapin e mbyllin dyer, kjo thuajse na ka ndodhur të gjjthëve ne gjatë jetes, por askush nuk ta heq të drejtën për të thënë “jo”. Nëse zgjedh të heshtësh, të përkulesh dhe të bëhesh servil, kjo nuk është më vetëm çështje rrethanash, është edhe një zgjedhje personale.
Ju siguroj se askush nuk i detyron ata që prishin vlerat e tyre dhe zgjedhin të bëhen servilë dhe i nënshtrohen tjetrit pa kushte.
As partia, as media, as pushteti nuk mund t’i detyrojnë të ulin kokën, të heshtin apo të thonë gjithmonë “po”.
Në fund të fundit, njeriu ka gjithmonë një zgjedhje, të ruajë dinjitetin ose ta shesë atë për një interes, një afërsi, një privilegj apo një vend pune!
Ajo që mund të ushtrohet është presioni, por servilizmi është zgjedhje.
Dhe për të thënë “jo” duhet të kesh karakter, ndërgjegje dhe këllqe.
Askush nuk të detyron të bëhesh i nënshtruar, të përulesh para kujtdo që ka pushtet apo të kthesh në normë atë që dje e quaje të papranueshme.
Prandaj, përtej partive dhe mediave, përgjegjësia mbetet individuale, dhe kur kjo përsëritet vazhdimisht, nuk kemi më të bëjmë thjesht me një dobësi të çastit, por me një dorëzim të vetëdijshëm të vlerave dhe dinjitetit.
Në fund po ju them, njeriu mund të humbasë shumë gjëra në jetë, por në momentin që humbet aftësinë për të thënë “jo” ndaj asaj që të poshtëron, ka humbur diçka shumë më të rëndësishme, vetveten… Pikë.