Albspirit

Media/News/Publishing

Genti Malko: Luli nuk bëhet dot një tjetër burrë

Nuk e di pse, por ndodhi ashtu siç pritej që në seancen e parë të parlamentit grupi i deputetëve te PD u bë qesharak.

Dy syresh rrëshqitën në qerthullin e Ramës e votuan për kryetar të parlamentit Gramoz Ruçin. Nuk është në fakt ndonjë çudi. Mos harroni se jo shumë kohë më parë, rreth 3 muaj, të gjithë thanë se në listën e PD edhe Rama kishte kontribuar. Të gjithë thamë në ate kohë se keq e me keq do shkoj kjo punë me këtë grup parlamentar e me nje kryetar si Lulzim Basha. Nuk besoj se keni harruar se pas humbjes, Luli deklaroi me trimëri se projekti i tij vazhdon. Rrofsh që na e kujtove që në seancën e parë! Mos u mërzisni miq, nuk kemi parë asgjë akoma. Me sa duket tragjikomedia sapo ka filluar.

Për te gjitha keto, unë vetë nuk habitem aspak, pasi nuk kisha asnjë dyshim. As nuk do të kisha marrë mundimin të shkruaja sikur këto kohë te mos kisha dëgjuar aty-këtu nga ndonjë mik imi në PD  se Bashës i duhet dhënë edhe një shans tjetër, se ai do të reflektoj dhe se e ka kuptuar tashmë gabimin që ka bërë e do e ringrej PD-në.

Nuk e di pse më vjen në mendje në këtë rast ajo historia e gjahtarit që shkoi në savanë për të vrarë luanin tre herë por i beri pushka “xhap”, aq sa  e habiti edhe luanin….(besoj dikush e di të plote historinë). Le ti bie  shkurt. Me shume sesa votimi i Ruçit nga dy deputetë të PD duhet të na bëj përshtypje fakti se si  dy a tre “gojë” me porosi të kryetarit dolën të na mbushin mendjen se na paskëshin vjedhur dy vota që në votimin e parë hajdutët e Ramës e ne i paskëshim lënë vetë për të provuar hajdutërinë e tyre. Justifikim më qesharak se kaq nuk do të gjendej edhe po të  vrisnim mendjen të gjithë bashkë një javë.

E për t’u bërë serioze le të themi se “gojët” që folën për të justifikuar, janë deputetë  sepse janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë e më këta nuk ja vlen të merresh. Por atyre që gjoja besojnë se Basha do të jetë një tjetër burrë tani e tutje, u them shihni se si e filloi, pa kurajo për të pranuar të vertetën. Është në stilin e tij. E në mos pëlqefshi të bëheni si gjahtari që u zu rob nga luani, bëni mirë të ndërroni shpejt mendim.

Please follow and like us: