Nikolas Kristof: Jemi gazetarë, nuk jemi armiku
Ah sikur Presidenti Trump të denonconte neonazistët, me po atë pasion që denoncon dhe po aq sinqerisht sa sulmon gazetarët.
A do të kish gjë më të lehtë, se sa të distancohesh nga nazistët apo supremacistët e dhunshëm të bardhë? Megjithatë, Trumpi ia del ta bëjë pafundësisht më të ndërlikuar – dhe më pas të shpërqëndrohet me keqardhje për vetveten dhe sulme kundër reporterëve të përkushtuar ndaj gazetarisë. Linja kryesore e fjalimit të tij të squfurt në Phoenix të martën, ishte një sulm i gjerë kundër reporterëve “të pandershëm” (duke përfshirë edhe të dështuarën Nju Jork Tajms.
Shikoni, ne që merremi me gazetari meritojmë që t’i kemi “këmbët mbi zjarr”. Ne bëjmë gabime gjithë kohën, dhe shumë shpesh jemi sipërfaqësorë, sensacionalistë, të padrejtë, mbrojtës apo të zbavitur prej objekteve të shkëlqyeshme. Kritikët kanë të drejtë që ne në median kombëtare shpesh humbasin kontaktin me Amerikën e klasës së mesme, dhe shumë shpesh jemi qenë prehëri, në vend se të jemi qen roje.
Megjithatë pavarësisht gjithë mangësive tona, gazetaria mbetet një frenues i domosdoshëm i pushtetit. Trumpi është përpjekur në mënyrë sistematike që të delegjitimojë institucionet që e mbajnë përgjegjës – gjykata, prokurorë, hetues, mediat – dhe ky është konteksti i përgojimit që ai u bën të gjithë atyre, pasi ne të gjithë ofrojmë monitorimin që atë e zemëron.
Nju Jork Tajms dhe Uashington Post kanë shkruajtur, secila më vete, për gënjeshtrat e Trumpit, teksa Uashington Post ka llogaritur tashmë se Trump ka bërë më shumë se 1000 deklarata keqinformuese që kur ka marrë presidencën. Eshtë një ritëm i frikshëm, pothuaj pesë në ditë, dhe po përshpejtohet. Kjo përhapje e gënjeshtrave është një tregues se John F. Kelly nuk është në gjendje ta përmbajë Trumpin, dhe se problemi nuk ishte Steve Bannon, por vetë presidenti.
Karikaturimi i gazetarëve prej Trumpit, si të pandershëm është hipokrit dhe ai fyen kurajën dhe profesionalizmin e kolegëve të mi, që ndonjëherë rrezikojnë edhe jetën, në përpjekjen për të nxjerrë një lajm.
Unë kam humbur miq reporterë dhe fotografë në zona lufte, në të gjithë botën, ndërsa miq të tjerë të mitë, janë rrëmbyer dhe torturuar. Kur Trumpi elektrizon turmat kundër gazetarëve në një sallë, unë shqetësohem se mund të humbasim gazetarë në krye të detyrës, jo vetëm në vende si Siria, por edhe këtu në Amerikë. Trumpi do të bëjë që njerëz të lëndohen.
Shqetësohem gjithashtu se Trumpi është duke shtuar instiktet shtypëse të diktatorëve përreth botës. Që nga zgjedhja e tij, mua më është mohuar hyrja në Venezuelë, Kongo, Sudanin jugor dhe Jemen, një numër i pazakontë vendesh – dhe pyes veten, nëse udhëheqësit e huaj besojnë se është më e kollajtë t’i mohosh të drejtën e hyrjes gazetarëve telashendjellës amerikanë, tani që ata sulmohen edhe nga vetë presidenti ityre.
Përveç dëshirës së Trumpit për të reduktuar monitorimin dhe llogaridhënien, ka edhe të tjera teori, mbi arsyen përse Trumpi e ka kaq të vështirë të denoncojë nazistët dhe racistë të tjerë, pa u futur në sulme kundër gazetarëve.
Një është që ai ka patur gjithmonë pikë të dobët racistët, që nga koha kur si zhvillues pasurish të paluajtshme u padit nga Departamenti i Drejtësisë, në atë kohë Republikan, për faktin që ka diskriminuar zezakët. Me kalimin e viteve, ai gjithashtu është cituar të ketë thënë se “dembelizmi është një tipar i zezakëve”, ka refuzuar të distancohet nga Ku Kluks Klani dhe në mënyrë periodike ka bërë ripostime të mesazheve të neonazistëve (duke përfshirë një të tillë nga një llogari e quajtur GenocidiiBardheTM, me një fotografi të themeluesit të Partisë Naziste Amerikane).
Një tjetër teori (këto nuk përjashtojnë njëra-tjetrën) është që Trumpi është thjeshtë një narcizist që ndan sensin e viktimizimit që kanë supremacistët. Ishte mbresëlënëse që në fjalimin e të martës në Phoenix, ai dukej se besonte që viktima më e madhe në Charlottsville nuk ishte Heather Heyer, që u vra, por ai vetë.
Megjithatë një tjetër mundësi, e cila më parë vetëm pëshpëritej, por tani diskutohet gjithnjë e më haptaz edhe nga kongresmenë, është që presidenti ynë është i pqëndrueshëm mendërisht. Shkaqet e sjelljes së çuditshme të Trumpit mund të jetë e vështirë të zbërthehen. Por shpresoj që ju, si pjesëtarë të publikut, do të kuptoni se çfarë është në lojë, pas sulmeve të tij ndaj mediave. Kjo nuk ka të bëjë me reporterët dhe gabimet që ne bëjmë, por me kontrollet institucionale mbi presidencën.
Ne i vlerësojmë, jo gjithmonë me mirësinë e duhur, përpjekjet e publikut për të na mbajtur të ndershëm. Ne jemi gjithashtu mirënjohës për shpërthimin e abonimeve në organizatat e lajmeve, si dhe mbështetjen për organizma si Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. Ironia ka qenë që, sa më shumë Trumpi përgojon median, aq më shumë publiku është mbledhur përreth nesh – dhe në fund, kjo po na ndihmon për një model biznesi më të mirë. Që kur u zgjodh Trumpi, çmimi i aksioneve të kompanisë së Times është rritur me pothuaj dy të tretat. Faleminderit për ndihmën, Z. President!
Ky është një moment i jashtëzakonshëm në historinë e kombit tonë, sepse po kryejmë një betejë epike për parimet mbi të cilët është ngritur vendi ynë. Këta përfshijnë idenë që një medie e lirë, edhe pse me të meta, është një kontroll thelbësor kushtetues mbi udhëheqësit me të meta.
Kështu që, më lejoni që përulësisht të sugjeroj që, kur një udhëheqës megalloman shfryn ndaj kritikëve, pikërisiht atëherë kontrollet institucionale mbi atë udhëheqës shndërrohen në një ledh mbrojtës për demokracinë. / Nju Jork Tajms – Bota.al/