Foto Malo: Kadare dhe vendlindja
Shkëputur nga libri “GJIROKASTRA NË SYRIN E ISMAIL KADARESË”
Vështrim letrar, biografik dhe estetik
Lagja “Palorto” e Gjirokastrës shtrihet në anën e sipërme, veri-perëndimore të qytetit, në një si pllakë të pjerrët gjigande, ndryshe nga lagjet e tjera, të cilat qëndrojnë kryesisht në terrene të thyera, mbi brigje shkëmbore a kodra shtufi.
Një ditë janari, data 28, viti 1936, në lagjen “Palorto” në Gjirokastër lindi një fëmijë, të cilit i vunë emrin Ismail, që ishte emri i gjyshit, i njohur e i dëgjuar pse ishte i pashëm dhe vishej me shije, me kalcunje, një lloj çorapesh të bukura.
Ajo ditë e ftohtë, me mjegullën që mbështillej si brez shallvaresh rreth kalasë, ishte ditë gëzimi për familjen e nëpunësit të thjeshtë Halit. Nuk dimë a doli nga retë ndonjë tufë rrezesh, por besojmë se gjithsesi ajo ishte një ditë fatlume.
Kishte lindur shkrimtari i ardhshëm, personaliteti i shquar i letrave shqipe, që i dha famë qytetit dhe atij emri, nje krenari e letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Atë ditë jeta vazhdonte me ritmin e saj monoton. Dëgjohej çukitja e çekiçit të gurgdhendësit, çokitja e teneqepunuesve dhe këpucarëve, damedumja e çekanit në kudhrën e Qato ezmerit, çizmja e xhandarit dhe trokitja e patkonjve të mushkave e kuajve mbi kalldrëm. Si përditë shegerti i kafexhiut i shpinte kafen në tabaka avokatit me tre rrathë te gusha dhe grosistit me barkun sa një bucelë.
Ishte ditë e mërkurë dhe “usta Vasili, që e kishim fqinj dhe që na riparonte pullazin e pjesës perëndimore të shtëpisë, porsa e kishte lënë punën për të ngrënë drekë, dhe, ndërsa zbriste nga shkalla e kishte uruar babanë: me një djalë!” (“Ftesë në studio”, Tiranë, 1989, f. 314). [(Sipas Thanas Dinos, familja e Usta Vasilit ka ardhur në Gjirokastër, nga Pirsojani i Konicës. Kurse në vitin 2007 në rrënojat e shtëpisë u gjet një pllakë guri, ku është shkruar turqisht: viti 1677. Në të ishin shkruar greqisht emrat e tre ndërtuesve: Mihal, Kolë dhe Kristo.]).
Atë ditë çatia ishte e hapur sikur donte që shtëpia të vendoste lidhje me qiellin, kurse mjeshtri “ishte duke vendosur pllakat e gurta, krejt si një mburojë, në kohën që unë vija në jetë” (Ismail Kadare, “Ftesë në studio”, f. 314).
HISTORIKU I SHTËPISË SË SHKRIMTARIT
Shkrimtari e përshkruajti hollësisht dhe me besnikëri shtëpinë e tij të lindjes, sidomos anën veriore të saj dhe anën jugore, që ishte e rrëzuar:
“Ishin ca mure mbi një urë që shërbente si kalim për në lagjen e të krishterëve, pastaj vinte një pjesë e braktisur ngaqë s’qe sigurt për të jetuar, pastaj pjesa ku banonte një tjetër Kadare dhe së fundi ana jonë”. (“Ftesë në studio”, f. 316). “Isha i bindur se ajo qe pjesa më e përsosur e krejt ngrehinës jo vetëm se ishte më larg rrezikut, dhe jo aq për dhomat plot dritë të katit të tretë, sesa për pjesën nëntokësore të saj. Ajo ishte me të vërtetë krenaria ime, tmerri dhe gëzimi im” (Ismail Kadare “Ftesë në studio”, f. 316).
Shkrimtari në vazhdim flet për dy kube që lidheshin me njera-tjetrën dhe që shtresoheshin në ndërgjegjen e tij si “zonja e madhe” dhe “zonja e vogël”. Kurse kurora e pjesës nëntokësore ishte sterra e madhe e ujit, me errësirën e mistershme të saj. Megjithëse e zhytur në errësirë dhe më poshtë se gjithë pjesët e tjera të shtëpisë, kjo depo uji, thotë shkrimtari, jepte e merrte me qiellin më shumë se gjithçka tjetër, duke i krijuar idenë se bota përbëhej nga tri zona, me tre kate si dhe shtëpia. Nga kjo shtëpi shkrimtari perceptoi që herët përmasat e qytetit dhe të botës, të ekzistencës njerëzore në tërësi.
“Im atë ishte i gjatë, i drejtë, fliste pak dhe përgjithësisht rrinte i zymtë…Kishte punuar disa vjet në Afrikën Veriore dhe ishte ndoshta kjo arsyeja që më kishte thënë disa herë se viset më të bukura në botë duhej të ishin viset skandinave. Nuk kishte qenë kurrë atje, por i lodhur siç duket nga zhegu i shkretëtirës, nuk ëndërronte veç vise të ftohta. Kishte qenë ndoshta kjo, arsyeja që pas kthimit nga Afrika kishte pranuar të punonte disa vite me radhë si ftues gjyqi në Alpet e Shqipërisë Veriore”. (Ismail Kadare, “Ftesë në studio”, f. 314- 315).
NJË UDHËRRËFYES PËR BRENDA QΥTETIT
Qyteti shtrihet midis lumit “Drino” dhe Malit të Gjerë. Nga lartësia dyqint e ca metra mbi nivelin e detit, prej fushës ai ngjitet në gjashtëqint e më shumë metra, në kufirin e dëborës, me një kurorë të gjelbër në kresë, në kurrizet shkëmbore e përgjatë përrenjve.
Klima është kontinentale, po ashtu temperamenti i banorëve, megjithë ndryshimet që ka sjellë ngrohja globale. Gjirokastra ndikoi në temperamentin e shkrimtarit edhe me thëllimet e dimrit, vjeshtën plot lagështi, pranverën me pemët e lulëzuara që varen mbi përrenj e rrëpira, verën me etjen e gurit të ndezur nga vapa.
Nata që pllakoste nuk sillte vetëm romantikën e yjeve, por edhe frikën e hijeve, të lanetit a lugatit që fshihej diku përrenjve, guvave e gërmadhave, ndoshta edhe në qilarin e shtëpisë, frikëës së cilës i bashkoheshin përshtypjet nga leximet për piratët me një sy, rrëmbyesit e fëmijve (osmanllinj, arixhinj etj.).
Νë vitin 1962, në skenarin e filmit dokumentar për Gjirokastrën, ai e quajti qytetin “një simfoni e gurtë”, ku “secila prej shtëpive është një kështjellë e vërtetë” dhe se njeriu e mposhti gurin dhe e detyroi t’i bindej. Arkitekturën e cilësoi “e çuditshme” dhe banorët “shumë fantazistë”.
“…Ky ishte ndoshta qyteti më i pjerrët në botë…Me siguri, ky ishte i vetmi vend në botë, ku njeriu, po të rrëzohej në anë të udhës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e një shtëpie të lartë…Ky ishte një qytet me të vërtetë i çuditshëm. Ti mund të ecje në rrugë dhe, po të doje, mund të zgjatje pak krahun dhe ta vije kapelen tënde mbi majën e një minareje”.
Kështu u shpreh shkrimtari i ri në Moskë, kur e pyetën të thoshte diçka të veçantë për vendlindjen. Në vazhdim e pasuroi me përshkrime e pamje të tjera mbresëlënëse:
“Ky ishte një qytet i çuditshëm, që dukej sikur kishte dalë në luginë papritur një natë dimri si një qenie parahistorike dhe, duke u kacavjerrë me mundime, i ishte qepur faqes së malit. Gjithçka në këtë qytet ishte e vjetër dhe e gurtë, duke nisur nga rrugët dhe krojet e gjer te pullazet e shtëpive të tij të mëdha, shekullore, që ishin mbuluar me pllaka guri ngjyrë hiri, të ngjashme me ca luspa gjigande”.
Ky përshkrim lindi novelën “Qyteti i Jugut”, botimi 1967 a diçka më përpara dhe kjo u zhvillua e dha më pas romanin “Kronikë në gur”, 1968.
Që në rreshtat e para të romanit lexuesi pret të hyjë sa më shpejt në këtë qytet të jashtëzakonshëm.
Pikënisja, embrioni i romanit kishte qenë një tregim i vogël: “Aeroplani i madh”. Por përpara aeroplanit kushtimi i parë qytetit të lindjes kishte qenë kështjella.
“Kam lindur dhe jam rritur në një qytet shqiptar, të vogël, mesjetar, të mbuluar nga një kështjellë e madhe, sa të frikshme, aq edhe madhështore. Të gjitha regjimet e kanë shfrytëzuar atë kështjellë si burg dhe regjimi komunist nuk bëri përjashtim…Si fëmijë jam rritur nën hijen e kësaj kështjelle”. (I: Kadare, Fjala me rastin e marrje së Çmimit Ndërkombëtar: Man Booker Internacional), 2005, Edinburg, Skoci).
Shkrimtari e provoi që fëmijë mbi vete peshën e kështjellës mesjetare dhe shijen e hidhur të burgimit, e këtë përvojë e rrëfen edhe në tregimin e tij “Koha e parasë”. Por më pas i këndoi Gjirokastrës:
Kur fryn fllad e kur fryn erë,
Rrëzës së Malit të Gjerë,
Zbrardh me kryetë përpjetë
Gjirokastra gjer tek retë.
Plot me ujra, përrenj e shtigje,
Rri ajo mbi pesë brigje
Edhe ngjan me një shqiponjë
Q’ është gati të fluturojë.
(Ismail Kadare, “Princesha Argjiro”, botimi 1958, f. 3).
Kështjella u muarr me tradhti, pasi kallzoi hyrjen e fshehtë dikush që e lakmonte fshehurazi princeshën. Në mos gaboj, personazhi i zi, oficer i saj, quhej Dizdar, që në turqisht do të thotë roje i kështjellës.
Kështu i këndoi princeshës shkrimtari i ri në librin e tij të tretë.
Figura e princeshës ishte dhe mbeti një emblemë e Gjirokastrës. Pas saj, Çerçiz Topulli.
Poemën me tone përlavdëruese e pasoi skenari i një filmi dokumentar për Gjirokastrën më 1962, disi pllakatesk. Por edhe më pas nuk kanë munguar përpjekjet e gjirokastritëve për të rifituar lirinë. Në vitin 1833 djalëria e qytetit ndërmori një sulm kundër kështjellës, të cilën e pushtoi dhe e çliroi, por jeta e saj si një ishull lirie në detin e robërisë zgjati pak.
A mund të ishte objekt krenarie një kështjellë ku ishte garnizoni ushtarak i pushtuesit dhe ku për disa shekuj me radhë, siç mësojmë në muzeun brenda saj, kishin selinë 21 pashallarë, që ishin edhe komandantë të garnizonit e sundimtarë fuqiplotë të qytetit? Doemos, rëndoi shumë dhe për një kohë të gjatë hija dhe trashëgimia e sundimit të tyre mbi qytet e më gjerë.
Fill pas poemës legjendarizuese, I. Kadare, në vitin 1959, shkroi romanin “Qyteti pa reklama”, që u botua pjesërisht në gazetën “Zëri i Rinisë”, me titullin “Ditë kafenesh”, me të cilin ndriçoi anën e mbrapme të medaljes. “Ditë kafenesh” varianti i shkurtuar i romanit, u ndalua, dhe vepra u botua e plotë gjysëm shekulli më pas. Ky roman, libri i parë i tij, kishte një këndvështrim kritik të realitetit shoqëror, por: “Qyteti pa reklama” ishte si një antimodel: “një vepër e pikëllueshme, e zymtë, pesimiste. Personazhet janë të trishtuar, janë të thyer moralisht…”. (“Gazeta shqiptare”, 28 janar 2015, f. 18).
Në poemën “Anketë” (1979), që është një variant i poemës së hershme “Ëndërrimet”, heroi lirik e vendos veten në rolin e hanxhiut që pret e përcjell bujtës të njohur e të panjohur, të afërt e të largët dhe një nate me stuhi një luftëtar të plagosur. Hija e hanit që ishte nën çatinë e shtëpisë prindërore, ku bujtnin me të vërtetë lloj-lloj udhëtarë të largët, lanë gjurmë në ndërgjegjen dhe kujtimet e tij.
Mjediset provinciale, sado interesante dhe zbavitëse, nuk e kënaqnin. Ngushtësia e rrugëve e rrugicave e bënte më të gjerë dëshirën për hapësirë e frymëmarrje. Dhe poeti i ri kërkonte frymëmarrje, hapësirë, problematikë të re, mundësisht me frymë afirmuese, ku ishin vlerat, përtej fasadës dhe entuziazmit kalimtar. Shkrimtari duhej të mendonte e fliste për brezin e vet, barrën e rëndë, të madhe, temë që e trajtoi me vizione të gjera deri edhe emfazë, tek poema “Shënime për brezin tim”. Por proza e tij mbeti gjithsesi kritike, një test i ashpër i realitetit, dhe pothuajse pa hero klasik letrar. Me novelën “Qyteti i jugut” dhe me romanin “Κronikë në gur” autori e ndryshoi rrënjësisht mënyrën e evokimit të historisë, konceptimin tërësor ideoartistik, duke paraqitur një Gjirokastër dhe një atdhe thuajse tjetër, dramatik e problematik.
Libra kushtuar vendlindjeve, qyteteve ku lindën e u rritën, kanë shkruar mjaft autorë. Ngjarje dhe gjendje të ngjashme kanë jetuar e përjetuar plot shkrimtarë të huaj, por I. Kadare i riprodhon ato me ndjeshmëri tronditëse e vizualitet spektakolar.
Këndvështrimi origjinal dhe informacioni estetik i romanit na ka tërhequr posaçërisht, duke bërë t’i rikthehemi herë pas here.
Pas vështrimeve të letrare të Migjenit dhe Ernest Koliqit për vendlindjen e vet, Shkodrën veriore, I. Kadareja, tashmë prej mjedisit provincial jugor, solli një spektër shumëngjyrësh, me vizione, mjedise e tipa gati të panjohur më parë.
Vepra e I. Kadaresë ndihmon për të njohur emocionalisht e figurativisht Gjirokastrën, që herë gjendej në qendër e herë në skajet e historisë shqiptare.
Emrin e Gjirokastrës prehistorike e përmend Homeri 28 shekuj më parë, kurse Aristoteli, afro 25 shekuj më parë, shkruante se mishi i deleve i qytetit është më i miri dhe se delet lindin dy qengja në vit.
Kronikani turk Evliya Çelebia pohon se themelet e qytetit i hodhi Filkosi, maqedonas, bir mbreti i kohës së Aleksandrit të Maqedonisë.
Përtej pozitës gjeografike strategjike, ishte nevoja e këmbimeve bujqësore e blektorale dhe, në shërbim të tregut – zejtaria, ajo që përcaktoi zhvillimin e qytetit dhe rëndësinë e tij.
Dëshmitë e lashta thonë se bërthama e qytetit lindi midis shek. 4 e 6 -të pas Krishtit, me kështjellën. Por studjuesi Nelson Çabej, në një nga numrat e revistës “Shkenca dhe jeta”, ka hedhur idenë se kështjella ngrihet mbi rrënojat e epokës ilire dhe është disa shekuj më e lashtë). Nuk dihet nëse kalaja ishte nëna apo bija e qytetit, u shpreh që herët shkrimtari gjirokastrit. Qyteti lindi pas rënies së Adrianopojës. Më e dëgjuar se Gjirokastra atëherë ishte Antigoneja, në kodrat jugore të Lunxhërisë, të cilën e ndërtoi Pirrua i Epirit si dhuratë për gruan e tij Antigona. Kisha e Shën Kollit në Labovë quhet edhe e Posejdonit…
Thuhet se brenda në kështjellën e Gjirokastrës kishte 200 shtëpi dhe kjo merret si argument se qyteti lindi nga dalja jashtë saj e banesave. Në fakt, shtëpitë ishin kazerma për forcat ushtarake. Qyteti, bërthama e tij ka ekzistuar më përpara kështjellës, ka patur mure e pastaj u ngrit kështjella, që populli i thotë kala. Jashtë kështjellës, në një lagje të veçantë, rrinin martallozët, mirëmbajtësit e saj.
