Me dashuri, ndjeshmëri dhe respekt për çdo shpirt që lufton në heshtje
Xheni Krypi
10 TETOR – DITA BOTËRORE E SHËNDETIT MENDOR
NJË BUZËQESHJE NUK DO TË THOTË SE SHPIRTI NUK QAN…
Ka njerëz që qeshin para botës, por qajnë në heshtjen e natës…
Ka njerëz që pyesin të gjithë: “Si je”, ndërsa askush nuk ndalet t’i pyesë ata: “Po ti, a je mirë vërtet”?
Ka zemra që janë lodhur duke qenë të forta, shpirtra që janë plagosur në heshtje dhe njerëz që kanë nevojë jo për këshilla, as për gjykime, por për një dorë të shtrirë dhe një zemër që di të dëgjojë.
Ndonjëherë, pas një dere të mbyllur, dikush lufton me mendimet e veta. Pas një buzëqeshjeje fshihet një dhimbje e pashprehur. Pas fjalës “Jam mirë” mund të fshihet një britmë e heshtur për ndihmë.
Prandaj, ju lutem, bëhuni më të butë me njëri-tjetrin!
Mos e gjykoni atë që qan. Mos e përqeshni atë që ndihet i dobët. Mos ia shtoni dhimbjen dikujt që mezi po gjen forcën të përballojë ditën.
Nuk e dimë çfarë beteje po zhvillon tjetri brenda vetes. Ndonjëherë, një fjalë e mirë mund të bëhet dritë në errësirën e dikujt. Një përqafim mund t’i kujtojë se nuk është vetëm. Një dëgjim pa paragjykime mund t’i japë forcë për të kërkuar ndihmë.
Shëndeti mendor nuk është turp. Dhimbja nuk është dobësi. Dhe të kërkosh ndihmë është guxim.
Le të ndërtojmë një botë ku njerëzit nuk detyrohen të fshehin lotët pas buzëqeshjeve, ku askush nuk turpërohet për atë që ndien dhe ku dashuria njerëzore nuk mbetet vetëm fjalë, por bëhet vepër.
Sepse në fund të fundit, nuk kemi nevojë për një botë me njerëz që shtiren sikur janë të fortë, por për një botë ku secili mund të jetë vetvetja pa pasur frikë se do të gjykohet.
Mos pritni që dikush të thyhet për t’i ofruar dorën. Ndonjëherë, mjafton të jeni aty, për t’i kujtuar se jeta ka ende dritë.
Me dashuri, ndjeshmëri dhe respekt për çdo shpirt që lufton në heshtje.