Tredhja e qenve të qendrës, sukses i bashkisë së kryeqytetit
Bashkia e Tiranës është e vendosur të vijojë aksionin e uljes së numrit të qenëve të rrugës nëpërmjet metodës së sterilizimit të tyre, apo tredhjes siç njihet masivisht. Një aksion ky i nisur dy vite më parë dhe që është në vijimësi, madje duke u asistuar edhe nga specialistë të huaj.
Sikurse bëjnë të ditur burime të Bashkisë së kryeqytetit projekti ka nisur para dy vitesh, kur pati një shtim të konsiderueshëm të qenëve të kësaj kategorie. Pasi i kapin në rrugë, qentë i nënshtrohen vaksinimit, sterilizojnë dhe më pas i matrikullohen duke i vendosur një kod në veshin e majtë e i lëshojnë sërish në rrugë. Nga të dhënat e Bashkisë del se në nisje të projektit numëroheshin rreth 10 mijë qenë rrugësh, numër ky që sakaq është përgjysmuar.
“Nga shkurti i 2016 kemi kapur dhe lëshuar në habitat 4500. Qëllimi kryesor është ndalimi i shumimit të tyre dhe ka rezultuar që kemi ulur me 50 për qind numrin e qenve në rrugët e Tiranës”, thotë Hermiona Hajdini, përgjegjëse e sektorit veterinar në Bashkinë e Tiranës, Punonjësit e shërbimit veterinar në bashki janë trajnuar nga ekspertë të huaj”, shton ajo.
“Kam rreth 1 javë që asistoj dhe trajnoj ekipin e Bashkisë së Tiranës, të cilët po zhvillojnë procesin e sterilizimit të qenve endacakë të qendrës në qytet. Tirana po zbaton kontrollin e popullatës së qenve endacakë, siç është bërë më parë në çdo qytet tjetër europian. Gjatë kësaj jave ne kryem gjithashtu një matje kampion të densitetit të qenve endacakë në lagje të caktuara. Më vjen mirë të pohoj se tashmë projekti i Bashkisë Tiranë, i nisur prej më shumë se një viti ka filluar të japë rezultat duke sjellë ulje të numrit të qenve endacakë. Ky do të jetë një proces i gjatë, por mjaft i qëndrueshëm”, thotë Brian Faulkner, ekspert mbi kontrollin e kafshëve endacake.