Nën muret e kalasë së qytetit, në vitet 1450 u ndal Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili synoi një aleancë me popullin grek kundër pushtuesit e armikut të përbashkët.
Gjirokastra u pushtua nga otomanët në vitin 1430, (të tjerë thonë më 1417). Ata erdhën nga jugu dhe qyteti u bë plasdarm për shtrirjen e pushtimit drejt veriut të vendit. Tok me pushtimin, otomanët instaluan një administratë dhe burokraci të rëndë dhe, si të thuash, të kompletuar, së cilës i shërbyen nëpunës me dije e zell nga kombësi të ndryshme. Kjo administratë i dha tonin jetës së qytetit disa shekuj me radhë.
Kur poeti dhe lordi anglez Xhorxh Bajroni udhëtonte drejt Tepelenës, Gjirokastra ishte e pushtuar nga turqit otomanë, ndaj poeti romantik anglez kaloi vetëm rrëzë malit e krahinës së Lunxhërisë. Gjirokastrën e pa vetëm së largu. Kurse në Tepelenë e priti vetë Ali Pasha.
Në vitin 1811 Ali Pashë Tepelena e goditi me artileri Gjirokastrën, por nuk mundi ta pushtojë. Goditi Gjirokastrën, ku dikur ishte bërë dasëm e madhe: Aliu ishte martuar me vajzën e sundimtarit të Delvinës, e cila vdiq e re. Kur u bë e tij, Aliu vendosi në kala 85 topa, një fuqi zjarri e pashoqe për kohën. Për të ndërtuar pjesën shtesë të kalasë, Aliu prishi Urat e Mëdha të ujësjellësit ndërtuar nga venecianët, një kryevepër arkitektonike, afro dhjetë km., që i ngjitej malit, nga e cila sot kanë mbetur vetëm disa fosile. Po ashtu, më pas me gurët e ujësjellësit u ndërtua burgu i tmerrshëm i Gjirokastrës, (kurse me gurët e kështjellës – burg të Bastijës në Paris u ndërtua ura ndanë sheshit ‘Le Concordëe’). Burgu i Gjirokastrës u ndërtua sipas projektit të një arkitekti italian, për të cilin thonë se u çmend kur pa sa i tmerrshëm doli burgu.
Majori Haki Kuçi, në periudhën kur ishte kryetar Bashkie Bajo Topulli, shembi bedenat si dantellë guri të kalasë, me mëtimin se binin gurët e vrisnin kalimtarët.
Kronikani Evliya Çelebia vuri re se “banorët e Gjirokastrës kanë përgjithësisht një fizionomi të zymtë e të vrenjtur dhe kurrë nuk i sheh duke kuvenduar me njeri – tjetrin apo duke qeshur”, (Evlyia Çelebia, “Shqipëria 350 vjet më parë”, Botimet Horizonti, 2003, f.34). “Shumica e banorëve të Gjirokastrës janë dashuruesit e hanedanit, të Ehli Bejtit…Thonë se të gjithë këndojnë persisht, se fshehurazi shajnë Muavijen e haptazi mallkojnë Jezitin, por unë nuk i kam dëgjuar. Janë shumë alkoolistë e dëfrimtarë, pinë verë e rejhani, një pije shumë e fortë, të cilën e përgatisin vetë e me të cilën dehen”, (po aty, f. 35). “Në ditë festash fetare, muhamedane apo të krishtera, gjirokastritët kanë zakon që “të veshur krejt me ar, pasi pinë mirë e mirë dhe e mbushin kokën me verë të kuqe, dashurues e dashunorë – ashikë e dylberë – kapen qafë për qafe dhe heqin e kërcejnë valle. Ky është një ves i keq i mohuesve të zotit, por gjirokastritët nuk e kanë për turp”, (po aty, f.35). Por “këtu nuk ekziston kurvëria e pederastia, sepse Gjirokastra është një vend burrërie. Vetëm një herë në vit gratë vizitojnë prindërit e tyre dhe nuk shëtisin fare gjetkë. Ato janë shumë të ndershme dhe mund të krahasohen me zonjën e shenjtë Rabije Adivije”, (po aty, f. 36).
Po sipas këtij kronikani, në një shtyllë të Xhamisë së Pajazitit në qytet ishte ky mbishkrim:
“Në Luftën e Kandjes kanë rënë dëshmorë 700 zotërinj e 7.000 shërbëtorë. Shtëpitë e zotërinjve janë mbyllur. Me të vërtetë në këtë qytet shumë shtëpi fisnike janë të shkreta dhe zonjat fisnike janë martuar me shërbëtorët e vet”, (libri i cituar, f. 29-30).
Kronisti turk vëren se banorët gjirokastritë të asaj kohe “kanë veshje të çuditshme por shumë të pastra”.
Sipas shkrimtarit I. Kadare, gjirokastritët “mbanin ata zhgunet e vjetra, dekoratat i vinin herë-herë, kishin zakone zotërinjsh. Gjirokastra ishte jo otomane, por bizantino-otomane, ishin të përziera të dy botët. Dihej ndikimi i fortë i Bizantit që gjithashtu ka ndikuar në perandorinë otomane, por sidomos ishte zona tipike bizantine afër Greqisë. Në këto shtëpi kishte një përzierje të çuditshme, një lloj zotnillëku otoman përzier me një farë më të vjetër, më universale, kishte njerëz të çuditshëm, maniakë të çuditshëm”.
Kronikani E. Çelebi flet kryesisht për mjediset që i ishin të afërta për të. Edhe shkrimtari dha nëpër libra dhe intervista Gjirokastrën që njohu, mjediset ku u rrit dhe u formua. Në raste të tjera ai ka dhënë një tablo më të plotë e “më të drejtë”. Në Gjirokastër lanë gjurmë Justiniani, Komnenët, Zenebishët, Gjin Bue Shpata, helenët, hebrejtë, otomanët; të gjitha pushtimet dhe regjimet.
Ortodoksia ishte një besim të cilit i takonte pjesa më e madhe e banorëve të Jugut. Në Gjirokastër shprehjet e liturgjisë fetare si “Qirie -’lejson” dhe “Hristos-anesti” (“Mëshirona, Zot!”dhe “Krishti u ngjall”) i përdornin edhe ata që nuk ua dinin mirë kuptimin. Secila palë respektonte tjetrën, ortodoksët uronin në festat e tyre muhamedanët e bektashinjtë dhe anasjelltas.
Megjithë fanatizmin që solli kanuni i pushtuesit otoman, feja, siç pohon shkrimtari, nuk luajti rol të veçantë në jetën e popullit shqiptar. Gjirokastra nuk pësoi fatin e Elbasanit, kur pushtuesi, sipas dëshmisë së Evlyia Çelebisë, vrau e zhduku gjithë popullsinë e krishterë të qytetit. (Kolera përpara dy-tre shekujsh zhduku krejt lagjen e krishterë që ndodhej jashtë mureve të kalasë së Tepelenës). Një pjesë e madhe e popullsisë së Gjirokastrës u konvertua në fenë zyrtare, kurse pjesa tjetër, në disa lagje të qytetit e sidomos në krahinat përballë, mbeti e krishterë, tok me ndërtesat e kultit.
(Në krahinën e Zagorisë praktikohej dyemërsia: një emër për konsum jashtë shtëpise, kurse emri tradicional mbahej brenda familjes).
