Portreti i Napoleon Zervës ekspozohet në Derviçan/ Fondacioni Çamëria denoncon skandalin: Provokim dhe fyerje ndaj viktimave të gjenocidit çam. Të hiqet menjëherë!
Një denoncim i fortë vjen nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” lidhur me ekspozimin e portretit të Napoleon Zervës në Galerinë e Artit në Derviçan, në territorin e Bashkisë Dropull. Fondacioni e konsideron këtë një “provokim të rëndë ndaj shqiptarëve”, duke argumentuar se Zerva lidhet me masakrat ndaj popullsisë civile shqiptare të Çamërisë dhe dëbimin e saj nga trojet e veta.
“Ekspozimi për nderim i portretit të Napoleon Zervës në Galerinë e Artit në Dervician përbën një provokim të rëndë ndaj shqiptarëve dhe një fyerje ndaj kujtesës së viktimave të masakrave çame”, thuhet në deklaratë.
Në reagim theksohet edhe faktit se Shqipëria përkujton zyrtarisht viktimat e Çamërisë, duke shtuar se 27 qershori është përcaktuar në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.
“Si mund të përligjet që, në të njëjtin shtet ku ligji njeh dhe përkujton gjenocidin çam, të nderohet drejtuesi i forcave përgjegjëse për masakrat dhe dëbimin e kësaj popullsie?”, pyet Fondacioni.
Gjithashtu, në deklaratë thuhet se një veprim i tillë nuk mund të relativizohet si një zgjedhje artistike dhe se institucionet shqiptare duhet të japin shpjegime.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” i bën thirrje kryetarit të Bashkisë Dropull që të heqë menjëherë portretin e Napoleon Zervës dhe të japë një shpjegim publik për vendosjen e tij në ekspozim.
Deklarata e plotë
PROVOKIM I RËNDË NDAJ SHQIPTARËVE NË DERVICIAN.
Ekspozimi për nderim i portretit të Napoleon Zervës në Galerinë e Artit në Dervician përbën një provokim të rëndë ndaj shqiptarëve dhe një fyerje ndaj kujtesës së viktimave të masakrave çame.
Për çfarë meritash nderohet Zerva në territorin e Republikës së Shqipërisë?
Për masakrat ndaj popullsisë civile shqiptare? Për dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e tyre?
Për vuajtjet që u shkaktoi brezave të tërë?
Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr. 7839, datë 30.6.1994, shpalli 27 qershorin në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”. Ligji u shpall me dekretin e Presidentit nr. 885, datë 12.7.1994.
Si mund të përligjet që, në të njëjtin shtet ku ligji njeh dhe përkujton gjenocidin çam, të nderohet drejtuesi i forcave përgjegjëse për masakrat dhe dëbimin e kësaj popullsie?
Nderimi i Zervës përçon një mesazh që bie ndesh me këtë njohjen zyrtare të gjenocidit grek nga parlamenti, ndërsa shqiptarët përkujtojnë viktimat, në Derviçian i jepet vend nderi figurës që simbolizon tragjedinë e tyre. Ky është një provokim që nuk mund të relativizohet si zgjedhje artistike dhe as të kalojë në heshtje nga institucionet shqiptare dhe opinioni publik në Shqipëri.
Arti dhe kultura nuk mund të përdoren për të rehabilituar figura përgjegjëse për krime ndaj shqiptarëve. Nderimi i tyre cënon dinjitetin e viktimave, pasardhësve të tyre dhe dëmton bashkëjetesën e miqësinë ndërmjet popujve.
I bëjmë thirrje kryetarit të Bashkisë Dropull të heq menjëherë portretin e Zervës nga ky ekspozim nderues dhe të japë një shpjegim publik për këtë zgjedhje të papranueshme.
I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të nisë, përmes institucioneve kompetente, një hetim të plotë për të sqaruar rrethanat, për të identifikuar personat që kanë propozuar, miratuar dhe mundësuar këtë ekspozim, si dhe për të nxjerrë përgjegjësitë institucionale dhe ligjore që rezultojnë.
Respekti për minoritetin grek dhe të drejtat e tij është i padiskutueshëm. Pikërisht mbrojtja e bashkëjetesës kërkon që përgjegjësia për këtë veprim të identifikohet, dhe të mos rëndojë mbi mbi minoritetin grek por mbi emrat konkret të cilët provojnë rëndë gjakun e shqiptarëve të masakruar nga bandat e shoviniste të Zervës..
Ky provokim nuk mund të kalojë në heshtje. Viktimat e gjenocidit kërkojnë drejtësi dhe respekt, ndaj autoritetet shqiptare kanë detyrimin të japin përgjigje dhe të veprojnë.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”.