Laveri – Bariu i Popullit në Boston – Bisedë me Prof. Vasil S. Tole
Rafaela Prifti
Distanca mes Bostonit dhe Tiranës gjeti harmoninë e saj në bisedën me Prof. Vasil S. Tole mbi monografinë ‘Laver Bariu: Ustai i Fundit’, (Onufri) në Qendrën Kulturore dhe Bibliotekën Fan Noli në Boston, përmes platformës Zoom, të shtunën, më 3 tetor, 2026. Muzika e ustallarëve nuk ka qenë kurrë një “performancë”, por pjesë e ADN-së sonë kulturore, që kërkon kujdes të përhershëm e përkushtim që të mos zbehet. Përmes këtij dialogu, synoj të zbuloj artin e një mjeshtri dhe mjeshtërinë e një tradite, që na ka ushqyer shpirtin dhe mendjen.
Rafaela Prifti: Ju shkruani se botimi erdhi si nevojë për të pasur kontributin e Usta Laverit në një libër të vetëm. Nisur nga një episod që tregoni në libër, që ngjau gjatë promovimit të librit për Usta Laverin në vitin 2008 në Përmet, kur mjeshtri, më çiltërsinë karakteristike, ju pyeti: “I fundit i të mëdhenjve apo i fundit për nga rëndësia?” Çfarë menduat se duhej të përfshihej në këtë botim të plotë? Përse ishte i nevojshëm dhe sa punë është dashur për realizimin e tij?
Prof. Vasil S. Tole: Më së pari, ju falenderoj për ftesën për këtë bisedë mbi muzikën popullore qytetare me saze, që ka në fokus usta Laver Bariun, drejtuar një auditori kaq me vlerë sa diaspora shqiptare në Boston e më gjerë në Amerikë. Po, është e vërtetë, usta Laveri më pyeti: I fundit nga të mëdhenjtë apo nga rëndësia? Por unë nuk kisha nevojë, t’i përgjigjesha pasi e gjithë salla, pothuajse si një kor i sprovuar tha: I fundit nga të mëdhenjtë, usta! Mendoj se ky botim është më i ploti deri më tani për një mjeshtër sazesh. Këtij subjekti i kam ardhur rreth e rrotull, siç thotë populli, prej kohës kur fillova punë në qytetin e lindjes, si Drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Përmet, nga fundi i vitit 1987. Pas studimeve për kompozicion në Tiranë, kisha një qasje tjetër ndaj muzikës popullore, edhe për faktin që prof. Zadeja, i madhi Çesk Zadeja, na kishte orientuar drejt rrënjëve të muzikës sonë. “Zbulimi” i magjisë së sazeve ishte një proces i ngadalshëm dhe shumë përtëritës për mua si krijues dhe studiues. Këtij botimi i kanë paraprirë librat studimorë si “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut” 1999, ku natyrisht usta Laveri zinte vendin e tij, vëllimi “Usta Laver Bariu” 2008, studimi “Kabatë me gërnetë dhe violinë” 2023 ku ustai analizohet për kabatë e tij dhe pas vdekjes së tij, botimi i CD “Trashëgimia muzikore shpirtërore e Usta Laver Bariut një vit më vonë dhe më 2026 librin monografik “Laver Bariu, Ustai i Fundit”. Gjithsej mbi 35 vjet njohje dhe studime.
Rafaela Prifti: Keni shkruar një monografi që, siç thoni ju, është “jo vetëm për një mjeshtër të artit të tij, por për muzikën e sazeve si një mënyrë jetese, që ende na flet përmes zërit të tij”, çfarë përfshin kjo?
Prof. Tole: Do përgjigjem me fjalët e muzikologes Mikaela Minga, e cila e ka analizuar në detaje këtë libër. Ajo shkruan:… “libri bën bashkë biografinë e tipit historik me elemente të biografisë së tipit akademik, i pajisur me analiza të repertorit, materiale dokumentare, transkriptime muzikore, ilustrime audio, si dhe imazhe fotografike. Gjejmë edhe një përmasë tjetër, e cila ka të bëjë me faktin që autori i qaset kësaj teme edhe si kompozitor, çka krijon një “pikëprerje” specifike narrative mbi temën. Kjo mund të them se është karakteristikë e Vasil Toles dhe si e tillë na lidh edhe me kontekstin krijues dhe zgjedhje estetike të tijat si kompozitor, të cilat janë rrjedhojë edhe e punës së tij studimore, dhe, në rastin në fjalë, e bashkëpunimit dhe afrimitetit me një protagonist kaq fin të muzikës tradicionale shqiptare, si ishte Laver Bariu.”
Rafaela Prifti: “Tri gjërat e përhershme të Përmetit: Vjosa, Guri dhe Laveri.” Ju vëreni në libër se nuk janë bërë mjaft studime mbi ndikimin e lumit, peshkimit, shtëpisë së vjetër në Qoshk në dhuntinë e tij muzikore dhe procesin krijues. Si mund të realizohet kjo?
Prof. Tole: Ka një lidhje të fortë mes mjedisit gjeografik e kulturor dhe ndikimit që në personalitetin krijues të Usta Laverit. Dihet se ai lindi në vendin që njihet si “Lagja e lumit” dhe shtëpia e Nurkave ishte me pamje dhe në distancë rreth 50 metra nga lumi Vjosa. Në krah të majtë ishte Guri i Qytetit dhe pas shtëpisë qëndronte masivi i malit të Dhembelit dhe Nemërçkës. Vetë ustai thoshte që e merrte gërnetën me vete sa herë shkonte për peshkim pasi aty, më mirë se në çdo vend tjetër i vinte frymëzimi dhe motivet muzikore. “Vjosa më mban ison,” më thoshte. Dhe jo vetëm tek muzika që ai krijoi, sidomos tek kabatë, por edhe tek mjeshtrit përpara tij ndjehet një panoramim muzikor i mjedisit në tingujt e kabave që quhen ndryshe edhe kaba baritore. Të tilla ka shumë por më e njohura është ajo që quhet Kabaja e Medi Përmetit.
Rafaela Prifti: Të shkojmë tek fundi i shekullit XIX – fillimi i shekullit XX, koha e dinamikës interesante të hyrjes së instrumenteve të temperuara dhe migrimit në Evropë dhe Amerikë – rasti i Usta Riza Mekos, që në vitin 1916 vjen në SHBA, i bashkohet Bandës së Vatrës dhe kthehet në Shqipëri. A mund ta shtjelloni evolucionin e sazeve dhe lidhjen e tyre me formimin e qyteteve dhe kulturën urbane në përgjithësi?
Prof. Tole: Sazet u krijuan në një moment historik kur banorët e qyteteve shqiptare kishin nevojë për një kulturë të re muzikore që i lidhte ata me rrënjët e tyre. Qytetet përmes rikontakteve me perëndimin po përjetonin urbanizimin e tyre si dhe falë tregtisë mallra-sende, mes tyre gramafonë, veshje, biçikleta dhe vegla muzikore evropiane u mbivendosën në kulturën e tyre të vjetër. Pikërisht, me hyrjen e veglave të temperuara u krijua mundësia që përmes mjeshtrave popullorë të miksohej kultura muzikore popullore shumëzërëshe e fshatit “a capella” me tiparet muzikore të klarinetës, violinës dhe llahutës. Bashkimi i tyre krijoi sazet, këtë formacion unik të muzikës popullore qytetare.
Rafaela Prifti: Le të afrohemi tek portreti i sazexhiut dhe tek veçoritë dalluese të sazeve të Përmetit. Monografia jep një tablo të gjerë të pararendësve të këtij arti, por për këtë bisedë do veçojmë Usta Mediun (Përmeti) i cili krijoi arketipin e muzikantit të sazeve, që luan në instrumente dhe njëkohësisht këndon; dhe Usta Rizai (Meko), që e konsolidoi mjeshtërinë, me peshë të barabartë të klarinetës dhe violinës, model që e ndoqi më pas edhe Usta Laveri. Siç dihet, angazhimi i tij i parë ishte me llautë në formacionin e sazeve të Vangjel Leskovikut.
Prof. Tole: Po. Usta Laveri ndoqi modelet e mjeshtrave dhe sazeve pararendëse përmetare të Usta Mediut, të Riza Mekos dhe sidomos të Usta Vangjel Leskovikut, mjeshtra të viteve 1930-1950, portreti muzikor i të cilëve ishte ai i duhuri: pra edhe instrumentistë në vegël edhe këngëtarë, pra si të thuash shoqërues të vetvetes. Kjo ishte tradita, saze që krijoheshin brenda familjes dhe që artisti i tyre ishte edhe muziktar në vegël, edhe këngëtar, role që mbështesnin dhe pasuronin njëri tjetrin. Kështu veproi edhe usta Laveri, ai edhe interpretonte në vegël, edhe krijonte, edhe njëherazi këndonte. Këto tipare të muziktarit qendror të sazeve ndikuan ndjeshëm në unitetin e brendshëm të tyre. Kur artistët e sazeve u bënë vetëm instrumentistë që shoqëronin këngëtarë të ftuar, sazet pësuan ndryshimin e parë, që solli diçka ndryshe, për mirë ose jo.
Rafaela Prifti: Jemi tani në vitet 1950, kur Usta Laveri krijoi formalisht grupin e tij të parë të sazeve, art që e deshi dhe e ushtroi për gati gjysmë shekulli. Në këtë periudhë kemi regjistrime, transmetime në radio, TV, Festivale Folklorikë, turne. Në 1951, sazet bëhen pjesë e formacionit zyrtar të Filarmonisë së Tiranës. A ishte kjo epoka e artë e sazeve dhe pse funksionoi kaq mirë?
Prof. Tole: Po, në vitet 1950 u bë edhe një njohje zyrtare nga shteti shqiptar i disa formacioneve historike do t’i quaja të muzikës popullore mbarëshqiptare, të cilat kishin zënë fill si të tilla fillimisht në regjistrimet disko-grafike në vitet 1930-1940. Më pas, disa prej tyre si formacione muzikore pranë Radio-Tiranës pas vitit 1938, për të kulmuar me vendimin për përfshirjen e tyre si pjesë e Filarmonisë së Tiranës. Ishin formacione muzikore që praktikisht përhapen muzikën më të mirë popullore shqiptare nga jugu në veri, jashtë vendit dhe në diasporën shqiptare në Evropë dhe në Amerikë. Ato krijuan për herë të parë një njohje të këtyre vlerave në gjithë hapësirën tonë kombëtare falë mjeteve teknologjike të kohës si disqet apo radio. Formacione si Sazet e Radios kishin në përbërje muziktarë të shquar popullorë si Usta Jonuzi i Lamçes nga Përmeti me gërnetë, Sadik Caci po nga Përmeti me violinë Sabri Reka, vëllai i të madhes Hafize Leskoviku me llahutë e këngëtar etj. I të njëtës rëndësi ishte edhe formacioni shkodran i drejtuar nga Paulin Pali etj. Për fat të mirë, regjistrimet e tyre muzikore me vlerë unike ruhen pranë arkivit muzikor të Radio-Tiranës.
Rafaela Prifti: Në studimin tuaj shtjellohen sazet si formacion dhe si krijim muzikor. Ansamblet e sazeve të cilat ruajnë repertorin e këngëve popullore dhe krijojnë repertor të ri. A mund ta shtjelloni dukurinë e sazeve si polifoni dhe isopolifoni instrumentale; kabaja si zhanri thelbësor dhe karakteristike për Shqipërinë e Jugut?
Prof. Tole: Po, kjo është gjëja më e mrekullueshme që ka ndodhur në pikëpamje të ruajtjes së genotipit muzikor popullor shumëzërësh në kulturën e re muzikore urbane që po krijohej me formacionin e sazeve në qendër. Dihet që kultura bazë muzikore popullore në jug të Shqipërisë është e mbështetur mbi parimin e kombinimit të tipareve polifonike të zërave solistike, pra të marrësit, kthyesit me atë të korit të isos. Pjesa dërmuese e repertorit muzikor është ndërtuar mbi këtë parim. Kur në Shqipëri hynë veglat e temperuara europiane, si pjese e urbanizimit të jetës në vend, të tilla si klarineta, violina etj., këto vegla u përdorën jo vetëm në formacione muzikore klasike, si bandat muzikore apo orkestrat, por edhe në rrugë popullore, pra pa partitura muzikore dhe përgatitje klasike. Pikërisht, mjeshtrit e parë kuptuan se për të krijuar një simbiozë të re të muzikës urbane qytetare shqiptare do të duhej që formula tradicionale polifonike me zëra solistike dhe iso të transferohej në muzikën e re urbane e cila mori të njëjtin repertor të fshatit për ta sjellë tashmë me vegla të temperuara. Për këtë arsye, veglat muzikore dubluan rolet: gërneta u bë marrësi, violina prerësi dhe llahuta isoja. Kjo gjetje gjeniale siguroi origjinalitetin e muzikës së re qytetare, e cila nuk u krijua nga hiçi, por zgjeroi tiparet duke kombinuar veglat evropiane me traditën vokale vendase. Kjo përbën një meritë të padiskutueshme të sazeve.
Sazet i shtuan një përcjellëse instrumentale këngëve popullore me iso duke realizuar tashmë me vegla një lloj të ri të polifonisë me iso që është polifonia me instrumente të temperuara. Çdo këngë popullore vendos një përcjellëse instrumentale që frymëzohej dhe mbështetej tek tiparet melodike vokale, por që falë aftësive teknike të këtyre veglave fitonte hapësira të reja duke i zgjeruar mundësitë shprehëse. Mos të harrojmë që sazet e para edhe i binin veglave edhe vetë këndonin, pra në një lloj kuptimi, këtë proces e bënin shumë natyrshëm.
Rafaela Prifti: Ju keni qenë dëshmitar i procesit krijues të kalimit të këngës tradicionale popullore në këngë të kulturës qytetare. Dhe rasti i këngës së Dhimitraqit kënduar nga Hafize Leskoviku, e cila frymëzoi Kabanë e Usta Laverit në kolonën zanore të filmit “Gjeneral Gramafoni”.
Prof. Tole: Po, në më shumë se një rast. Kam parë se si një këngë fshatare me iso shndërrohej në një kryevepër qytetare me saze, falë mjeshtërisë së usta Laverit. Dhe jo çdo këngë mund të shndërrohej . Ishte vetëm ajo kategori që ishte ende në proces përsosjeje, proces që e kuptonte vetëm mjeshtri dhe që përmes shndërrimit i nxirrte në pah identitetin e ri. Këtu mund të përmend këngët “Se çna ra dëbora”, “A se ç’të bije erë floku”, “Mora rrugën për Janinë”, “Poshtë nga çairet” etj.
Rafaela Prifti: Në regjistrimet në UNESCO – Trashëgimia Botërore e Kulturës jomateriale, janë edhe Kabatë, krijimet e usta Laverit, iso-polifonia etj. Rëndësia dhe kuptimi i këtij regjistrimi. Cila është cilësia e sazeve në Shqipërinë e Jugut sot?
Prof. Tole: Regjistrimi i Polifonisë popullore me iso në UNESCO më 25 nëntor 2005 është një nga arritjet më të mëdha të konfirmimit ndërkombëtar të vlerave të trashëgimisë sonë shpirtërore, ose siç quhet “intangible heritage”. Pjesë e kësaj trashëgimie të madhe të njerëzimit është edhe ajo që lidhet me polifoninë popullore urbane, pra me muzikën popullore të qyteteve, e cila u krijua dhe u mbajt gjallë prej formacionit të sazeve. Vlera e këtij regjistrimi qëndron në faktin që UNESCO njohu dhe pranoi të gjithë format dhe gjinitë polifonike që gjenden në Shqipërinë e Jugut, ato te polifonisë labe, toske dhe çame, të fshatrave dhe të qyteteve, pra në një territor shumë të gjerë, duke përfshirë këtu, këngë, valle, kaba, e shumë gjini të tjera muzikore, të cilat praktikohen nga grup mosha të ndryshme. Sazet e Përmetit dhe vetë ustai janë pjesë e dokumentarit që shoqëroi dosjen e nominimit, krahas mjeshtërve të tjerë. Pesha e saj është shumë e madhe në trashëgiminë shpirtërore të shqiptareve, pasi janë gati 130 vjet që kjo kulturë me saze po kultivohet, janë shumë mjeshtra veglash dhe këngëtarë e këngëtare, që kanë regjistruar një repertor këngësh që zbukuron trashëgiminë e qyteteve, si Përmeti, Leskoviku, Kolonja, Korça, Vlora, Berati, Tepelena, Ohri etj. Formacione të reja sazesh ka, por ajo që duhet bërë me domosdo lidhet me faktin që sazet e reja, muziktarët dhe këngëtarët e tyre duhet të njohin më mirë dhe më thellë traditën para tyre. Kjo duhet bërë pasi tek kjo traditë janë shtresëzuar vlerat dhe kodet profesionale të kësaj muzike. Për këtë arsye, para disa vitesh, botova librin “Kabatë me Gërnetë dhe Violinë”, 100 vjet kulturë muzikore me saze. Ky libër është i shoqëruar me kabatë më të mira të mjeshtërve të sazeve të 100 viteve të fundit, pikërisht për të përcjellë tek brezat e sotëm këtë mjeshtëri të tyre. Këtij qëllimi i shërben edhe libri që po flasim, përveç ndriçimit në detaje të vlerave të usta Laverit.
Rafaela Prifti: Çfarë na ndodh kur dëgjojmë një kaba, i cilësuar në monografi si “zëri njerëzor i shndërruar në instrument.” (faqe 225) Çfarë gjendjeje emocionale të shumëfishtë përjetojmë në mënyrë të natyrshme?
Prof. Tole: Kabaja është me plot gojën koncerti instrumental i muzikës me saze. Në këtë gjini, mjeshtrit gërnetarë dhe violinistë bënë të mundur që duke përdorur veglat evropiane të çonin në një stad të ri tiparet e muzikës sonë popullore. Në thelb, Kabaja është një rrëfim, një tregim, që merr shkas ose buron nga frymëzime të bukurisë së mjedisit gjeografik ose nga dhimbje të cilat populli i shpreh përmes vajtimeve. Prandaj, të dyja llojet e kabave, që janë krijuar prej këtyre qasjeve janë shumë të pëlqyera nga populli. Madje, kur mjeshtrat e interpretojnë bukur kabanë, populli thotë “e qau”, pasi në imagjinatën e tyre, një gërnetist që luan kaba nuk është gjë tjetër veçse një njeri që gëzon ose që vajton. Sigurisht që për të realizuar kaba mjeshtërore, ustallarë si Selim Leskoviku, Vangjel Leskoviku, Bilbil Vlora, Jonuzi i Lamces, Medi Permeti, Riza Meko, Usta Laveri, Remzi Lela, Gaqo Lena, Lulushi etj, i çuan aftesitë e klarinetës në maksimum, duke e bërë kabanë popullore një kryepunë (siç do thoshte Konica), dhe për këtë arsye, kabatë më të mira mbajnë emrat e mjeshtrave të mëdhenj që i krijuan ato.
Mirënjohje për Prof. Vasil S. Tole që përmes këtij studimi na kthen një pjesë të shpirtit tonë muzikor, duke na treguar se sa e çmuar është mjeshtëria e një ustai që bëhet zë i një populli.