Zëri i një shoqërie të lënë në harresë: Rama jep dorëheqjen!
Yzedin Hima
Në çdo demokraci funksionale, pushteti ekziston për t’i shërbyer qytetarit dhe për të krijuar kushte, ku secilës shtresë shoqërore i jepet mundësia të zhvillohet me dinjitet. Pas më shumë se një dekade në timonin e qeverisë, bilanci i kabinetit të Edi Ramës nuk është më një çështje premtimesh apo retorike politike, por një realitet i prekshëm që po zbraz vendin dhe po shkatërron të ardhmen e tij. Sot, dorëheqja e kryeministrit nuk është thjesht një kërkesë politike, por një nevojë emergjente shoqërore e formuluar nga studentët, të rinjtë, mësuesit, pensionistët, mjekët dhe mijëra profesionistë që ndiejnë përditë peshën e keqqeverisjes.
Në Shqipëri, korrupsioni është kthyer nga një shkelje ligjore në një pengesë sistemike që cenon çdo aspekt të jetës publike dhe ekonomike. Ai tjetërson fondet që duhet të shkonin për spitale, shkolla e infrastruktura cilësore, duke i përqendruar burimet kombëtare në duart e një pakice të lidhur me pushtetin. Për qytetarin e thjeshtë, profesionistin, pensionistin dhe të riun e ndershëm, ky sistem me meritokraci të munguar krijon ndjesinë e pabarazisë së thellë, ku aftësia dhe puna e papaguar zëvendësohen nga klientelizmi e nepotizmi. Si rrjedhojë, korrupsioni jo vetëm që varfëron ekonomikisht familjet shqiptare dhe godet shtresën e mesme, por vret shpresën për të ardhmen, duke u kthyer në motivin kryesor të braktisjes së vendit.
Për studentët dhe të rinjtë shqiptarë, premtimet për arsim cilësor dhe shpresë në vendin e tyre janë zëvendësuar nga zhgënjimi kronik. Kostoja e lartë e jetesës, pamundësia për të përballuar strehimin dhe mungesa e një tregu të ndershëm pune po i detyrojnë të rinjtë ta shohin diplomën e tyre jo si një çelës për të ardhmen në Shqipëri, me të vetmin opsion: largimin. Kur rinia e një kombi heq dorë nga vendi i saj sepse nuk sheh më hapësirë për meritokraci, përgjegjësia kryesore bie mbi udhëheqjen politike.
Shtylla kurrizore e çdo shoqërie, mësuesit dhe mjekët, përballet sot me një nënvlerësim të thellë sistemik. Mësuesit, të cilët kanë misionin të edukojnë brezat e ardhshëm, punojnë nën trysninë e pagave që nuk mbulojnë as inflacionin dhe në një sistem të politizuar që shpërblen bindjen në vend të përkushtimit. Nga ana tjetër, mjekët dhe infermierët tanë gjenden përpara kushteve shpeshherë degraduese të punës, mungesës së bazës materiale dhe pagave që mbeten larg standardeve rajonale, duke e kthyer eksodin e bluzave të bardha në një alarm kombëtar për shëndetësinë.
Profesionistët e lirë, sipërmarrësit e rinj dhe punonjësit e ndershëm po përballen me një realitet ekonomik gjithnjë e më shtypës. Gjatë viteve të qeverisjes Rama, politikat ekonomike kanë thelluar në mënyrë drastike hendekun midis një pakice shumë të pasur, oligarkëve të lidhur me pushtetin dhe pjesës tjetër të shoqërisë. Ndërsa kapitali dhe resurset publike janë përqendruar në duart e pak personave përmes koncesioneve dhe favoreve, pjesa më e madhe e popullsisë është varfëruar.
Dita e pagesës së pensioneve është dita e fyerjes dhe poshtërimit të qindra mijëra pensionistëve, të cilët punuan me përkushtim 40 – 50 vjet në sektorë të rëndësishëm si arsim, shëndetësi, bujqësi, miniera e sektorë të tjerë. Pensionet e tyre qesharake nuk mjaftojnë as për medikamente mjekësore.
Dukuria më e dëmshme nga të gjitha është zhdukja e shtresës së mesme. Një vend pa shtresë të mesme është një vend pa qëndrueshmëri ekonomike dhe pa garant për demokracinë. Duke e shkatërruar këtë urë lidhëse midis të pasurve dhe të varfërve, Shqipëria është shndërruar në një shoqëri me dy skaje ekstremisht të pabarabarta.
Dinjiteti i shtresave të gjera të shoqërisë është nëpërkëmbur nga klientelizmi, patronazhistët dhe militanët e pashkolluar dhe të paformuar, me të cilët është mbushur administrata në të gjitha nivelet. Bashkëpunimi i segmenteve tepër të rëndësishme të qeverisë me krimin e ka bërë këtë qeverisje të rrezikshme dhe të neveritshme për qytetarët.
Dorëheqja e kryeministrit Rama është hapi i parë i domosdoshëm për t’i hapur rrugë llogaridhënies, rikthimit të shpresës dhe ndërtimit të një modeli ekonomik, ku arsimi, shëndetësia pensionistët, profesioni vlerësohen me dinjitet. Shqipëria ka nevojë për një drejtim që e sheh qytetarin si partner dhe jo si burim taksash për të mbajtur në këmbë pushtetin e një pakice.