Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Fituesit, këta humbës të mëdhenj

 

E gjithë zhurma parlamentare me sherret, diskutimet, hartimet, replikat, dosjet e spiunëve dhe pseudonimet që zotëron Parlamentin Shqiptar në një çast lindi një ide interesante, artikuluar nga një deputet i krahut të djathtë: të persekutuarit e regjimit komunist nuk janë thjesht viktima të krimit komunist. Ata janë fitimtarët e një beteje midis lirisë dhe diktaturës, midis ekonomisë së tregut dhe skllavërisë së ekonomisë kolektive. Ata janë fitimtarët e një beteje që, për fat të keq vazhdoi gjatë, për pesë dekada.
Një përcaktim i tillë nga një tribunë e lartë siç është Parlamenti Shqiptar ka munguar gjatë këtyre 25 viteve, pas rënies së Murit të stalinizmit shqiptar. Qenë artikuluar slogane të tillë si : në demokraci nuk ka të humbur,në demokraci nuk ka të vonuar, bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës, me ne fitojnë të gjithë, s’ka kala që nuk e marrin komunistët, ne që ndërtuam diktaturën do të ndërtojmë edhe demokracinë etj. etj.
Ata që u dergjën burgjeve të komunizmit për shkaqe politike, ata që i bloi për 50 vjet me farë e fis mokrra e pamëshirshme e luftës së klasave, pas rënies së komunizmit u trajtuan si viktima të mjera të diktaturës. Në vitin 1991 nomeklatura e regjimit që po binte nisi privatizimet e njësive tregtare duke ua dhuruar ato njësi shitseve, ndonëse pronarët e trojeve qenë gjallë, të pafuqishëm ose të sapodalë nga burgjet. Edhe më pas shumica e pronës së krijuar nga djersa e disa brezave iu dha nëpërmjet privatizimeve jo fort transparente servilëve politikë dhe anëtarëve të klaneve të lidhura me politikën, ose edhe ndonjë të persekutuari që kishte bërë një mijë e një kompromise me të keqen duke lënë me gisht në gojë fitimtarët që u dergjën burgjeve, fitimtarët që qenë përndjekur në mënyrë të pamëshirshme nga diktatura duke u mohuar të drejtën e shkollimit, duke u përjashtuar nga puna, duke u mohuar deri edhe krijimin e familjes, duke lënë me gisht në gojë edhe qytetarët e thjeshtë, shumicën e heshtur, ata që u ndjenë në krahun e fitimtarëve pas rënies së diktaturës, sepse kishin vuajtur nën diktaturë njëlloj edhe pa qënë në burgje, sepse blloku i madh dhe blloqet e vegjël nëpër Shqipëri ishin oaze parajse mjaft të vogla. Fitimtarët mbetën me gisht në gojë: merrnin bukë me listë ndërkohë që në pronat e tyre shefat e regjimit të dikurshëm dhe pinjollët e tyre po ngrinin biznese miliona dollarëshe Po jo vetëm fitimtarët, por edhe ajo shumica e heshtur e qytetarëve shqiptarë mbeti me gisht në gojë. Mijëra e mijëra u derdhën kufijve tokësorë dhe detarë në kërkim të punës, në kërkim të shkollës, në kërkim të pronës, në kërkim të një atdheu tjetër, sepse atdheun e tyre pasi ua kthyen në ferr për 50 vjet, ua privatizuan, ua grabitën me një mijë e një marifete, pas 50 vjetëve.
Në vitin 1991 Bajram Hoxha që kishte kryer 34 vjet burg politik gjatë diktaturës, u strehua në një depo të vogël drush, në anë të shkallëve të pallatit në qendër të qytetit të Beratit. Banorët e shkallës, në shumicë ish-zyrtarë të lartë partiakë të kohës së diktaturës i çuan rroba të ngrohta, supë të shijshme dhe bukë gruri. Ai kishte 34 vjet që nuk ishte nginjur me bukë, ndaj u ndje i lumtur aty, në atë pallat ku jetonin në sipërfaqe të bollshme “të sapomundurit”. Ky fitues i madh më foli deri në adhurim për një nga banoret e pallatit, një emër mjaft i njohur i nomeklaturës së kuqe, që kujdesej me dhimbsuri për të. Atij kurrë nuk i shkoi mendja te dhomat e tepërta që kishin ish-ët (sapo fituesit u varën nga malet më 1944 dëbuan pronarët e shtëpive dhe u bënë zotër vetë, ose i zbritën në bodrumet e vilave të tyre pronarët e vërtetë, ose i pushkatuan në breg të lumit në agimin e diktaturës që po lindte). Ky fitues i madh i betejës midis lirisë dhe diktaturës nuk dinte të urrente, dinte t’i gëzohej lirisë së tij të veshur me zhele. Si ai mijëra e mijëra të tjerë, shumica e heshtur fituese dhe njëkohësisht humbëse e madhe. Ndoshta në Shqipëri beteja midis lirisë dhe diktaturës ende nuk ka përfunduar.

Please follow and like us: