Albspirit

Media/News/Publishing

Edi Rama: Shantazhi mafioz që më bënë për fotot nudo

Fragment nga libri “Kurbani”

Edi Rama rrëfen ditën e vështirë të  publikimit të fotove dhe si e mbështetën në PS.  Gjithashtu Rama në librin e sapobotuar “Kurban” rrëfen se si u anëtarësua në Partinë Socialiste. Gjithashtu ai rrëfen edhe prapaskenat e Kongresit të vitit 2003, kur ai kandidoi për kreun e PS-së, duke zbuluar që Ruçi e ndihmoi, ndërsa Nano kishte një mllef të madh ndaj tij.
“Diku nga fundi i gushtit 2006, në tetor, kur do të mbaheshin zgjedhjet vendore, më erdhi një sms kërcënuese, që ndryshe nga plot të tilla që kanë hyrë në celularin tim gjatë gjithë viteve në arenë, më bëri përshtypje sepse kishte një përmbajtje disi tjetër, një lloj presioni mafioz, ku më thuhej në thelb se duhej të negocioja për materiale komprometuese, përmbajtjen e saktë nuk e kam parasysh se s’i ruaj mesazhet në telefon.
I rashë mbrapsht numrit dhe ishte i mbyllur. E njëjta gjë u përsërit ndoca ditë më pas, duke më thënë pakashumë se po të mos nxitoja të paguaja, duhet të harroja votën e qytetarëve të  Tiranës, pasi të dilnin në shesh ato materiale. I rashë përsëri numrit, s’ishte i njëjti i ditë së parë, dhe nga ana tjetër m’u përgjigj një zë i vargut burri, të cilin se lashë fliste po i thashë me ton të fortë se mua s’kishte material në botë të më merrte peng, dhe në vend qyq të guxonte të më bezdiste prapë, këtë ç’është e vërteta e nënvizova më shumë më tepër brutalitet se ç’shpreh këtu me fjalën bezdi, duhej t’i nxirrte ato që kishte një orë e më parë, mu të sheshi “Skënderbej” po të donte. “Madje nëse nuk gjen dot një stendë i thashë, “ta jap unë bashkë me vendin para bashkisë që do ta paguaj vetë dhe t’i varësh e t’i shohin të gjithë sa ditë të duash mor maskara!” As se kisha idenë se çfarë mund të ishin duke sajuar, po ndieja diçka, intuita më thoshte s diç kishte, pavarësisht se s’kisha as merakun më të vogël për çfarëdoqoftë mund të lidhej me punën e me mua personalisht, sepse në gjithçka kam bërë në këtë jetë deri më sot, mund t’u kem hyrë të tjerëve në hak padashje, ndodh në nxehje e sipër, ndodh në punë e sipër, ndodh edhe pa e kuptuar se s’ke ç’i bën, po asnjëherë nuk i kam bërë keq kujdoqoftë duke u nisur me qëllimin për të bërë keq. Punën jo e jo. Megjithatë një shije e keqe më mbeti kur, pa dashur ta dëgjoja atë horr, kapa teksa flisja me zë të ngritur fort se “do të patakseshin të gjitha gratë e botës me mua” kur të dilnin ato materiale, dhe nisi të bridhte mendja nja dy ditë për të gjetur ndonjë kuptim të atyre fjalëve kërcënuese, duke u rrëmuar të kërkoja në kohët e shkuar të jetës sime prej shpirti të lirë të një njeriu të dhënë pas transgresioneve dhe provokacioneve, sidomos në Akademinë e Arteve, ku thyerja e tabuve në art e në jetën sociale ka qenë prirja ime natyrale që student e deri ditën që u largova nga ai mjedis. Akademia ishte në të ritë e mi vendi i ngasjeve të lirisë së brendshme që kërkonte shtigje për të dalë në mexhlisin e rrethuar me murin hijerëndë të tabuve të ideologjisë të ngritur para syve tanë përmes metodës së Socializmit Realist, dhe s’qe e rastit që aty u shfaqën format e para të rebelimit ndaj regjimit komunist, fillimisht në trajtën e tentativave për ta kapërcyer atë mur duke hapur kanale komunikimi me botën matanë nëpërmjet thyerjes së kornizës së hekurt të metodës, futjes nëpër klasa të librave të artit të ndaluar botëror e diskutimeve të zjarrta që shkrinin telat dhëmbaç të parimeve stërkufizuese socrealiste, zhveshjes së modeleve nudo që pozonin me rroba banje qysh nga flama e Pleniumit IV, shoqërizimit antikomunist nëpër party me muzikë të degjeneruar e të folura haptazi antiparti, e sidomos nxjerrjes së pakënaqësive me provokime të pareshtura në çdo orë mësimi, nëpër takime e mbledhje kolektivi që në fund u kthyen në vatra proteste, për të vijuar pas shembjes së murit me “Refleksionet” e famshme e me krijimin e një jetë artistike e sociale krejt “ të shthurur” në hapësirën e ethshme të lirisë së fituar më në fund, shpirtërisht, mendërisht, trupësisht. E asgjë që mund të patakste megjithatë gratë e botës në Shqipërinë e vitit 2006 s’më ra ndërmend, derisa një ditë, kohë më vonë, po para zgjedhjeve gjithsesi, ato zgjedhje u shtynë në shkurt për shkak se s’pranuam të humbim në ato pa u zgjidhur problemi i madh i certifikatave të falsifikueshme, m’u kujtuan fotot e bëra nudo në një plazh natyristësh në Francë.
I rrëmujshëm siç kam qenë gjithnjë me sendet e mia, rrobat, pikturat, librat, korrespondencat, në kushtet e një mënyre jetese pa shtëpi fikse, më pëlqente pa masë të jetoja me idenë se shtëpia ime ishte trupi im dhe, qyshse e lashë vatrën prindërore për të qenë plotësisht i lirë në orare enë lëvizje, s’ka asnjë vend ku të mos kem lënë pa sendet e mia, qoftë këtu e qoftë vendeve jashtë shtetit ku kam bredhur nëpër Europë  për të jetuar lirinë, pavarësisht se kam jetuar pak javë, disa muaj ose disa vjet, e kësisoj jo vetëm s’i gjeta ato foto aty ku rrija, po s’e gjeja dot as ku mund ti kisha lënë. Shumë më vonë jam kujtuar se i kisha harruar në një bagazh makine, brenda një kutie dhe makina që kishte vazhduar jetën e vet pa mua, ka rënë më tutje në duart që pastaj i kanë kaluar te shantazhuesit. E kam një ide sesi është përzier në këtë histori një politikan shumë i interesuar për humbjen tim në ato zgjedhje, por në mungesë provash ajo mbetet vetëm hamendje pa të drejtë publikimi. Megjithatë, ideja se mund të bëhej fjalë për ato foto nuk më tronditi, sigurisht s’më vinte aspak mirë, se s’kisha dalë lakuriq në plazh për të më parë tërë Shqipëria cullak në fotografi, por thellë-thellë ndieja që s’kishte pse shqiptarët të patakseshin nga diçka krejt e pafajshme, plotësisht private, pa asnjë lidhje kohore apo përmbajtësore me detyrën për të cilën më kishin votuar e as me kohën e ushtrimit të funksioneve të mia publike, kur, me të dashurën time, njerëz të lirë të botës së lirë, kishim shkuar me pushime në një nga plot fshatrat turistik të Europës, ku bëhet plazh nudo e ku një gjë e tillë jo vetëm s’çudit kënd, po kur je aty të bën përshtypje pikërisht sepse s’të bën asnjë çudi. Sigurisht që sot s’do të bëja të njëjtën gjë, s’jam më ai e është një kohë tjetër, me ëndrra e angazhime të tjera për mua, ato kohë të papërsëritshme rinie të ndarë mes diktaturës dhe lirisë ishin të mbushura me etjen e pafundme për lirinë e mohuar për vite të tëra, me kuriozitetin e paepur për të parë e prekur nga afër përmasat e panjohura të botës së lirë, me ëndjen e madhe për të zbuluar vende e realitete të pazakonta për ne që dilnim nga bunkeri i jetës së oklaisur të diktaturës e me të shijuarit deri në fund të faktit të thjeshtë se s’kishim asokohe asnjë llogari për t’i dhënë askujt përveç Zotit, i cili s’kishte arsye të mërzitej me ne duke na parë siç na kishte lindur, e njëri-tjetrit që s’kishim pse i kërkonim llogari pse e shihnim në diell, det e rërë, siç e kishte bërë Zoti. Por se mohoj dot se kur Vali Bizhga, bashkëpunëtorja ime e afërt dhe mikja ime e shtrenjtë, që ka qenë për mua një mbështetëse e paçmueshme morale e intelektuale në çdo orë të vështirë qyshse m’u bashkua si nënkryetare bashkie në janarin e vitit 2003, më pas drejtore e kabinetit tim dhe përgjegjëse e palodhur e asaj fushate, më mori për të më thënë se kishte një zarf me përmbajtje shqetësuese në dorë e nuk më thoshte dot më shumë në telefon, ishte kulmi i fushatës, nisi të më ngrihej një tension i brendshëm dhe të më fillonte ankthi i të panjohurës për mënyrën se si do të reagonte opinioni publik. “S’është puna ç’mendoj unë’, tha Vali pa e fshehur dot turbullirën nga fytyra e saj gjithnjë transparente; kur u ktheva në zyrat e shtabit e pashë mbi tavolinë pikërisht atë që mendoja, dy foto të futura në një zarf anonim të hedhur në kutinë time postare në hyrje të bashkisë, “po ç’do të mendojnë njerëzit e zakonshëm që na votojnë pasi t’i shohin dhe të dëgjojnë edhe turbullirat e këtyre maskarenjve që shkojnë deri këtu!”. “Val”, i thashë, “nëse ti s’mendon keq, pse duhet të mendojnë keq njerëzit e zakonshëm që na votojnë, s’janë aspak budallenj e të paditur që të bien pre e kësaj maskarade!?” dhe vërtet, fakti që Vali mirëkuptonte kontekstin e atyre pamjeve të fiksuara në aparat në kohë krejt të tjera, më lehtësoi disi, po aspak mjaftueshëm për të fjetur atë natë. Gjithsesi, mendjen e kisha të ndarë, s’do të mohoja asgjë, s’do t’i bishtnoja në asnjë formë së vërtetës, do ta thosha mu siç ishte dhe pikë. Revolta e brendshme që presionin mafioz ku Saliu ishte përfshirë si një burrë i pafytyrë, pa miratimin e tij ato foto nuk dilnin kurrë në ekranet e pasqyrat e fushatës, i cili prej lakuriqësisë së trupit tim në plazh dhjetë e kusur vjet më parë, kujtonte se mund ta mbyste zogun që i kishte rënë më në fund në dorë, duke fshehur me hipokrizinë e vet proverbiale perversitetin e kushedi satenrrtë të tij e të të tijve, njësoj si në kohët e vjetra kur luftonte mbledhjeve të partisë me shfaqjet e huaja, në emër të normave antinjerëzore të moralit komunist, më bënte edhe më të vendosur për t’i dalë ballë për ballë, hapur, së keqes që donte të më bënte. Po s’ishte, e përsëris, as një fjalë goje dhe as një çështje e lehtë në kushtet kur dyshimi për perceptimin e opinionit publik, për vetë momentin shumë delikat, s’kishte se si mos të merrte frymën. Edhe pa fotot, që u bënë qershia mbi tortë, ajo e mandatit të tretë për Tiranën ishte një fushatë e vështirë, e ngatërruar, e rënduar për mua me peshën e madhe e të të qënurit njëkohësisht edhe në detyrën e liderit të opozitës,që më detyronte të shkoja kudo nëpër Shqipëri, megjithëse bashkimi i të gjitha forcave opozitare ishte arritur më në fund dhe LSI-ja e Ilir Metës, në atë kohë ende e bashkuar brenda vetes ne një vijë qartësisht opozitare dhe e pakompromentuar së jashtmi me flirtin mashtrues me Saliun, kishte një peshë shumë më të rëndësishme se ç’ka sot në skakierën politike. Ishte, tekefundit, pjesë e jona, e opozitës së qendrës së majtë, madje pjesa më radikale e saj në kuptimin shqiptar të kësaj fjale dhe kjo e lehtësonte rrugën e betejës. Iliri vetë, gjithnjë mes frikërave, dyshimeve, ngurrimeve, dëshirës infantile për ta parë PS-në të zvogëlohej e të bëhej LSI dhe LSI-në të zmadhohej e të bëhej PS,  pasi dha e mori ca kohë duke u luhatur në dallgët e mendjes së tij që herëpashere e mbyste gjithë atë djalë masiv në një lugë ujë, derisa e zhyti fare duke e katandisur në rezervë dhjami për dimrin e pushtetit të Saliut dy vjet më vonë, u fut në fushatë me të gjitha forcat dhe luajti një rol të pamohueshëm për fitoren tonë në qytetet e mëdha, përfshirë edhe Tiranën, sigurisht. Kandidati i Saliut, Sokol Olldashi u bë gazi i botës në atë fushatë me akuzat, shpifjet e dokrrat e tij për qytetin, që e kthyen Eduard Shalsin, nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, në rivalin real tijin, i cili deri në fund ia doli ta bënte qesharak në sytë e opinionit, siç ishte në të vërtetë me ç’bënte e ç’thoshte. Por e keqja ishte se Sokoli kishte një hije të rreme force, që e kishte krijuar si ministër i Brendshëm me prangosje të disa prototipave të kriminalitetit shqiptar, që Saliu i quante eksponentët e bandave më të rrezikshme të botës, hije që e kishte mbjellë në opozitë para ministërllëkut me fitoren në Shijak kundër një ministri socialist, Agron Dukës, që sipas Saliut gjithnjë, përfaqësonte klanin e zi të Zemunit, drogë, kontrabandë, prostitucion e çdo të zezë që rridhte nga gabzherri i ngjirur i kryeopozitarit demokratik. Asaj hijeje force e misteri ndikues ia shtonin me anë tjetër peshën iluzive dhe lidhjet e njohura të ministrit qysh nga fushata e Shijakutme lloj-lloj kriminelësh ordinerë e të fortësh e lloj-lloj gjëmave dhe bëmave ordinere, që historikisht kanë lidhur epikën folklorike antikrim dhe antikorrupsion të Saliut me realitetin e labirinteve të  krimit e  të hajdutërisë në Shqipëri, të cilat e kishin një dalje jo dhe aq të fshehtë në zyrën e Doktorit. Kjo bëri që atij farë kandidati t’i mblidhej para e madhe për fushatën nga të gjithë trembuesit e të tredhurit prej forcës abuzive të pushtetit dhe qoftë e beteja e reklamave në rrugë e ekrane të bëhej thellësisht e pabarabartë, qoftë beteja për mbrojtjen e votës nga lukunia e hajdutëve të bërë bashkë për ta vjedhur atë të bëhej vendimtare, për më tepër kur edhe listat ishin hukubet, dokumentet e identifikimit krejt primitive, fuqia e korrupsionit e pandehur ndonjëherë më parë. Megjithatë, e gjithë përpjekja e madhe që u bë nga ana e tyre, përfshirë edhe nxjerrjen e turpshme të fotove nudo javën e fundit, si për të më dhënë goditjen përfundimtare, rezultoi një tullumbace gjigante që u zhbë si flluskë sapuni, fitorja ishte e plotë, e qartë, pa asnjë shteg për Saliun dhe pamjet e mia cullak i vunë asaj vulën, duke e thelluar me vota të pavendosurish e të rinjsh që kompensuan vjedhjet në një numër qendrash votimi. Thuajse të gjithë  ata me të cilët arrita të flisja gjatë gjithë ditës së daljes së fotove, disa shmangeshin mbase pa ditur ç’të thoshin, më thoshin në mënyra të ndryshme t’i mohoja ose mërmërisnin të hutuar,pa mundur të më inkurajonin të pohoja autenticitetin e tyre. “Thuaj është montazh” këmbënguli disa herë Iliri që ishte sinqerisht i shqetësuar e u shqetësua edhe më shumë kur kuptoi se s’bëhej fjalë për të mohuar gjë, të vetmit ndër të politikës që mbaj mend plotësisht në një mendje me mua madje të pasikletosur hiçfare ishin Erjon Braçja që qeshte me lot dhe thoshte “Mbaroi kjo punë, do jetë e thellë!” dhe Ben Blushi që më tha “Do t’iu kthehet bumerang”, ndërsa Pandi, Majko atëherë Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, që mbulonte fushatën në zona ku unë s’shkoja dot për shkak të kohës, u mbyll i bykosur nga sëkëlldia në shtëpi atë ditë dhe komunikoi vetëm më nënën time, e cila merret lehtë me mend, ishte e sëkëlldisur. Mua vetë, siç, ta thashë zemra më thoshte gjithçka është në rregull, kurse mendja më sorollati në një laririnth të lodhshëm hamendësimesh deri në fund të ditës. E kam si tani para syve në buzëdarkën e asaj dite, kur dola më në fund i lehtësuar nga salla e diskos “Venue”, aty ku qëlloi takimi i programuar kohë më parë e ku tregova të vërtetën time açik përpara një turme të rinjsh e të rejash, jo pa siklet të them të drejtën, isha si në ethet e një provimi aspak të lehtë, një gjimnazist të mbështetur në mur me xhupin e skuadrës legjendare të bejsbollit Red Socks e me duart në xhepat e bluxhinseve të rrjepura që me tha sikur të kishte hequr një hall të madh, “Ah mor plak sa frikë kom pas sot se po na zhgënje e po na thu s’jom unë ai që kan qit lakuriq gazetat! Hallall plako, s’ka mo Pereni që t’rref kët t’dielë”.

*      *     *   *      *     *    *      *     *

Edi Rama:  Si më ndihmoi Ruçi kur  kandidova për kreun e PS-së në 2003-shin

Hyrja në PS
Fitorja e zgjedhjeve të vitit 2003 përkoi edhe me hedhjen e hapit tim të parë drejt kreut të Partisë Socialiste, pak ditë pas asaj u anëtarësova në organizatën socialiste të lagjes ku banoja prej disa vitesh në atë kohë, në një apartament të vjetër 60 m2 në Rrugën e Elbasanit. Vetëm disa ditë të tjetra më vonë shpalla publikisht synimin për të marrë drejtimin e partisë, duke hyrë në një fazë mbresëlënëse thuajse izolimi prej figurave të njohura të saj, që e lexuan synimin tim si një lajthitje të pafalshme, mosmirënjohje të thellë, mendjemadhësi e mendjelehtësi, e njëkohësisht, ndjesi të ngjashme kishin edhe të tjerët, në fakt shumica e miqve dhe të njohurve të mi, duke u kthyer paradoksalisht brenda pak javësh nga një njeri shumë i kërkuar për të vajtur e mbështetur shumë kandidat gjatë fushatës elektorale, në një dele të zezë mbetur cepave të shkallëve të pallateve të kulturës nëpër rrethe, ku më mblidheshin kalamajtë, siç mblidheshin rrotull në fëmijëri Silvës, ariut të famshëm të cirkut të Tiranës, kur e nxirrte në rrugë Tajari, zbutësi i saj cigan, sepse s’më hapnin as dyert e konferencave të partisë për të treguar arsyet e kandidimit tim në prag të kongresit zgjedhor. U desh dashamirësia dhe këmbëngulja e Gramoz Ruçit, sekretar i përgjithshëm socialist aso kohe, gjithëherë në rolin e një burri të urtë, parimor dhe tolerant dhe asnjë herë palë në sherret e kosheres socialiste, që të hapeshin ato dyer e të mund të merreshin e të mund të merrja fjalën përballë sallash të acaruara ku institiktivisht e ku me porosi, në të cilat u prezantova me realitetin e një dhome idealistësh të heshtur, militantësh të flaktë dhe interesaxhinjsh telendarë të pushtetit të kohës, që nga jashtë më ishte dukur e lehtë për t’u jetësuar e nga brenda një sfidë për të mbijetuar.
Për mua ai hap ishte i vetvetishëm, në kushtet e pamundësisë për ta vazhduar i paparalizuar punën në krye të Bashkisë së Tiranës për shkak të aciditetit gërryes të marrëdhënieve me kryeministrin, e njëherësh kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nanon, i cili se fshihte më mllefin ndaj meje në kufizimin e çdo gjëje që mund ti kufizonte bashkisë ligjërisht dhe financiarisht, e në pamundësi të rrezikonte mandatin socialist të Tiranës dhe vet kuotat elektorale të partisë duke më hequr arbitrarisht qafe nga lista e kandidatëve vendorë. Po e hodha atë hap edhe përfundimisht i bindur se me Fatosin në krye, socialistët s’do të mund ta shmangnin disfatën që u erdhi dy vite më vonë, ashtu siç nuk mund ta çonin dot para Shqipërinë të prekur thellë siç ishin në shtyllën kurrizore të qeverisjes nga virusi i nanoizmit, një lloj parazitizmi brejtës, që me preçizion sarkastik Ismail Kadareja e quajti më vonë politikë pa atdhe.
Ai kongres, ku unë mora vetëm një grusht votash, duke dalë i treti ndër tre kandidatë, provoi katërcipërisht bindjen time, dhe jo sepse humba vet, po sepse kryetari rifitoi duke humbur dhe atë që kishte provokuar de facto materializimin e çarjes së madhe të partisë. Përmes një organizimi kongresual ku u vunë në rresht drejtorë të mëdhenj e nënpunës të administratës shtetërore nga gjithë Shqipëria dhe ku u vetëquajt zog vetmitar, që çante qiellin mes furtunave armiqësore, Fatosi përshkroi më mirë se kritiku i tij më dashakeq gjendjen e tij të arratisë nga realiteti dhe shkëputja fatale të qeverisjes socialiste nga njerëzit punët, problemet e shumta të Shqipërisë. Por, siç kam nënvizuar edhe më parë, historia e zhvillimeve të Partisë Socialiste, edhe pse interferon natyrshëm në rrëfimin tim, nuk është objekti i këtij libri.

Please follow and like us: