Albspirit

Media/News/Publishing

Spanja do të pezullojë autonominë e Katalonjës

Spanja do të nisë pezullimin e autonomisë së Katalonjës të shtunën, pasi udhëheqësi i këtij rajoni ka kërcënuar se do të shpallë pavarësinë.

Zyra e kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy, tha se kabineti do të takohet për të aktivizuar nenin 155 të Kushtetutës, i cili i lejon të marrë përsipër udhëheqjen e rajonit.

“Qeveria e Spanjës do të vazhdojë me procedurat e përshkruara në nenin 155 të Kushtetutës, për të rivendosur ligjshmëri në vetëqeverisjen e Katalonjës”, thuhet në deklartën e Zyrës së Rajoyt.

Lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont, tha se Parlamenti i rajonit do të votojë për pavarësi nëse Spanja “vazhdon shtypjen”.

Pas referendumit për shkëputje, më 1 tetor – të cilin autoritetet në Madrid e kanë shpallur jokushtetues – Puigdemont ka nënshkruar deklaratën për pavarësi, por më pas e ka pezulluar atë për t’i hapur rrugë dialogut me Qeverinë spanjolle.

Lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont.

Lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont.

Qëndrimet kundërthënëse të Puigdemontit kanë bërë që Rajoy t’i japë kohë atij deri të enjten, në orën 10:00, për të qartësuar pozicionin me përgjigje të thjeshtë: po se jo.

“Nuk është e vështirë përgjigjja në pyetjen: A e ka shpallur Katalonja pavarësinë? Nëse po, qeveria është e obliguar të veprojë në mënyrë të njëanshme; nëse jo, mund të bisedojmë këtu”, i ka thënë Rajoy parlamentit të mërkurën.

Me aktivizimin e nenit 155 të Kushtetuës së Spanjës, qeveria harton një listë të masave specifike, me të cilat nis trasnferimin e përgjegjësive nga Katalonja në Madrid.

Neni 155 thotë: “Nëse një komunitet vetëqeverisës nuk i përmbush detyrimet e imponuara nga Kushtetuta apo ligjet e tjera, ose vepron në atë mënyrë që dëmton seriozisht interesin e përgjithshëm të Spanjës, qeveria mund t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për ta detyruar komunitetin që t’i përmbushë obligimet ose të mbrojë inetresin e përgjithshëm të lartpërmendur”.

Masat që pritet të merren përfshijnë marrjen e kontrollit të policisë rajonale dhe të financave, si dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Senati i Spanjës, i kontrolluar nga Partia Popullore e Rajoyt dhe aleatët, do të duhet ta miratojë listën.

Rreth 43 përqind e elektoratit në Katalonjë kanë votuar në referendumin e 1 tetorit. Autoritetet rajonale kanë thënë se 90 përqind e tyre kanë votuar për pavarësi dhe rezultatet i kanë shpallur të vlefshme.

Përgatiti: Valona Tela

Please follow and like us: