Albspirit

Media/News/Publishing

Maks RAKIPAJ: Revolta e Qaf-Barit 23 Maj 1984 – 23 Maj 2015

Prej kohësh jam tunduar të shkruaj edhe unë dy rreshta për Revoltën e Qaf Barit. I kam lexuar në kujtimet e mikut tim Visar Zhiti, prandaj dhe nuk më është dhënë të shkruaj për atë ngjarje. I kam lexuar dhe jam rrënqethur nga terrori i asaj dite të tmerrshme, më është dukur sikur i jetoja edhe njëherë.
Janë vërtet çaste të rënda. Sado e rëndë është jeta e përditshme e të burgosurit politik në kampet e çfarosjes të diktaturës hoxhiane, ngjarjet e revoltave në ‘to ia kalojnë çdo përfytyrimi. Njeriu ia arrin të përshtatet me mundimet e përditëshme, arrin të pajtohet me fatin e tij, me poshtërimet e vazhdueshme deri atëhere kur e ndjen se thika ka arritur në kockë, se nuk ka më asnjë shpresë, se vdekja nuk është gjë tjetër veçse një shpëtim. Në këto çaste arrin të kuptosh se nuk je i vetëm këtu, se je i lidhur pazgjidhshmërisht me të burgosurit e tjerë dhe ata me ty. I gjithë kampi është një trup i vetëm, një mendje, një gojë e cila më në fund rresht së ankuari dhe fillon e ulërin:  – Mjaft! Mjaft më! Nuk u nginjët duke na torturuar përditë, duke na shfrytëzuar si skllevër me vite të tëra?! Mjaft më!  Sytë u erren, duart bëhen grushta, grushta që godasin policin, oficerin, që rrëmbejnë shokun e gjakosur nga duart e atyre që e torturojnë. Ështe çasti kur shteti i Dhunës së Kuqe tregon fytyrën e tij të vërtetë prej Vampiri. Shteti nuk shfaqet më me fytyrën e ndonjë polici apo oficeri, që ndonjëherë edhe buzëqesh me ne; nuk shfaqet në fytyra të njoma ushtarësh 18 vjeçarë që nuk dinë se ç’të bëjnë me ato mitrolozë nëpër kullat e larta prej druri. Shteti vjen me helikopterë, vendin e ushtarëve 18 vjeçarë e zenë oficerë 40 vjeçarë që qëllojnë pa pushim me mitrolozët e tyre mbi kokat tona; shfaqet me surratin e ngërdheshur nga frika të shefit të policisë, Mond Caja, që shtie me pistoletën e tij dhe godet Kosta Gjordenin; vendin e fytyrave prej idioti të komandantit dhe komisarit të leshtë të kampit e ze zv/ministri i brendshëm. Në zërin e tij të çjerrë mishërohet shteti komunist që hungërron, që kërcënon, që mallkon, që vjell vetëm vrer e helm. Shteti të shtyp, shteti t’i bluan kockat, shteti të thyen në mes, ashtu si thyen heroin Sandër Sokoli…
Megjithatë nuk arrin të fshijë dot ngazëllimin tonë, kënaqësinë e arritur e aq të dëshëruar kur shkelmojmë kapelet e oficerëve dhe policëve të tij; ato janë ende në kamp, të shkelura e të përdhosura nga këmbët e të burgosurve. Mungon vetëm Tarti, qeni hero i revoltës së Spaçit që të pshurrë mbi ato kapele,që të dyja revoltat të jenë edhe më të ngjashme.

Si për çudi, është edhe përvjetori i 11 i Revoltës së Spaçit. Rastësi? Për ne që vimë nga Spaçi, edhe në se nuk e kemi përjetuar vetë revoltën e Spaçit, e ndjeme veten njësoj si mbartës të saj. Pasojat e asaj revolte dhe përvoja e shokëve nuk lenë vend për të imagjinuar se si përfundojnë këto revolta. E dimë se asgjë nuk mund të arrihet me to. Gjakpirësve nuk do t’u mjaftojë gjaku i atyre që do të pushkatojnë, do të duan edhe ca të gjallë për t’i torturuar me nge, ngadalë… E kuptojnë se nuk mund të na thyejnë dot dhe nuk mund të na pushkatojnë dot te gjithëve si të paharruarit miqtë e mi Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli. Plumbat që u morën jetën atyre i ndjejmë edhe ne në trupat tanë. Na dhemb të gjithëve trupi nga plagët e torturave që u kanë bërë Dalip Zhabolit, Nuredin Skraparit, Petrit Bazellit, … më ndjeni miq që nuk i mbaj mend të gjithë emrat tuaj, që nuk i mbaj mend emrat e 500 të burgosurve që ishin atë ditë në Qaf Bar. Por dhe t’i mbaja mend, kjo nuk do të lehtësonte dhimbjen tuaj. Atë ditë u përpoq dr. Drago dhe dr. Beni të pastronin dhe mjekonin ato plagë. Kur u dogj i gjallë ai fatkeq në grevën e ish të burgosurve më 2012, ato plagë u hapën përsëri. Kur vdiq vjet Idajet Kaiku, pa marrë asnjë këst të dëmshpërblimit, ato plagë veç u mahisën me keq. Këto kujtoj unë nga Revolta e 22 Majit 1984 në Qaf-Bar. Lexoni Visarin për të mësuar më tepër, klikoni në internet dhe do të gjeni edhe më shumë, madje të shkruara edhe nga njerëz që kushedi ku ishin atë ditë, por jo në Qaf Bar. Të dyja Revoltat e ndodhura në kampet tona të përqëndrimit kanë lindur, që të dyja, nga rrahjet shtazarake prej policëve. Dhe janë të vetmet Revolta politike në të gjitha kampet e përqëndrimit politikë në botë. Thonë se në kampet e përqëndrimit nazist njerëzit janë torturuar edhe më keq, madje, janë djegur edhe të gjallë nëpër furra. Nuk di të ketë patur ndonjë revoltë të ngjashme në ato kampe. Nuk kam dëgjuar për ndonjë revoltë të tillë as në kampet sovjetike dhe të gjithë kampit komunist. E pra, dhuna nuk ka qenë më e pakët se në kampet tona. As policët e tyre nuk kanë qenë aspak më të mëshirshëm në tortura. Këtë desha të them për Revolten e Qaf Barit. Miku im, Visar Zhiti, kur u takuam në plazhin e Durrësit para nja dy vitesh, më tregonte se ka një informacion, por të pakonfirmuar, se pas asaj revolte në kampin e Qaf Barit filluan të na hedhin një lloj helmi të veçante në ushqimin që gatuhej për ne. Ishte një lloj helmi i sofistikuar, që të na bënte më të prekshëm ndaj sëmundjeve, për të na afruar sa më shpejt, pa e kuptuar, vdekjen. Secili prej nesh është më i predispozuar gjenetikisht ndaj sëmundjeve të ndryshme. Ai helm duhej të na bënte dhe më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve vdekjeprurëse, si psh, diabeti, kanceri, sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive etj. Në se kjo gjë është e vërtetë, Hitleri dhe Stalini ngjajnë thjesht si adoleshentë rrugaçë para ligësisë së pafundme dhe makabre të Enver Hoxhës. Megjithatë, edhe po të mos jetë e vërtetë kjo, figura e vampirenverit nuk do të zbriste asnjë shkallë më poshtë nga vendi i kreut që i ka siguruar vetes në mes të diktatorëve më të egër, më të pashpirt që ka njohur njerëzimi.

Please follow and like us: