Luan Rama: Angjelin Prelocaj – një homazh për revoltën

—-
“Kryengritje”, “Soulevement”, është koreografia më e re e Angjelin Prelocaj që po shfaqet këto ditë në “Theatre de la Ville” në Paris. Ai ka kohë që ka punuar për krijimin e kësaj koreografie me trupën e tij të baletit në Aix-en-Provence, por shfaqja çuditërisht rastisi në kohë manifestimesh të stuhishme në Francë, Itali, Shqipëri, Serbi e gjetkë. Edhe pse të natyrave të ndryshme, që nuk lidhen me njëra-tjetrën, kjo koreografi e re na kujton se revoltat janë një fenomen real që përjetojmë në këto shoqëri dhe zgjidhjet janë të ndryshme. Besoj se Prelocaj në këto momente i ka ndjekur dhe manifestimet e rinisë që kanë shpërthyer në Shqipëri dhe nuk e njoh gjendjen shpirtërore të tij. Sidoqoftë ai i sheh revoltat si një fenomen të kohës, aktualitetit botëror, siç shprehet dhe në një intervistë në një nga kanalet e televizionit francez: “I kam ndjekur në veçanti revoltat e manifestimet që kanë shpërthyer kohët e fundit nëpër botë. Njerëzit kanë kërkesa legjitime, sepse vihet në pikëpyetje e ardhmja e tyre. I kam parë këto revolta siç janë ato zonat vullkanike që fillojnë e ziejnë dhe janë gati në shpërthim. Mua si artist më ka interesuar energjia që ato kanë, një energji emocionale e cila më sugjeron zgjidhje të reja gjestuale. Është trupi që lëviz. Një inteligjencë e trupit. Shohim në këto manifestime njerëz që nuk njihen, me origjina të ndryshme, që solidarizohen në sheshe, që vëllazërohen, lidhin miqësi e që mund të përjetojnë më pas miqësinë e tyre…”.
“Soulevement” është padyshim një kambanë për politikën që duhet ti kthejë sytë nga fenomeni i revoltës dhe për të gjetur zgjidhje, pasi kemi të bëjmë me rininë, me të ardhmen e shoqërisë sonë, me shpirtin e vetë popullit. Asnjë politikan në çdo pikë të globit nuk është më i fuqishëm se populli. Ai mund ta manipulojë një çast atë, mund ta përqeshë dhe denigrojë por zemërata e tij do të jetë e tmerrshme. Revolta i ka marrë përpara gjithnjë ata dhe i ka larguar nga skena e historisë.
Imazhet koreografike janë një revoltë e vërtetë në skenë, e parë në mënyrë estetike. Është njeriu i revoltuar i nobelistit Albert Camus, i revoltuari që del nga shtëpia dhe shkon në shesh duke klithur për ndryshim. Dhe kur askush nuk e dëgjon apo e tall, ai revoltohet akoma më shumë. Dhe kur dhuna ushtrohet mbi të, dhe ai bëhet i dhunshëm. Dhe ky është një stad i rrezikshëm që del jashtë kontrollit, ku humbet llogjika, dhe kërkimi i së drejtës bëhet mjerisht në mënyrë barbare. Dhe këtë historia njerëzore e njeh shumë mirë. Njeriu i revoltuar i Albert Camus nuk është thjesht një krijim letrar apo gjetje artistike, është një rezultat historik, i njeriut që ngrihet për të ndryshuar sistemin. ”Të pranosh absurditetin e gjithçkaje që na rrethon, – shkruante Camus para Luftës së Dytë Botërore, – është një etapë, një eksperiencë e nevojshme: dhe kjo nuk duhet bërë një pengesë. Ajo mund të nxisë një revoltë, e cila mund të bëhet e dobishme. Një analizë e nocionit të revoltës mund të na ndihmojë të zbulojmë nocione të afta për ti ridhënë ekzistencës sonë një kuptim.” Ky është dhe thelbi i mendimit të Albert Kamysë. Një mesazh që kërkon angazhimin e njeriut e të shoqërisë për një vështrim kritik, në mënyrë që të mund të ecet përpara, në mënyrë që të bëhet progres larg demagogjisë politike dhe fshehjes të së vërtetës.
Njeriu i revoltuar është i të gjitha fushave dhe ne e shohim atë të hyjë në skenën e teatrit si të zbresë në rrugë, në shesh, me hapin e vendosur, është ai që proteston, trupa që bien dhe ngrihen, ku dhjetra duar të ngritur mbajnë mbi pëllëmbë trupin pa jetë të një manifestuesi. Zërat janë shumuar. Trupat ecin në heshtje, në klithje, përpëliten mes plagësh, në heshtje. Madje heshtja është më e fortë se guri, flaka. E kështu trupat e të revoltuarve në skenë shumohen, është diçka kolektive, një dallgë që ecën. Dhe kështu skena kthehet në një skenë historike mes tymit që ngrihet lart dhe që na risjell imazhet e këtyre ditëve. Madje balerinët vizatojnë kurora lulesh mbi kurrizin e njëri-tjetrit. Ka diçka solidare, edhe pse të panjohur më parë. E kështu ata krijojnë një zinxhir human. Njerëz që lëvizin në “ralenti”, pra me lëvizje të ngadalësuar, për i dhënë një peshë emocionale më të madhe gjestit korporal.
Prejlocaj e ka konceptuar këtë koreografi të re si një homazh të revoltës njerëzore që përplaset me arbitraritetin e liderit, shtetit, me dhunën e vendim-marrësve që nuk e kuptojnë dhimbjen e popullit edhe pse çdo ditë e kanë atë para syve, dhimbjen e njeriut të revoltuar për të jetuar denjësisht, në liri e barazi, me Fjalën e Lirë. “Të ngrihesh në këmbë është të mbiekzistosh”, – thotë Preljocaj, pra të mbijetosh. Ekzistenca është çështje themelore e njerëzve të rrugës, e nxënësve, studentëve, e atyre që punojnë dhe krijojnë të mirat materiale, e atyre që nuk kanë pasuri të fituar pa mund, pa djersë, që nuk janë oligarkë apo që u shërbejnë oligarkëve, që nuk bëjnë korrupsion. Të gjitha revoltat që janë shtypur me dhunë, një ditë ato kanë triumfuar!