Bashkë-ekzintenca midis besimeve dhe kulturave të ndryshme ishte kthyer në traditë dhe edukatë tek shumica e banorëve të qytetit, por edhe të krahinave anasjelltas.
Në Gjirokastër shekullin e kaluar ekzistonte fryma anadollake, prirja drejt Lindjes, por nisi të spikaste edhe prirja drejt Perëndimit. Prirja drejt Lindjes ishte e imponuar nga pushtimi i gjatë otoman, administrata turke dhe interesat e kastave të privilegjuara e kompradore vendase.
Gjirokastra kishte disa xhami dhe dy teqe, tyrbe në kala e jashtë saj, emblema në arabisht e turqisht në qemeret e portave, (“alfabeti turk-kope me akrepë”, shkroi poeti përpara tridhjetë vitesh në poemën “Shqipëria dhe tri Romat”), në interieret e shtëpive e sarajeve kishte plot arabeska në tavane, piktura në mure e sixhade me xhami, veshje aziatike, deve me beduinë, etj, që krijonin një atmosferë ekzotike, por edhe të huaj për mjedisin gjirokastrit.
Shkrimtari e shikon historinë si dramë shumaktshe, me përpjekje mbinjerëzore për mbijetesë, për ndërgjegjësim të kombit, duke ecur kështu në traditën e Rilindësve, por duke theksuar, krahas pushtuesve të huaj, reaksionin e brendshëm, rolin e kastave të privilegjuara, që zakonisht vinin në kundërshtim me aspiratat, ndërgjegjen dhe luftrat për liri, pavarësi dhe përparim: “Treqint kryengritje/ në katërqint vjet”.
Nga historiku i Gjirokastrës po përmend disa pjesë.
Nga Gjirokastra ishte valiu i Bejrutit, Halil pashë Alizoti.
Në El Maan, afër Damaskut, ishte kajmekam një gjirokastrit. Fejzi bej Alizoti, gjirokastrit, sekretar i mëkëmbësit të Sulltanit të Stambollit, në Tripoli, dhe deputet në parlamentin turk.
Për zellin fanatik me të cilin shërbenin mjaft kuadro të tillë dëshmon Eqerem bej Vlora, kur përmend Fehmi Efendiun, nga Gjirokastra, i cili, fshehtas edhe nga komandanti i kështjellës, vret me dorën e vet të syrgjynosurit Mithat Pasha dhe Damat Pasha, pasi i akuzon si komplotistë, dhe kokat e tyre i dërgon të kriposura në Stamboll.
Gjirokastra kishte lidhje administrative dhe kulturore me Janinën, kryeqendër vilajeti, ku vali ishte edhe gjirokastriti Veli Çuberi.
Në Janinë u shkolluan dhe kryen një pjesë të veprimtarisë së tyre kulturore dhe politike vëllezërit Frashëri. Grigor Gjirokastriti, Vangjel Meksi dhe Apostol Meksi ishin figura të shquara që u përpoqën të hedhin themelet e gjuhës së shkruar shqipe.
Fedon Meksi e quan Apostolin (lindur në Labovë më 1825) studjues të parë të folklorit shqiptar nga shqiptarët.
Përballë Gjirokastrës, kur ajo ishte ende nën mjegullën e mesjetës otomane, në Qestorat të Lunxhërisë u ngrit madhështore shkolla Normale e bamirësit të madh Kristaq Zografo, një far drite në male, siç është cilësuar nga Kristaq Mandi në librin me të njëjtin titull, e cila nga vitet 1865 deri në vitin 1891 mbajti në gjirin e vet qindra djem e vajza nga shumë krahina e fshatra dhe nxori 400 arsimtarë të diplomuar, që dinin edhe gjuhë të huaja. Ky nuk nguroi të hapë shkolla dhe seminare ortodokse edhe në zemër të perandorisë otomane të kohës.
Lunxhëria nxorri bamirësin tjetër të madh, Vangjel Zhapa, i cili në vitin 1869 ringalli traditën e Lojrave Olimpike helene në Athinë dhe ndërtoi e financoi në Shqipërinë e Jugut rreth 120 shkolla.