Albspirit

Media/News/Publishing

MËSIMI KËRKON GJITHMONË DISIPLINË SPARTANE

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Një libër që sjell përvojën, mendimet dhe botën shpirtërore të mësuesit Astrit Kaziut

Këto ditë më ra në dorë një libër i veçantë, në dukje i thjeshtë, por me një përmbajtje të pasur, me analiza, përjetime dhe mesazhe që të bëjnë të ndalesh e të reflektosh. Është libri “Për nxënësit e mi dhe jo vetëm…”, i autorit Astrit Kaziut, një mësues këmbëngulës, njeri i përkushtuar ndaj arsimit dhe formimit të brezave, por edhe një vëzhgues i hollë i jetës njerëzore.

Astrit Kaziut është një personalitet me përvojë të shumëanshme. Krahas profesionit të mësuesit, ai ka ushtruar edhe punën e elektricistit, duke dëshmuar se dija, puna dhe përkushtimi nuk kufizohen brenda një profesioni të vetëm. Libri është shkruar në periudhën e pandemisë COVID-19 dhe është botuar në vitet e fundit në qytetin e Peqinit. Parathënien e librit e ka shkruar Genc Gripshti, historian dhe studiues, drejtor i kulturës në Bashkinë e Peqinit. Në vlerësimin e tij, ai shpreh befasinë dhe admirimin për përmbajtjen, origjinalitetin dhe botën e pasur që sjell autori përmes këtij libri. Pikërisht ky vlerësim më nxiti ta lexoja. E nisa me kureshtje dhe, pa e kuptuar, e përfundova në një kohë të shkurtër. Libri nuk më hiqej nga dora. Mendoja të bëja një pushim, por faqet më tërhiqnin njëra pas tjetrës. Gërmë pas gërme, episod pas episodi, hyra në një botë tjetër, njoha njerëz, ngjarje e mjedise që kishin lënë gjurmë në rrugëtimin jetësor dhe profesional të një mësuesi me bindje të forta, me qëndresë në mendime dhe me përgjegjësi në veprime. Në rrëfimet e tij Astriti nuk kërkon të fyejë apo të gjykojë askënd. Ai përpiqet të tregojë, të analizojë dhe të nxjerrë mësime nga përvoja. Edhe kur vëren gabime, e bën këtë me maturi, me ndjenjë drejtësie dhe me dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet njerëzore. Kjo është një nga vlerat e librit: sinqeriteti i rrëfimit dhe aftësia për të shndërruar përvojën personale në një mesazh më të gjerë shoqëror e edukativ.

Një libër me kujtime, skica dhe mesazhe njerëzore

Libri ka një strukturë të veçantë. Ai nis me parathënien dhe prologun, për të vijuar me episode të jetës shkollore, kujtime familjare, portrete njerëzore, vëzhgime shoqërore dhe reflektime mbi arsimin. Autori kalon natyrshëm nga një ngjarje te tjetra, nga një kujtim i largët te një përjetim i afërt, duke krijuar një mozaik të jetës së tij si mësues dhe si njeri. Në faqet e para gjejmë përsiatje për vendosjen e notës dhe përgjegjësinë që mbart mësuesi në vlerësimin e nxënësit. Më pas vjen skica “Më trishton Maji…”, e ndjekur nga episode të tjera, si “Disiplina spartane”, “Unë në kampin e pionierëve”, “Flokët e mi të gjatë”, “Shoku im i klasës”, “Shoku ynë student”, “Ndëshkimi fizik (i pari dhe i vetmi)”, “Një shaka në Skodë” dhe “Ndërgjegjja e mësuesit”. Në vijim, autori hap dyert e kujtesës familjare me rrëfime për gjyshen, motrën, “Afërdita, nëna ime”, “Im atë dhe radioja”, për televizorin dhe ndryshimet që solli teknologjia në jetën e njerëzve. Nuk mungojnë as kujtimet për kolegët, nxënësit, miqtë dhe marrëdhëniet mes mësuesit e brezave që kalojnë nëpër bankat e shkollës. Veçanërisht tërheqëse janë temat “Pranë dhe larg arsimit”, “Nxënësit katundarë dhe qytetarë”, “Shoqen e risollëm në shkollë”, “Manushaqja”, “Gabimi i koleges”, “Kartolinat”, “Nxënësi-shok”, “Bashkëbisedues, mirëkuptues dhe burrëri, por…” dhe “I varfër”. Secila prej tyre sjell një episod, një problem apo një vlerësim që lidhet me jetën shkollore dhe me marrëdhëniet njerëzore.

Në këto skica shfaqet mësuesi që nuk e kufizon detyrën e tij vetëm në zhvillimin e orës së mësimit. Ai e sheh nxënësin si një personalitet në formim, me botën e vet emocionale, me vështirësitë, ëndrrat dhe shqetësimet e tij. Për këtë arsye, marrëdhënia mësues-nxënës në librin e Astrit Kaziut nuk është thjesht një raport institucional, por një lidhje që mund të vazhdojë edhe pas përfundimit të shkollës.

Disiplina spartane dhe përgjegjësia e mësuesit

Një nga temat që më tërhoqi veçanërisht është disiplina. Titulli i këtij shkrimi lidhet pikërisht me bindjen se mësimi kërkon gjithmonë disiplinë spartane. Disiplina në arsim nuk duhet kuptuar si ashpërsi e verbër apo si imponim i autoritetit. Ajo është para së gjithash rregull, përgjegjësi, përkushtim dhe respekt i ndërsjellë. Nxënësi duhet të mësojë të jetë i rregullt, këmbëngulës dhe i përgjegjshëm, ndërsa mësuesi duhet të jetë shembull i drejtësisë, korrektësisë dhe përkushtimit.

Astriti sjell përvojën e vet, duke treguar se si disiplina, kur shoqërohet me mirëkuptim dhe dashuri njerëzore, ndihmon në formimin e karakterit. Mësuesi nuk mund të jetë vetëm përcjellës i njohurive. Ai duhet të jetë edhe edukator, këshillues dhe orientues i brezit të ri. Në këtë këndvështrim, libri ngre një çështje që mbetet aktuale: çfarë duhet të jetë autoriteti i mësuesit në shkollën e sotme? Si mund të ruhet disiplina pa cenuar dinjitetin e nxënësit? Si mund të ndërtohet një marrëdhënie ku kërkesa për rezultate të mira të ecë krahas respektit dhe mirëkuptimit? Përgjigjet nuk jepen në formën e rregullave të thata. Ato dalin nga episodet e jetuara, nga gabimet, përvojat dhe reflektimet e autorit.

Nxënësit, bashkëpunëtorë dhe miq të mësuesit

Një vlerë tjetër e librit është marrëdhënia e veçantë që autori ka ndërtuar me nxënësit e tij. Ata nuk mbeten vetëm emra në regjistrin e klasës, por bëhen pjesë e kujtesës, e jetës dhe e veprimtarisë së tij. Në këtë marrëdhënie shfaqet një mësues që di të dëgjojë, të këshillojë, por edhe të pranojë mendimet dhe vërejtjet e të tjerëve. Kjo dëshmon se edukimi nuk është një proces i njëanshëm. Mësuesi i mëson nxënësit, por edhe nxënësit mund t’i mësojnë mësuesit. Përvoja dhe mosha nuk e përjashtojnë njeriun nga detyrimi për të dëgjuar dhe për të reflektuar.

Në libër përmenden edhe njohuri, këshilla, zbatime praktike dhe lojëra zbavitëse me nxënësit. Rrëfimet për Elonën, Panajotën dhe nxënës të tjerë e pasurojnë këtë pjesë, duke treguar se procesi mësimor mund të jetë edhe një hapësirë krijimtarie, bashkëpunimi dhe gëzimi. Në këtë frymë duhet kuptuar edhe bashkëpunimi i autorit me ish-nxënësit e tij gjatë periudhës së pandemisë. Uniteti, Kastrioti, Amarildi dhe të tjerë nuk janë thjesht personazhe të kujtimeve të tij, por bashkëbisedues dhe bashkëpunëtorë në një përvojë të veçantë krijuese.

Libri i shkruar në kohën e koronavirusit

Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet periudhës së pandemisë COVID-19. Ishte një kohë e pazakontë për mbarë njerëzimin, kur njerëzit u detyruan të qëndronin të izoluar në shtëpitë e tyre, kur shkollat u mbyllën dhe komunikimi mori forma të reja. Autori kujton se shqiptarët u përballën me dy goditje të rënda brenda një kohe të shkurtër: tërmetin dhe pandeminë. Ai sjell edhe një shprehje popullore, që e përmbledh me humor të hidhur këtë gjendje: “Tërmeti na nxori jashtë, virusi na mbylli brenda”.

Megjithatë, Astriti përpiqet të shohë edhe anën tjetër të kësaj periudhe. Izolimi krijoi mundësinë që njerëzit të kalonin më shumë kohë me familjarët, të komunikonin me të afërmit, miqtë dhe shokët, si dhe të rivlerësonin marrëdhëniet njerëzore. Për të, kjo periudhë u bë edhe një kohë reflektimi dhe krijimtarie. Ai komunikonte vazhdimisht me nxënësit e tij dhe, në këtë atmosferë të pazakontë, mori nxitjen për të shkruar librin.

Në një pjesë të rrëfimit, autori tregon se nxënësit e tij i folën për një konkurs krijues të shpallur nga televizioni shqiptar dhe e nxitën të merrte pjesë. Edhe dy miqtë e tij të universitetit, Gori Bisha dhe bashkëshortja e tij Violeta, si dhe Agim Malja, e inkurajuan të shkruante, pasi kishin lexuar më parë librin e tij për Mustafa Gjinishin.

Kështu, në ditët e izolimit, ai nisi të mbledhë kujtime, episode dhe histori nga shkolla e nga jeta, të cilat ua kishte treguar shpesh nxënësve gjatë orëve edukative, bisedave dhe ekskursioneve. Kjo nismë i kujtoi edhe përvojën e mëparshme të shkrimit të librit “Legjenda Gjinishi përballë së vërtetës”, të cilin e kishte shkruar i nxitur nga kërkesat dhe lutjet e hallës Xhemile Gjinishi, motrës së heroit Mustafa Gjinishi, të nderuar me titullin “Nderi i Kombit”.

Këtë herë nxitja erdhi kryesisht nga nxënësit. Ai u premtoi se do të përpiqej ta përfundonte dorëshkrimin brenda muajit maj 2020, sipas afatit të konkursit. Nuk synonte domosdoshmërisht një renditje të rreptë kronologjike. Dëshironte të sillte pjesë të ndryshme, ngjarje të ndryshme dhe përjetime nga mosha të ndryshme të jetës së tij. Mënyra se si u realizua ky bashkëpunim është domethënëse. Astriti shkruante nga shtëpia e tij në laptop, ndërsa nxënësi Kastriot Kurti, i lidhur me kufje nga banesa e vet, bashkëpunonte nëpërmjet celularit. Me nxënësin tjetër, Unitet Sinani, merrej me korrigjimet dhe kalimin e materialeve në USB. Në këtë mënyrë, teknologjia u bë një urë komunikimi dhe bashkëpunimi mes mësuesit dhe nxënësve të tij.

Autori sjell edhe një thënie të filozofit të lashtë Seneka, që i përshtatet shumë bukur kësaj përvoje: “Unë kam një kokërr mollë, ti ke një kokërr mollë; po t’i shkëmbejmë, secili do të ketë përsëri nga një kokërr mollë. Por unë kam një mendim dhe ti ke një mendim; po t’i shkëmbejmë, do të kemi nga dy mendime”. Kjo është filozofia që duket se udhëheq edhe Astrit Kaziun: të dëgjosh, të shkëmbesh mendime, të pranosh këshilla dhe të mësosh nga të tjerët, pavarësisht moshës apo përvojës së tyre.

Peqini, qyteti i zemrës

Një pjesë e veçantë dhe mjaft e ndjerë e librit u kushtohet Peqinit, qytetit që autori e ka për zemër. Këtu Astriti del përtej kujtimeve të zakonshme personale dhe ndërton një portret të qytetit, duke u ndalur te historia, pasuritë, traditat, bujaria dhe njerëzit e tij. Peqini paraqitet si një qytet me vlera historike e njerëzore, me një trashëgimi që meriton të njihet dhe të vlerësohet më shumë. Autori shpreh edhe pakënaqësinë e tij për mungesën e vëmendjes dhe të investimeve nga qeveritë e ndryshme. Në këtë mënyrë, dashuria për vendlindjen shndërrohet edhe në një thirrje për përgjegjësi institucionale. Ai nuk e sheh qytetin vetëm si hapësirë gjeografike, por si një bashkësi njerëzore, si një vend ku janë formuar karaktere, janë ruajtur tradita dhe janë krijuar kujtime. Peqini është pjesë e identitetit të tij, ndaj edhe vlerësimi për të zë një vend të rëndësishëm në këtë libër.

Një portret i botës shpirtërore të autorit

Në tërësinë e vet, libri “Për nxënësit e mi dhe jo vetëm…” është më shumë se një përmbledhje kujtimesh shkollore. Ai është një dëshmi e një jete të lidhur me arsimin, me njerëzit dhe me përgjegjësinë qytetare. Në faqet e tij ndihet bota e ndjeshme shpirtërore e autorit, emocionet e brendshme, gëzimet, zhgënjimet dhe dhimbjet që kanë shoqëruar rrugëtimin e tij. Lotët e sinqertë, kujtimet familjare, humori, vërejtjet dhe reflektimet për jetën ndërthuren në një rrëfim që nuk synon të paraqesë një realitet të përsosur, por jetën ashtu siç është, me dritat dhe hijet e saj. Astrit Kaziut e vendos njeriun në qendër të vëmendjes. Njeriun e ndershëm, të drejtë, të thjeshtë dhe bamirës. Përmes personazheve dhe episodeve të tij, ai përcjell idenë se vlerat njerëzore janë themeli mbi të cilin ndërtohet një shoqëri më e mirë. Marrëdhëniet mes personazheve, ndërgjegjja, përgjegjësia dhe raportet me mjedisin shoqëror e bëjnë lexuesin të reflektojë. Edhe kur ngjarjet janë të zakonshme, ato marrin kuptim më të gjerë përmes mënyrës se si autori i përjeton dhe i rrëfen. Një meritë e tij është se nuk e ndan jetën profesionale nga ajo familjare e shoqërore. Mësuesi, prindi, bashkëshorti, miku dhe qytetari bashkëjetojnë në të njëjtin portret. Kjo e bën librin më njerëzor dhe më të afërt me lexuesin. Sigurisht, si çdo vepër e lindur në kushte të veçanta, edhe ky libër mund të ketë pasaktësi, mangësi redaktoriale apo ndërprerje në vijimësinë e rrëfimit. Vetë autori e pranon se koha e kufizuar dhe kushtet e vështira të pandemisë nuk i kanë dhënë gjithmonë mundësinë për një përpunim të plotë. Por këto nuk e zbehin vlerën e dëshmisë dhe të përjetimeve që ai ka dashur të ndajë me lexuesin.

Jo vetëm për nxënësit e mi…

Titulli i librit është domethënës. Astriti shkruan për nxënësit e tij, por mesazhet që përcjell nuk u drejtohen vetëm atyre. Ato janë për mësuesit, prindërit, kolegët, qytetarët dhe të gjithë ata që besojnë se edukimi është një proces që nuk përfundon me mbylljen e dyerve të shkollës. Libri na kujton se mësuesi i mirë nuk matet vetëm me numrin e orëve të zhvilluara apo me njohuritë që ka përcjellë. Ai matet edhe me gjurmën që lë në karakterin e nxënësve, me kujtimet që ata ruajnë dhe me marrëdhëniet njerëzore që arrin të ndërtojë. Në fund të leximit, mbetet bindja se Astrit Kaziut ka dashur të ndajë me të tjerët jo vetëm historitë e veta, por edhe një përvojë jetësore: të jesh mësues do të thotë të jesh gjithmonë në shërbim të dijes, të edukimit dhe të njeriut. Sepse disiplina mund ta mësojë nxënësin të respektojë rregullin, dija mund t’i hapë rrugën drejt së ardhmes, por është shembulli njerëzor i mësuesit ai që mbetet gjatë në kujtesë.

Dhe pikërisht këtu qëndron mesazhi më i bukur i librit të Astrit Kaziut: mësuesi nuk largohet kurrë plotësisht nga jeta e nxënësve të tij. Ai mbetet në kujtime, në këshilla, në vlerat që ka përcjellë dhe në gjurmët që ka lënë në formimin e tyre.

Një libër për nxënësit, për arsimin, për Peqinin dhe, mbi të gjitha, për jetën njerëzore, por dhe për tri vlerat: disiplinën në shkollë, miqësinë e përhershme mësues-nxënës dhe dashurinë për Peqinin.