Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. dr. Xhevat Lloshi: Rrugëtimi i mundimshëm i librit shqip

 

Themelimi i Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja (British and Foreign Bible Society, BFBS) ishte një ngjarje historike me rrezatime afatgjata në aq shumë fusha, sa nuk ka mundësi të trajtohen këtu, prandaj do të kufizohemi me frytet e veprimtarisë së saj për gjuhën, librin, kulturën dhe arsimin shqip gjatë një shekulli e gjysmë.

Fillimet e çdo sipërmarrjeje njerëzore të rëndësishme, pasi ka arritur sukses me një veprimtari të gjatë, ngjallin kurdoherë kureshtje. Njoftohet se Rev. Thomas Charles-in më 1802 e takoi një vajzë e re nga Uellsi, Maria Xhons, e cila nuk gjente një Bibël në gjuhën e Uellsit, prandaj bënte tre kilometra për të shkuar deri te një qytet i afërt për ta lexuar. Kur vajza mori vesh se në qytetin Bala ndodhej Rev. Çarlzi, i cili mund ta kishte librin për të, ajo bëri më këmbë pothuaj pesëdhjetë kilometra deri në Cërty Abergmoloë dhe ai i dha një kopje të vetën. Duke qenë anëtar i Komitetit të Shoqërisë së Broshurave Fetare, për të cilën do të flitet më poshtë, i nxitur nga ky rast, ai shtroi çështjen që të ngrihej një shoqëri për Biblën edhe në gjuhën e Uellsit. Drejtuesit e shoqërisë e pëlqyen që të bëhej një përkthim i tillë. Atëhere pastori Joseph Hughes u shpreh në mbledhje: “Nëse kërkohet për Uellsin, përse të mos bëhet për Perandorinë dhe për gjithë gjuhët e botës?”. Kështu u krijua një komitet me idenë: Bibla për gjithë botën.

Si datë zyrtare e themelimit mbahet 7 marsi 1804. Arsyeja historike e kësaj nisme, pa dyshim, ishte më e thellë, ajo lidhej me synimin e protestantëve që nga Martin Luteri më 1517 për të dhënë mesazhin biblik në përmasa botërore për çdo njeri në gjuhën e tij amtare. Ndërsa nga fryma e saj, një ngjarje e tillë do të krahasohej me vetë Reformacionin e shekullit XVI, kur zu fill protestantizmi plot 500 vjet më parë. Deri atëherë përkthime të plota ose të pjesshme të Biblës kishte pasur në 70 gjuhë. Më 1928 tashmë kishte versione në 608 gjuhë dhe ishin shpërndarë mbi 385 milionë kopje në mbarë botën.

Kryetari i parë i Shoqërisë ka qenë John Shore Lord Teignmouth (Xhon Tinmoth), ish guvernatori i përgjithshëm i Indisë, një gjuhëtar i përgatitur. Kjo traditë e punonjësve me përgatitje të mirëfilltë filologjike u siguroi botimeve dhe përkthimeve të bëra prej saj një cilësi të lartë tekstologjike e gjuhësore, duke  mundësuar ndihmesa të çmueshme sidomos për gjuhët pa tradita të gjuhës së shkruar. Ndërkaq, Komiteti i Përgjithshëm përbëhej vetëm nga njerëz laikë dhe në këtë mënyrë shmangej mundësia që pak nga pak të ndodhte klerikalizimi i saj, të cilin protestantët e kundërshtonin parimisht. Karl Friedrich August Steinkopf-i u bë i pari ndër tre sekretarët e degës së jashtme të BFBS.

Periudha e parë në veprimtarinë e BFBS deri më 1816 iu kushtua kryesisht shtrirjes dhe themelimit të disa degëve në vende të ndryshme. Pikërisht në fund të atyre viteve në qarkun e interesimeve të saj u shfaq edhe gjuha shqipe. Merita kryesore i takon Robert Pinkertonit, që me të marrë vesh se mund të bëhej diçka për shqipen, nga dega për Rusinë (e ngritur më 1813) vajti në Vjenë, ku në bashkëpunim me J. Kopitarin dhe shqiptarët e atjeshëm, e paraqiti propozimin deri në qarqet zyrtare më të larta të Austrisë.

Në periudhën e dytë, gjatë viteve 1817-1834, Shoqëria mori formë të përcaktuar dhe u zgjeruan degët, ndër të cilat më të rëndësishme lidhur me shqipen kanë qenë ajo në Maltë, që më 26 maj 1817 u ngarkua për gjithë Mesdheun; në Ishujt Jonianë 1819 dhe po në këtë viti zyra në Athinë; Shoqëria Biblike në Izmir u themelua më 1818 dhe më pas  në Stamboll. Agjent kryesor për Mesdheun e Levantin u vendos në Stamboll më 1821 Henry  D. Leeves-i (Livzi).

Ky është harku kohor kur u arrit të botohej e para Dhiatë e re në gjuhën shqipe. Pasi ishte njohur me çka dihej për shqiptarët në atë kohë, R. Pinkertoni ndërmori disa udhëtime dhe e shtroi nevojën e përkthimit shqip edhe në korrik 1819, kur u krijua Shoqëria Biblike Joniane në Korfuz. E ndoqi punën derisa arriti të nënshkruante marrëveshjen me Vangjel Meksin më 1819 në Stamboll. Dega në ishullin Zante u ngrit më 4 gusht 1819 me sekretar Isaac Loëndes-in (Laundzin), i cili do të bëhej strumbullari i gjithë punës për shtypjen e Dhiatës shqip. Po në atë muaj u hap një zyrë edhe në Athinë, sepse Ishujt Jonianë ishin nën sundimin britanik, kurse Athina ende ishte nën Perandorinë Osmane. Për shumë dhjetëvjeçarë dega athinjote do të ndërlikohej edhe me botimet dhe shpërndarjen e librave shqip.

Përkthimi u përfundua, por V. Meksi vdiq në gusht 1823 dhe në rrethanat e ndërlikuara të kohës, një kopje e dorëshkrimit kaloi në Korfuz në duart e I. Laundzit, i cili me një këmbëngulje të veçantë ia doli ta çonte librin në shtyp, në fillim vetëm Ungjillin e Mateut më 1824 dhe gjithë Dhiatën e re më 1827. Për këtë ai kërkoi ndihmën e shqiptarëve të atjeshëm dhe bashkëpunoi ngushtë me Grigor Gjirokastritin, i cili e redaktoi dorëshkrimin, e plotësoi dhe e ndoqi hap pas hapi në shtyp. Njëkohësisht I. Laundzi u këshillua me T. P. Platin të bibliotekës së Shoqërisë Biblike në Londër dhe përcaktoi përfundimisht alfabetin e shqipes për këta libra. Ka qenë T. P. Plati, i cili hartoi edhe të parin historik për përkthimin e Dhiatës në gjuhën shqipe.

Për shkak të degëzimeve të ndryshme të krishterimit, edhe përcaktimet e përbërjes së Biblës kanë pasur luhatje sipas sektit përkatës. Me këtë gjendje u ndesh menjëherë Shoqëria Biblike, prandaj për të mënjanuar mosmarrëveshjet teologjike ndërmjet kishave të ndryshme, u vendos që Bibla ose pjesët e saj të botoheshin pa shtesa, pa shpjegime dhe pa komentare. Përkthimet e Dhiatës së Vjetër do të bëheshin duke u nisur nga tekstet hebraisht, për këtë arsye nuk do të merrej përkthimi greqisht i quajtur Septuaginta i shek. III para e.r. Kurse më 1826 u formulua rregulla që ndalonte botimin e librave të quajtur apokrifë ose deuterokanonikë, të cilët i donin katolikët, rrjedhimisht, do të financoheshin vetëm librat kanonikë. Më 1830 nisi puna me librashitësit shëtitës. Është po kjo kohë, kur u bë edhe përkthimi shqip i disa broshurave fetare nga G. Gjirokastriti, të botuara nga Shoqëria e Broshurave Fetare.

Periudha e tretë, që përfshin vitet 1834-1854, pati në krye të Shoqërisë Lordin Bexley pas vdekjes së presidentit të parë më 1834. Më 1846 vendin e këtij e zuri Lordi Ashley, Earl of Shaftesbury. Në këtë hark kohor nuk pati përkthime të reja shqip, por ka të dhëna për shitjen e librave në treva të ndryshme shqiptare.

Në periudhën e katërt gjatë viteve 1854-1884 si president i Shoqërisë Biblike ishte Earl Harroby. Këto ishin vite të një rëndësie të jashtëzakonshme për botimin e përkthimeve të reja të teksteve biblike dhe të përgatitjes së librave të tjerë shqip me ndihmesën e paçmueshme të Shoqërisë Biblike. Një varg ngjarjesh të mëdha ndërkombëtare ndodhën  që nga Lufta e Krimesë më 1853-1856 e deri te Kongresi i Berlinit më 1878. Pas Luftës ruso-turke sulltani nxori një ferman, që e bëri të ligjshëm qarkullimin e Biblës më 1856, por më pas autoritetet osmane ndërmorën veprime dhe përndjekje të gjithfarshme kundër librit shqip, duke pasur edhe mbështetjen e qarqeve fanatike greke ortodokse. Në nëntor 1853 u themelua Agjencia e BFBS për Perandorinë Osmane dhe në një konferencë në Stamboll foli edhe Alexander Thomson-i, i cili më 1860 do të bëhej kryetari i agjencisë turke për 36 vjet. Trashëgimia dokumentare që na ka ardhur prej dorës së tij përbën një burim të paçmueshëm për kulturën dhe gjuhësinë shqiptare.

Ngjarja më madhore për historinë shqiptare në shek. XIX ka qenë lëvizja e Rilindjes Kombëtare. Synimet e Shoqërisë Biblike për gjuhën shqipe, arsimin, kulturën dhe librin shqip përputheshin me qëllimet e Rilindjes Kombëtare, prandaj dhanë ndihmesë të çmueshme në rrugën e shqiptarëve drejt pavarësisë prej sundimit shekullor osman. Rrjedhimisht, dokumentet përkatëse e pasurojnë nga një aspekt historinë e Rilindjes Kombëtare, duke sjellë të dhëna të panjohura edhe për një varg figurash të njohura rilindësish. Ndërmjet këtyre shquhet Konstandin Kristoforidhi, i cili kështu ka pasur fatin t’i ketë të dokumentuara gjerësisht jo vetëm përpjekjet për gjuhën shqipe, por edhe idetë e tij iluministe për përparimin e kombit shqiptar. Bashkëpunimi i gjatë shumëvjeçar dhe i frytshëm ndërmjet A. Tomsonit dhe K. Kristoforidhit na shpaloset nëpërmjet letërkëmbimit të tyre të pasur. Me vështrimin e tyre largpamës ata iu drejtuan edhe Shoqërisë së Broshurave Fetare, e cila nxori në dritë libra kaq të vlefshëm, sa Abetarja dhe një Histori e Shkrimit të Shenjtë. Ishte A. Tomsoni që interesohej për shkollën shqipe dhe  bëri të mundur të dilte nga shtypi Gramatika e gjuhës shqipe e K. Kristoforidhit. Ai ka pasur marrëdhënie e letërkëmbim edhe me një varg rilindësish të tjerë. Ndër ta në vitet e fundit të kësaj periudhe shquhet Gjerasim Qiriazi, i cili më vonë do të bëhej personaliteti më i rëndësishëm dhe me vdekjen e tij të parakohshme në rrugën e tij do të ecnin pjesëtarët e tjerë të familjes Qiriazi.

Dokumentet e periudhës së pestë që mbulon vitet 1884-1904, si dhe të viteve deri në fundin e Luftës II Botërore do të përfshihen në dy vëllimet pasuese.

*

I pari që ka shkruar shqip për Shoqërinë Biblike ka qenë K. Kristoforidhi. Në fund të “Historisë së Shenjtesë Shkrojë për dielmt” më 1870 ai thotë: “Çë kurë se u ngref Shoqënia e Biblësë ndë Egëlterë, 1804 viet mbas Krishtit, Dhiat’ e Vietër edhe Dhiat’ e Re ashtë këthyem ndë 205 gjuha të hueja ngjer mbë sot.” Autorët e tjerë më pas e kanë përmendur sipas rastit, por përgjithësisht vërehet se nuk i kanë njohur parimet themelore të punës së saj dhe e kanë trajtuar si një shtëpi botuese, që nxirrte edhe libra të tjerë përveç Biblës.

 

Libri më i hershëm, në të cilin flitet për gjuhën shqipe lidhur me përkthimet biblike është: The Bible of Every Land. A history of the Sacred Scriptures in every language and dialect into ëhich translation have been made. Bot. I 1848; bot. II 1860. London.

Siç u tregua më sipër, Shoqëria Biblike ka qenë qysh në fillim në lidhje të ngushta me një organizatë tjetër: Religious Tract Society, shkurt RTS (Shoqëria e Broshurave Fetare, SHBF). Një grup protestantësh ungjillorë më 1795 kishin ngritur Shoqërinë Misionare të Londrës, për të cilën punonte edhe I. Loëndes-i. Po ky grup u mblodh më 1799 në një lokal pranë kishës së Shën Palit (St. Paul’s Coffee House), që është një ndër tempujt më të mëdhenj në botë i protestantëve, i ngritur si rival i katedrales së Shën Pjetrit në Romë. Ata themeluan RTS. Nismëtar ishte Xhozef Hjuzi (Joseph Hughes, 1769-1833). Pesë vjet më vonë me ngritjen e Shoqërisë Biblike, Hjuzi u bë edhe sekretar i BFBS, ndërsa më 1832 përgjegjës i Departamentit letrar e të përkthimeve.

Qëllimi i kësaj Shoqërie ishte të botoheshin broshura më të thjeshta, për njerëzit e zakonshëm që nuk kishin kohë të lexonin vëllimet e trasha të Biblës. Broshurat e para të përkthyera nisën të dilnin më 1811. Ajo e shtriu veprimtarinë në kolonitë britanike dhe në vendet e tjera të Europës. Më 1935 RTS u shkri me Shoqërinë për literaturën e krishterë për Indinë e Afrikën dhe formuan Shoqërinë e Bashkuar për Literaturën e Krishterë  (United Society for Christian Literature, USCL). Arkivat e tyre janë bombarduar më 10-11 maj 1941 dhe janë dëmtuar. Më 1982 dokumentet që nga fillimi më 1799 e deri më 1953 janë depozituar në Bibliotekën e Universitetit të Studimeve Orientale dhe Afrikane të Londrës (Library of the School of Oriental and African Studies, SOAS).

*

Kur pata mundësinë në pranverën e vitit 1972 që të merresha me kërkime arkivore në Londër, Shoqëria Biblike e kishte selinë në 146 Queen Victoria Street, jo larg bregut të majtë të Temzës. Në një kohë kur Shqipëria ishte shpallur i vetmi shtet ateist i botës, qe pak e vështirë t’i shpjegoja nëpunësit të pritjes se çfarë kërkonte një shqiptar aty. Megjithatë, më përcollën në ashensor dhe dola në një zyrë jo shumë të gjerë, ku më priti arkivistja K. J. Kan (Kathleen Cann). Që në fillim ajo më njoftoi diçka shkurajuese: gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte rënë një bombë gjermane dhe dy të tretat e materialeve ishin shkatërruar. Prandaj kur më 1953 i vetmi djalë, që ishte ende gjallë nga fëmijët e Kristoforidhit, i dërgoi letër Shoqërisë Biblike për ta ndihmuar që të gjendej diçka për të atin, arkivi ende nuk ishte rregulluar nga dëmtimet e luftës dhe Filipi nuk mundi të merrte asnjë informacion. Por pak nga pak arkivistja më vuri në dispozicion gjithçka kishte dhe m’u desh të shfletoja qindra e qindra faqe, për të gjetur se ku kishte diçka për shqipen. Përveç dokumenteve të ndryshme, arkivistja tregoi edhe dorëshkrimet e ardhura nga Stambolli, mes të cilave përcaktuam se ishte edhe përkthimi i V. Meksit., si dhe disa dorëshkrime të K. Kristoforidhit.

Kështu nisi zbulimi i thesareve të Shoqërisë Biblike për shqipen.

(Marrë nga parathënia me shkurtime)

 

Tre thesare brenda një libri

Fjala “thesar” përdoret aq shpesh për gjërat që as nuk janë shumë të rralla, as aq të shtrenjta, por prof. dr. Xhevat Lloshi, gjuhëtari i pashok, nuk i përzgjedh fjalët pa i menduar mirë, sidomos kur bëhet fjalë për titullin e një libri 650 faqëeh, që po e nxjerr në vitin e tij të tetëdhjetë, Thesaret e Shoqërisë Biblike, thesare që i ka gjetur dhe i ka përpunuar prej dekadash, në mënyrë që edhe ne të të mund ta shfrytëzojmë e shijojmë për dekadat që do të vijnë.

Ky libër është një thesar në disa pikëpamje. Materiali vetë është thesar – dorëshkrime e botime të vjetra, të zverdhura e të zbehura nga koha, dokumente që janë shpëtuar, në disa raste, në çaste kritike përpara se të humbnin përgjithmonë. Së dyti, përmbajtja e materialit është thesar për gjuhëtarë, historianë, sociologë, ballkanologë dhe, sidomos, për besimtarë të cilët e çmojnë Fjalën e Zotit. Këta do të mahniten me rrugëtimin e saj të vështirë drejt botimit në gjuhën shqipe, si dhe drejt përhapjes së gjerë në viset shqiptare, në një kohë kur nuk kishte libra të tjerë në shqip.

Sigurisht, ky material nuk na erdhi i gatshëm në shqip. U zbulua në gjuhë të ndryshme, kryesisht në anglisht. Shumica dërrmuese ishin dorëshkrime të shkruara në një kaligrafi që mezi deshifrohet. E kjo na çon te thesari tjetër – përgatitësi i materialit. Profesor Lloshi është ndër të paktët që mund të realizonte punën marramendëse të zbulimit, deshifrimit, traskriptimit dhe përkthimit, por aftësitë e tij nuk do të na vlenin fare nëse nuk do të vendoste ta bënte këtë punë prej dashurisë që ka për gjuhën shqipe dhe për studiuesit e rinj. Profesori na mëson çka mund të arrihet kur punojmë me disiplinë, ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji, vit pas viti.

Jam i bindur që askush, përveç profesor Lloshit, nuk e ka rrokur ende rëndësinë e këtij materiali. Si çdo kryevepër, vlera e tij e vërtetë do të kuptohet me kalimin e kohës. Ndaj me këta rreshta, guxoj ta falënderoj Profesorin në emër të mijëra shqiptarëve, shumica ende të palindur, që do të përfitojnë nga ky thesar.

 Dr. David Hosaflook

redaktor i përgjithshëm i serisë përkujtimore “500/200”

Please follow and like us: