Filmi dokumentar Sherpa
Të paktën katër vetë kanë vdekur gjatë javës së kaluar në Everest. Tre prej tyre ishin alpinistë amatorë, një tjetër ishte guida e tyre Sherpa. Me popullarizimin e ngjitjes në majën më të lartë të botës, dhjetëra Sherpa kanë humbur jetën duke udhëhequr grupet e të huajve. Djali i të parit Sherpa që u ngjit në majën e malit ka akuzuar industrinë e turizmit në Nepal se po shfrytëzon gjendjen e rëndë ekonomike të popullatës vendase.
Më 18 prill 2014, kineastja Jennifer Peedom, realizuese e dokumentarit Sherpa kapi tragjedinë më të rendë të regjistruar në Everest. 16 Sherpa, siç njihen guidat nepaleze që shoqërojnë alipinistët gjatë ngjitjes në Everest, vdiqën nga orteku. Filmi thekson rrezikun dhe vështirësitë e Sherpave në sezonin e ngjitjeve, për një përqindje të vogël krahasuar me fitimet që marrin shoqatat e turizmit dhe qeveria nepaleze për këtë aktivitet.
Ndërkohë që vizitorët përgatiten për ngjitjen në tenda të rehatshme, Sherpat luten para perëndive të malit, për një ngjitje pa probleme, ndërkohë që familjet presin me ankth kthimin e tyre.
Në këtë lartësi mbi nivelin e detit, çdo gjë është e rrezikshme dhe mund të jetë vdekjeprurëse. Por ekspeditat më të kushtueshme që ofrohen për të reduktuar lodhjen dhe mundimin e alpinistëve janë në fakt shumë të rrezikshme për alpinistët dhe për Sherpat, thotë Norbu Tenzing Norgay, djali i Sherpas së parë që arriti t’i ngjitet Everestit.
“A mund të ulet rreziku? Po. Nëse Sherpat nuk mbajnë në kurriz pajisje speciale e ngrohësa apo shtresa që alpinistët të flenë rehat natën, mund ta ulim rrezikun”.
Dokumentari vë theksin tek dizniveli dhe përplasjet kulturore mes Sherpave që e shohin ngjitjen si një ritual shpirtëror dhe alpinistëve perëndimorë që e shohin si sfidë.
Pavarësisht nga rreziqet, Sherpat mbajnë familjet me këtë biznes. Secili prej tyre bën rreth 5000 dollarë gjatë sezonit të ngjitjeve, ndërsa nepalezët që merren me bujqësi bëjnë 700 dollarë. Por rrogat e Sherpave nuk krahasohen me shumën prej 70-100 mijë dollarësh që paguajnë apinistët për këtë mundësi unike. Pjesa më e madhe e shumës mbahet nga pronarët e kompanive turistike dhe qeveria, thotë Norbu Tenzing Norgay.
“Një Sherpa i zakonshëm merr 15 mijë dollarë nga sigurancat, nëse ndodh diçka. Deri në 2014, ai merrte vetëm 5000 dollarë. Por disa vite më parë Sherpat mund të ndërtonin shtëpinë, të dërgonin fëmijët në shkollë, të investonin me këto para. Këto ditë me këto para me zi paguan koston e varrimit”.
Sipas dokumentarit, orteku i prillit 2014 ishte goditja vendimtare:
DAWAN STEVEN, SHERPA
“16 vetë gjetën vdekjen njëkohësisht. Ishte një shok i jashtëzakonshëm. U ngjall një revoltim i madh ndaj qeverisë, me ndjenjën se qeveria kishte përfituar nga mundi i Sherpave, nga jeta e tyre, pa shpërblim për Sherpat”.
Në përgjigje të kësaj situate, disa Sherpa kanë filluar të shkëputen nga shoqatat e alpinizmit, dhe po krijojnë bizneset e tyre me synimin që të kenë më shumë kontroll mbi ekspeditat, me shpresën për më shumë siguri për vete dhe për alpinistët gjatë ngjitjes në majën e botës.