10-14 maj 2026/Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Kinë viziton Kinën në 35-vjetorin e themelimit të saj
Eda Merepeza.
Nga 10-14 maj 2026 anëtarë të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë dhe kreu i saj Spartak Nano zhvilluan një vizitë në Kinë. Delegacioni shqiptar në këtë vizitë pati një agjendë të ngjeshur takimesh në nivel të lartë me autoritete kineze të politikës, diplomacisë, pushtetit vendor dhe të miqësisë midis Kinës dhe Vendeve të Huaja. Ata u pritën në Ministrinë e Jashtme të Kinës, nga Përfaqësuesi i Posaçëm për Bashkëpunimin midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore z. Chen Guoyou, me Kryetarin e Shoqatës Popullore Kineze për Miqësi me Vendet e Huaja Yang Wanming, me Kryetarin e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Popullore Bashkiake të Pekinit Li Xiuling, si dhe me Liu Hongcai, Zëvendëspresident i Shoqatës Kineze për Mirëkuptim Ndërkombëtar, ish-Zëvendësministër i Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.
Gjatë qendrimit në Kinë delegacioni i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë vizitoi dhe qytetin e Tianjin-it, ku iu rezervua një takim me zëvendëspresidenten e Shoqatës Popullore të Tianjinit për Miqësi me Vendet e Huaja znj. Huang Chunyan.
Në këto vizita anëtarët e delegacionit shqiptar shkëmbyen mendime për thellimin e miqësisë tradicionale midis dy vendeve, për forcimin e mëtejshëm të kontakteve dhe zgjerimin e bashkëpunimit praktik. Në takimin e delegacionit shqiptar me Kryetarin e Shoqatës Popullore Kineze për Miqësi me Vendet e Huaja Yang Wanming biseda u ndal në miqësinë tradicionale, shtyllat e rëndësishme të bashkëpunimit në kuadër të Nismës kineze “Një brez, një rrugë” dhe të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Z. Yang Wanming theksoi se në epokën e re të dy vendet kanë rritur besimin e ndërsjellë politik, duke forcuar komunikimin e politikave dhe avancuar bashkëpunimin praktik. Ai theksoi se “ky është viti i parë i Planit të 15-të pesëvjeçar të Kinës dhe vendi do të thellojë me vendosmëri reformën, duke zgjeruar hapjen ndaj botës në nivel të lartë, duke përputhur strategjitë e zhvillimit me botën, përfshirë Shqipërinë dhe duke ndarë mundësitë e zhvillimit me të”. Ai shprehu gatishmërinë e Shoqatës Popullore Kineze për Miqësi me Vendet e Huaja për bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Kinë, me synim thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushat politike, ekonomike, tregtare, kulturore, shkëmbimet në nivel të pushtetit vendor si shkëmbimet mes të rinjve.
Nga ana e tij kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë z. Spartak Nano vlerësoi lart arritjet e mëdha të Kinës në infrastrukturë, teknologjitë e avancuara, energjinë e gjelbër dhe reduktimin e varfërisë. Ai theksoi se Kina në drejtimin e presidentit Xi Jinping ofron një referencë të rëndësishme për botën, ndërsa modeli i zhvillimit të Kinës ofron përvoja të vlefshme për vendet e Jugut Global. Kreu i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë u shpreh i gatshëm për ndërtimin e sa më shumë platformave të shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit praktik, me synim që marrëdhëniet dypalëshe të shënojnë përparime të reja.
Delegacioni i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë zhvilloi vizita dhe takime me profesorët dhe studentët e Departamentit të Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Studimeve të Huaja të Pekinit, si dhe me stafin akademik të Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë së Pekinit.
Delegacioni shqiptar vizitoi Murin e Madh Kinez, u njoh me Kulturën e Vjetër të Çajit të Tianjin-it, bëri një lundrim në lumin Hai, përjetoi një përvojë unike të udhëtimit me trenin e shpejtësisë 350 km/orë drejt Tianjin-it, si dhe mori emocione të veçanta në Qytetin e Ndaluar dhe në lagjen kulturore Dashilan.
Vizita e delegacionit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë në Pekin dhe Tianjin u zhvillua me ftesë së Ministrisë së Jashtme të Kinës, me mbështetjen e Ambasadës së Kinës në Shqipëri. Anëtarë të delegacionit shqiptarë ishin kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë dhe anëtarët e kësaj shoqate Sotiraq Xharo, Liljana Nano, Gazmend Palloshi, Ilirjana Liço, Natasha Xharo, Olga Durolli dhe Enes Cami.
Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Kinë (Foto Facebook)
CMG: Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Kinë kreu një vizitë katërditore në Pekin dhe Tianjin nga 10-14 maj. Një vizitë shumëdimensionale e shoqatës suaj, gjatë së cilës keni patur takime me personalitete të larta të politikës, diplomacisë, botës akademike dhe pushtetit lokal të Kinës. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite dhe si i vlerësoni këto takime?
Spartak Nano: E vlerësojmë shumë vajtjen në Kinë dhe takimet e zhvilluara sepse i avancuan më tej marrëdhëniet e vazhdueshme miqësore që kemi me Kinën. Ishim të ftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Kinës dhe nën kujdesin e Ambasadës kineze në Shqipëri me ambasadore zonjën Pang. Kjo vizitë ishte dëshmi e vlerësimit dhe e miqësisë së sinqertë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij kinez. Një vizitë shumëdimensionale me personalitete të larta të politikës, diplomacisë, botës akademike dhe kulturore të Kinës.
Gjatë qëndrimit tonë patëm takime shumë të frytshme me personalitete të larta të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, me përfaqësues të Komitetit Qendror, me Shoqatën Kineze për Miqësi me Vendet e Huaja, me drejtues të Bashkisë së Pekinit dhe Tianjin-it, si dhe me pedagogë dhe studentë të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, të gjuhës shqipe, si dhe Universitetit të Teknologjisë.
Këto takime na dhanë mundësinë të shkëmbejmë mendime për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore Shqipëri-Kinë, të njohim nga afër zhvillimin e jashtëzakonshëm të Kinës dhe të krijojmë ura të reja bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, kulturës, arsimit, turizmit dhe shkëmbimeve mes njerëzve.
Për ne ishte një nder i madh që u pritëm nga institucione kaq të rëndësishme dhe që patëm mundësinë të zhvillojmë biseda të hapura miqësore me përfaqësues të niveleve të larta. Ky vlerësim na motivon të vazhdojmë me përkushtim punën tonë për zgjerimin e bashkëpunimit dhe miqësisë mes Shqipërisë dhe Kinës. Do të doja gjithashtu të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për vlerësimin dhe respektin që u tregua ndaj nesh gjatë vizitës në Kinë. Ndjemë një mikpritje të ngrohtë dhe një konsideratë të veçantë për Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Kinë dhe për kontributin e saj për forcimin e marrëdhënieve midis dy popujve tanë.
U kthyem nga kjo vizitë me bindjen se miqësia tradicionale midis dy vendeve tona ka një bazë të fortë dhe perspektiva të forta në të ardhmen.
CMG: Kjo ishte vizita e parë e një delegacioni të Shoqatës suaj në Kinë?
Spartak Nano: Kjo ishte vizita e parë
CMG: Ju z. Sotiraq keni qenë pjesë e këtij delegacioni. Cilat janë përshtypjet tuaja nga kjo vizitë?
Sotiraq Xharo: Ishte kënaqësia ime e madhe të kthehesha në Pekin.Kur ishim studentë Pekini për ne ishte si Tirana, që e njihnim mirë. Por në këtë vizitë pashë shumë ndryshime dhe nuk e krahasoja dot Pekinin e vitit 1961 me këtë të vitit 2026. Më mbeti në zemër dhe do ta mbaj gjithmonë pritjen që na u bë në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, që dikur e quanim Institut. Atje kishte ndryshime të shumta dhe mbajta mend vetëm një fushë futbolli. Pas kësaj vizituam Universitetin e Teknologjisë dhe të Shkencave, që dikur quhej Instituti i Hekurit dhe Çelikut, ku gjithashtu pashë ndryshime kolosale.
