“Sikur t’isha djalë” shfaqet në Metropol Tirana
Blerina Shalari

Romani i Haki Stërmillit me Sikurin e tij më josh për t’i hedhur ca rradhë, dhe për të përvijuar një “dënesë” kritike për atë se ku ka qenë dhe ku don të shkojë shoqëria shqiptare.
Ky Sikur Prustian më shtie në ngasje sepse këtë pyetje ja bëj edhe vetes ndërkohë që ndjej ndryshmërinë të më shpërfaqet shpesh si mungesë.
Ideja e Dritan Boriçit për ta sjellë të inskenuar këtë vepër bën të na kujtohen romanet e dramatizuara famshëm në radio Tirana, ku mes tyre besoj se gjendet edhe ditari, ose poema migjeniane në prozë e Stërmillit “Sikur t’isha djalë”.
Brishtësia e vajzës shqiptare i le vendin një burrneshe të supozuar që duhet të jetë Dija, e cila duhet të kthehet edhe vetë në një dije ditshmërie që duhet me patjetër t’i bëjë ballë një shoqërie që e nënçmon, e skllavëron me “perçen” e saj mentale, si dhe me Shpendin që bëhet fati i saj.
Romani i botuar në periudhën e mbretërisë e jep si prej memuarit jetën e kohës, luftën që duhet të bëjnë burrneshat e shndërruara nga gra, për pakëz më tepër ajër lirie, për pakëz emancipim, për pakëz fytyrë të zbuluar, që shoqëria të shohë një shpirt që duket përtej ferexhesë, përtej dogmave dhe prapanizmave të egra patriarkale.
Të lindësh fëmijë, apo të shërbesh nën kultin e skllaves, kjo ishte motoja e kohës, që Dije burrnesha kërkon ta zbojë, të paktën nga hapësira e jetës së saj.
Një djalë si Shpendi, një varkë, apo një arratisje, ishin të paktën për një çast, si shpëtim hyjnor.
Dritan Boriçi është një nga ata artistë që nuk tërhiqet shumë nga spektakli i jashtëm, e po kështu i zgjedh edhe veprat që drejton ose interpreton.
Me gjithë këtë arritje me të rinj e romanit të Stërmillit, Boriçit nuk i rri zhguni i regjisë më tepër se ai i aktorit. Megjithatë edhe në këtë vepër, ai ngulmon si regji në teatrin tradicional, ose në të vërtetën tradicionale të teatrit, në atë ku zotëron fjala epërsisht, e më pas vijnë të tjerat.
Dritan Boriçi është nga të paktët teatër-bërës, për të mos thënë nga të vetmit që nuk priret nga kompleksi i të ndërtuarit shfaqje me do e mos, me stekat, apo peshë-kastat të cilat janë kthyer në modë, ato vetë më tepër se realizimi mjeshtëror i një vepre.
Vetë shfaqjet që kam realizuar me këtë artist më bëjnë ta theksoj diçka të tillë, që teatri bëhet i bukur dhe i qëndrueshëm, jo vetëm kur e ngul piketën tek kultet, por edhe kur përpiqesh të krijosh modele të reja si në këtë rast, mjafton të kujtojmë se në këtë shfaqje luan dhe një vajzë e re e cila është një aktore e natyralizuar, por që për konceptin regjizorial nuk bën problem.
Prania në vepër e këngës aq të njohur “Asaman, o trëndafil i çelës” të kujton pak a shumë kohën kur këndonin gramafonët, ndoshta dhe sinqerisht më mirë se studiot dixhitale.
Në mos gaboj Boriçi e ka realizuar veprën edhe me studentë të UET, ku ju imponon dijedashësve teatrin e fjalës.
Akordet fjalësore të romanit të Haki Stërmillit është mirë që t’i prekë dhe t’i lexojë siç duhet e gjithë shoqëria shqiptare. Sepse:
Sa Dije të fshehura gjenden sot skutave të Shqipërisë, të cilat kanë nevojë për një zë përfaqësonjës?
Sa Shpendë gjenden sot jetë-palidhur sepse Dija e tyre është vështirë t’i takojë, e pastaj edhe t’i besojë zemrën e vet?
Sa të rinj artistë kanë nevojë sot për shkollën e artit të vërtetë, për mjeshtërinë të cilën artistë si Dritan Boriçi e shpërndajnë pakursim?
Sa nevojë ka shoqëria jonë për modele përfaqësimi dhe emancipim-ndjellës, të cilat arti e ka detyrë t’i përhapë, duke plotësuar detyrimin e edukimit të publikut?
Këto pyetje dhe shumë të tjera gjejnë përgjigje në shfaqjen “Sikur t’isha djalë” e dramatizuar nga Ermir Nika dhe e vënë në skenë nga Dritan Boriçi.
Në fund, mesazhi i kritikut është i qartë:
Të vihen në skenë vepra që, jo vetëm i rezistojnë erozioneve, por edhe që këto vepra të predikojnë shije, estetikë si dhe edukim për publikun.
Gjithashtu, mjeshtrat e konsoliduar të fjalës, siç është në këtë rast Dritan Boriçi, le ta vazhdojnë me altruizëm ndarjen e protagonizmit, jo vetëm me të rinjtë, por edhe me publikun, që mezi pret të gjejë veten e tradhëtuar nga politika, ta shohë, ta njohë, dhe ta korigjojë sadopak përmes veprës së artit.
Po si ka shkuar të dramatizosh një roman në arenën tonë të vogël shqiptare?
Mjeshtra të penës dramaturgjike si Dashnor Kokonozi, Valdete Bica, Jani Duri, Vangjel Kozma, etj, i kanë dhënë kulturës shqiptare, jo vetëm dramaturgjinë romanistike, por edhe përshtatjen për radio, ç’ka i bën të pakalueshëm ende në arealin e fjalës shqipe.
Po kështu vetë kam pasur rastin të lexoj një libër të dramatizuar nga Dritan Boriçi të shkruar nga Aleksandër Leogrande mbi ngjarjet e Otrantos, ku kam vënë re se janë ruajtur prej veprës në dramatizim bazat si monologu dhe dialogu, veprimi dhe nënteksti të cilat e bëjnë një dramë të kalueshme në urën e vështirë e me batica të skenës.
Kështu që duke e njohur dijësisht teknikën e dramatizimit, Boriçi mund të shpresojë më tej në totalizimin e këtyre dijeve që zotëron, për t’i bërë ato sa më shumë e sa më shpejt protagoniste në skenë, edhe pse, të gjitha këto, nuk përbëjnë as gjysmën e fuqisë së tij si aktor i përmasave.
Boriçi është i përulur ndaj romanit, përderisa e pranon atë si të tillë për dramën në skenë, dhe nuk është si shumë skenëtarë që priren t’i shkruajnë vetë veprat që duan të luhen me ose për ta.
Kjo, jo gjithmonë të siguron një sukses, e ca më pak, një vepër të qëndrueshme, ndaj vlerësohet etja e tij për t’i bërë njësh, librin me skenën, dhe kjo nën moton:
S’ka skenë pa libër”.
I urojmë suksese të rinjve dhe regjizorit të shfaqjes me subjekt nga romani i Haki Stërmillit:
“Sikur t’isha djalë”, një vepër që gjen 12 botime, dhe po njeh të trembëdhjetin në skenën e teatrit “Metropol”.