Albspirit

Media/News/Publishing

100 vet mё parё: Varje, djegie dhe plaçkitje…

Hazis Gjergji

Ky ёshtё titulli, me tё cilin gazeta e emigrantёve demokratё shqiptarё, “Liria Kombёtare”, qё botohej nё Gjenevё tё Zvicrёs, njoftoi publikun 100 vjet mё parё, mbi shtypjen mizore tё kryengritjes popullore tё Dukagjinit. Nё rubrikёn “Lajme nga Shqipёria”, thuhej: “Barbarizmat e panumërta që mercenarët e Zogut kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë në Malësitë e Shkodrës janë të patregueshme. Në Dukagjin, Nikaj, Mërtur e në shumë krahina të Pukës nuk shifen veçse mijra shtëpi të djegura, njerëz të pafajshëm që vriten rrugës dhe plaçkitjet që nuk kanë shembull në jetën tone kombëtare. [“Liria Kombёtare, Gjenevё, nr. 39, dt. 22.12.1926]

Qysh me shtypjen e Qeverisё Demokratike tё kryesuar nga Fan Noli, dy vjet mё parё, Kryetari i Republikёs dhe Kryeministri i Shqipёrisё, Ahmet Zogu arriti me metodat mё mizore të shtypte çdo kundёrshtim tё armatosur ndaj regjimit diktatorial tё tij.  Sipas dëshmive të bashkëpunëtorëve të  afёrt tё tij, Ahmet Zogu zbatonte parimet e traktatit politik “Princi” tё filozofit, politikanit dhe diplomatit monarkist italian Niccolò Machiavelli, tё cilin e lexonte nё turqisht. “Zogu e kishte “Princin” e Makiavellit librin e tij më të preferuar,” dёshmon gazetari monarkist Zoi Xoxa. Për të përforcuar dëshminë e tij, Xoxa i referohet sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, njëkohësisht edhe sekretar personal i Zogut, Mustafa Currit, i cili i kishte treguar se veprën “Princi” të Makiavelit, Zogu e mbante “nën jastëk dhe e kishte shkarravitur, duke i vënë shënime në qinar (turk. anë, cep).” (Zoi Xoxa, Kujtimet e një gazetari, shkruar në vitin 1966 dhe botuar në Tiranë nё vitin 2007, nga Botimet “55”, f. 98)

Të vetmen ngjarje që Kryetari i Republikёs dhe Kryeministri diktator i Shqipёrisё, Ahmet Zogu, nuk mundi ta parandalonte, qe Kryengritja e Dukagjinit, e cila shpërtheu më 20 nëntor 1926. Udhёheqёsi kryesor i kryengritësve dukagjinas, dom Lorenc (Loro) Caka e kishte kaluar kufirin shqiptaro-jugosllav dhjetё ditё mё parё në pyllin e Traboinit. Duke kaluar nga Veleçiku nëpër pyjet e Kelmendit e të Bogës, ishte takuar me komandantët e njohur të çetave demokratike, oficerët nolistë Vas Kiri e Ndok Gjeloshi, me tё cilёt vandosёn fillimin e kryengritjes popullore antizogiste. Më 11 nëntor 1926, dom Lorenc (Loro) Caka, pas takimit me toger Pjetër Haxhinё, nëntoger Dodë Nikollёn e aspirantin Ridvan Ohri i dërguan Mustafa Krujës, kёtё letër, tё botuar po nga gazeta “Liria Kombёtare”:

“Dimni ia mërrini. Ju po na thoni se tash për tash gjendja s’asht e favorshme për nji kryengritje. Ju i matni punët thellë: me politikë e diplomatië. Na aqë thellë s’kuptojmë. Ça marrim vesht e shohim na, populli këtu asht gati me kapë pushkën e me dekë për lirinë e vet. Durimi i asht mbarue. Me ne a pa ne ka për t’ia krisë. Më tjetër anë disa prej jush po ndërrojnë kondita me Ahmet Zogun për nji pajtim. Pra posë durimit tash mungon edhe besimi… Ne dashi shpëtimin e atdheut, bani edhe ju tjerët atë që t’ju vijë prej dore! Kur nji popull gatohet me dekun për liri edhe pa i pri kush, përgjegjësia u rrin atyne që në vend me vrapue në krye të tij e me ecë përpara kundra tradhtorëve e tiranëve, ka dy vjet që hahen për karrikat e ardhshme.”[Gazeta “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 39, 22 dhjetor 1926]

Kështu, më 20 nëntor 1926, prifti Lorenc (Loro) Caka, togerët Pjetër Haxhia, Vas Kiri e Dodë Nikolla si dhe aspiranti Ridvan Ohri, nё krye tё 200 malësorëve dukagjinas të armatosur shtinë në dorë qendrën e nënprefekturës dhe rrethkomandën e xhandarmërisë në Dukagjin dhe nisën marshimin drejt qytetit të Shkodrës. Në rrugë e sipër, me kryengritësit u bashkuan edhe bajraku i Shalës me Lulash Prelën në krye, bajraku i Shoshit nën komandën e Lulash Gjeloshit dhe 30 xhandarë të komanduar nga nëntoger Mark Sadiku. Numri i kryengritësve, sipas dëshmive gojore, arriti në 700–800 veta, ndërsa dokumentet zyrtare flasin për 1000 veta, nga të cilët vetëm 400 ishin të armatosur.

Tek Ura e Mesit dhe Kodrat e Boksit, kryengritësve iu desh të zhvillonin luftime të ashpra me forcat qeveritare, derisa në mëngjesin e 21 nëntorit 1926 arritën që të merrnin Urën e Mesit, e konsideruar si porta lindore e qytetit të Shkodrës. Po atë ditë, 40 kryengritës pukjanë, nën komandën e oficerit Spiro Kosova, siguruan kontrollin e krejt krahinës së Iballës, ndërsa oficeri Kolë Bibë Mirakaj, në krye të 150 burrave rrethoi qytetin e Pukës. Titullarët e prefekturës së Shkodrës dhe të MPB deklaruan se “kryengritësit kishin qëllim të rrëzonin regjimin e Shkëlqesisë së Tij, Ahmet Zogu dhe kthimin në pushtet të një qeverie demokratike.“( AQSH. F. 152, V. 1926, D. 5/I, f. 1: tel. dt. 20, 21,.11.1926; D. 6, f.2: tel. dt. 24 11.1926; F. “Legata Italiane”, D. 6, f. 18: ditari i Dom Lazër Shantojës)

Kryengritja e malësorëve të Dukagjinit e Pukës jehoi edhe kёngët epike historike:

                                     -Ç’ka ka Mesi si po piskat?

                                      -E kan rrethue treqin koçakë,

                                       Kan’ nërmen me e nez’ flakë.

                                       N’qaf’ të Kolshit, n’zyr’ të Mesit,

                                       Gjith’ komandat flak’ po i nezin.

                                       Vojti fjala, tha, Afmet Begit.

                                        E ka mbledh’ t’madhe ushtri,

                                        n’fush’ t’Koplikut paska hi,

                                        ja u ka dhan’ ann e malësisë,

                                         n’Dukagjin tan’ paskan hipë’…

Kryetari i Republikёs dhe Kryeministri diktator Ahmet Zogu dёrgoi për shtypjen e  1000 kryengritësve të armatosur keq 10 000 xhandarë, ushtarë e mercenarë tё armatosur me armёt moderne tё dёrguara nga Kryeministri Fashist Italian, Benito Mussolini, nёn komandёn e  ministrit tё Punëve të Brendshme, Musa Juka dhe komandantit tё përgjithshëm tё xhandarmërisë, nënkolonel Xhemal Aranitasi. Prifti Camillo Libardi, i ndodhur nё krye tё Kryqit tё Kuq Italian nё Dukagjin, dёshmon:    

“Nga tё gjitha anёt, nga tё gjitha rrugёt u dyndёn trupat e ushtrisё. Duke kaluar nga “Shtegu i Dhёnve” nё Theth mbёrritёn kapitenët Prenk Previzi e Tefik Kolona; nё Prekal kapiteni Hasan Begu nga Bushati; nga Kiri e Shoshi mbёrritёn kapiten Fiqri Dine e Hamit Çollaku me trupa tё parregullt. Nga Suma e Xhani vjen kapiten Abaz Kupi, i quajtur ndryshe edhe Bazi i Canes me shokun e tij Hysen Selmani, qё qёndronin nё krye tё ushtrisё sё çrregullt;  nga Shllaku e Temali kapiten kapiten Qerim Nasufi me togerёt Preng Marashi e Mul Delia; nga Nikaj e Shala Muharrem Bajraktari. Deri kёtu mё duhet tё dёshmoj se trupat e rregullt u sollёn sipas rregullave njerёzore dhe njёkohёsisht nderuan veshjen ushtarake, ndёrsa civilёt e armatosur u sollёn nё njё mёnyrё tё atillё qё duhej tё mbulonte me turp e tё bёnte tё skuqeshin deri sa t’u dilnin lot nga sytё atyre qё i udhёhiqnin, nёse do tё njihnin me tё vёrtetё turpin… Kapiten Fiqri Dine pasi e mposhti fisin e Shoshit dha urdhёr tё lidheshin me litar 72 shoshjanё dhe 16 veta nga Toplana dhe i dёrgoi nё Shkodёr. E njёjta gjё me fajtorё tё supozuar u bё edhe nё Shalё edhe nё tre fiset e vogla tё Pultit. Kur ata tё Dukagjinit arritёn nё burgjet gjetёn shumё shokё fatkeqё nga malet e Pukёs dhe fusha e Zadrimёs. Meqё nuk kishte mё vёnde nё ndёrtesat e burgut, i sistemuan nё ndёrtesat e pazarit. Numri i tyre shkoi nё 1000.”   [Camillo Limbardi, Si u bё mbret i Shqipёrisё Ahmet Zogu, pёrkthyer nga italishtja prej Valbona Jakova Gurra, Tiranё: Botimet “Naimi”, 2012, f. 96-97, 108]   

Dhe kёnga epike historike dёshmon:

                              Tuj ra bor’e tuj ra shi,

Kan’djeg’ kulla e kan djeg’shpi,

Kan’ marr’ delm, dhen e dhi,

Kan’ marr’ grue e kan’ marr’ fmi,

Kan’marr’ burrat haps me i shti,

S’po i xen hapsi[burgu] mren’ me hi.

Ja lshon Shkodra dumdhet’shpi.

Dymdhet shpi si ja lshon Shkodra,

I thrret gjyqi dora-dora,

Dor’ pёr dor’ gjyqi po i thir,

Dymdhet’ vet’ pёr konop [litar] ka qitё.

Pёr konop ka qit’dymdhetё,

Urdhni t’tjerёt tan’me i tretё.      

(Epika Historike, vëll. 3, Akademia e Shkencave (Instituti i Foklorit), Tiranë, 1990,kёnga nr. 439,  f. 626-27 ( Blliçë, Vermosh, Plan, , Palaj-Shkodёr, 1953)

Gjyqi Politik u transferua nga Tirana në Shkodër dhe vetëm në ditën e tij të parë, më 20 dhjetor 1926, shqyrtoi veprimet e 153 pjesëmarrësve në kryengritje, ndërkohë që Gjyqi Hetues  përgatiti dosjet e 140 të arrestuarve të tjerë. Numri i të burgosurve arriti në 700 vetë, ndërsa i të dënuarve me afate të ndryshme burgimi shkoi në 222 vetë. Gjyqi Politik e vazhdoi punën në Shkodër deri në mesin e muajit mars 1927, duke dënuar 30 udhëheqës të kryengritjes me vdekje, nga të cilët 15 vetë në “mungesë”.  Ndër të dënuarit me vdekje ishin edhe dy priftërinj, të cilët e kishin pranuar me mburrje faktin e pjesëmarrjes së tyre në kryengritje, por Zogu u detyrua t’ua ulte dënimin për shkak të ndërhyrjes së Vatikanit dhe përfaqësive europiane në Shqipëri.

Gjithsesi, Gjyqi Special Politik dënoi dhe e ekzekutoi me varje në litar priftin patriot dhe demokratin e njohur Dom Gjon Gazulin. Njё nga këngët epike, e mbledhur në Kabash të Pukës, me titull “Shtat’ barakt u bani fani“, dёshmon:

                                        Ça po folet n’ket Shqipni?

                                        Shtat’ barakt’ u ban’ fani;

                                        s’u ka met kurgja në shpi;

                                        u kan’ marr’ lop’, u kan’ marr dhi,

                                        i kan’ marr’ haps të tan për shpi,

                                        shum’ na i voren djelt të ri!

                                                 …Kur ka shku sahati tetë,

                                                 i kan’ marr’ hapsit e shkretë;

                                                 kur ka shku sahati nandë,

                                                 i ka çel’ drita vjerr’ të tanë,

                                                 shum’ berishs, ma shum’ shaljanë…                     

                    (Epika Historike, vëll. 3, vep. e pёrmendur, kёnga nr. 441, f. 630 (Kabash-Pukё, 1982)

Pas analizёs sё shkaqeve historike tё Kryengritjes Antizogiste tё Dukagjinit, historiani amerikan Bernd Fisher, pёrfundon: “Shkëndija, drejtimi dhe krejt rrjedha e kryengritjes së vitit 1926 erdhi prej vetë shqiptarëve dhe kjo vërtetohet prej faktit se në këtë moment as Roma e as Beogradi nuk dëshironin rënien e Zogut. Në shkëmbim të parave dhe të mbrojtjes që ai vetë kishte mundur të siguronte nëpërmjet Paktit, Zogu kishte nënshkruar fundin e çfarëdolloj politike të jashtme të pavarur.”(Bernd J. Fischer, King Zog and the struggle for stability in Albania, New York, 1984,  (pёrkthyer nё shqip nga Krnar Hajdёri: Mbreti Zog dhe pёrpjekja pёr stabilitet nё Shqipёri), Tiranё: “Çabej”, 1996, f. 124)

Ndërsa çetat mercenare zogiste digjnin e masakronin familje të tëra të malësorëve kryengritës në Shqipërinë e Veriut, në Tiranë përfaqësuesi i qeverisë së Zogut, Iljaz bej Vrioni, dhe ministri fuqiplotë i Italisë së Benito Musolinit, baroni Pompeo Alois, më 27 nëntor 1926 nënshkruan Paktin pesëvjeçar të “Miqësisë e të Sigurimit”. Kryetari i Republikës dhe Kryeministri diktator i Shqipërisë, Ahmet Zogu, e ratifikoi Paktin më 9 dhjetor 1926, duke e vënë Shqipërinë de facto nën protektoratin e Italisë fashiste të Benito Musolinit. Megjithatë, humbja e pavarësisë politike të Zogut në raport me Italinë fashiste ishte shpërblyer me fitoren përfundimtare të regjimit të tij autoritar mbi rendin e demokracisë liberale që aspironin kundërshtarët e tij nacionalistë e demokratë brenda në Shqipëri dhe jashtë saj.

(Historia e Shqipërisë (1965), f. 577–578; Historia e popullit shqiptar (2007), vëll. III, f. 264–265;  B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 111–112; Owen Pearson, Albania and king Zog, p. 263)