Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Klubi i diarresë

 

 

 

Tregim

Klubi i diarresë kishte njoftuar mbledhje urgjente, pak para se të errësohej mirë, atëhere kur kryeqendra e vendit kridhej në pushim dhe qytetarët e saj derdheshin kafeneve, lulishteve, teatrove, bibliotekave të lagjes, alpininizmit dhe argëtimeve të tjera.

Ftesa ishte bërë nga vetë kreu i sapozgjedhur, që arriti të fitojë ngushtë falë një cilësie të epërme dhe mbi të tjerët: arrinte të jashtëqiste deri pesë herë në ditë pa instrument stimulus (tri herë në 24 orë ishte detyrimi për anëtarët pa poste) edhe me ushqime që të nxisin kapsim ulëritës, por kishte edhe një ecje të hapardosur me këmbë e me duar sikur të dilte nga ndonjë çmendinë e bërë me punë vullnetare.

Nuk ishte e lehtë të ishe në këtë klub, pas një faze kandidimi për rreth 12 muaj të duheshin edhe tre vjet të tjera të plota për t’u bërë anëtar i devotshëm i saj ku hynin mostundimi para një femre të bukur, të një lumi të kthjellët, të një deti të qetë e valëshumë, të një filmi apo operete, të një kreshte të bleruar, të një pylli të virgjër, pra të gjithçkaje të bukur dhe me një epsh të përditshëm për të ndotur ose stërpikur gjithçka e çdo gjë.

Seleksioni ishte rigoroz dhe atje nuk mund të hynte gjithkush, mund të ishte i shëmtuar nga pamja fizike, i shkurtër apo i gjatë, i shëndoshë apo belbacuk, pa realizuar tre dalje në ditë skualifikoheshe menjëherë. Natyrisht ruheshin edhe raportet e përfaqësimit të katër besimeve fetare dhe të njëqind e ca sekteve që kishin bujtur pa zhurmë e bujë në tri dekadat e fundit. Të preferuar ishin edhe të ashtuquajturit bejtedorë modernë dhe letrarë histerikë, qe sapo publikonin një libër zinin ekranet kryesore të televizioneve kombëtarë dhe jokombëtarë, mbushnin me kopertina kioskëreklamat në bulevardet e mëdhenj dhe bënin ç’është e mundur për të qenë në qendër të vëmendjes si piramidat e boshit.

Lypsej gjithashtu një krim i bërë vetë ose nga një pjestar i afërm i familjes, një fshehje e tij, për t’u bërë protagonist i diçkaje ogurzezë, që trazonte të gjallë e të vdekur. Urrejtja perëndimore kishte gjithashtu një sasi pikësh që të favorizonte dhe përpos provimit me shkrim bëhej dhe një bisedë gojore për të parë vendosmërinë e konkurentit.

Nuk hynin në punë as dy rekomandimet që kërkoheshin dhe as letra përbetuese, sfida më shpartalluese ishte pikërisht ajo, derdhja shalëve, një lloj sprucatimi i tretjes ushqimore, që vetëm profesionistët e devotshëm dhe ballëlart mund ta kryejnë.

Shumë të menderosur që përdorin lloj-lloj marifetesh, ushtroheshin me fruta që nxisin jashtëqitjen apo që lageshin për të provokuar daljet jashtë, skualifikoheshin pa mëshirë dhe përndiqeshin nëse pretendonin të hynin sërish në garë.

Ndotja kërkonte njerëz të vendosur, pak trushplarë, pak besimtarë që edhe ritin e faljes e kryenin duke u shtrirë mbi katër gjymtyrët dhe me barkun përpjetë.

Ata asnjëherë nuk shfaqeshin në publik, por pllaqurisnin në llagëmet e nëndhshme dhe shënonin në fletoret e tyre, gjithashtu të pëgëra, sukseset e ditës.

Ata morën goditjen e parë të fuqishme kur në qytetet bregdetare ishin krijuar disa pajisje që nuk ndotnin më valët dhe i kthenin ujërat e zeza në të bardha. Por kjo nuk ishte e vetmja, shumë anëtarë kishin ikur në botën tjetër dhe ajo më kryesorja ata nuk e ndjenin si dikur të pështyrit në publik, fyerjen, nëpërkëmbjen, përbuzjen që u sillte kënaqësi të parrëfyer.

Anëtarët nuk ishin si gjithë të tjerët, zakonisht u mungonte një shqisë (pa një sy, pa një flegër hunde, një vesh i prerë ose të dy së bashku, me dhëmbë të rralluar e të krimbur), por kishte edhe të tillë që u krasitej një dorë, kishin të sakatuar një këmbë dhe pikërisht kur arrinin të përmbushnin këto cilësi pranoheshin në klub.

Për ta nuk kishte shumë vështirësi nëse ishin jashtëdalje të njerëzve, kafshëve apo të shpendëve, pasi këtë sprovë e kalonin në vitin e tretë të stazhit ku eksperimentonin edhe në jashtëqitje ndërkombëtarësh.

Kryetari kishte fuqi absolute që mblidhte diarreistët tre herë në muaj dhe asnjëherë nuk e jepte temën e takimit duke i lënë vazhdimisht në ankth pjestarët e klubit, që shpesh e përjetonin me “një shkarje finje” që u përmirrte shalët dhe fshiheshin si mundeshin me ndonjë poster të mbetur të ndonjë kandidati apo fituesi deputet.

“Ç’të jetë kjo mbledhje e papritur”? tha me vete jashtqitësi më konseguent që punonte në një zyrë shteti, por vazhdonte të ndoste majtas, djathtas e në qendër dhe solli nëpërmend çfarë kishte bërë nga mbledhja e para tremuajve. “S’kam pasur asnjë lëkundje, shtoi ai, kam mundur të gjejë ndonjë gazetë dhe kam shpifur sa kam mundur. Le që ka plasur keq interneti, fekale dynjaja, na konkurojnë nga të gjitha anët”.

“Vërtetë, ç’të jetë kjo urgjencë”, tha me vete diarreristi tjetër që para shumë vjetësh kishte botuar një monografi socilo-linguistike duke përballuar në mënyrë jashtëqitësore përbuzjen e qytetarëve, pështymat, fyerjet.

“Mos na fton për t’i ndryshuar emrin e klubit”, tha një pjestar tjetër që jetonte mes Shqipërisë dhe një vendi perëndimor, u thashë disa herë që ta vinim në anglisht, por ata nuk donin asnjë perëndimore. Në asnjë mënyrë nuk e quajmë ‘The outsider club’ thanë shumica e klubistëve ndotbërës, ka emra më pikantë si fjala vjen ‘Yabancı kulüp’, ‘Клуб аутсайдеров’, ‘Клуб аутсајдера’, por ne e duam shqip dhe vetëm në gjuhë amtare. Të japim edhe ne kontributin ndërkombëtar, por të jemi origjinalë”.

“Mos na çan veshët për përqindjet fetare, tha një kutërbirës tjetër, që pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar duke nxitur përçarjen dhe dasinë. “Me muslimanë jemi mirë, por katolikët dhe ortodoksët numërohen me gishta. Edhe një orthodhoks që kishin në Jug e goditi tumori në fyt dhe tashmë as flet dot pa vënë gishtin në një pipëz, por edhe është bllokuar nga jashtëqitja. Paçka mirë se hoxhën e Shkupit e gjeti edhe më keq, i mori veshët, gojën dhe i paralizoi gjysmën e gjymtyrëve…”.

“Ç’të ketë gjarë me ne”, mendonte një rishtar fëlliqës, e keqja ka lindur që në kohët e lashta, që me Evën e Adamin. Asnjë regjim nuk mund ta zhdukë përfundimisht fëlliqësinë, ajo përshtatet, adoptohet dhe nuk mund të shpëtojë asnjë popullsi”.

Klubi kishte një status me 10 parime ku spikasin “Ndot si era dhe zhduku si rrufeja”, “T’u qepemi kodrave e maleve dhe t’i përmjerrim si dhe fushat”, “Me ndotjen në ballë, përpara për fitore të reja”, “S’ka kështjellë që nuk marrin llagëmistët”, “Gjirizet, muza jonë e pavdekshme” dhe cilësi të tjera, që kishin edhe mundësi intepretimi të tjera. Simboli i përbashkët për ndotësit vendas dhe botërorë ishte i përbashkët, pema e shtogut.

“Shteti islamik ra, tha kryetari i sapozgjedhur, kanë hyrë amerikanë e europianët dhe homologët tanë nuk gjejnë vërë miu ku të futen”.

Lajmi u përcoll me mërmërima dhe askush nga të pranishmit nuk pyeti se si ndodhi kjo hata, si do të punonin në të ardhmen, si do të kordinoheshin për aksione të përbashkëta dhe të tjera pikëpyetje munduese.

“Është kohë për reflektim, shtoi prapë kryetari, dhe duhet që në mbledhjet e radhës secili të ketë një propozim konkret, nëse do rrimë llagëmeve apo do dalim në ilegalitet, pra do zhytemi më thellë në fëlliqësira. Edhe me sondazhet nuk jemi fort mirë: na i ka kaluar diarreja fqinje, ata janë më prodhimtarë dhe e kanë zgjeruar hartën e pëgëritjes”.

Anëtarët u shpërndanë në heshtje, pusetë më pusetë dhe morën frymë lirisht kur dolën bri Lanës ku lumi imcak ruante ende aromën e pak kanaleve të ujërave të zeza që ende nuk arrinin në tjetërsoheshin në të bardha.

Please follow and like us: