Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: “LULJA E HUMNERËS”

Fragment romani

Kallogjeri i mban sytë përtokë. Megjithatë duket i lumtur që në këtë vend të shkretë ka gjetur një krijesë njerëzore, së cilës mund t’i hapë zemrën. Herëpashere vështron nga Jana. Koka e saj vjen vërdallë si një gjeratore. Fytyra i merr ca tipare munduese e të përvojtura. I gufon zemra. Dridhet i tëri sikur prek hekur të nxehtë. Duket sikur murmurit me vete: “Dua të ndihmoj këtë vajzë të gjorë e të pafat. Më pushoftë zemra e vdeksha unë…”. Jana vazhdon të qëndrojë e pashpresë, e mbledhur kruspull në qoshe të dhomës, me duart mes kofshëve. Flokët i janë ngatërruar keq. Prifti, që hyn e del si hije, vazhdon të zbavitet nga ajo lojë mizore. Bërbëlet i dokëndisur:

– Kallogjer, kësaj vajze duhet t’i japim një mësim të shenjtë, të mos e pësojnë edhe të tjerat si ajo… Më ler ta mbroj misionin tim!

– Më duket e pamundur… e pamundur… Është katandisur si mos më keq… Këtu në kishë askujt nuk i bën dëm.

– Po fut hundët atje ku s’të takon!

– Përse më detyron të fut hundët? Duket sikur të ngazëllen kjo lojë… Mua po më fut drithmat…

Prifti buzëqesh me nervozizëm, me fytyrë të tendosur:

– Mos harro, se nuk të pyet njeri… Madje, po të them se po luan me zjarrin! Po sillesh pa u matur… kundër vullnetit hyjnor… Ti duhet ta kuptosh… Leri skenat romantike!

– Kam frikë, më plaçin sytë, hirësi…!

– Mos … Mos ndill ters…O yshtje ferri!

– At… vër dorën në zemër… për hir të zotit mos e bëni këtë!

– Duhet ta lësh me barrë dhe pikë! Këtu, në sytë e mi! Bëj ç’është e mundur… ç’është e mundur..! Pastaj do marrësh shpërblimin që të takon!

Sillet vërdallë Janës, si një gjahtar rreth presë.

Kallogjeri e sheh i mbufatur dhe i pikur.

I kërleshet:

– Frikacak… frikacak…! Ç’të bëj që nuk më lejohet ta bëj vetë…. Kam vetëm pasionin, vetëm telikosjen e dëshirës… por jo fuqinë. Jam shërbëtor i kishës!

– Besoj se kjo histori nuk do të të dalë për mbarë… Të kam shërbyer me besë e zemër deri më sot. Por kjo që po ndodh s’është parë e dëgjuar… Nuk e bëj dot! Më mirë hidhem në shkëmbinj… të më shqyejnë shpezët!

Nga goja e priftit dëgjohen disa fjalë të ndyra. Një re e ngrysur ia terratis fytyrën.

– Kjo është një sprovë dhe detyra jote është të më qëndrosh besnik! Perëndia e ka ruajtur enkas gjer më sot farën tënde dhe tani dëshiron ta mbjellë… E për bujk të zgjodhi ty! Të më kundërshtosh mua është si të kundërshtosh qiellin, detyra ime është t’i vë fre cilitdo që kundërshton vullnetin e qiellit!