Gjurmë të vjetra historike dhe përkushtimi i një mesazheri shqiptaro-zviceran
Luan Rama


Pas sprovave të hershme poetike dhe më pas një kontributi të veçantë publicistik, jo vetëm në drejtimin e së parës revistë shkencore “Shkenca dhe Jeta” si dhe botimit të veprës madhore të Edith Durham “Brenga e Ballkanit”, në dy dekadat e fundit Kudret Isaj iu përkushtua gjurmëve shqiptare në Zvicër. Duke jetuar në Gjenevë, me pasionin e tij të veçantë, ai nisi kërkimet historike aq sa nga një hulumtues, shpejt u kthye në një lloj kronisti, duke kërkuar me ngulm në arkivat e Zvicrës apo koleksionet e vjetra të bibliliotekave të Konfederatës Zvicerane duke na prezantuar fakte e ngjarje mjaft interesante për historinë tonë dhe mërgatën shqiptare, të cilat i bëri të njohura në publikun shqiptar. Një lëndë kjo e pasur dhe tepër e nevojshme për studjuesit dhe historianët e e sotëm në fusha të ndryshme që i përkasin jo vetëm historisë por dhe shkencës politike, sociale, artit e letërsisë, arkeologjisë apo fotografisë, kulturës materiale dhe jomateriale të shqiptarëve duke filluar nga vitet e para të shekullit XX e deri më sot. Një punë kolosale, një afresk i madh e shumëngjyrësh ku gjen personazhe të rëndësishëm të historisë shqiptare si Mit’hat Frashëri, Dervish Hima, poltikanë e diplomatë shqiptarë si dhe figura të ndritura të historisë zvicerane, humanistë dhe shkencëtarë siç ishte dhe Eugène Pittard, figurë politike, himanist dhe antropolog i shquar bashkë me gruan e tij romanicere Noëlle Roger, e quajtur gjithashtu Helene Pittard, shoqen e pandarë me të cilën i pikëtakoi tri herë shqiptarët : në vitin 1910 si dhe në udhëtimet e paharrueshme në vitet 1921 e 1924 duke u pritur krahëhapur ngado nga shqiptarët, në malet e veriut shqiptar apo në jug, në ditët më të vështira të krizës së bukës më 1924 e madje në momente tragjike.
Duke lexuar këtë libër, nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull, një interes i veçantë të ndjek vazhdimisht pasi gjithçka e hulumtuar nga autori është diçka e re, e panjohur apo pak e njohur, e zgjuar nga arkivat për të parë një dritë të re. Në rrugëtimin e tij në kërkim të personazheve historike, ai ka ndalur në shtëpitë e tyre ku kanë jetuar, në pragje, në rrugë e sheshe, ku mes të tjerave na tregon më gjatë për Andon Zako Çajupi dhe jetën e tij romaneske në Zvicër, për diplomatët shqiptarë në vitet ‘20-’30 të shekullit XX, mbi shoqatat e shqiptarëve në Gjenevë e Lozanë gjatë kësaj periudhe apo mbi figurat e diplomacisë sonë e përpjekjet e shqiptarëve dhe miqve të tyre zviceranë në pallatin e Shoqatës së Kombeve në Gjenevë për pranimin e Shqipërisë si anëtare e saj. Po kështu na sjell informacione tepër interesante për studentët shqiptarë të kësaj periudhe që të etur për dije, kulturë e shkencë, më vonë do të jepnin një kontribut të veçantë për vendin e tyre. Gjithashtu befasohesh gjatë leximit kur lexon përshkrimet e tyre poetike dhe mbresat plot dashuri të çiftit Pittard, mbi takimet e tyre me Kolë Idromenon apo Gjeçovin gjatë vizitës së tyre të parë apo historinë e disa zonjave zvicerane për të ndërtuar « fshatin Zvicër » në Kolonjë të Shqipërisë, pa harruar dhe vështrime të tjera interesante si Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e piktorëve zviceranë, monedhat ilirie dhe ato të epokës veneciane në muzeumet e Zvicrës, madje dhe një hartë e vitit 1476 ku spikat vendndodhja e Albanisë. Gjithçka është e shkruar me shumë dashuri.
Në synimet e tij të përditëshme, për vite me rradhë ishte rilevimi historik i gjithçkaje që kishte të bënte me kulturën dhe historinë shqiptare. Kështu, ai zbuloi koleksionin e jashtëzakonshëm të Eugène Pittard në Muzeun Etnografik të Gjenevës që flinte për afro një xshekulli, të cilin e prezantoi në një vëllim më vete. Këto dy vite të fundit kisha kënaqësinë që këtë koleksion si dhe dy botimet në frëngjisht dhe në shqip të librit voluminoz « Udhëtimi i mbramë i Hélène dhe Eugène Pittard në Shqipëri » ti botoja në shtëpinë time botuese « Les Livres Rama » në Paris. Ishte një përvojë e mrekullueshme bashkëpunimi e botimi dhe vazhdimi i një miqësie të hershme.
Duke zbuluar vendet historike të mërgatës shqiptare në Zvicër ai na jep të gjallë jetën e tyre përmes fakteve, letrave e korrespondencave, si dhe fotografive të shumta, apo jehonën publiçistike rreth veprës së tyre. Këto gjurmë historike kanë një vlerë të madhe pasi ato janë një referencë për kohën, për atë ç’kanë bërë të parët tanë e njëkohësisht një referencë për të ardhmen, jo vetëm si një ndjenjë krenarie, por dhe si nxitje për diasporën shqiptare për të kontribuar kudo që janë për Shqipërinë tonë të dashur dhe krijimin e urave të miqësisë midis popujve tanë. Pas një pune studimore shumëvjeçare, Kudret Isaj arriti të na prezantojë librat madhorë mbi Eugène Pittard si dhe këtë libër në vazhdim çka do të jenë pjesë e opusit historik mbi Shqipërinë dhe miqtë e saj historikë.