ESE PËR NJË NDËRGJEGJE GAZETARESKE NË KUADRIN E E PROBLEMIT TË DEMOKRACISË
Gjergj Sinani
LIRIA E SHTYPIT
ESE PËR NJË NDËRGJEGJE GAZETARESKE NË KUADRIN E E PROBLEMIT TË DEMOKRACISË.
Liria e shtypit është një nga fitoret më të mëdha të demokracisë. Është shtypi ai që e mban nën presion politikën për të mos u shkaktuar dëme qytetarëve, të paktën kështu është, ose duhet të jetë teorikisht. Liria e shtypit është ajo forcë që i ve përballë opinionit publik idetë e politikanëve për t’ia nënshtruar gjykimit të tyre. Me këtë shpjegohet dëshira e politikanëve për t’u shfaqur sa më shumë para medias. Kuptohet që të kapet mashtrimi, sharlatanizmi dhe mediokriteti kërkohet një publik i ndriçuar, ose një publik që të mendojë në mënyrë karteziane, domethënë që t’ia nënshtrojë provës së arsyes, ose edhe të dyshimit, idetë dhe diskutimet politike. Liria e shtypit nuk mund të konceptohet nëse nuk e vendosim në një kuadër më të gjerë të kuptimit të problemit të demokracisë, të cilin, për fat të mirë e gjejmë të analizuar në veprën e Tokëvilit “Demokracia në Amerikë”.
Cili është problemi i demokracisë?
Karakteristikat kryesore të një demokracie, në këndveshtrimin e Tokëvilit, bazuar në përvojën e Revolucionit amerikan janë: materializmi, mediokriteti, individualizmi dhe izolimi, që lindin, ose e marrin forcën nga barazia e kushteve. Një regjim, në të cilin këto pasoja nuk zbuten, në një mënyrë ose një tjetër, një regjim në të cilin nuk inkurajohen aftësitë më të larta, në të cilin shoqëria do të ndalej dhe virtytet publike të shkonin drejt shuarjes, një regjim i tillë mund ta vinte në dyshim mundësinë, që i ka dhënë vetë providenca që e krijoi.
Paradoksi thelbësor i demokracisë, siç e kupton Tokëvili, është se barazia e kushteve është e pajtueshme si me lirinë, por edhe me tiraninë. Një lloj barazie mund të bashekzistojë më një pabarazi shumë të madhe. Në qoftë se demokracia do të mbetej vetëm në mjetet e veta, në fakt, ajo do të prirej në vendosjen e një tiranie, e cila mund të ishte tirania e njëshit mbi të gjithë, ose ajo e një numri më të madh ndaj një numri më të vogël, ose, madje, ajo e të gjithëve mbi të gjithë. Por si shpjegohet ky paradoks? Le të ndalemi më gjatë në idenë e Tokëvilit mbi këtë paradoks.
Pasioni sundues i moshave të demokracisë është dashuria për barazinë. Vetë ky pasion mishërohet përmes kushtit shoqëror më të përhapur që është, burimi themelor i të gjitha pasioneve, ideve dhe sjelljeve të shoqërisë. Por, dashuria e njeriut demokratik për barazinë pushton edhe një ndjenje tjetër, atë të lirisë. Liria kërkon përpjekje dhe vigjilencë. Ajo mund të arrihet me vështirësi, si dhe mund të humbasë me lehtësi. Ekceset e saj janë të dukshme për të gjithë, ndërkohë që përfitimet e saj mund të mos shihen. Avantazhet dhe kënaqësitë e barazisë, nga njera anë, mund të përjetohen lehtë dhe nuk kërkojnë ndonjë përpjekje të madhe. Ato janë të kapshme nga të gjithë, madje edhe për ata, që kanë aftësi mediokre dhe “për t’i shijuar, nuk duhet gjë tjetër veçse të jetosh”[1].
(Alexis de Tocqueville: “De la démocratie en Amerique”, FLAMMARION, Paris, 1981, V. II, f. 122.)
Por, në qoftë se kjo është e vërtetë për kënaqësitë e barazisë, këto mangësi mund të qëndrojnë të fshehura tek të gjithë, ndoshta bëjnë përjashtim ata që nuk mbisundohen nga këto vese. Pra, barazia e kushteve i lë fushë të lirë një pasioni që nuk shuhet. Çdo qeverisje e ardhshme do të duhet që t’i njohë këto rrënjë, në këtë lëvizje të fuqishme. Pasioni i njerëzve të bashkësive demokratike për barazinë është “i zjarrtë, i pashuar, i përjetshëm, i padukshëm; ata duan barazinë në liri dhe në qoftë se ata nuk e fitojnë, ata e duan akoma edhe në skllavëri” [2]. (Po aty, V. II, f. 123).
