KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
Taip Sulko
Në 31 tetor, në një takim letrar, të organizuar nga Ambasada shqiptare në Otavë, isha ftuar të flisja për romanin tim “I arratisuri”. Gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte të them se ka një rregull të pashkruar për shkrimtarët; ata nuk flasin shumë për veprat e tyre. Ka arsye të forta për këtë.
1. Ata mendojnë se çfarë kishin për ta thënë e kanë thënë, ajo është në vepër.
2. Veprat e mira artistike janë si kalejdoskopë. E rrotullon dhe ke pamje tjetër. Çdo lexues sjell shikimin dhe mendimet e veta. Aq e vërtetë është kjo saqë kritikët dhe eseistët thonë se lexuesi është pjesë e procesit krijues, ai krijon me ty… Shpesh ne ndeshemi me dy pikëpamje:
Në njërën anë thuhet se nuk ka “të fshehta”, në shkrimin e një romani, ka vetëm mjeshtëri të fjalës, përvojëshumët ndërthurin teknika që prodhojnë art. Në anën tjetër, ndërkaq, hamendësohet se krijimi i mirëfilltë, (edhe ai i romanit), mbart të fshehta, që tingëllojnë si prekje e jashtëtokësores. Nuk dëshiroj të futem në këto përplasje teorike që duket se nuk kanë fund. Thjesht dëshiroj të flas për procesin e ngjizjes dhe krijimit, tek romani “I arratisuri”. Shkrimtarët parapëlqejnë të krijojnë në vetmi. Ndaj rrugëtimi i veprës nga ngjizja deri tek botimi them se fsheh në vete shumë të pathëna…Ka gjëra që vetëm autori i di.
Romani “I arratisuri” është quajtur “libri i jetës së një autori”. Me të drejtë. Këtë mund ta them sepse:
1. Në këtë vepër ka ngjarje që janë të jetës sime – arratisjet. Këtë pak vetë e dinin. Shumë prej tyre tashmë nuk janë më. Në këtë libër ka po ashtu përjetime, ngjarje, vende, njerëz (vetje) që vijnë nga fëmijëria ime apo mosha e djalërisë së hershme.
2. Romani “I arratisuri” me të drejtë mund të quhet si “libër i jetës së një autori” sepse ideja për këtë libër ka ndenjur shumë gjatë brenda meje. Ëndërroja ta shkruaja këtë libër, që kur lexoja veprat e mëdha që kanë në qendër një fëmijë apo një të ri, që është vetë autori, si David Koperfildi i Dikensit, Universitet e mia të Gorkit, dhe, para së gjithash, Kronikë në gur e Kadaresë. Kam edhe një histori që e kam thënë edhe në ndonjë intervistë: ideja e arratisjeve më tërhiqte, më pëlqente shumë. Por ishte e vështirë që të shtjellohej në atë kohë. Vitet iknin dhe romani nuk shkruhej. Pas një farë kohe, idenë e kam hedhur shkurt në një copë letër dhe e mbaja gjithnjë me vete, në kuletë, për vite e vite. Ka ndodhur që kuletat vjetëroheshin dhe ndërroheshin ndërsa letra me shënimet për romanin kalonte tek kuleta e re…
3. Një kureshti tjetër që dua të ndaj me ju. Shënimet e para për romanin “I arratisuri” ose historitë e para i kam shkruar që kur isha student. Por në fillim shikimi im, dhe pse me tërheqje të fortë nga magjikja, për shumë arsye, ende qëndronte i ngujuar tek shikimi realist. Titulli i romanit në fillim ishte “Fëmija i fatit”. I gjetur në një kohë tjetër. Ky shikim të jepte dorë për të shkruar, duke patur parasysh jetën e vështirë në kohën e fëmijërisë time në një fshat shqiptar. Por kur arrita në 50 faqe, ndjeja se ngjarjet nuk kishin më fuqi tërheqëse, sidomos pas vitit 1990. Do ishte vetëm një roman i vuajteve dhe keqtrajtimit, shumë e njohur si temë. Nuk pata më dëshirë ta shkruaja. Për shumë kohë romani ndaloi, ngeli i paprekur. Ndryshimi i fortë për këtë roman, bashkimi i reales me magjiken (i provuar tashmë në disa tregime të botuara më parë tek Antologjia e shpirtërave) trokiti këtu në Kanada.
Dua ta them, në një kohë jo të mirë për mua. Ishin vitet 2014-2015 kur për ca kohë isha i papunë dhe kur kisha pasur një fatkeqësi, më kishte vdekur nëna. Isha i hidhëruar, i pikëlluar, si i varur në gremçin e pengjeve. Për tu harruar dilja në shetitje të gjata. Gjatë asaj kohe të vështirë erdhën edhe gjetjet më të mira për romanim “I arratisuri”. Po i rendis:
a. Ndryshimi i titullit nga “Fëmija i fatit” në “I arratisuri”. Në qendër do ishin arratisjet, lëvizja, veprimi i rrëmbyeshëm. Kjo edhe u vërtetua shumë shpejt. Posa hyra në këtë shteg, nuk i tërhiqja unë ngjarjet, por ngajrjet më tërhiqnin mua.
b. Ndryshimi i shikimit për botën. Njerëzit, ngjarjet, përjetimet, ngjyrat dhe dritat janë aty. Ato janë të njëjta për të gjithë, por jo për shkrimtarin dhe artistin. Shpirti artistik duhet t’ju japë atyre theksimin e fortë, t’ju japë gjyrën, atë fuqi jete që i ngjan flakës.
c. Shqipëria është vend i bukur, është një mrekulli, një univers më i vogël, në universin e madh të botës. (Kjo ndjesi bëhet e mprehtë kur je larg). Ti si shkrimtar, tashmë mendon se duhet ta kapësh atë që është edhe shqiptare, edhe pjesë e trashëgimisë së madhe të rruzullit. Dhe atëhere brenda vetes ti kërkon se si, atë që është e jotja, që është shqiptare, pjesë e atij universi më të vogël, ta shprehësh me mjetet universale të artit.
Më vjen mirë që shumë nga kritikët dhe shkrimtarët që kanë shkruar për romanin “I arratisuri” e kanë vënë re këtë- romani ka gjuhë universale të ndjesive dhe domethënies.
d. Kur shkrimtari fillon e shikon veprën e vet nga kjo lartësi, atëhere kapet fort pas mendimit se një vepër arti është një botë e re që krijohet. Dhe për të punon. Ajo duhet të jetë e përkryer në logjikën dhe dritëhijet e jetës, duhet të jetë e besueshme reale, por edhe fluturim dhe tërheqje lart tek imagjinata dhe shpirtërorja.
e. Kur fillon ta ndërlidhësh realen me fanazinë, magjiken, puna bëhet edhe më tërheqëse – këtë botë që po krijon, këtë univers të vogël që e ke gjetur në vendin tënd ti do që ta përmbushësh me mjetet që të jep gjuha jote, (për fat kemi një gjuhë që për mua është më e bukura e botës), të përfshish aty historinë, atë që na jep përjetësi dhe na bën krenarë, trashëgiminë e pasur, atë rrjedhë të jetës që duhet ta kapësh në tërësinë e vet, me të mirën dhe të keqen, me bukurën dhe vuajtjen, me ringjalljen e dashurisë dhe goditjen dërmuese të tragjikes.
f. Kjo mënyrë e shikimit do edhe stilin e vet, rrëfimi duhet të jetë i shpejtë, fjalitë të shkurtëra dhe të mbushura me veprim dhe mendim. Ajo që është kryesorja: në rrëfim duhet që patjetër një ngjarje të ndjek tjetrën, një vepim të ndjek tjetrin, me një gjuhë të shpejtë dhe poetike.
g. Sikurse e mendoj dhe e kam bërë tek “I arratisuri”: Rrokullisja e shpejtë e ngjarjeve të jep dorë edhe që personazhet të ndryshojnë të rriten, të zhvillohen më mirë, sipas prirjes së tyre, ata, secili prej tyre, në fund të librit kanë një fat, fatin e tyre, tashmë të plotësuar, të mirë apo të keq, sikurse ta mëson edhe jeta.
Për një shkrimtar, një jetë njerëzore është një përrallë e bukur që duhet rrëfyer. Kjo e bën jetën më të mirë. Nëse e kupton shkrimtari këtë, ai do bëjë gjëra të mira.
h. Dua të flas për gjuhën në romanin “I arratisuri”. Gjuha është fusha ku zhvillohet beteja e shkrimit, por ajo është edhe mjeti me anë të cilit vepra letrare kryhet, përmbushet. Kur ti e do gjuhën tënde, dhe je në ethe krijuese, fjalët të vijnë vetë në mendje. Shpesh ti nuk e di se fjalë të tilla ishin në thellësinë tënde dhe vijnë dhe shfaqen atëhere kur duhet, për ta bërë rrëfimin sa më tërheqës. Një nga ata që ka shkruar për këtë libër më tha se kishte gjetur në roman rreth 150 fjalë që nuk janë në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe… Kjo është njëpërkëdhelje e mirë për një shkrimtar…
Në fund të fjalës time, përmenda, fare shkurt, një pjesë të shkrimtarëve, kritikëve, poetëve, studiuesve që kanë shkruar për romanin “I arratisuri” edhe si një dëshmi se, secili lexues (aq më tepër kur bëhet fjalë për krijues) ka shikimin dhe leximin e tij.
Çerçiz Loloçi, shkrimtar, gazetar dhe botues flet për “ndihmesë të ndjeshme në letrat shqipe”, Naim Zoto botues, gazetar përmend “sagë myzeqare që të kujton Jakov Xoxen, por me këndvështrimi dhe stili tjetër”, Lazër Stani shkrimtar i shquar dhe kritik vë re një “fantazi magjepsëse” dhe “një dorë mjeshtri” ndërkohë që Nuri Plaku poet, shkrimtar flet për “prurje të re” dhe “talent të spikatur të autorit”.
Nga ana e tij, Ndue Dedaj poet, shkrimtar dhe gazetar i njohur përmend “libri i jetës së një autori”, “një ndër romanet e sukseshme bashkëkohorë” , Prof.Anila Omari, akademike, gjuhëtare shkruan se “I arratisuri”, “jep mesazhe universale” , Kujtim Dashi shkrimtar dhe gazetar shesh tek ky libër “humanitet të rrallë” dhe “trajtimi mjeshtëror i tharmit universal”, Spiro Kote, poet dhe kritik shprehet se “tri arratisjet janë poema të bukura, që ndrijnë nga fjala e pasur dhe rrëfimi i zhdërvjellët”, Drita Ademi, poete, shkrimtare dhe kritike e njohur nga Kosova nga ana e saj ve në dukje se Taip Sulko ndërthur realitetin me magjiken, tue e kthye arratisjen në metaforë universale” .
Më tej dua të përmend: Monika Stafa, gazetare dhe studiuese, Top Channel, e përcakton romanin “I Arratisuri” si “fate njerëzore në një sagë shqiptare”, Dhimitra Malo dhe Prof.Foto Malo (studiues i letërsisë): “Me këtë roman hapen shtigje estetike krejt të reja për letërsinë shqiptare”, Fatmir Terziu, poet, shkrimtar, kritik dhe botues, Londër, thotë “I arratisuri” “kontribuon në konsolidimin e një estetike bashkëkohore shqiptare”, Valbona Ahmeti, poete dhe shkrimtare nga Kosova, Montreal: “Romani përcjell idenë se liria është një nevojë themelore për njeriun”, Irena Dragoti, poete, shkrimtare dhe eseiste, SHBA: “shkrimtari Taip Sulko dialogon deri me letërsinë e përtej atdheut si një zë përfaqësues universal i njeriut modern”. Arben Iliazi, shkrimtar, poet dhe kritik: Tek “I arratisuri”, sheh “një roman ontogjenik” dhe një “shkrimtar të avangardës krijuese, që i jep vetes të drejtën për të diktuar rregullat kategorike të shpirtit…”
Kam edhe mjaft gjëra të tjera për të thënë, shkrimi i romanit “I arratisuri” ka zgjatur shumë. Ka edhe një lehtësi tjetër, kam vënë re se shkrimtarët shumë të mirë, sado që flasin, nuk bëhen të mërzitshëm. Ku ta dish, kam ende kohë për këtë…/gazeta dielli