Në të gjitha vizitat tona kemi mbetur shumë të kënaqur nga pritja e tyre sepse kinezët na mikpresin edhe për faktin që me Kinën kemi patur një miqësi të jashtëzakonshme. Ne si ish-studentë e kemi ndjerë këtë.
CMG: Shoqata juaj vepron në Shqipëri prej 35 vjetësh. Ndërkohë në vizitën tuaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës jeni pritur nga përfaqësuesi i posaçëm për bashkëpunimin midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ky takim përkon dhe me Takimin e 7-të të Mekanizmit Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore zhvilluar së fundmi në Kinë.Çfarë mendoni për bashkëpunimin midis Kinës, ekonomisë së dytë globale dhe Shqipërisë dhe kontributin e Shoqatës suaj në këtë drejtim?
Spartak Nano: Jo vetëm shoqata jonë, por i gjithë populli shqiptar e vlerëson kontributin e bashkëpunimit me Kinën. Ne e kemi provuar konkretisht këtë kontribut dhe duam të vazhdojmë të punojmë bashkërisht në të gjitha fushat.
CMG: Në Takimin e 7-të të Mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet EQL ishte e pranishme dhe nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, e cila e vuri theksin te forcimi i bashkëpunimit mes pushtetit vendor në të dy vendet tona. Në këtë takim gjithashtu morën pjesë dhe nënkryetarët e Bashkive Vlorë dhe Fier, ndërkohë dhe ju keni patur takime me përfaqësues të pushtetit lokal në Pekin dhe Tianjin. Si e shihni bashkëpunimin mes qyteteve shqiptare dhe atyre kineze?
Spartak Nano: Shoqata do të bëjë maksimumin që lidhjet me Kinën të shkojnë gjithmonë duke u rritur për të arritur objektivat e programuara prej nesh në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Kemi besim të plotë që edhe kinezët janë të predispozuar për këtë program që nga Ambasada e Kinës në Shqipëri e deri te personalitetet e larta që takuam në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës, të pushtetit vendor dhe sektorit të arsimit. Kam besim se marrëdhëniet Shqipëri-Kinë do të pësojnë rritje të konsiderueshme.
CMG: Vizita e Shoqatës suaj në Kinë për pesë ditë ka qenë shumë intensive me takime zyrtare si dhe vizita në monumente të rëndësishme të kulturës, historisë dhe natyrës kineze. Përshtypjet tuaja nga kjo vizitë z. Gazmend
Gazmend Palloshi: Numri i lartë i specialistëve kinezë që kanë qenë në Elbasan, bën që ky qytet i yni të jetë si një kryeqytet i dytë i Shqipërisë për kinezët. Në Elbasan ishte një lagje prej 15 pallatesh ku jetonte një numër i lartë i specialistëve nga Kina, të cilët ndihmuan shumë në përgatitjen e stafit të ri që do të merrte në dorë teknologjitë e ardhura nga Kina. U përgatitën mijëra specialistë shqiptarë, që fatkeqësisht sot i kemi humbur për shkak të largimit të tyre nga vendi drejt tregut europian, i cili ishte i uritur për krahun e kualifikuar të punës.
Një përshtypje e madhe për mua ishte vizita në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Studentët që takuam shprehën vlerësime të jashtëzakonshme për ish pedagogun e tyre Ruzhdi Stringa, që ishte nga qyteti i Elbasanit. Vizita ishte organizuar në mënyrë perfekte. Mendoj se ne ndajmë vlera të përbashkëta me popullin kinez. Përtej ulje-ngritjeve të politikës unë mendoj se popujt kanë ushqyer një miqësi vëllazërore, ndonëse në Kinë këtë e ruajnë 60 vjeçarët, të cilët e kujtojnë periudhën e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve tona. Shpresojmë t’i forcojmë këto marrëdhënie dhe të mësojmë nga përvoja reciproke.
Nga takimet e anëtarëve të delegacionit shqiptar
CMG: Ju Olga ishit pjesë e delegacionit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë. Cila është eksperienca juaj kineze dhe përshtypjet nga kjo vizitë në Kinë?
Olga Durrolli: Jam e lumtur të ndaj me ju përshtypjet nga vizita jonë në Kinë. Unë jam anëtare e kryesisë së Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, e cila punon prej kaq vitesh për forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe kulturore por dhe arsimore midis dy vendeve. Për mua ky udhëtim kishte një domethënie të veçantë pasi u ktheva pas 9 vitesh në Kinë. Kam kryer studimet pasuniversitare prej 4 vitesh në Kinë dhe ishte emocionuese kur pashë nga afër zhvillimin e jashtëzakonshëm të viteve të fundit.
Gjatë vizitës patëm mundësi të takonim përfaqësues të institucioneve arsimore dhe kulturore: Vizituam Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit dhe ishte emocionuese të shikoje studentët kinezë që flisnin rrjedhshëm shqip, po ashtu dhe pedagoget e tyre kineze. Ata recituan vargje nga Naim Frashëri, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli dhe kjo na emocionoi vërtet.
Në takimin që patëm në Universitetin e Teknologjisë dhe të Shkencave të Pekinit diskutuam mbi mundësitë e bashkëpunimit akademik dhe shkëmbimeve mes të rinjve shqiptarë dhe kinezë. Vizituam gjithashtu Murin e Madh Kinez, sheshin Tiananmen, Qytetin e Ndaluar, monumente të historisë së pasur dhe të qytetërimit të lashtë kinez, që vazhdon të mbetet një burim frymëzimi për të gjithë botën.
Gjatë vizitës në Tianjin u njohëm me zhvillimet e reja në fushën e arsimit dhe teknologjisë dhe ishin shumë të interesuar që atje të studionin studentë shqiptarë.
CMG: Për çfarë keni studiuar në Kinë dhe në cilin qytet?
Olga Durrolli: Kam qenë për 4 vjet në Wuhan për studime pasuniversitare në ortodonci. Universiteti ku unë kam studiuar ka marrë Çmimin Nobel për disa projekte dhe është mjaft i zhvilluar.
CMG: Në vizitën tuaj në Tianjin keni takuar zëvendëspresidenten e Shoqatës Popullore të Tianjinit për Miqësi me Vendet e Huaja znj. Huang Chunyan. Ju si një anëtare në moshë të re e Shoqatës mendoni se ka potenciale të bashkëpunimit me këto shoqata në Kinë?
Olga Durrolli: Po, mendoj se ka. Pala kineze ishte e interesuar për bashkëpunime sidomos me të rinjtë studentë, të cilët mund të njohin më tepër Kinën, kulturën e saj si dhe për të studiuar në universitetet kineze.
CMG. Znj Ilirjana ju ishit pjesë e këtij delegacioni. Ishte kjo vizita juaj e parë në Kinë?
Ilirjana Liço: Për mua ishte hera e parë që vizitova Kinën dhe ishte një kënaqësi shumë e madhe. Jam e impresionuar nga zhvillimi i Kinës, mikpritja që na u bë. Më ka bërë përshtypje ngjitja e Murit të Madh, që ishte pak e vështirë, por ne arritëm në nivelin mbi 800 metra mbi nivelin e detit. Në të gjitha vendet që kemi vizituar kemi kaluar shumë bukur.
CMG: Znj. Natasha, cilat janë përshtypjet tuaja nga kjo vizitë?