Dashuria për barazinë mund të shprehet në dy format e mëposhtme: ose një “pasion kurajoz dhe legal për barazinë”, që kërkon që t’i ngrejë të gjithë njerëzit në nivelin e të mëdhënjve, ose një “shije e shplarë për barazinë”, që përpiqet që t’i reduktojë që të gjithë në sunduesin më të vogël të përbashkët. Kuptohet se në qoftë se do të mbizotërojë pasioni i parë për barazinë, forcat kundërshtuese ndaj demokracisë do të zvogëloheshin në mënyrë të dukshme. Por, forcat që punojnë në kushtet e barazisë lenë pak shpresë që të triumfojë pasioni burrëror për barazinë. Njerëzit shtyhen që të kërkojnë të mira që nuk mund t’i zotërojnë. Barazia bën që të lindë tek të gjithë shpresa për t’i fituar këto të mira, por konkurenca është e tillë që çdo njeri ka pak shanse që të arrijë që t’i realizojë ambicjet e veta. Për më tepër, rruga për plotësimin e këtyre dëshirave nuk është një rrugë e barabartë. Fitorja do të shkojë tek ata që kanë aftësi më të mëdha. Të gjithë nuk mund të ngrihen në nivelin e më të mëdhenjve, sepse dallimet e aftësive vijnë nga Zoti, ose nga natyra. Kështu, demokracia zgjon një ndërgjegje për një të drejtë të barabartë të të gjithëve ndaj avantazheve të kësaj bote, por ajo i pengon që t’i arrijnë ato. Ky frustracion nxit zilinë dhe shkatërron respektin. Kështu, shpirti i njeriut është gjithmonë i tendosur në këtë luftë ku ai dëshiron pa shpresë. Njeriu nuk mund ta durojë, për një kohë të gjatë, një kusht të tillë. Ai kërkon një zgjidhje, që të kënaqë dëshirën e tij të madhe duke u çliruar nga ankthi që e shoqëron. Këshu, barazia e nxit njeriun që ta braktisë lirinë për të mbrojtur barazinë në vetvete.
Për Tokëvilin, kjo braktisje e lirisë nga njeriu mund të shpjerë në daljen e një despoti, siç e kishin njohur epokat e kaluara, por ishte shumë e mundshme që ky despot të vishte një formë tërësisht të re. Duke mos u vënë rëndësi termave, ai kërkon më shumë që të përshkruajë se sa t’i japë një emër të ri këtij despotizmi. Në një shoqëri, ku të gjithë janë të barabartë, të pavarur dhe të pafuqishëm, vetëm një aktor, shteti, është i prirur që ta pranojë dhe ta mbikqyrë këtë braktisje të lirisë. Tokëvili, me shumë të drejtë, tërheq vëmendjen ndaj centralizimit në rritje të qeverive. Centralizim që ende nuk po çlirohemi. Njerëzit e demokracisë rrezikojnë që ta braktisin lirinë e tyre ndaj këtyre fuqive autoritare në favor të një despotizmi “të butë”, të një despotizmi që “ndjek sigurinë e tyre, parashikon dhe siguron nevojat e tyre, lehtëson kënaqësitë e tyre, drejton çështjet themelore të tyre, drejton industrinë e tyre, rregullon ndërrimet e tyre” dhe, përfundimisht u heq atyre edhe “shqetësimin për të menduar dhe mundimin për të jetuar”[3]. (Po aty, V. II, f. 123).
Tokëvili parshikonte që një qeveri e tillë ishte e papajtueshme me sovranitetin popullor, ose të paktën, me format e sovranitetit popullor. Populli, në tërësinë e tij, fare mirë do të mund të ngushëllohej duke ditur se ka zgjedhur zotërinjtë e vet. Demokracia mund të lindë një formë të re despotizmi, një shoqëri që tiranizon vetveten.
Formulimi i problemit të demokracisë nuk do të ishte i plotë në qoftë se nuk do të ndaleshim në përshkrimin që i bën Tokëvili tiranisë së mazhorancës, të numrit të madh ndaj një numri të vogël. Tokëvili është i ndërgjegjshëm për presionet e grupeve që i bashkojnë interesa të veçanta, ose të faktit që përbërja e mazhorancës ndryshon shpesh në demokraci. Por, ndryshime të tilla ndodhin në kuadrin e një marrëveshje të formuar mbi bazën e disa parimeve, të cilat nuk ndryshojnë, në këtë kuptim mund të flitet për mazhoranca permanente në një demokraci. Për më tepër, homogjeniteti, në dukje, i shoqërive demokratike nuk lejon që të shihen burimet e heterogjenitetit; inteligjenca dhe pasuria. Aftësitë intelektuale nuk janë të barabarta dhe Tokëvili na jep pohimin e rëndësishëm, se shumica e njerëzimit nuk e ka aftësinë për të arritur në bindje racionale. Përveç çështjes së aftësisë, kërkesat e njohjes janë të tilla që njerëzit, në kushtet e shoqërisë demokratike, do të kenë më pak kohë, durim ose interes për një njohje racionale. Për aq sa populli do të mbetet popull, domethënë një numër i madh, ai do të jetë i detyruar që të nxjerrë bukën e gojës dhe, për pasojë do t’i mungojë koha e lirë e domosdoshme për kulturën e njohjes. Tokëvili do të theksonte se superioriteti intelektual i një numri të vogël njerëzish, në demokraci, zëvendësohet nga superioriteti që del nga sasia: “Mbretëria morale e mazhorancës mbështetet pjesërisht në këtë ide, që ka më shumë dritë dhe mënçuri në shumë njerëz të bashkuar se në një, në numrin e legjislatorëve se sa në zgjedhje. Kjo është teoria e barazisë e zbatuar ndaj inteligjencave”[4]. (Po aty, V. I, f. 344).
Autoriteti i mazhorancës është i tillë sa që edhe minoranca arrin që ta pranojë këtë sulm kundër inteligjencës. Kjo, ve në dukje Tokëvili, është shenjë e një fenomeni të ri në historinë e njerëzimit. Të kesh, për një çështje të rëndësishme, një opinion të kundërt me mazhorancën, nuk është vetëm diçka e pakujdeshsme, ose e kotë, por edhe dehumanizuese. “Mazhoranca, shkruan ai, zotëron një perandori aq absolute dhe aq të pareziztueshme saqë, në një farë mënyre, duhet hequr dorë nga të drejtat e qytetarit dhe, si të thuash, nga cilësia e tij si njeri, kur do të shmangesh nga rruga që ka caktuar mazhoranca”[5]. (Po aty, V.I, f. 357).
Tirania e mazhorancës mbi shpirtërat e atyre që janë intelektualsiht më lartë, absolutizon prirjen e demokracisë drejt mediokritetit.
Tirania e mazhorancës ndaj të pasurve, ndaj një numri të vogël pronarësh, është më pak e dukshme. Me sa duket Tokëvili do t’i shmanget kritikëve të demokracisë, që shikonin në qeverisjen nga numri i madh rrezikun e shkatërrimit të të drejtave të pronësisë. Në parathënie, ai me kujdes nënvizon se, në vendin demokratik më të avancuar të botës, të drejtat e pronësisë gëzojnë garancinë më të madhe se në çdo vend tjetër. Megjithatë, ai nuk është aq naiv sa të besojë se konflikti i përjetshëm ndërmjet të pasurve dhe të varfërve zgjidhet nga revolucioni demokratik, jo të gjithë janë në të njejtin nivel pasurie dhe çdo nivelim i institucionalizuar nuk e ka zvogëluar zilinë e të varfërve ndaj atyre që jetojnë në kushte më të mira. Atëhere, cila është siguria e të drejtave të pronësisë?
