Gjykata: Si do përjashtohen avokatët nga TVSH?
Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin që rrëzoi pjesërisht aktin administrativ, sipas të cilit avokatët do të duhet të paguanin TVSH-në duke filluar nga zero.
Në korrik të këtij viti, Gjykata shfuqizoi pjesërisht aktin administrativ, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.953, datë 29.12.2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, neni 11, pika 2, përcaktimi i kufirit minimal për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH). http://www.monitor.al/gjykata-rrezon-tvsh-ne-nga-zero-profesionet-e-lira-paguan-tvsh-kush-ka-xhirro-mbi-5-mln-leke/
Ky vendim erdhi pas padisë që dërgoi në Gjykatën e Lartë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundër Këshillit të Ministrave, pasi ligji për TVSH-në në pikën 2 të nenit 11 përsa i përket profesionit avokat, në lidhje me vendosjen e kufirit minimal të regjistrimit për TVSH, caktonte se avokatët detyrohen të llogarisin, të deklarojnë dhe të paguajnë TVSH në vleftën 20% të çmimit të shërbimit të kryer, pavarësisht xhiros vjetore të realizuar.
Pas vendimit të Gjykatës, avokatët kanë detyrimin për llogaritjen dhe pagesën e TVSH i nënshtrohen vetëm ata avokatë apo zyra avokatie, niveli i xhiros vjetore të të cilëve e kalon shumën e 5 milionë lekë të reja në vit.
Në zbardhjen e vendimit, Gjykata argumenton se “në interpretim të dispozitave të ligjit rezulton qartë që Këshilli i Ministrave duhet të përcaktojë vetëm kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në por jo të përcaktojë ndonjë rregullim tjetër apo kufi tjetër minimal regjistrimi për TVSH-në për subjekte të veçanta pasi në asnjë rast ligji nuk e përcakton shprehimisht që Këshilli i Ministrave i ka kompetencat për të përcaktuar kufi minimal të ndryshëm për subjekte apo profesione të veçanta”.
“Nxjerrja e dispozitave të tilla nga Këshilli i Ministrave, duke përcaktuar kufi minimal të ndryshëm regjistrimi për profesione të veçanta, pa qenë në asnjë nga kushtet e parashikuara nga neni 117 i ligjit nr.92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” passjell faktin që pala e paditur ka vepruar jashtë kompetencave ligjore të dhëna nga ligji organik dhe për rrjedhoje ky përcaktim i parashikuar në nenin 11/2 të VKM nr.953, datë 29.12.2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, për profesionin e avokatit, është absolutisht i pavlefshëm”, thotë gjykata në vendimin e zbardhjes.
Për këtë arsye, Gjykata vendosi Shfuqizimin pjesërisht të aktit administrativ VKM nr.953, datë 29.12.2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” në nenin 11, pika 2, për profesionin e avokatit.
Vendimi nuk flet për profesionet e tjera të lira, por avokat Jordan Daci nga Daci & Associates thotë për Monitor se “Dispozitivi është vetëm për avokatët, por duke qenë se vendimet tani me ndryshimet kushtetuese janë unifikuese, do ketë vlerë të tërthorte edhe për të tjerët, nëse behet kërkesëpadi rishtas”.
Gjithsesi, avokatët me qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë nuk do të paguajnë TVSH deri në momentin që qeveria do të ndryshojë kufirin e TVSH-së, që sipas planeve të deklaruara nga financat do të bëhet zero duke filluar nga janari.
Por, Avokat Daci pohon se ky vendim mund të jetë shkak për një padi tjetër. Ai shpjegon se në bazë të pikave 39- 40 të vendimit të Gjykatës së Lartë, Neni 117 i Ligjit për TVSH-ne autorizon Këshillin e Ministrave vetëm për të përcaktuar kufirin minimal dhe asnjë tagër për të përjashtuar apo bërë përcaktime të tjera. Kjo do të thotë që në zbatim të parimeve të proporcionalitetit, barazisë dhe faktit që tashme gjithë vendimet e gjykatës së lartë kanë fuqi unifikuese, edhe profesionet e tjera me shkalle zero mund të bëjnë padi, pranimi i të cilës është automatik si pasoje e këtij vendimi. Gjithashtu, kjo nënkupton që futja përsëri e avokateve etj, bëhet vetëm duke ulur pragun pa bërë përjashtime dhe duke ndryshuar ligjin për tvsh. Nga ana tjetër, ndryshimi i tillë legjitimon kërkesën për shfuqizim në Gjykatën Kushtetuese./monitor/