Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Melodia më e keqe për Kosovën dëgjohet në Prishtinë

Melodia më e keqe për Kosovën dëgjohet në Prishtinë, është një melodi e hidhur, me tinguj mjerimi, që flet për një tokë të lanë shkretë tash e sa vjet e për një klasë politike të paaftë për ta zhvilluar vendin.

Prandaj, në vend të nervozizmit – që është i drejtë – për melodinë nacionaliste serbe të interpreruar në Bruksel, e për çka nuk duhet heshtur, ne duhet ta pyesim vetveten:

Çfarë melodie prodhojmë ne? Ose, më saktë, melodia që intepretohet në Prishtinë, çfarë tinguj transmeton në veshët e Europës?

A është në përkim me demokracinë e mirëkuptimin njerëzor? A ka lidhje me demokracinë e njëmend apo është një farsë demokratike?

Jam fort i bindur se meloditë që prodhohen, këtu, te ne, tingëllojnë fort e pakulturuar në Europë, prandaj, atje ka një lodhje e moskuptim në raport me ne. Ka zhgënjim.

Pas këtij akti të shëmtua, në vend të nervozizmit, ne duhet të mbledhim mendjen, dhe këtë akt të shëmtuar, ta përdorim si shkas për ta kthjelluar shikimin tonë, të reflektojmë, e pse jo, të pendohemi për udhët e gabuar që kemi ndjekë deri me tash.

Vendi ynë, qartësisht, tash e sa vite, nuk ka strategji ndaj Europës, e më tragjikja, s’ka vizion për zhvillim. Pra, ai udhëhiqet pa kurrfarë vizioni.

Paraqitja e Kosovës në botë është e vajtueshme. Pa aleatë, me një imaszh të degraduar, mund të presësh gjithçka: përçmime, shfaqje fashizmi kundrejt saj, fyrje, sepse, në thelb, vendin tonë pakkush e merr seriozisht.

Pse?

Sepse, askush nuk mund ta kuptojë një vend që nuk e merr vetveten seriozisht, që nuk e kupton përgjegjësinë që ka ndaj vetes e të tjerëve.

Ne, thjesh, nuk e marrim vetveten seriozisht. As politikën, as aleatët. Më së paku zhvillimin ekonomik. Nuk jemi të fokusuar në asnjë temë me rëndësi, përçmojnë njëri-tjetrin, fyejmë e turfullojmë aq shumë sa zor të shquhet ndonjë ide e kulturuar në këtë rrëmujë.

Ka vite, qëkur, krejt energjinë e fokusin e shprazim duke treguar sa të këqij janë të tjerët ama rrallëherë na shkon mendja të tregojmë sa të mirë jami ne.

Thjesht, paraqitja jonë përpara botës është për faqe të zezë, aq sa ma mirë ndoshta do të ishte mosparaqitja fare. Se vetëm ashtu, mbase, të tjetët do të mund të besonin si diçka të mirë bëjmë.