Sipas Tokëvilit, kjo ndarje është një tipar i përhershëm i të gjitha shoqërive, që ekzistojnë pavarësisht nga realizimi progresiv i barazisë së kushteve. Është një rregull fiks, që i nënshtrohen të gjitha komunitetet. Nga njera anë, ndarja e individëve, që formojnë tri rendet e mëdha në një shoqëri – të pasurit, ata që kanë mjete të moderuara dhe të varfërit – mund të ndryshojë nga një shoqëri në tjetrën. Ai nuk është dakort me idenë se të pasurit, ose ata që janë mesatarisht të pasur, nuk mund të përbëjnë kurrë një mazhorancë. “Vota e përgjithshme u jep realisht qeverisjen e shoqërisë të varfërve”[6]. (Po aty, V.II, f. 300)
Për më tepër ai deklaron se është e pashmangshme që klasa qeverisëse të jetë shtypëse. Tek e fundit, Tokëvili do tu thotë të varfërve që të kuptojnë se është në kundërshtim të interesit të tyre, që të varfërojnë të pasurit. Pra, ai nuk shikon asnjë arsye që konflikti ndërmjet të pasurve dhe të varfërve do të pushojë në kushtet e demokracisë, ose që të parët nuk do të kenë vullnetin, ose rastin që t’i shtypin të tjerët. Në masën që mazhoranca është e varfër dhe në masën që janë të varfërit sovranë, atëherë frika e kritikëve të demokracisë është e justifikuar.
Por, si t’i shikojmë këto ide me pjesët e tjera të veprës së Tokëvilit? Në pjësën e dytë, për shëmbull, ai deklaron se në bashkësitë demokratike të varfërit, në vend që të formojnë mazhorancën e një kombi, numri i tyre do të vijë duke u zvogëluar dhe vendi i tyre do të zihet nga klasat e mesme. Kështu, klasat e mesme, jo vetëm që do të përbëjnë mazhorancën, por ato do të zotërojnë pronë dhe kështu do të bëhen mbrojtësit kryesorë të të drejtave të pronësisë. Atëherë, përse të pasurit duhet të kenë frikë nga një mazhorancë, pasionet dhe interesat e të cilëve janë të ngjashme më ato të tyret?
Si e zgjidh problemin Tokëvili?
Ai thekson se problemi idemokracisë mund të zgjidhet në nivelin e vetë demokracisë, domethënë zgjidhja duhet të jetë në harmoni me parimin e demokracisë, që është barazia. Çdo orvajtje për të ndryshuar demokracinë, përmes parimesh ose praktikash të marra nga ndonjë regjim tjetër, janë të destinuara me dështim. Ironia e vështirësisë së demokracisë është se ajo i inkurajon njerëzit që të braktisin lirinë e tyre, që është e vetmja gjë thelbësore e çlirimit të tyre. Në qoftë se individualizmi është shkak i atomizmit të shoqërisë demokratike, është liria ajo që, në mënyrë paradoksale, mund të rivendosë një ndjenjë pavarësie politike. Cila është mundësia që liria të rezultojë nga një gjendje demokratike e shoqërisë? Përgjigja e Tokëvilit dëshmon optimizmin e tij, që qëndron në themel të mendimit të tij politik: “Për mua, shkruan ai, pa e qortuar demokracinë për pabindshmërinë që ajo frymëzon, është kryesisht për shkak të kësaj që e lëvdoj. Unë admiroj duke parë të formohet, në thelb të shpirtit dhe të zemrës të çdo njeriu, ky nocion i errët dhe kjo prirje instiktive për pavarësi politike, duke përgatitur kështu ilaçin ndaj së keqes, që ajo vetë bën që të lindë”[7]. (Po aty, V.II, f. 354)
Pasioni për barazinë i kundërvihet një pasioni të ngjashëm që buron nga barazia në liri dhe, siç e pamë janë forca të pabarabarta. Për më tepër, pasioni që e shtyn një qeveri të ketë në themel shqetësimin e individit për mirëqenie, e shikon efektshmërinë e saj të shtohet përmes prirjesh të centralizimit të qeverisjes. Qeveritë bëhen më të fuqishme dhe individët duken si më të pambrojtur. Për pasojë, pasioni natyror për lirinë duhet të plotësohet nga arti politik, një art që Tokëvili e sheh më së miri në përvojën amerikane. Për zgjidhjen e problemit të demokracisë, përvoja amerikane i sugjeron disa shembuj konkretë si, pavarësia e pushtetit lokal, ndarja e kishës nga shteti, shtypi i lirë, zgjedhjet indirekte, pushteti gjyqësor i pavarur dhe inkurajimi i gjithfarlloj shoqatash. Duhet theksuar se Tokëvili nuk rekomandon adoptimin e kulluar dhe të thejshtë të modelit amerikan. Për shembull, megjithëse ai e admiron sistemin federal amerikan ai pohonte se një sistem kaq i ndërlikuar është i papërshtatshëm për temperamentin dhe jetën politike europiane. Për të, Amerika jep parimet, si ai i intersit personal të kuptuar në mënyrë të drejtë, për të ndërtuar një rend demokratik të respektueshëm. Le t’i shohim me radhë këto ide.
Për të kufizuar pasojat e centralizimit, Tokëvili thekson vlerën e lirisë lokale në nivelin e komunës. Në komunë qytetari merr, për herë të parë, një mësim se si ta ushtrojë lirinë. Duke u mësuar që të shqetësohet dhe të kooperojë për çështje që mund t’i shikojë me sytë e tij, tek qytetari edukohet përgjegjësia publike. Komuna është vendi i transformimit të intersit personal në patriotizëm, të paktën në një lloj patriotizmi. Sipas Tokëvilit, institucionet e lira, sidomos në nivelin lokal, i transformojnë individët egoistë në qytetarë, ku shqetësimi i parë i tyre është e mira e përbashkët. Për më tepër, ai sugjeron se sa më shumë që një komb bëhet kompleks dhe i qyetëruar, gjithnjë e më pak rrezikon të ndërtojë një liri në nivelin lokal, ose të tolerojë goditjet e një komuniteti pa traditë lirie.
Sistemi i jurive në gjykata është një shëmbull tjetër, që ai e këshillon, për të ruajtur lirinë dhe për të kufizuar prirjet individualiste të demokracisë. Ashtu si liria lokale, ky sistem edukon tek qytetari një ndërgjegje për nevojat e tjetrit. Por këtu, Tokëvili ka parasysh gjyqtarë me cilësi shpirtërore të larta dhe ai theksonte se cilësia e gjyqtarëve si klasë do të zvogëlohej në përpjestim me shtimin e numrit të tyre. Mbi cilësitë e larta shpirtërore të gjyqtarëve mbështetej Tokëvili kur besonte se sistemi i jurive do të formonte gjykimin e popullit dhe do t’i ndërgjegjësonte për kërkesat e drejtësise. Duke folur për këtë sistem shqetësimi i tij ishte që të zbulonte mjetet, përmes të cilave mund të moderoheshin dhe mësoheshin shijet dhe pasionet e një numri të madh të njerëzve. Sistemi i jurive ishte një mjet, një shembull, mbi rolin universal që ai shpresonte se do të luanin gjyqtarët dhe profesionet e tjera juridike në demokraci. Formimi, që marrin juristët, u jep atyre disa shije për rendin, për format legale dhe politike dhe për lidhjet e ideve, për shijet që i dallojnë nga të tjerët dhe që u jep një drejtim aristokratik mendimeve dhe preferencave të tyre. Shpirti i tyre priret që të jetë konservator dhe antidemokratik. Në masën që ata do të luajnë një rol parësor në shoqëri, ata do të veprojnë në sensin e kufizimit të impulseve që vijnë nga numri i madh. Ne mund të dallojmë se, roli i juristëve në zgjidhjen e problemit të demokracisë është një shkelje e parimit, sipas të cilit zgjidhja duhet të jetë në nivelin e demokracisë, por kjo është vetëm në dukje, sipas tij. Në qoftë se juristët dallohen për shije dhe zakone aristokratike, ata ruajnë lidhje thelbësore me popullin për nga lindja dhe interesi. Kështu ata nuk formojnë një klasë të dallueshme.
Ndër mjetet demokratike, liria e shoqatave qëndron në krye. Në demokarci, na thotë Tokëvili, shoqatat mbrojnë të drejtat e pakicave (jo në kuptimin kombëtar), kundër tiranisë së mazhorancës. Madje, të drejtën e krijimit të shoqatave ai e quan si një të drejtë natyrore. Shoqatave dhe përhapjes së tyre ai u dha, për herë të parë, një vend të veçantë në mendimin politik, në dallim nga paraardhësit dhe ai e quante thelbësorë shtimin e tyre për mirëqenien e shoqërisë demokratike. Në vend që të shpien në shkatërrimin e unitetit të shoqërisë, shoqatat e kapërxejnë prirjen e demokracisë drejt ndarjes. Në shoqatat individët jo vetëm mësojnë demokracinë, por mësojnë edhe artin e përshtatjes me një qëllim të përbashkët. Sipas tij të mësosh se si të bashkohesh, është kushti praprak i ruajtjes së vetë qytetërimit. Gjithashtu, te shoqatat ai shikonte një mjet, jo vetëm për të zbutur tiraninë e mazhorancës, por edhe për të kapërxyer mediokritetin, drejt së cilës priret demokracia.
Lirinë e shoqatave ai e shikon të lidhur ngushtë me lirinë e shtypit. Për më tepër lirinë e shtypit ai e lidhte me sovranitetin e popullit. “Sovraniteti i popullit dhe liria e shtypit janë dy gjëra tërësisht korelative: çensura dhe votimi i përgjithshëm, përkundrazi janë dy gjëra që kundërshtohen dhe që nuk mund të takohen për një kohë të gjatë në institucionet politike të të njejtit popull”[8]. (Po aty, V.I, f. 266).
Prandaj në Amerikë nuk gjen njeri, thekson ai, që të propozojë që të shtrëngojë lirinë e shtypit. Në qoftë se do t’i referohemi realitetit tonë tranzicional si sovraniteti dhe liria e shtypit janë pranë karikaturës së përmbajtjes së këtyre nocioneve. Nga pikëpamja e lirisë individuale përballë çdo mundësie shtypjeje, liria e shtypit është mjeti më i fuqishëm demokratik për mbrojtjen dhe sigurinë e individit. Nuk mund të mos e japim të plotë këtë shprsë dhe entusiazëm të Tokëvilit për vlerën e lirisë së shtypit. “Në ditët tona një qytetar që shtypet ka, pra, vetëm një mënyrë për t’u mbrojtur; kjo është që t’i drejtohet tërë kombit dhe në qoftë se ai është shurdh, njerëzimit; ka vetëm një mënyrë për t’a bërë këtë, kjo është shtypi. Kështu liria e shtypit është pafundësisht më e çmueshme te kombet demokratikë se sa te gjithë të tjerët, vetm ajo e shëron shumicën e të këqijave që mund të prodhojë barazia. Barazia i izolon dhe i dobëson njerëzit; por shtypi vendos pranë secilit prej tyre një armë mjaft të fuqishme, të cilën mund ta përdorin më të dobëtit dhe më të pahuqishmit. Barazia i heq çdo individi mbështetjen e të afërmëve; por shtypi i lejon të thërrasë në ndihmë të gjithë bashkqytetarët dhe të gjithë të tjerët si ai… Prandaj shtypi është, par excellence, instrumenti demiokratik i lirisë”[9]. (Po aty, V.II, f. 266)
Mirëpo në një regjim ku institucionet demokratike janë të pakonsoliduara, ose siç thotë Tokëvili, që “pretendojnë se janë të lirë”, çdo veprues shtetëror mund ta shkelë ligjin pa u ndëshkuar dhe kushtetuta nuk u jep të shtypurve të drejtën për t’u ankuar para drejtësisë. Te këta popuj pavarësia e shtypit nuk duhet konsideruar si një nga garancitë për lirinë dhe sigurinë e qytetarëve, por si e vetmja garanci për to.
Në analizën teorike të përvojës amerikanë do të dëshiroja të ndalesha në një paralajmërim që, duke marrë parasysh disa fenomene të shtypit tonë, janë një këshillë e rëndësishme për shpirtin gazetaresk që po formohet në shoqërinë tonë, përballë një publiku që beson çdo gjë që i thuhet, ose që nuk mendon në mënyrë karteziane edhe pse nuk i ka lexuar veprat e Dekartit. Kur kemi njerëz që besojnë pa u thelluar dhe beson të parin tribun që i paraqitet mundësia e manipulimit bëhet shumë e madhe. “Kur liria e shtypit i gjen njërëzit në këtë gjendje, ajo u le atyre, për një kohë të gjatë, këtë zakon për të besuar pa reflektuar; ajo vetëm sa ndryshon çdo ditë objektin e besimeve të tyre jo reflektive. Mbi tërë horizontin intelektual, shpirti i njeriut vazhdon të shikojë vetëm një pikë; por kjo pikë varion parreshtur. Kjo është koha e revolucioneve të befasishëm. Fatkeqë janë gjeneratat, që, të parat, pranojnë menjëherë lirinë e shtypit!”[10]. (Po aty, V.I, f. 272).
Por ç’të keqe ka kjo liri e beftë e shtypit? “Sepse, shpejt, rrethi i ideve të reja do të shterë. Përvoja piqet dhe njeriu zhytet në një dyshim dhe në një përbuzje të përgjithshme”[11]. (Po aty, V.I, f. 273).
Ky fenomen ndodh, sepse njerëzit ndodhen në këto dy gjendje shpirtërore; ose do të besojnë pa ditur përse, ose nuk do të dinë me saktësi se çfarë duhet besuar. Më duket se publiku ynë ka arritur në këtë gjëndje për shkak të abuzimit me lirinë e shtypit, mediokritetin e përgjithshëm dhe shterjen e ideve duke u marrë me kurtizanët e politikës, të cilët nuk prodhojnë dot ide për zhvillim.
Por a ka një limit për lirinë e shtyput? Sigurishjt që po. Ky është dinjiteti i personit njerëzor, ose e thënë në një mënyrë më të përgjithshme, të drejtat themelore të njeriut. Në qoftë se shtypit do t’i falej përshkrimi i jetës private të një politikani, nuk mund t’i falet dinjiteti i qytetarit. Ka jo pak raste kur shtypi, pa u siguruar në vërtetësinë e fakteve cënon rëndë dinjitetin e qytetarit. Në këtë kuptim ajo që e rrezikon shtypin janë ekceset e lirisë dhe prirja, fatkeqësisht mjaft e theksuar për ta parë shtypin thjesht si biznes. Në qoftë se shtypi do të shikohet thjesht si biznes, atehërë do të shfaqet, herët ose vonë, fenomeni i indiferencës së qytetarëve ndaj shtypit.
Nga ana tjetër, në qoftë se shtypi do të bjerë në veset që karakterizojnë “moshat e demokracisë”, për të cilat na paralajmëron Tokëvili, atëherë shtypi duke mos gjeneruar ide qe formojnë qytetarë, do të mbajë individin të lidhur pas mediokritetit dhe do të lerë të braktisur në lojën e manipulimit sharlatanesk të politikës. Pasojat e këtyre fenomeneve mund t’a paraqesim sipas metaforës së mëposhtëme:
LIRIA E SHTYPIT
Dita e parë – O
Dita e dytë – Oh
Dita e tretë – Oh, Oh K
Dita e katërt – Oh, Oh, Oh R
Dita e pestë – Oh, Oh, Oh, Oh E
Dita e gjashtë – Më ne fund ne do të mundemi… SH
Dita e shtatë – Më në fund ne do të mundemi lirshëm… E
Dita e tetë – Më në fund ne do të mundemi lirshëm të shkruajmë… N
Dita e nëntë – Më në fund ne do të mundemi lirshëm të shkruajmë sepse… D
Dita e dhjetë – Më në fund ne do të mundemi lirshëm të shkruajmë sepse ç… O
Dita 11 – Më në fund ne do të mundemi lirshëm të shkruajmë sepse çensura…
Dita 12 – Më në fund ne do të mundemi lirshëm të shkruajmë sepse çensura ka v …
Dita 13 – Më në fund ne do të mundemi lirshëm të shkruajmë sepse çensura ka vdekur …
Dita 14 – Më në fund ne do të mundemi lirshëm të shkruajmë sepse çensura ka v ! ! !
Dita 15 – Më në fund ne do të mundemi lirshëm të shkruajmë sepse çensura ! ! ! O
Dita 16 – Më në fund ne do të mundemi lirshëm të shkruajmë sepse ç ! ! ! D
Dita 17 – Më në fund ne do të mundemi lirshëm të shkruajmë sepse ! ! ! N
Dita 18 – Më në fund ne do të mundemi lirshëm të shkruajmë ! ! ! E
Dita 19 – Më në fund ne do të mundemi lirshëm ! ! ! U
Dita 20 – Më në fund ne do të mundemi ! ! ! N
Dita 21 – Ah! Ah! Ah! I
Dita 22 – Ah! Ah! M
Dita 23 – Ah! I
Dita 24 – ? D
Kuprohet që secili është i lirë ta komentojë lirshëm këtë skemë metaforike. Megjithatë kjo është një ftesë për reflektim.
[1] Alexis de Tocqueville: “De la démocratie en Amerique”, FLAMMARION, Paris, 1981, V. II, f. 122.
[2] Po aty, V. II, f. 123.
[3] Pa aty, v. II, f. 385.
[4] Po aty, V. I, f. 344
[5] Po aty, V.I, f. 357
[6] Po aty, V.I, f. 300
[7] Po aty, V.II, f. 354.
[8] Po aty, V.I, f. 266.
[9] Po aty, V.II, f. 291 -292.
[10] Po aty, V.I, f. 272.
[11] Po aty, V. I, f. 273.