Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Toto, intelektuali që u vra nga Mbreti Zog

Ismet Toto intelektuali që u dënua me vdekje nga regjimi i Mbetit Zog, është dhe një prej njerëzve që ka kontribuar për mendimin e ri shqiptar. Shkrimet dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar revista letrare përbëjnë ngjizjen e një mendimi intelektual evropian shqiptar. Ky vit shënjon 80-të vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Ai ishte më i riu i një plejade neoshqiptariste studiuesish, gazetarësh, kritikësh dhe shkrimtarësh të cilët u shquan për talent, aftësi, interesa të gjera dhe erudicion, guxim qytetar dhe prirje për për shtigje të pashkelura.

Ismet Toto përfaqëson intelektualin që i kthen krahët orientit dhe që përvojën oksidentale e sheh si alternativën më të mirë për një filozofi dhe moral kombëtar, për një kulturë të vërtetë shqiptare. Është njeriu që i kundërvihet koncepteve anadollake dhe bën kryefjalë të vet gjallërimit shpirtëror të popullit, lartësimin e qytetërimit tonë të lashtë. S’është e lehtë t’ia përkufizosh, e për më tepër t’i vësh një emërues të përbashkët vlerave të Ismet Totos jo vetëm sepse u nda shpejt nga jeta por edhe sepse punoi dhe krijoi në fusha të ndryshme.

U njoh si gazetar, letrar, biograf e përkthyes. Botoi prozë e poezi, shkroi artikuj problematik, përktheu vepra filozofike, polemizoi. Shumica mbetën të shpërndara në shtypin e kohës, ose në dorëshkrime. Librat që mbajnë emrin e tij janë biografia Gazi-Kemal Ataturk (1935), polemika Grindje me klerin (1934) dhe përkthimi Heronjtë e mendimit: Platoni (1936). Një përmbledhje u dërgua në shtyp më 1944 me titullin Bota e një djali kryengritës, por nuk u botua dhe humbi. Portreti i tij del i qartë, ai qëndron mes krijuesit dhe mendimtarit, në veprat e tij harmonizohet tharmi filozofik me shprehjen artistike dhe publicistike.

Mënyra e tij e të shprehurit është e butë dhe humane por pas saj vihet re vendosmëria dhe karakteri i fortë. Kredoja e bindjeve të Ismet Totos pasqyrohet me një qartësi tronditëse në letrën e shkruar në prag të ekzekutimit dhe botuar nën titullin De profundis: Aftësitë e gjera dalin në pah edhe në biografinë “Gazi-Kemal Ataturk”. Ky libër jo vetëm u prit mirë nga lexuesi dhe kritika, por u përshëndet dhe u vlerësua edhe vet nga Mustafa Qemali.

Traditës së varfër biografike iu shtua me të një vepër plot merita si nga nivelim dhe nga serioziteti shkencor por edhe nga karakteri tregimtar. Është një vepër që i ka qëndruar kohës dhe mund të lexohet edhe sot me ëndje dhe fitim. Ismet Toto nuk mund të kuptohet pa angazhimin total në luftën për një lëvizje mendore shqiptare. I etur për dituri, gjithë vullnet e përkushtim, ai bëhet një intelektual i formuar, erudit dhe me kulturë të gjerë filozofike.

Gjithë sa merr e përthith dhe e shpreh qartë e thjeshtë në përqasje me nevojat e vendit. Duke qenë luftëtar i lirisë së mendimit, adhurues i shkencës, armik i obskurantizmit ai do të ishte për një ndërgjegje të lartë kombëtare dhe për një shëndet shpirtëror të popullit shqiptar. Për ti ardhur në ndihmë kulturës shqiptare, që kishte aq mangësi aso kohe ai botoi “Platonin” dhe përpara tij po përgatiste “Volterin” dhe kolosë të tjerë të mendimit. Mirëpo ky hop dhe këto aspirata u prenë së bashku me jetën e tij në nëntor të ’37, në oborrin e burgut të Gjirokastrës, përballë një trekëmbëshi. Tirania u hakmor egërsisht ndaj një intelektuali kryengritës, kur mendimi shqiptar kërkonte me guxim shtigje liridashës.

Dënuar me vdekje nga regjimi i Zogut. Historiania Nevila Nika, pjesë e dinastisë Toto shprehet në parathënien e librit “Larg dhe afër” nga UET PRESS se “I dënuar me vdekje nga një gjykatë, që pasi nuk mundi të vërtetonte dot se ai kishte vrarë apo tentuar të vriste qoftë edhe një njeri e aq më tepër vetë Mbretin, se nuk vërtetoi dot se lëvizja apo kryengritja e Delvinës kishte qenë komuniste, por vetëm e drejtuar kundër një administrate e cila vazhdonte të kishte pothuaj të njëjtin mentalitet të trashëguar nga Perandoria Osmane, Ismeti me këtë akt të paprecendt gjithë përbuzjen, dëshmoi rebelimin e kundërshtinë e tij ndaj “fitimtarëve të përkohshëm”.

Ishte i bindur se nuk do të vononte dhe rinia, apo siç atij i pëlqente ta quante Djalëria, do t’ja dilte mbanë për të hedhur tutje “rreckat e vjetra”, të cilat po “i merrnin frymën Shqipërisë”. Sipas saj, i vetmi faj apo mëkat i tij kish qenë padyshim fjala e shqiptuar dhe e shkruar prej tij.” Gjithçka që ai kish nxjerrë nga dora e goja e tij kishin patur ndikim jo të vogël në opinionin publik, por sidomos tek të rinjtë. Ndoshta kjo kishte qenë edhe arsyeja kur në sallën e gjyqit prej akuzuesve habitshëm shqiptohen fjalët..”…ai kur flet i hipnotizon turmat, që i shkojnë pas, e kjo është një arsye më tepër që ai meriton dënimin më të ashpër.”

E pra ndoshta nuk gaboj kur mendoj se ky gjyq shënon në Shqipëri edhe fillimin e dënimeve, të cilat qenë pjesë e të përditshmes tonë në regjimin komunist, kundër fjalës e mendimit të lirë, kundër individëve që potencialisht rrezikojnë regjimet autoritare për shkak të ndikimit që ata ushtrojnë në masat e gjëra të popullatës. I papërkulur në idealin e tij, se Atdheu meritonte çdo sakrificë, qoftë edhe jetën e tij, ai shkroi një letër të titulluar “De profundis”.

Letra u shpërnda si rrufe në të gjitha shkollat e vendit edhe pse autoritetet policore e arsimore bënë të pamundurën ta ndalonin. “Bota është e atyre që digjen dhe jo e atyre që ngrohen”, kjo thënie e Ismetit, që sapo i kish kaluar të 30 vjetët e jetës, u bë frymëzim për rininë e kohës”, shkruan Nika.

Please follow and like us: