Albspirit

Media/News/Publishing

“Vrasja e Komandantit”, best seller i Murakamit

Shkrimtari japonez me famë botërore, Haruki Murakami është cilësuar si një ndër 100 njerëzit me më shumë ndikim në botë.

Haruki Murakami është prej atyre shkrimtarëve që jep shumë rrallë intervista dhe nuk e pëlqen publicitetin. Ato pak të dhëna që kemi për të, i mësojmë në pasthëniet e librave të tij. Murakami ka lindur ne Kioto. Shkollën e mesme e ka kryer në Kobe dhe universitetin më pas në Tokio. Ka punuar si barist në xhaz-kafe Peter Cat. Ka jetuar një pjesë kohe në Europë dhe në ShBA. Është përkthyes i letërsisë amerikane në japonisht. Nga librat e tij duket qartë se ai përdor përvojat e veta si burim i rrëfimit në romanet e tij. Ngjarja zhvillohet gjithmonë në njërin nga vendet e përmendura këtu dhe dashuria për xhazin dhe muzikën në përgjithësi, haset në të gjitha faqet e romaneve të tij.

Murakami u vu përballë debatesh të shumta këtë vit pasi pranoi Masakrën e Nanjing-ut në romanin e tij me titull “Vrasja e Komandantit”.

Romani i prezantuar më 24 shkurt me 1.3 milion kopje është i pari libër shumëvëllimësh i Murakamit që nga ai me titull 1Q84 dhe menjëherë është konsideruar një best seller.

Në një kohë që qeveria japoneze dhe partitë konservatore në Japoni e mohojnë këtë masakër, Murakami përmes vepres së tij letrare bën të kundërtën. Protagonisti i romanit është një piktor 36 vjeçar që jeton në fshat dhe së bashku me fqinjin e tij në papafingon e shtëpisë zbulon një pikturë të titulluar “Vrasja e Komandantit”

Duke folur për jetën e autorit, fqinji përmendi një sërë ngjarjesh të ndodhura në vitet 1937-1938, të cilat i quajti “fatale” për Japoninë, por që kishin ndikuar dhe në jetën e piktorit dhe të familjes së tij, përfshirë dhe pushtimin japonez të Kinës dhe Masakrën e Nanjingut.

“Po. Ndodhi një masakër në Nanjing. Japonezët rrethuan qytetin e Nanjingut, pas betejave të përgjakshme dhe vranë plot njerëz aty. Trupat japoneze nuk patën kohë për robërit e luftës dhe vranë shumë prej tyre por dhe civilë”, shkruan Murakami duke iu referuar rrëfimit të fqinjit në librin e tij.

Në roman është dhe personazhi i vëllait të piktorit, një i ri 20 vjeçar, i inkuadruar në ushtrinë japoneze që u dërgua në Kinë në vitin 1938. Pas një viti, më 1939 ai u rikthye në Japoni, por vrau veten.

Si është e mundur që një ushtar i cili ka mbetur gjallë pas një lufte të ashpër, kur rikthehet në atdhe të vrasë veten ? Shqetësimi i këtij të riu reflekton dhe trazirën shpirtërore të autorit të romanit.

Pushtuesit japonezë vranë rreth 300 mijë civilë kinezë dhe ushtarë të paarmatosur, në përpjekje për të pushtuar Nanjingun dhjetorin e vitit 1937.

Ky roman i Murakamit është përballur me kritika të krahut ultranacionalist në Japoni, të cilët e kanë mohuar tërësisht Masakrën e Nanjingut. Por, nga ana tjetër, shumë kritikë letrarë dhe lexues kanë vlerësuar guximin e shkrimtarit Murakami, i cili nëpërmjet veprës së tij evokon një moment historik.

Gjatë një interviste për “Tokyo Shimbun” në vitin 2015, para fjalimit të kryeministrit japonez Shinzo Abe, me rastin e 70-vjetorit të Luftës së Dytë Botërore, Murakami theksoi se Japonia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në vendet fqinje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Mendoj se historia është shumë e rëndësishme dhe të kërkosh falje sinqerisht është po aq e rëndësishme. Nuk është turp të kërkosh falje,” tha i nominuari për çmimin Nobel.

Në krijimet e tij të mëparëshme si “Kronika e zogut fluturues” botuar në vitin 1994, Murakami pasqyroi krimet e trupave japoneze në luftën pushtuese ndaj Kinës.

“Kjo luftë nuk është normale, në asnjë lloj mënyre. Ne kemi vrarë civilë të pafajshëm. Në Nanjing ne kemi kryer krime të tmerrshme. Dhjetra kinezë i kemi vrarë duke i qëlluar me granada. Kemi bërë veprime që nuk mund të përshkruhen me fjalë,” shkruan Murakami në librin e tij, përmes dialogjeve.

Duke analizuar veprën e Murakamit në tërësi një studiues kinez thotë se

“Murakami e përmend në romanin e tij Masakrën e Nanjing-ut si një fakt historik dhe nuk ndryshon qëndrimin e tij për të fituar çmimin Nobel, siç pretendojnë përfaqësuesit e të djathtës ekstreme në Japoni”

“Vepra e Murakamirt është e njohur dhe popullore në mbarë botën sepse ai shquhet për një mënyrë origjinale të ndjenjave të individëve në qytetet kozmopolite, pavarësisht kombësisë, përkatësisë etnike apo shtresës së tyre shoqërore “, shprehet për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua Takashi Okada, një analist i Kyodo News.

Sipas tij “Arsyeja përse Murakami përmend pushtimin nazist dhe atë japonez në librat e tij dhe bën thirrje që Japonia të kërkojë falje është sepse sipas shkrimtarit njerëzit në vende të ndryshme duhet të njohin së pari historinë para se të komunikojnë sinqerisht mes tyre”.

Librat e Murakamit janë bestsellers në Japoni dhe shumë vende të botës dhe janë përkthyer në mbi 50 gjuhë, e shitur në miliona kopje. Ai është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare letrare, ndër të cilët “Frank O’Connor për tregimin e shkurtër, Çmimin “Franc Kafka” dhe atë të Jeruzalemit. Veprat e Murakamit janë përkthyer dhe në gjuhën shqipe dhe janë mirëpritur nga lexuesit, sidomos “Pylli Norvegjez”.

Please follow and like us: