Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: “Memaliaj”, poezia profetike e Sadik Bejkos

Pas vitesh
shkova prapë në qytetin
Ku më donin të vdekur.

Nuk më kanë dashur atje
Dhe sot nuk më do asnjeri.

Veç ata që më donin vdekur
Nuk janë më

Të gjallët
Me mua bëjnë fotografi.

Historia është më e rrepta, por edhe më kapriçozja ndër gjitha perënditë tokësore; e pandjeshme, e pamëshirë, e pabuzëqeshje. Poeti Sadik Bejko sqaron gjithë kalvarin e tij të vuajtjeve, thellësinë e botës së tij, por edhe të ringritjes shpirtërore, vetëm me këtë poezi, plot dritëhije, me një përdëllim demoniak, që e shtyn të dalë jashtë vetes, për të mbetur brenda vetes. Duke përdorur si figurë stilistike dhe letrare oksimoronin, që bashkon fjalë, nocione me kuptime të kundërta, ose të papajtueshme mes tyre, poeti e mbyt brenda impulsin ‘faustian” dhe krijon një kuptim të ri dhe më të thellë ndaj demosit spazmatik e kolerik, që dikur u përpoq ta shkatërronte pa mëshirë.
Poeti e sheh veten si një mysafir të tmerrshëm në vendin e krimit, ku dikur e “donin të vdekur”, ku shpirti iu sfilit në lulen e rinisë, dhe vargjet iu mblodhën si gulsh spazamtik në shpirt, nga dalldia e çmendur diktatoriale.
Poezia “Memaliaj” është një dyluftim gjigand me dëshirën e përjetshme për të tejkaluar vetëveten, për t’u ringritur nga bota nëntokësore, për të qenë i njësuar me botën mbitokësore, dhe për të qëndruar me forcë mbi këtë realitet tokësor.

“Veç ata që më donin vdekur
Nuk janë më
Të gjallët
Me mua bëjnë fotografi”.


Këto vargje nuk janë një shpjegim metafizik i rrethanave, apo fluturim i lirë i fantazisë, por një gjendje poetike që “pllenon” frymën, përgjërimin, pastërtinë dhe entusiazmin mbi ekzistencën e thjeshtë qytetare, që përpiqet për të shpëtuar lirinë e saj.
Në kaosin e ndjenjave ngrihet lart instikti i lirisë, subjektiv e tërë zjarr, një refleks i shpupurisur i shpirtit të poetit. Diçka profetike, simbolike, pika më e lartë e nënvetëdijes dhe alter egos së poetit Sadik Bejko në art dhe në jetë, momenti ku uni i tij i përditshëm shkrihet plotësisht me krijimin artistik. Në këtë gjendje, poeti kapërcen kufijtë e arsyes së ftohtë dhe flet përmes një zëri më të thellë, universal e profetik. Ndaj këto vargje na dhurojnë një mahnitje shpirtërore, nga forca shtangëse e harlisjes që, me sa duket, tek ky poet do të mbetet e përhershme. Jeta, në monotoninë mendjeshkurër të veprimtarisë së përditshme të saj, i ka rezervuar poetit tonë të shquar, këtë fat të pamëkatshëm.


Poeti i Sadik Bejko u dënua nga regjimi komunist të punonte si minator në minierën e qymyrit në Memaliaj për rreth 6 vite (1974–1979). Ky ndëshkim pasoi goditjen e intelektualëve dhe artistëve pas Festivalit të 11-të në Radio Televizionin Shqiptar. Asokohe Sadik Bejko punonte si redaktor në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) dhe ishte autor i teksteve të tre këngëve pjesëmarrëse në këtë festival. Pas kritikave të ashpra të Enver Hoxhës dhe Plenumit të 4-t për “shfaqje të huaja dhe liberalizëm”, Bejko u përfshi në listën e të ndëshkuarve së bashku me shumë artistë të tjerë të kohës për “riedukim nëpërmjet punës”. Nga 20 janari i vitit 1974, S. Bejko zbriti në galeritë e minierës së Memaliajt, ku punoi duke shtyrë vagona me qymyr dhe duke punuar në zgafella të ngushta. Dënimi e gjeti në një moment delikat, pasi vetëm pak javë pasi kishte nisur punën në minierë, i lindi djali në Tiranë, ndërsa familja e tij nuk kishte as banesë të siguruar. Por Sadiku nuk e harroi vetëveen. Ditën e kalonte mes pluhurit të qymyrit në nëntokë, ndërsa natën shkruante poezi, të cilat shpesh detyrohej t’i griste nga frika e kontrolleve. Bejko ka dëshmuar se dalja e tij gjallë nga miniera dhe rikthimi gradual në jetën letrare u bënë të mundura falë ndërhyrjes së shkrimtarit Ismail Kadare pranë instancave të larta të partisë dhe presidiumit të kohës.

Disa nga veprat e Sadik Bejkos:

  • Rrënjët (1972).
  • Ku e ka folenë bilbili (1981) vlerwsuar me çmimin kombëtar “Penda e Argjendtë”.
  • Letër Hamurabit (1997)
    Perëndim me pak natë (2000)
    Psalm për atin (2003)
    Fytyrë e panjohur (2005)
    Somnambul (2008)
    Poezi. Botim dygjuhësh shqip
    Këngë të Solomonit (2017)
    Kalorësit e shiut (2021)
    Sadik Bejko shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë (1992–1996) dhe punoi si pedagog i letërsisë dhe historisë së qytetërimeve në universitet.

Studime, eseistikë dhe vepra të tjera:

-Ad infinitum (2025). Libër me sprova dhe studime letrare që analizon autorë dhe vepra nga Pjetër Budi deri te Bashkim Shehu
-Vilsoni dhe Genci, jeta dhe vepra (2006). Studim dhe përgatitje e veprës së dy poetëve të pushkatuar nga regjimi komunist, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.
-Përtej një apokalipsi. Monografi kushtuar letërsisë së sotme arbëreshe.
-Disidentët e rremë. Libër me shkrime dhe analiza kritike mbi letërsinë dhe realitetin gjatë diktaturës.
-Te hiri i fjalës. Përmbledhje me shkrime eseistike.
-Lulekumbullat. Përmbledhje me poezi të përkthyera nga Konfuci.