Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku vjen me romanin e ri “Krim dhe argëtim”

Titulli: Krim dhe argëtim

Autor: Rudolf Marku

Çmimi: 1200 lekë

KRIM DHE ARGËTIM – është romani i gjashtë i poetit, shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur Rudolf Marku.  

Një lexuesi të vëmendshëm nuk ka se si t’i shpëtojë ngjashmëria e titullit të këtij romani me titullin e një kryevepre të letërsisë botërore, me “Krim dhe ndëshkim” të Fjodor Dostojevskit. Rastësi? Natyrisht që jo. Një shkrimtar si Rudolf Marku, i cili operon mjeshtërisht me sarkazmën, duket sikur do të na thotë që në titull, se, ndryshe nga koha e Dostojevskit, kur krimi nënkuptonte ndëshkimin ligjor dhe atë kalvar shpirtëror-psikologjik dhe kristian, në kohërat tona, dhe sidomos në shoqërinë tonë, krimi, sidomos për autorët e vet, por dhe për ne, lexuesit, si një apendiks i pandarë me terrorin, është dhe argëtimi që sjell grotesku, absurdi dhe injoranca e pushtetit dhe personazhet Gogoliane të tij. 

Rudolf Marku e quan librin  e vet, që në krye, një Faktoroman. Një libër që qëndron mes ngjarjeve të vërteta dhe trillimit artistik, në atë mënyrë, ku trillimi duket se është ngjarja e vërtetë, ndërsa faktet duken se janë trillimet. Në një farë mënyre, ngjarjet e këtij romani, aq sa mund të konsiderohen kronika e përndjekjes së shkrimtarit Martin K, një alter ego e vetë autorit, aq mund të quhet dhe një kronikë e shkrimtarëve shqiptarë gjatë kohërave komuniste dhe postkomuniste. 

Romani ecën në mënyrë të ekuilibruar mes Karidbës biografike dhe Shilës së fantazisë letrare. Është një roman që do të lexohet me kureshtjen për të ndjekur thrillin dhe të papriturat e ngjarjeve, po aq dhe për të zbuluar një tjetër libër të shkrimtarit Rudolf Marku, i cili, në çdo vepër të botuar, nuk rresht së ngrituri dallgë diskutimesh polarizuese dhe pasionante. Romani “Krim dhe argëtim” është një must (domosdoshmëri) leximi.