Tri poezi nga Xheni Krypi

Brenga s’pushon
Me duart e mbrëmjes
mbledh copëza dite,
me duart e kujtesës
qep fytyra fëmijësh në errësirë.
Me duart e nënës
nuk di të lodhem kurrë.
Dhe kur dielli më thotë “mirëmëngjes”,
ia besoj të ardhmen,
se unë jam ende e uritur—
për det,
për qiell,
për një kthim që s’ka adresë.
Po. Po vij me të,
në të njëjtën frymë — pa u nxituar.
Dashuri,
nëse një ditë hesht
mos e merr si ikje.
Është mënyra ime
për të mos u copëtuar.
Unë nuk di të dua drejt,
di të dua thellë.
Ngatërroj frikën me përkushtimin,
qëndrimin me dhimbjen,
dhe prapë rri. Kam ditë kur jam strehë
dhe ditë kur jam stuhi.
Mos më kërko mot të qëndrueshëm,
jam det që mëson ende
emrin e vet.
Nëse mbetesh,
mbetu jo për premtime,
por për të vërtetën
që nuk zbukurohet.
Sepse dashuria ime
nuk të shpëton —
të mban zgjuar.
Dhe nëse kjo të mjafton,
atëherë
jam këtu.
Netëve flas me heshtjen,
ajo më njeh me emër.
Më mëson si të rri zgjuar
pa shpresë të zhurmshme,
pa lutje që kërkojnë përgjigje. Brenga
nuk më ndjek—
ajo ecën brenda meje,
si një fëmijë
që s’di ku të shkojë,
por nuk do të mbetet vetëm.
Dhe unë e mbaj.
Siç mbahen gjërat
që nuk shërohen,
por bëhen shtëpi.
Etja vazhdon
Kësaj nate
i fal një frymëmarrje,
yjeve
një puthje të vonuar.
Kam kohë pa puthur,
prandaj etja
më pi mua.
Dhe përsëri rrjedh në heshtje,
si ujë që kërkon brigjet,
duke gjetur çdo hapësirë
ku të ngrihem pa zhurmë,
për të thithur pak dritë
nga dora e qiellit.
Një etje që s’ka fund,
por më mëson të pres,
të mbaj shpirtin zgjuar,
të shijoj mungesën
si një pije e ëmbël dhe e hidhur njëkohësisht.
Ëndrra s’bindet
Ti hyn sërish,
jo si trup,
por si kufi.
Horizonti të mban formën,
deti ta harron emrin,
por jo zërin.
E ndjej hapin tënd
në heshtjen që më rrethon,
në ajrin që nuk më lejon të fle,
në kohën që nuk bën kthim pas.
Je pranë,
pa prekur,
dhe çdo gjë që kam thënë
më duket e vonuar.
Në ëndërr, nuk ka rrugëdalje,
vetëm kjo lëvizje e hollë,
e njëjta siç hyn,
e njëjta që mbetet.