Shtëpia botuese Routledge në Oksford njofton botimin e librit të ri të Gëzim Alpion
Saint Teresa of Calcutta’s Fame Capital
https://www.routledge.com/Saint-Teresa-of-Calcuttas-Fame-Capital/Alpion/p/book/9781041115182
Ky vëllim përfshin studime të zgjedhura akademike dhe shkrime të tjera të Gëzim Alpion, të cilat shqyrtojnë jetën, veprën dhe trashëgiminë e Shën Terezës së Kalkutës, e njohur më gjerësisht si Nënë Tereza.
Në këtë libër, Alpion shqyrton statusin e ndërlikuar dhe polisemik të Terezës, duke mos e parë atë thjesht si objekt adhurimi. Duke u mbështetur në karizmën Weberiane, studimet mbi figurat e famshme (celebrity studies) dhe shkrimet biografike (life writing), Alpion shtjellon se si Tereza i përdori me zgjuarsi mediat për të rritur dukshmërinë dhe qasjen te të varfrit. Ajo shfaqet njëherësh si një figurë e mrekullueshme dhe paradoksale, e cila e promovoi në mënyrë aktive imazhin e saj, ndërkohë që ndikohej nga fama globale.
Analizat kryesore shqyrtojnë përkatësinë e saj etnike të kontestuar si një mjet për krenari gjeopolitike, si dhe konceptin e ‘kapitalit të famës’ te zhvilluar nga Alpion. Në rastin e Nënë Terezës, argumenton Alpion, ky koncept vazhdon të shërbejë si aset marketimi dhe alibi morale për elitat globale.
Autori hulumton se si kultura e famës ndikoi në marrëdhënien parasociale të Terezës me Jezusin, duke rikonfiguruar shenjtërimin publik për të krijuar ura lidhëse mes botës laike dhe asaj shpirtërore. Libri analizon gjithashtu edhe krizën e saj të thellë fetare.
Ky vëllim ofron një rivlerësim bindës të trashëgimisë së Nënë Terezës; duke ndërlidhur botën e shenjtërisë me atë të famës.
Me studimet e tij, Alpioni po kontribuon në zhvillimin e sociologjisë së famës, hagiografisë moderne, si dhe studimeve kulturore dhe fetare.
E shkruar si për studiuesit ashtu edhe për publikun e gjerë, kjo vepër gërsheton në mënyrë të natyrshme kërkimin rigoroz shkencor me ligjërimin publik, duke i bërë të kapshme temat e ndërlikuara shpirtërore në jetë përmes një stili të qartë dhe tërheqës.
Parathënia e librit është shkruar nga Profesor Sean Redmond, redaktori themelues i revistës shkencore Celebrity Studies (Routledge) dhe një studiues me reputacion ndërkombëtar në fushën e personazheve të famshëm.
Libri është vlerësuar para botimit nga disa studiues të shquar nga vende të ndryshme, si dhe nga figura me ndikim në industrinë e medias në Mretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Australi.
***
Gëzim Alpion, një akademik i nderuar me disa çmime ndërkombëtare, dhe i vlerësuar si themeluesi i studimeve për Nënë Terezën, është Profesor i Asociuar i Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit (Mbretëria e Bashkuar), si dhe Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka një BA nga Universiteti i Kajros dhe PhD nga Universiteti i Durhamit. Alpion është gjithashtu një dramaturg i shquar, ligjërues global dhe aktivist me ndikim në shoqërinë civile. Ndër botimet kryesore të Alpion përfshihen: Mother Teresa: Saint or Celebrity? (Routledge 2007), Madre Teresa: Santa o Celebrità? (Salerno Editrice 2008), If Only the Dead Could Listen (Globic Press 2008), Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa (Routledge 2017), Mother Teresa: The Saint and Her Nation (Bloomsbury 2020) – fitues në SHBA i Çmimit të Ekselencës në Botime të Shoqatës së Botuesve Katolikë (ACP) vitin 2023 në kategorinë e biografisë – dhe Saint Teresa of Calcutta’s Fame Capital (Routledge 2027). Ai është gjithashtu anëtar i bordeve editoriale të disa revistave shkencore, përfshirë Celebrity Studies. Aktualisht, Alpion po shkruan një libër mbi figurën e artistit në veprën e D. H. Lawrence.