Ruzhdi Gole: TOKË FLUTURIMI
Cikël poetik
*
Detin lë pas
poshtë kodrat
qiellin lexoj në ajër,
shoh krahun e avionit
degëz’ drithërimi ndoshta
valë dhe gjeth’ nga krahët.
Jashta,
në të ftohtë
mes hojeve të ajrit
krahët e avionit s’i ndjehen,
zjarrmive buzë puth mes reve?
Mirëfilli së thelli,
këtu, dikund tjetër
më valëzojnë krahët.
Poetin lexoj në ajër.
*
Se si më duken,
njëherë ato nuk mugen
veç të bukura, të hajthme,
qeshin plot hir, xixa buzëve
herë ikona, herë afër përqafje.
Gjatë s’i vështroj dot
njerëzit ngahera nguten
hipin shkallët
pas lënë aeroport,
ah, t’isha bileta e fundit
e fluturimit
për tutje
me një nga ikonat
fshehtas
përqafje në gjoks.
*
Në Erlangen shëtis me pemët…
Ato më rrinë përkrah
në të gjitha çastet
prej tyre
gjethojnë bletë.
Hoje të gjelbërta
dita dhe nata
të gjitha çastet
bletë të paqme në Erlangen.
*
Pyll ndin
se po puthet
nga buzë dimri,
i kthjellët syri i ujrave
më i freskët gjaku alpin,
çdo rrekje shkund
hapat e fundmë hirin,
të kraharojmë … më pa u thinj.
Hirnon horizonti
merr frymë me hope
mbrëmja pyllit ia rrëzëllin kryqet,
në Nuremberg jetoj sonte
dhe miliona hapa larg
rrethrrotull atje
me mortjen
mes grushteve…
*
Më pak se të tjerët e ndiej atdheun
dheun e tretur të Atit Kastriot,
Përkrenarja ime është thyer
edhe dehur nga triumfet
tona kalorsiake atbotë.
Vetëm një Skënderbe
trokon përkrah meje,
më sheh mua
me hijen shegë të krisur,
gjaku që pikon
s’është më dehje
por bir i arratisur…
*
Pa pandehur
jo aq pa pandehur
por si kujtesë në Nuremberg
më shfaqet një nga fantazmat
më rrëngjethëse të planetit,
Njerëzimi kujtohet për eshtrat
që ia thyen në terr
dhe ende
kurrkund s’i gjen
ende sot
në epokën e vranët
të ofshamave me helm…
më duket sikur edhe sot
plasariten statujat
vet kontinenti.
Në Nuremberg,
një brengë m’afrohet
më shumë se një jetë.
Jo pa pandehur, por kujtesë…
*
Shputat e mugut, të tjera hapa
drobitur ca nga plasat e jugut
ndez’ nga fluturat, flakëzat.
Duke jetuar veriun
kreshtëza, shpella
shputat e mugut
dredhojnë dinake,
borën e lume lënë
tek kufiri i turbullt
vet fshihen diku
gjurmë pa naze.
*
Acari gjerman sonte s’rri këmbëkryq…
Bota kërkon gjithandej shandanë
jo bota e madhe por ajo e vogëla
që nis nga hapi i mbramë
për të shkuar në hënë
jo në hënën veç mall
por rënë pellgjeve
përmbys.
Acari gjerman
askund fshehur, askund përzënë
sonte rri këmbëkryq plot shandanë.
*
Këtu,
në Nuremberg
mëngjesi mbi fshatra
harliset frymëshenjtë.
Po atje tek vendi im?
Mëngjesi ushqen
nga pak fshatarakët,
fusha ofshan
nga therrja në shpinë
pi ujëra e baltëra
përtyp
bukëpakët.
Mbjellja atje ofshan gjatë
cekët e thellë,
dy kallëza
ah, sa pak
për kurorë pastë
nga korrjet e ardhshme,
tash për tash
mëngjesi
ushqehet
nga frutet
e pemës erë
fshatarakët e mi
me kothere perëndimi
ushqehen afër ndajnate.
*
Shoh jashta…
Terri zë vend nëpër eter
mbi peisazhe të larmë,
m’afrohen degë zogj
pa u ndjerë
zbresin nga qielli ngjiten lart.
Sot, të gjitha të fshehtat
më shumë i fsheh bota
kur fluturojmë ngahera
me krahë duralumini,
terri
jashta përjashta
nder teshat e zeza
për çaste të ngrohta
zë vend
ndonjë lugine
shpejt nuk ka fat zgjimi…