Natasha Xharo: Për mua ishte hera e parë që udhëtoja drejt Kinës, vend për të cilin kisha dëgjuar shumë, sepse mosha ime e ka jetuar kohën e kontributit të ka dhënë Kina për Shqipërinë. Sotiraqi ka studiuar 5 vjet në Kinë dhe kisha shumë kënaqësi të shihja ku kishte studiuar. Ishte një mrekulli ajo që pamë në Kinë. Udhëtimi për në Tianjin me trenin me shpejtësi 360 km në orë për një 21 minuta, ndërkohë që më parë bëhej për dy orë e gjysmë ishte një mrekulli. Tianjini në mbrëmje kur u ndezën dritat e grataçielave kishte pamje të ndryshme plot shkëlqim.
CMG: Znj. Liliana si pjesë e delegacionit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë keni qenë pjesë e kësaj vizite intensive të delegacionit në Kinë dhe kjo duket në agjendën e saj. Përshtypjet tuaja nga kjo vizitë?
Liliana Nano: Ishte një përvojë e jashtëzakonshme për të gjithë ekipin tonë. Dua të falënderoj ambasadoren e Kinës në Shqipëri, e cila bëri të mundur këtë vizitë, si dhe të gjithë anëtarët e delegacionit tonë për kontributin e tyre. Kjo vizitë pati jo vetëm një nivel të lartë të takimeve, por dhe një mundësi për të njohur nga afër zhvillimin e Kinës moderne, arritjet e saj dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Patëm mundësi të vizitonim institucione kulturore dhe u njohëm me qytetërimin e lashtë kinez, si dhe transformimin e jashtëzakonshëm të Kinës në dekada.
Një moment mbresëlënës ishte vizita në Murin e Madh Kinez, një simbol i historisë, kulturës dhe vullnetit krijues të popullit kinez. Në fund të vizitës u pajisëm me një certifikatë për kalimin me sukses të Murit.
Me rëndësi ishte vizita në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit në degën e gjuhës shqipe, ku u takuam me studentë dhe pedagogë kinezë që e flisnin shqipen në mënyrë ekselente. Na pritën me flamuj shqiptarë dhe kënduan bashkë me ne. Kjo ishte shumë emocionuese. Këto takime treguan dëshirën e madhe të popullit kinez për forcimin e miqësisë me Shqipërinë. Miqësia mes vendeve tona do të rritet e zhvillohet sepse bazat e saj janë të forta. Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Kinë do të kontribuojë për të forcuar këtë miqësi, duke futur në radhët e saj edhe të rinj, të cilët janë dëshirë të njohin Kinën, kulturën dhe historinë e saj.
CMG: Ky vit shënon 35 vjetorin e krijimit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë. Cili është kontributi i Shoqatës në forcimin e miqësisë dypalëshe dhe cilat janë planet e saj për të kontribuar në këtë drejtim?
Spartak Nano: Shoqata jonë ka një program të detajuar për të çuar më tej marrëdhëniet që kemi me Kinën. Në bashkëpunim me ambasadën tonë në Kinë si dhe ambasadën kineze në Tiranë do të bëjmë përpjekje për forcimin e këtyre marrëdhënieve. Kemi organizuar deri tani veprimtari të shumta, takime me akademikë, forume për shkëmbime dypalëshe, do të vazhdojmë më tej edhe në të ardhmen.
CMG: Në epokën digjitale dhe shqiptarët apo kinezët mund të njohin vendet përkatëse lehtësisht. Cilat janë veprimtaritë e Shoqatës deri në fund të vitit?
Sotiraq Xharo: Në bashkëpunim me Institutin e Studimeve të Evropës Juglindore në Tiranë Shoqata jonë do t’u japë materiale për hartimin e një libri me rastin e 35 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, si dhe në kuadër të 77 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Libri do të përmbajë intervista, materiale të shumta dokumentare, kujtime nga shumë ish studentë dhe ish specialistë dhe inxhinierë shqiptarë, lidhur me përvojën e bashkëpunimit të tyre me kolegët kinezë.
https://albanian.cri.cn/2026/06/12/ARTI1781247936923449