Albspirit

Media/News/Publishing

Intervistë me z. James Pardew, ish i dërguari amerikan për Ballkanin

Ambasadori James Pardew në fund të viteve 1990 ishte i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin. Në vitin 2001 ai ishte i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në bisedimet që çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ambasadori Pardew ka përmbledhur kujtimet e tij nga rajoni në librin Paqja: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Ballkan, që do të dalë në treg në janar të vitit të ardhshëm. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Pardew flet për sfidat me të cilat po përballet rajoni si dialogu Kosovë-Serbi, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni dhe ndikimin rus në Ballkan.

Zëri i Amerikës: Ambasador Pardew, Kosova dhe Serbia në pesë vitet e fundit janë angazhuar në bisedime të cilat kanë për synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Si i shihni you ato?

James Pardew: Bisedimet janë gjithmonë të mira. Por ajo që ka rëndësi është se për çfarë bihet dakort dhe çfarë zbatohet konkretisht. Në qendër të tyre është njohja e Kosovës nga Serbia. Kjo do t’i lejonte të dyja vendet të lëvizin përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Serbia duhet të heqë dorë nga provokimi për të nxitur përçarje etnike për qëllime politike dhe ta kuptojë se e ardhmja e rajonit është tek bashkëpunimi dhe demokracia. E ardhmja e rajonit nuk janë grindjet rreth sovranitetit ose çështjeve të tjera. Pra në thelb këto bisedime janë rreth pranimit të Bosnjes, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Për realizimin e kësaj duhet njohja e Kosovës nga Serbia. Nuk mund të lësh një vende jashtë dhe të pranosh tjetrin. Në se Bashkimi Evropian do të pranonte vetëm njërin prej këtyre vendeve, çështjet e pazgjidhura do të transferoheshin brenda B.E.-së. Të gjitha çështjet mes vendeve të Ballkanit duhet të zgjidhen para se ato të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Unë kam qënë kritik i Serbisë, por mendoj se Kosova ka shumë punë për të bërë në përmbushjen e standarteve të një demokracie perëndimore. Ka shumë korrupsion në Kosovë, shpresoj që qeveria e re do të merret me këtë çështje. Jam gjithashtu i shqetësuar nga frikësimi i shtypit dhe problemet me sundimin e ligjit. Pra, të gjitha vendet kanë shumë punë për të bërë.

Zëri i Amerikës: Në janar, Serbia u përpoq të fusë në Kosovë një tren, të prodhimit rus, të ngjyrosur me sllogane “Kosova është Serbi” dhe me simbole ortodokse. Disa vëzhgues janë shprehur se kjo ishte një përpjekje e Rusisë për destabilizimin e Kosovës përmes aleatit të saj Serbisë. Rusia gjithashtu është fajësuar për përfshirje në përpjekjen e dështuar për grusht-shteti vitin e kaluar në Mal të Zi dhe për ndikimin në qeverinë e fundit të Maqedonisë. A jeni i shqetësuar nga aktivitetet e Rusisë në Ballkan?

James Pardew: Absolutisht. Ka një kontrast të madh të Rusisë së vitit 1995, kur marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i Moskës me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane arriti ndoshta nivelin më të lartë dhe Rusisë së sotme pas ardhjes së Vladimir Putinit në pushtet. Putini ka vendosur ta bëjë Ballkanin një qendër strategjike të garës mes Perëndimit dhe Rusisë. Ata janë shumë aktivë, jo vetëm në vendet e ish-jugosllavisë por në mbarë rajonin. Por, unë nuk jam shumë i befasuar nga kjo. Shikoni se çfarë bënë rusët në Shtetet e Bashkuara. Ata përhapën informacione të rreme, u përpoqën të ndërhynin drejtpërdrejt në zgjedhjet presienciale amerikane. Pra, nuk është befasuese që ata po e bëjnë këtë në vendet e Ballkanit, ku ka ndikim të mbetur nga e kaluara. Por, unë nuk mendoj se Rusia e Putinit është një model i mirë për këto vende. Rusia po përpiqet të destabilizojnë rajonin. Putini po nxit nacionalizimin ektnik, ai në këtë mënyrë arriti në pushtet. Kjo strategji ka funksionuar për Putinin dhe ai po e zbaton atë në rajon.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, a munden vendet e Ballkanit t’u rezistojnë përpjekjeve të Rusisë për të ndikuar rajonin përmes investimeve dhe metodave të tjera?

James Pardew: Mendoj se ato mund të kenë nevojë për ndihmë. Jam i sigurtë se qeveritë evropiane dhe qeveria amerikane po punojnë me qeveritë e rajonit për t’iu kundërvënë këtyre përpjekjeve sepse ky është një problem i madh. Rajonit nuk i duhet një problem tjetër, vende që nxisin nacionalizmin ekstrem etnik, pasi ai tashmë po përballet me mjaft çështje të tjera si refugjatët, sfidat ekonomike, korrupsioni dhe probleme të tjera. Kështu që është e padrejtë që t’u shtosh këtyre demokracive të reja edhe ndërhyrjen ruse. Prandaj, unë mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet t’i ndihmojnë këto vende në trajtimin e kësaj çështjeje.

Zëri i Amerikës: Zoti Pardew le të flasim tani për Maqedoninë. Parlamenti i Maqedonisë po debaton mbi ligjin e përdorimit të gjuhëve, një nga pikat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit që ende nuk është zbatuar plotësisht. Ju keni qenë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në negociatat që çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Si e shihni ju gjendjen sot pas 16 vjetësh.

James Pardew: Së pari, lajmi i mirë është se shumica e pikave të Marrëveshjes së Ohrit janë zbatuar. Nuk është një marrëveshje e përkryer dhe disa pjesë të saj nuk janë zbatuar në mënyrë të përkryer. Çështja me ndjeshme gjatë negociatave për arritjen e marrëveshjes ka qenë përdorimi i gjuhës shqipe. Ishte çështja e fundit që u zgjidh dhe ishte një sfidë e vështirë. Por udhëheqësit maqedonas dhe shqiptarë ranë dakord për përdorimin e gjuhës shqipe, ajo tani është pjesë e ligjeve të vendit. Unë shpresoj që kjo çështje të përparojë dhe diskutohet në mënyrë të duhur sepse e djatha ekstreme në Maqedoni do të dëshironte një konflikt mbi gjuhën. Natyrisht, unë mendoj se shqiptarët nuk duhet të bien në këtë grackë dhe të lejojnë që çështja e gjuhës të shndërrohet në një problem armiqësor që do t’i lejonte nacionalistët të ktheheshin në pushtet.

Zëri i Amerikës: Maqedonia po ndeshet edhe me një problem tjetër, atë me Greqinë në lidhje me përdorimin e emrit. Ky problem ka bllokuar përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Çfarë duhet të bëj Maqedonia për ta trajtuar këtë çështje?

James Pardew: Mendoj se situata e tanishme me qeverinë e re është mundësia më e mirë në vitet e fundit për ta zgjidhur këtë çështje. Ka shumë zgjidhje dhe emra potencial që do të mund të kënaqnin të dyja palët nëse ka vullnet politik. Mendoj se në Shkup ekziston vullneti politik për ta zgjidhur këtë çështje. Qeveria e Kryeministrit Zaev i ka shprehur Greqisë vullnetin për të biseduar për këtë. Mendoj se Greqia duhet ta pranojë kërkesën e Maqedonisë për të zgjidhur këtë çështje. Shtete e Bashkuara dhe OKB-ja janë të gatshme të ndihmojnë në këtë drejtim. Të them të drejtën, bllokimi nga Greqia i anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO për shkak të emrit është i papranueshëm. Prandaj, duhet një zgjidhje për çështjen e emrit. Nëse palët nuk arrijnë ta zgjidhin këtë, atëherë unë do të rekomandoja që Shtetet e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian të ndërmarrin veprime diplomatike agresive për ta përmbyllur këtë çështje në mënyrë që mbarë rajoni të ecë përpara. Negociatat agresive do të duhet të përfshinin shpërblime për arritjen e një zgjidhjeje dhe pasoja nëse palët dështojnë. Mendoj se tani është koha për ta zgjidhur këtë çështje. Nuk ka patur kohë më të mirë për zgjidhjen e këtij problemi. Nuk duhet të humbet kjo mundësi.

Please follow and like us: