Gjuha shqipe, një nga shtyllat më të forta të identitetit dhe mbijetesës sonë kombëtare ndër shekuj
Ismet Hajrullahu
Gjuha shqipe përbën një nga shtyllat më të forta të identitetit dhe mbijetesës sonë kombëtare ndër shekuj. Rrugëtimi i saj drejt njësimit dhe standardizimit nuk ka qenë i lehtë, por është mbështetur si në përpjekjet e rilindasve tanë, ashtu edhe në dëshmitë e hershme të studiuesve të huaj që vërtetuan lashtësinë dhe veçantinë e saj.
Një ndër figurat kyçe në këtë drejtim ishte Hans Tunman (1746–1778), historian suedez dhe profesor në Universitetin e Halles në Gjermani. Ai njihet si albanologu i parë që studioi me metoda të mirëfillta shkencore origjinën e gjuhës së popullit shqiptar. Përmes kërkimeve të hollësishme në burimet e lashta greke, latine e bizantine, si dhe duke analizuar fjalorin tregjuhësh (greqisht-vllahisht-shqip) të Theodhor Kavaliotit të vitit 1770, Tunmani botoi në vitin 1774 veprën e tij monumentale “Kërkime mbi historinë e popujve të Evropës Lindore”. Përfundimi i tij ishte i prerë: shqiptarët janë vazhdues autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, të cilët as u romanizuan dhe as u asimiluan nga dyndjet e mëvonshme.
Këto dëshmi shkencore u bënë mbështetje e fuqishme për lëvizjen tonë kombëtare në shekullin XIX, kur Rilindja Kombëtare e vendosi gjuhën dhe shkrimin shqip në qendër të zgjimit kombëtar. Për dekada me radhë, shqipja shkruhej me alfabete të ndryshme – herë me shkronja latine, herë greke e herë arabe — gjë që vështirësonte përhapjen e librit dhe bashkimin kulturor të shqiptarëve.
Ky problem jetik mori zgjidhje përfundimtare në Kongresin e Manastirit, të mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908. Delegatët e ardhur nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga diaspora, nën drejtimin e figurave të ndritura si Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda e Parashqevi Qiriazi, morën vendimin historik për miratimin e alfabetit me shkronja latine, të cilin e përdorim edhe sot
Sot, në 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, kujtojmë se alfabeti i njësuar nuk ishte thjesht një marrëveshje gjuhësore, por një akt madhor i bashkimit kombëtar dhe i orientimit perëndimor të shqiptarëve. Ruajtja, pasurimi dhe kultivimi i gjuhës shqipe mbetet detyra dhe përgjegjësia jonë e përhershme ndaj brezave të ardhshëm.