Albspirit

Media/News/Publishing

Flamur Gashi: Pushtimi osman nuk ishte shpëtimi ynë!

A mund të quhet shpëtimtar një pushtues vetëm sepse pengoi një pushtues tjetër?

Prej kohësh më shqetëson përpjekja për ta paraqitur sundimin osman si shpëtim historik për shqiptarët, veçanërisht nga rreziku i asimilimit serb.

Nuk shkruaj si historian dhe as pretendoj të jap verdikte shkencore. Ky është një vështrim i imi personal, si ngacmim prej gazetari, diplomati, pedagogu dhe dashamirësi të historisë kombëtare. Synimi im është të grishi një diskutim të ndershëm, të mbështetur në fakte dhe larg nostalgjive perandorake.

Për mua, një gjë është e qartë: Perandoria Osmane nuk erdhi në trojet shqiptare për të na shpëtuar. Erdhi për të na pushtuar!

Dhe ky pushtim u shoqërua me luftëra të përgjakshme, shkatërrime, nënshtrim politik dhe pasoja të thella për zhvillimin tonë.

Rrënjët historike të shqiptarëve lidhen me botën e lashtë ilire. Nga brigjet e Adriatikut e të Jonit, drejt Dibrës, Ohrit, Shkupit dhe Kosovës/Dardanisë, shtriheshin hapësira me histori të hershme dhe lidhje të shumta kulturore e politike.

Arbëria mesjetare kishte principatat, zotërimet dhe familjet e saj fisnike: Kastriotët, Gropajt, Balshajt, Dukagjinët, Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Shpatajt, Zenebishtët, Zahariajt, Spanët e Dushmanët etj…

Nuk ishte një shtet i bashkuar, por as një vend pa histori, pa zotër dhe pa identitet.

Qëndresa kundërosmane nuk filloi me Skënderbeun. Kryengritjet e Gjergj Arianitit dhe prijësve të tjerë e paraprinë kthimin e tij më 1443.

Me Besëlidhjen e Lezhës më 1444, Skënderbeu bashkoi një pjesë të rëndësishme të forcave arbërore dhe organizoi një qëndresë të jashtëzakonshme. Ajo vazhdoi edhe pas vdekjes së tij, veçanërisht me mbrojtjen e Shkodrës.

Një nga pasojat më të rënda të pushtimit osman dhe të luftërave që e shoqëruan ishte shpërngulja e popullsisë arbërore nga trojet e veta.

Valë të tëra arbërish morën rrugën e mërgimit drejt Italisë dhe brigjeve të Adriatikut lindor, ku më vonë u krijuan e u ruajtën edhe bashkësi si ajo e arbëneshëve të Zarës.

Në shekujt e sundimit osman, luftërat, kryengritjet, shtypja dhe pasiguria nxitën shpërngulje të tjera, përfshirë lëvizjet drejt viseve të Perandorisë Osmane.

Ndërsa në periudhën e shpërbërjes së saj dhe pas largimit të administratës osmane nga Ballkani, dëbimet dhe dhuna goditën rëndë shqiptarët e Nishit, Toplicës, Kosovës/Dardanisë dhe viseve të tjera.

Edhe bashkësitë shqiptare të Moresë e Peloponezit përjetuan gjatë shekujve luftëra, shpërngulje dhe ndryshime të thella demografike, megjithëse këto nuk mund t’i atribuohen të gjitha drejtpërdrejt pushtimit osman.

Kur flasim për pasojat e sundimit osman, nuk duhet të numërojmë vetëm kështjellat e humbura dhe kryengritjet e shtypura, por edhe vendbanimet e braktisura, familjet e shpërndara dhe brezat që nuk u kthyen më në vendlindje.

Osmanët dhe serbët shpesh herë interesat i bënin bashkë kundër shqiptarve…

Marrëdhëniet serbo-osmane nuk ishin vetëm marrëdhënie armiqësie.

Pas Betejës së Kosovës më 1389, një pjesë e fisnikërisë serbe pranoi vasalitetin osman. Stefan Lazareviqi luftoi në krah të osmanëve në Nikopojë më 1396 dhe në Ankara më 1402. Edhe gjatë luftërave të mëvonshme për fronin osman, princër serbë mbështetën pretendentë të ndryshëm, sipas interesave të tyre.

Pati edhe luftëra të ashpra serbo-osmane. Nuk ekzistoi një aleancë e pandërprerë ndërmjet tyre.

Por bashkëpunimet e dokumentuara dëshmojnë se sundimtarët serbë dhe osmanë dinin të bashkonin forcat kur interesat ua kërkonin.

Prandaj, mbi çfarë baze mund të pretendohet se osmanët pushtuan Arbërinë për t’i shpëtuar shqiptarët nga serbizimi, kur vetë bashkëpunonin me sundimtarët serbë për interesat e tyre politike e ushtarake?

Perandoritë nuk pushtojnë për t’u dhuruar popujve lirinë. Ato pushtojnë për të zgjeruar pushtetin.

Por nuk ishte vetëm bashkëpunimi me sundimtarët serbë ai që rëndonte mbi shqiptarët. Ishte edhe dështimi i Portës së Lartë për t’i mbrojtur ata përballë dhunës dhe dëbimeve.

Në vitet 1877–1878, shqiptarët e Nishit, Toplicës, Kurshumlisë, Vranjës dhe vendbanimeve përreth përjetuan dëbime masive gjatë luftës serbo-osmane. Dhjetëra mijëra humbën vendlindjet; shumë prej tyre u vendosën në Kosovë/Dardani, ku pasardhësit njihen si muhaxhirë.

Kjo tragjedi ndodhi gjatë luftës ndërmjet Serbisë dhe Perandorisë Osmane, jo gjatë një aleance të tyre. Porta e Lartë ndërmori më vonë përpjekje diplomatike për kthimin e refugjatëve, por ato nuk sollën rezultat.

Më 1912, ndërsa ushtria serbe përparonte në Kosovë/Dardani, pushteti osman po shembej dhe shqiptarët u përballën me pushtimin e ri pa shtetin e tyre.

Si mund të shpallet shpëtimtare e shqiptarëve një perandori që i nënshtroi për shekuj dhe, në çastet vendimtare, nuk arriti t’i mbronte nga pushtimet dhe dëbimet?

Gjatë shekujve, shqiptarët vazhduan të kundërshtonin sundimin dhe centralizimin osman.

Nga Pjetër Bogdani më 1689, te Bushatllinjtë dhe Ali Pashë Tepelena, që krijuan qendra të fuqishme pushteti me autonomi të gjerë; nga Hamza Kazazi e Dasho Shkreli në veri, te Tafil Buzi, Zylyftar Poda, Zenel Gjoleka e Rrapo Hekali në jug; nga kryengritja e Dervish Carës në Tetovë, Gostivar e Shkup, te lëvizjet kombëtare në Kosovë/Dardani dhe në viset e tjera shqiptare.

Këto figura dhe lëvizje nuk kishin gjithmonë të njëjtat synime. Disa kërkonin autonomi vendore, të tjera kundërshtonin centralizimin, ndërsa lëvizja kombëtare kërkonte të drejta dhe vetëqeverisje.

Më vonë, Isa Boletini, Idriz Seferi, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Dedë Gjo Luli, Bajo e Çerçiz Topulli dhe shumë të tjerë u bënë pjesë e përpjekjeve që çuan drejt Pavarësisë.

Nëse Perandoria Osmane ishte mbrojtëse e identitetit shqiptar, përse shqiptarët u përballën me pengesa, ndalime dhe përndjekje për shkollimin në gjuhën amtare?

Përse duhej të luftonin për shkollën, librin dhe alfabetin shqip?

Mësonjëtorja e Korçës më 1887, Kongresi i Manastirit më 1908 dhe Normalja e Elbasanit më 1909 ishin arritje të përpjekjeve të gjata kombëtare.

Më 1910, pas shtypjes së kryengritjes në Kosovë/Dardani, autoritetet osmane goditën shkollat, klubet dhe shtypin shqip.

Shqipja mbijetoi sepse shqiptarët e folën, e trashëguan, e shkruan dhe e mbrojtën.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878 u ngrit për mbrojtjen e trojeve dhe të drejtave kombëtare. Më 1881, Porta e Lartë e shtypi me forcë.

Lidhja e Pejës më 1899, kryengritjet e viteve 1910–1912 dhe përpjekjet e rilindësve çuan drejt shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912.

Çfarë shpëtimi ishte ky, kur shqiptarët duhej të luftonin kundër vetë perandorisë për gjuhën, shkollën, të drejtat dhe vetëqeverisjen e tyre?

Pushtimet ballkanike, dhuna ndaj shqiptarëve dhe vendimet ndërkombëtare të vitit 1913 lanë jashtë shtetit shqiptar një pjesë të madhe të popullsisë dhe trojeve shqiptare.

Më 1923, shkëmbimi greko-turk i popullsive, i mbështetur kryesisht në përkatësinë fetare, rrezikoi të përfshinte edhe shqiptarët myslimanë të Çamërisë, megjithëse ata u njohën si të përjashtuar nga shkëmbimi.

Në Jugosllavi, kolonizimi i Kosovës, shpronësimet, presioni për emigrim dhe kontaktet diplomatike me Turqinë u shoqëruan me përpjekje për ndryshimin e përbërjes demografike të viseve shqiptare.

Konventa jugosllavo-turke e vitit 1938 parashikonte shpërnguljen e 40.000 familjeve myslimane drejt Turqisë, nga zona ku jetonin shqiptarë. Ajo nuk u ratifikua dhe nuk u zbatua sipas planit, por dëshmon ekzistencën e një projekti konkret shtetëror. Shpërngulje drejt Turqisë pati edhe në vitet 1950, në rrethana të tjera politike.

Këto nuk ishin më veprime të Perandorisë Osmane, por politika të shteteve që vepronin pas saj. Ato tregojnë se interesat serbo-jugosllave dhe turke mund të përputheshin edhe në dëm të pranisë shqiptare në trojet e veta.

Nuk mohoj se shqiptarë të shumtë arritën pozita të larta në administratën dhe ushtrinë osmane. As ndikimet kulturore e shoqërore të asaj periudhe, apo faktin se perandoria, në rrethana të caktuara, pengoi zgjerimin e fuqive të tjera ballkanike.

Por asnjëra prej këtyre nuk e shndërron pushtimin në çlirim.

Sundimi osman u vendos me forcë, nënshtroi struktura politike vendore, shtypi kryengritje, goditi autonomitë dhe pengoi aspiratat kombëtare shqiptare.

Shqiptarët nuk mbijetuan sepse osmanët kishin vendosur t’i shpëtonin. Mbijetuan sepse ruajtën gjuhën, kulturën, traditat dhe identitetin e tyre, pavarësisht pushtimeve dhe trysnive të kohës.

Kjo nuk është akuzë ndaj popullit turk apo besimit islam.

Shqiptarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë kanë qenë dhe mbeten pjesë e pandashme e kombit tonë. Patriotizmi nuk matet me përkatësinë fetare.

Nuk na duhet ta zbukurojmë pushtimin osman për të respektuar miqësinë me Turqinë. Nuk na duhet ta heshtim historinë e pushtimeve serbe për të ndërtuar marrëdhënie paqësore me popullin serb.

Por miqësia e sinqertë nuk mund të jetë e njëanshme.

Edhe Turqia, Serbia, Greqia dhe shtetet e tjera që trashëgojnë historinë e politikave pushtuese apo shtypëse ndaj shqiptarëve duhet të kenë guximin të përballen me të kaluarën e tyre.

Në rastin e Serbisë dhe Greqisë, nuk flasim vetëm për pushtime të shekujve të largët.

Masakrat, dëbimet dhe dhuna ndaj shqiptarëve të Kosovës/Dardanisë gjatë viteve 1998–1999, si edhe tragjedia e shqiptarëve të Çamërisë më 1944–1945, janë plagë historike ende të gjalla, me viktima, pasardhës dhe familje që kërkojnë të vërtetën, drejtësi dhe dinjitet.

Njohja e krimeve dhe padrejtësive të dokumentuara, marrja e përgjegjësisë dhe, përse jo, kërkimi i faljes duhet të jenë pjesë e një pajtimi të sinqertë.

Kërkimi i faljes nuk është dobësi. Është shenjë pjekurie dhe përgjegjësie shtetërore.

Ne nuk kërkojmë që popujt e sotëm të trashëgojnë fajin e paraardhësve. Kërkojmë që shtetet dhe institucionet të mos trashëgojnë mohimin e padrejtësive.

Pajtimi i vërtetë nuk fillon me harresën. Fillon me njohjen e së vërtetës.

Nuk shkruaj për të nxitur urrejtje ndaj askujt. Shkruaj sepse besoj se një komb që nuk e njeh të kaluarën e vet rrezikon të përsërisë gabimet e saj.

Çdo njeri dhe çdo komb ka të drejtën e vet hyjnore për pjesën që i takon në këtë tokë dhe nën këtë diell.

Historia jonë dëshmon se përçarjet na kanë kushtuar rëndë, ndërsa bashkimi i forcave na ka ndihmuar të mbijetojmë dhe të fitojmë lirinë.

Sot na duhet më shumë vetëdije, bashkëpunim dhe bashkim kombëtar, të mbështetur në liri, demokraci dhe respektimin e të drejtave të çdo populli.

Nuk na duhet historia për të trashëguar armiqësi. Na duhet për të mos trashëguar gabimet.

Historia nuk mund të ndryshohet. Por mënyra se si e kuptojmë atë mund të ndryshojë të ardhmen tonë.

Prandaj, pyetjes së fillimit do t’i përgjigjesha pa ekuivok:

Perandoria Osmane ishte pushtuese e trojeve shqiptare, jo shpëtimtarja e kombit shqiptar!

Asnjë pushtim nuk është liri.

Asnjë nënshtrim nuk është shpëtim.

Asnjë popull nuk duhet t’ia detyrojë ekzistencën e vet mëshirës së dikujt!