Albspirit

Media/News/Publishing

Gentiana Mara Sula: Prehu në paqe, Gjergj Hani!

Kisha zgjedhur të shkruaj për Gjergj Hanin sepse ishte fiks brezi im. Lindëm me një vit. Kemi qenë në të njëjtat shkolla, me të njëjtat tekste dhe nën të njëjtat parrulla. Shumë nga ju që ndiqni këtë faqe jeni po nga ky brez. Ndaj ju ftoj ta lexoni këtë histori jo si diçka të largët. Nuk e pranoj mendimin se këto histori nuk na përkasin më. Përherë më ka ngacmuar komunizmi, por me punën ne AIDSSH, kam 10 vite që lexoj arkivn sekrete dhe të kuptoj shumë gjëra. Sot qe ai nuk është më, po ndaj detaje nga dosja e tij që e kisha për fat në duar.

27 maj 1985, 16 vjeç. Natën, Gjergji hyn në liqenin e Pogradecit pranë Linit, disa qindra metra larg kufirit. Kishte në xhep 28 lekë. E qëllojnë me plumba nga roja kufitare. Për një çast, liria dhe vdekja ishin në të njëjtën largësi. Një shok i lagjes e kujton të thoshte: “Mjafton të vë këmbën tek Statuja e Lirisë, në Amerikë, pastaj le të vdes”. Për të, liria vlente më shumë se jeta. Kthehet. Për shtetin që e qëlloi, jeta e një 16-vjeçari nuk vlente fare.

1 korrik 1985, 16 vjeç. Dënohet me 5 vjet burg për “tentativë arratisjeje”, në gjyq “para kolektivit” të shkollës së tij, gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës. Përfytyroj një djalë që sheh në sallë fytyrat e shokëve të klasës dhe të mësuesve. Ndoshta ndjeu turp, sepse e kishin bërë shembull. Ndoshta ndjeu edhe vetmi: të gjithë e shihnin, por askush nuk mund t’i afrohej.

1985–1986, 16 vjeç. Vuan dënimin në kampin e Qafë-Barit. Fotografia e tij në dosje e tregon me kokë të qethur dhe me sy mbyllur. Ndoshta ishte thjesht një çast. Por është e vështirë të mos mendosh për një fëmijë që, përballë asaj që e priste, nuk donte ta shihte.

Janar 1986, 16 vjeç. Lirohet me amnisti. Ndoshta besoi se gjithçka kishte mbaruar dhe se mund të fillonte nga e para.

Mars 1986, 16 vjeç. Nuk kishte mbaruar. Sigurimi e merr “nën kontroll”, sepse “Gjergj Hani është në moshë shumë të re […] dhe vetë qenia në burg e ka bërë që të lidhet me elementë të degjeneruar”. Ai ndoshta nuk e dinte se po ndiqej, por mund ta ketë ndier.

Shtator 1986, 17 vjeç. Nga kontrolli hapet dosje përpunimi “për dëshirë arratisjeje”. Për një dëshirë! Në moshën kur të tjerët ëndërronin dashurinë e parë, ai ishte bërë objekt i një dosjeje sekrete.

1986, 17 vjeç. Sigurimi propozon ta rekrutojë „me material detyrimi […] mbasi është në moshë shumë të re”. Mosha që duhej ta mbronte u bë dobësia që ata shfrytëzuan. Por Gjergji nuk pranoi kurrë bashkëpunim të fshehtë. Një 17-vjeçar, i burgosur një herë dhe i ndjekur hap pas hapi, nuk e shiti veten. Shumë të rritur nuk e përballuan dot atë që ai përballoi.

19 janar 1987, 17 vjeç. Sipas raportit të një informatori, thotë: “Për 100 metra qesh t’u ik […] por herë tjetër s’kanë për të më kapur”. Në këto fjalë dëgjoj kryeneçësinë e një adoleshenti, por edhe diçka më të thellë: refuzimin për t’u dorëzuar.

Pranverë 1987, 17–18 vjeç. Shokë të lagjes japin deklarata kundër tij. Një letër anonime, që sipas ekspertimit ishte shkruar nga një moshatar i tij, e quan „armik të popullit, i cili me të gjetur rastin […] është gati t’i vërë kësaj partie zjarrin”. Ndoshta kjo e lëndoi më shumë se burgu: të zbulosh se shokët e tu janë kthyer në dëshmitarë te fshehte kundër teje. Megjithatë, as atëherë dhe as më vonë, Gjergji nuk e shau publikisht asnjë prej atyre të miturve. Shihte lart dhe nga e ardhmja. E kuptoi atë që shumë të rritur nuk e kuptojnë ende: ata ishin fëmijë si ai, të përdorur nga i njëjti aparat.

22–23 korrik 1987, 18 vjeç. Arrestohet dhe mbahet në qelinë nr. 10, me mjete përgjimi dhe me një të burgosur të vënë aty për ta ndjekur. Ndoshta i hapi zemrën shokut të qelisë, ashtu si bën çdo i ri i vetmuar. Nuk e dinte që çdo fjalë e tij do të bëhej provë.

Vera e vitit 1987, 18 vjeç. Në hetuesinë e dytë, dy vjet pas natës në liqen, i kërkojnë të vizatojë rrugën e arratisjes së vitit 1985. Skica e tij me stilolaps ruhet në dosjen gjyqësore: fshati Lin, liqeni, hekurudha, shkurret, “Porta e klonit”, “Posta e kufirit” dhe, përtej tyre, “Jugosllavia”. Poshtë ka firmosur “I pandehuri Gjergj Hani”. Rruga që një 16-vjeçar e kishte ëndërruar si rrugë drejt lirisë, një 18-vjeçar u detyrua ta vizatonte si provë kundër vetes. Kujtesa e asaj nate nen plumba, nuk i ishte shuar.

16 nëntor 1987, 18 vjeç. Prokurori kërkon 16 vjet burg, gati sa jeta që kishte jetuar deri atëherë. Gjergji u ankua se “nuk kam bërë asnjë veprim konkret”. Gjykata e llogariti moshën e tij deri në ditë, “17 vjet, 10 muaj e 10 ditë”, jo që ta mbronte, por që të shkruante se “megjithëse në moshë të re dhe pa bërë akoma 18 vjet, ai është dënuar dy herë për tre krime kundër shtetit”. Për fjalë si „liria këtu është e kufizuar, ndërsa në Amerikë shkon ku të duash”, e dënoi me 11 vjet. Ndoshta në atë sallë kuptoi se rinia e tij, ajo që ne të tjerët e jetuam, do t’i kalonte pas hekurave.

7 dhjetor 1987, 18 vjeç. Gjykata e Lartë e lë dënimin në fuqi. Edhe shpresa e fundit iu mbyll.

17 mars 1988, 18 vjeç. Dosja arkivohet “me afat ruajtjeje përgjithmonë”. Ishte projektuar të ishte sekrete dhe e përjetshme, që emri i tij të mbetej përgjithmonë i shënuar.

2019, 50 vjeç. Shumë vite më vonë, pasi dosja u deklasifikua, Gjergji e mori atë pranë AIDSSH-së. Dosja që ishte shkruar që ai të mos e shihte kurrë përfundoi në duart e tij. Përfytyroj një burrë që lexon me qetësi atë që i kishin bërë djalit 16-vjeçar që kishte qenë. Ndoshta ndjeu trishtim, por jo urrejtje. Ai e lexoi dosjen që ta njihte të vërtetën, jo që të hakmerrej.

12 nëntor 2026, 57 vjeç. Gjergji ndërron jetë në Durrës. Dosja që duhej të ruhej „përgjithmonë” për ta mbajtur nën kontroll ruhet sot si dëshmi e asaj që iu bë.

Asnjë ligj nuk i detyronte ta gjykonin para shkollës, ta ndiqnin për shkak të moshës, të planifikonin ta shndërronin në informator ose të kërkonin 16 vjet burg për disa fjalë. Kjo ishte zelli i konformizmit, një indoktrinim aq i thellë sa te një fëmijë që ëndërronte shihte armik. Ata kishin ligjin, uniformën dhe dosjen. Ai kishte vetëm kurajon të mos mendonte si ata.

Prandaj e nderojmë sot. Sepse ishte njeri kur të qenit njeri kushtonte burg:

I qëlluar me plumba në moshën 16-vjeçare, nuk hoqi dorë nga ëndrra, edhe kur u detyrua ta vizatonte si provë kundër vetes.

I ftuar të bashkëpunonte fshehurazi, nuk pranoi.

I tradhtuar nga moshatarët, nuk i shau.

I ndjekur nga një dosje “e përjetshme”, e mori në dorë dhe vazhdoi të shihte përpara.

Kjo është fisnikëria e tij: një njeri në paqe me veten dhe me të vërtetën e natyrës njerëzore.

Ju që jeni brezi im: ndoshta ishit në të njëjtën klasë, në të njëjtën lagje ose në të njëjtin qytet. Ndoshta keni pasur një shok si Gjergji, ose keni qenë vetë si ai. Ndoshta keni heshtur, si shumica prej nesh. Ju ftoj ta kujtojmë bashkë, pa frikë dhe pa turp. Shkruani një kujtim, një emër ose një pyetje. Gjergji nuk është më, por dialogu i shoqërisë me të fillon sot, dhe vazhdon çdo ditë që zgjedhim lirinë në vend të konformizmit.

Prehu në paqe, Gjergj!