Henry A. Kissinger: Si të zgjidhet kriza e Koresë së Veriut?
Për më shumë se 30 vjet, përgjigja e botës ndaj programit bërthamor të Koresë së Veriut, ka kombinuar dënimin me zvarritjen. Sjellja kokëkrisur e Phenianit është qortuar. Janë lëshuar paralajmërime se evolucioni i tij drejt armatimit, do të jetë i papranueshëm. Megjithatë, programi i tij bërthamor vetëm sa është përshpejtuar.
Rezoluta e sanksioneve e 5 gushtit, miratuar njëzëri nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shënoi një hap të madh përpara. Megjithatë, një objektiv i miratuar nga të gjithë mbetet të vendoset. Por suksesi i Koresë së Veriut në testimin e një prototipi rakete balistike interkontinentale, eliminon hapësirën për ekuivok të mëtejshëm. Nëse Kim Jong Un e vazhdon programin bërthamor, edhe përkundër kundërshtimit të Kinës dhe SHBA, si dhe një rezolute unanime të Këshillit të Sigurimit, ai do të ndryshojë marrëdhënien gjeostrategjike midis aktorëve kryesorë. Nëse Pheniani zhvillon një kapacitet të plotë bërthamor, ndërkohë që bota dridhet, ai do të zvogëlojë seriozisht kredibilitetin e ombrellës bërthamore amerikane në Azi, veçanërisht për aleatët tanë në Tokio dhe Seul.
Sfida afatgjatë shkon përtej kërcënimit ndaj territorit amerikan, deri në perspektivën e kaosit bërthamor. Një arsenal operacional raketash interkontinentale i Koresë së Veriut është ende larg në kohë, po të kemi parasysh nevojën për të miniaturizuar kokat me mbushje, montimin e tyre tek raketat dhe prodhimin e tyre në numra të mëdhenj. Por vendet e Azisë janë tashmë të kërcënuara nga raketat ekzistuese të Koresë së Veriut, me rreze të të shkurtër dhe të mesme. Ndërsa këto kërcënime akumulohen, nxitja për vende si Vietnami, Koreja e Jugut dhe Japonia për t’u mbrojtur me armët e tyre bërthamore do të rritet në mënyrë dramatike – një kthesë ogurzezë për rajonin dhe botën. Zhbërja e progresit që Pheniani ka bërë tashmë, është po aq e rëndësishme sa parandalimi i avancimit të mëtejshëm të tij.
Diplomacia amerikane, ashtu si edhe ajo multilaterale në Korenë e Veriut ka qenë e pasuksesshme, për shkak të pamundësisë për të bashkuar objektivat kryesore të aktorëve kyçë – veçanërisht ato të Kinës dhe SHBA – në një konsensus operacional. Kërkesat amerikane për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut kanë rezultuar të pavlefshme. Udhëheqësit e SHBA, duke përfshirë edhe ushtrinë, kanë ngurruar të përdorin forcën; Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis e ka përshkruar perspektivën e një lufte me Korenë si “katastrofike”. Mijëra tuba të artilerisë të vendosura brenda zonës së kryeqytetit të Koresë së Jugut, tregojnë strategjinë e Phenianit për të mbajtur peng popullsinë 30-milionëshe të Seulit.
Veprimi ushtarak parandalues i njëanshëm nga SHBA, do të përfshinte një rrezik konflikti me Kinën. Pekini, edhe pse përkohësisht pranoi, nuk do t’i qëndronte gjatë një strategjie amerikane për të përcaktuar vetë atë që do të ndodhë, në skajin e tokës kineze, siç e tregoi ndërhyrja amerikane Luftën Koreane të viteve 1950. Përdorimi i forcës ushtarake duhet të analizohet me kujdes, dhe fjalori duhet të përmbahet. Por ajo nuk mund të përjashtohet.
Konsiderata si këto kanë sjellë përpjekjet e administratës për të futur edhe Kinën, në një përpjekje diplomatike për të shtyrë Korenë drejt denuklearizimit. Këto përpjekje deri më tani kanë pasur vetëm sukses të pjesshëm. Kina ndan shqetësimin amerikan lidhur me përhapjen bërthamore. Në fakt është vendi më i prekur menjëherë prej saj. Por, ndërsa Amerika ka qenë e qartë për qëllimin, ajo ka qenë më pak e gatshme të përballet me pasojat politike. Duke pasur parasysh shpërndarjen e madhe dhe joproporcionale të burimeve kombëtare të Koresë së Veriut në programin e saj të armëve bërthamore, braktisja ose zvogëlimi thelbësor i saj do të prodhonte një përmbysje politike, ndoshta edhe ndryshim të regjimit.
Kina me siguri e kupton këtë. Prandaj, një nga ngjarjet më të spikatura të diplomacisë aktuale është mbështetja e Pekinit në parim, për denuklearizimin e Koresë së Veriut. Në të njëjtën kohë, perspektiva e shpërbërjes ose kaosit në Korenë e Veriut ngjall të paktën dy shqetësime të mëdha në Kinë. I pari ka të bëjë me efektet politike dhe sociale të një krize të brendshme të Koresë së Veriut brenda vetë Kinës, duke risjelë në skenë ngjarje të njohura nga mijëvjeçarë të tërë të historisë kineze. I dyti përfshin sigurinë në Azinë Verilindore. Nxitja e Kinës për të ndihmuar zbatimin e denuklearizimit, do të jetë që të imponojë kufizime të krahasueshme në të gjithë Korenë. Sigurisht, Koreja e Jugut nuk ka ndonjë program bërthamor të dukshëm ose plane të shpallura për të, por një përplasje ndërkombëtare është çështje tjetër.
Kina do të ketë gjithashtu një rol në evolucionin politik të Koresë së Veriut pas denuklearizimit, qoftë një zgjidhje me dy shtete apo një ribashkim, si dhe në kufizimet për vendosjen e trupave ushtarake në Korenë e Veriut. Deri më tani, administrata i ka kërkuar Kinës që të bëjë presion mbi Korenë e Veriut, si një lloj nënkontraktori, për të arritur objektivat amerikane. Qasja më e mirë – ndoshta e vetjam e mundshme – është të bashkojë të dy përpjekjet dhe të zhvillojë një qëndrim të përbashkët, të ndjekur bashkërisht me vendet e tjera të përfshira.
Deklaratat që e përcaktojnë objektivin e SHBA, si atë të afrimit të Koresë së Veriut në tryezën e negociatave reflektojnë supozimin se negociatat janë objektivi i tyre, duke vepruar pra sipas vrullit të tyre, të ndara nga presionet që i bënë të mundura ato dhe që nevojiten për t’i vazhduar. Por diplomacia amerikane, në fund do të gjykohet nga rezultati dhe jo nga procesi. Garancitë e përsëritura se SHBA nuk kërkon avantazh të njëanshëm nuk janë të mjaftueshme për vendet që mendojnë se struktura e sigurisë aziatike është në rrezik.
Atëherë cilat palë duhet të negociojnë, dhe për çfarë? Një kuptim mes Uashingtonit dhe Pekinit është parakusht thelbësor për denuklearizimin e Koresë. Për shkak të një evoluimi ironik, në këtë fazë Kina mund të ketë një interes më të madh se sa SHBA, në pengimin e nuklearizimit të Azisë. Pekini ka riskun e përkeqësimit të marrëdhënieve me Amerikën, nëse fajësohet se nuk ka ushtryar presion të mjaftueshëm ndaj Phenianit. Duke qenë se denuklearizimi kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm, ai nuk mund të arrihet me presion ekonomik. Ai kërkon një mirëkuptim themelor Kinë-SHBA për atë që do të ndodhë më pas, sidomos për evolucionin politik të Koresë së Veriut dhe kufizimet për dërgime trupash në territorin e saj. Një mirëkuptim i tillë nuk duhet të ndryshojë marrëdhëniet aktuale të aleancave.
Sado paradoksale mund të duket në dritën e një historie gjysmëshekullore, një mirëkuptim i till është ndoshta mënyra më e mirë për të dalë nga qorrsokaku korean. Një deklaratë e përbashkët e objektivave dhe veprimeve dhe veprimeve që do të kryhen, do të sjellë izolimin e Phenianit dhe ofrojë një bazë për garancinë ndërkombëtare, që është thelbësore për të ruajtur rezultatin.
Seuli dhe Tokio duhet të luajnë një rol kyç në këtë proces. Asnjë vend nuk është më i përfshirë në mënyrë organike, sesa Koreja e Jugut. Duhet të ketë, prej gjeografisë dhe marrëdhënies së aleancave, një zë vendimtar në rezultatin politik. Do të ishte më drejtpërdrejtë e prekur nga një zgjidhje diplomatike dhe më e rrezikuar nga kontigjencat ushtarake. Është një gjë që udhëheqësit amerikanë dhe të tjerë të shpallin se nuk do të përfitonin nga denuklearizimi i Koresë së Veriut. Seuli duhet të këmbëngulë në një koncept më gjithëpërfshirës dhe formal.
Ngjashëm, historia e Japonisë ka qenë e lidhur me Korenë për mijëvjeçarë të tërë. Koncepti i sigurisë së Tokios nuk do të tolerojë për një kohë të pacaktuar, një Kore bërthamore, pa ngritur një aftësi bërthamore të vetën. Vlerësimi prej Japonisë i aleancës me amerikanët, do të ndikohet më së shumti nga shkalla në të cilën administrata e SHBA merr në konsideratë shqetësimet japoneze për krizën.
Rruga alternative e një negociimi të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara me Phenianin, i tundon disa. Por kjo do të na linte një partner, që mund të ketë vetëm një interes minimal për zbatimin dhe një interes maksimal për të vënë Kinën dhe SHBA kundër njëra-tjetrës. Një mirëkuptim me Kinën është i nevojshëm për presion maksimal dhe garanci të realizueshme. Në vend të kësaj, Pheniani mund të përfaqësohet më së miri, në një konferencë ndërkombëtare kulmore.
Ka pasur sugjerime se një ngrirje e testimeve, mund të sigurojë një zgjidhje të përkohshme që çon me kalimin e kohës drejt një denuklearizimi. Kjo do të përsëriste gabimin e marrëveshjes iraniane: kërkimin e zgjidhjes së një problemi gjeostrategjik, duke u kufizuar vetëm në anën teknike. Do të ofronte pretekste të pafundme për zvarritje, ndërsa do të përcaktohej ç’do me thënë “ngrirje” dhe zhvilloheshin mekanizmat e inspektimit.
Pheniani nuk duhet të lihet me përshtypjen se mund të shkëmbejë kohë me procedura dhe të fshehë qëllimin mes taktikave, si një mënyrë për të ngecur, e si pasojë, përmbushur aspiratat e veta të kahershme. Një proces negociatash mund t’ia vlejë të konsiderohet, por vetëm nëse redukton në mënyrë thelbësore kapacitetet bërthamore të Koresë së Veriut si dhe programin e saj kërkimor, në një të ardhme të afërt.
Një Kore e Veriut që ruan një kapacitet të përkohshëm armësh, do të institucionalizonte rreziqe të përhershme:
* që Pheniani i varfër të shesë teknologji bërthamore;
* që përpjekjet amerikane mund të perceptohen si të përqëndruara në mbrojtjen e territorit të vet, ndërkohë që lë pjesën tjetër të Azisë të ekspozuar ndaj shantazhit bërthamor;
* që vende të tjera mund të ndjekin programe bërthamore kundër Phenianit, njëri-tjetrit apo me kalimin e kohës, SHBA;
* që irritimi me rezultatin të marrë formën e konfliktit me Kinën;
* që përhapja bërthamore të përshpejtohet në rajone të tjera;
* që debati i brendshëm në SHBA të bëhet më përçarës.
Progresi thelbësor drejt denuklearizimit – dhe arritja e tij në një periudhë të shkurtër – është kursi më i matur. /The W all Street Journal/