Sotir ATHANASI: ROMANCË PARISJENE
– Po. Dhe kur ndodhi kjo “katastrofë femrore?” – e ngacmova, mikun tim si garanci përqëndrimi.
– Pesë vjet më parë.
– Pesë vjet dhe e mban mënd me detaje atë?
– Po.
– Atëhere duhet të kesh qënë rreth të dyzetave, mendoj?
– Në kokë më ke rënë.
– Po ajo?
– Besoj te të tridhjetat. Por mos më ndërprit se nuk është si ngatërrim i çantës, për të cilën të kam folur dhe bëra pesë vite burg.
– Pa m’a kujto pak, se ty, çdo pesëvjeçar, do të ndodhi diçka për t’u rrëfyer, – e ironizova për t’i dhënë shtytje të mëtejshme gjasës.
– Mos u tall se nuk është roman.
– Atëhere duhet të jetë Romancë.
– Po. Ngjason edhe si Romancë. . . veçse, nga më të dhimbshmet që mund t’i ndodhi një të dashuruari me . . . , shikim të parë. Zaten, pse isha i hutuar, m’u ngatërrua çanta ime me atë të njeriut-mafioz kur ndërruam avionin për shkak të atij difekti serioz. Aty rezikohej jeta e gjithë pasagjerëve. Kurse ajo çantë e zezë prej meshini, do të më fuste në burg dhe do të m’a nxinte jetën. Qe një ndëshkim dyfish i rëndë edhe sepse më shkëputi pesë vjet nga dashuria ime e vërtetë. Një shok të burgut, pendimi për fajin e bërë i kishte goditur pak trurin dhe për të më rikthyer humorin, më fliste si të qe për herë të parë. – Dëgjo se si i ndriti fati një mbarshtuesi papagajsh kur Bonoparti u shpall Perandor. Ky, dëgjoi se një rritës i ngjajshëm, kishte fituar një shumë të majme kur Papagalli i tij i tha Napolonit: “Të uroj, Perandor i Perandorëve”!
Kaq duhej që ai të niste punën raskapitëse me Papagallin e vet të ‘pa aftë’ për ta mësuar lehtësisht këtë shprehje. Prandaj ai, herë pas here me dëshpërim, thoshte: – A i mjeri unë, i mjeri, ç’po më venë mundimet dëm!
Gjithsesi, mbërriti ta mësojë dhe ia doli t’u mbushë mëndjen edhe kujdestarëve të Napolonit që ta prisnin. Ky i fundit, kur dëgjoi thënien standart dhe të stërpërsëritur edhe nga të tjerë papagaj:
– “Të uroj Perandor i Perandorëve! – vari menjëherë buzët.
Pikërisht pas kësaj, Papagalli, aspak ‘I pa aftë’, por tepër i zgjuar, përsëriti plot dramacitet shprehjen e dëshpëruar të pronarit të tij:
– A i mjeri unë, i mjeri, ç’po më venë mundimet dëm!
Napoloni entusiazt, nuk nguroi të urdhërojë shpërblimin e tij. Por. . .
– Ta lëmë shokun tim të burgut dhe të kthehemi miku im, te vështrimi i asaj tridhjetëvjeçareje.
Ai kridhej ndër yje drite e hije bashkë ku: brenga, vuajtja e ndrydhja, pa vështirësi lexohej. Dhe, shkaku, arsyeja, motivi, padyshim mbulohej. Se ngjante i përhershëm dhe kurrsesi spontan. Aq më tepër, teksa mundohej t’a fshihte me një buzëqeshje të sforcuar, të turbullt e krejtësisht të natyrshme. Ai portret megjithatë e tregonte tejet më të hutuar; por edhe më joshëse dhe…., dalldinë e zalisjen, shfaqja e saj provonte. Sepse: si shitëse, bashkë me grishjen për tregtimin e mallit, ishte e detyruar të buzëqeshte; por ç’e kishte, që e marrtë djalli e marrtë, atë strukje? Tabloja e asaj konizme, i ngjante busullës. Dhe unë pyesja veten: pse qarkonin në drejtim të kundërt ato akrepa? Cili qe meraku i saj? Kë priste dhe çfarë kërkonte? Se unë i kisha propozuar tashmë dhe ajo: as nuk i flakte tej si marrëzi të çastit fjalët e përbetimit e përgjërimit tim tronditës, nga që: (më duhet të pranoj se të tilla ato ishin ); por, nuk është se i miratonte, sidoqë u shfaqën ato. (Ndonëse, të siguroj që: nga shpirti më kishin dalë.)
Kurse ajo, vetëm buzëqeshte hidhur, si të qe e sigurtë për jonjëmëndë-sinë e tyre, që . . . , dëshpërimisht, por më duhet të pranoj se për ‘të, rezultonin tërësisht të parealizueshme. Pra, të pavlerë. Dhe pyesja veten: po pse, o Zot i Madh? Cili qe shkaku? Në mos në Rubikon, ku fshihej ngërçi e rrugëdalja e Çezarit? Që për çastin, do të mbetej plotësisht monopol i saj? Gjithsesi, sa më përkiste mua, nuk besoja për ndonjë kauz që ndalonte të dashuronte një shqiptar. Ndonëse frëngjishten e flisja rrjedhshëm dhe ajo, as që e vuri fare në diskutim kombësinë time. Përveç faktit që, ishim në Paris dhe këto koncepte kanë shekuj që janë gremisur.
Të nesërmen, avioni më ktheu në Tiranë të gjallë, ndonëse katastrofa ishte nisur. E mbase, jo për të gjithë pasagjerët me difektin e avionit. Por , vetëm për mua. Sa zbrita në Rinas. Më prangosën duke më larguar çdo tentativë për t’a riparë atë…, kometë. Se e tillë m’u shfaq në qiellin parisjen dhe. . . , (me shumë trishtim ) por, po me atë ngut, edhe m’u zhduk
Megjithatë, të vërtetën, do t’a mësoja vetëm pesë vjet më vonë.
Saktësisht javën e shkuar kur u ndodha sërish I LIRË përsëri, në Paris. Veçse, të mos shkëputemi edhe për një grimë herë nga çasti i parë:
“Pagova kollaren bordo që ma paketoi ndihmësi I saj, vërsniku, për të cilin (siç do të mësoja pesë vjet më vonë,) ishte adashit im , por algjerian. Unë, tejet i hutuar, si i goditur jo nga rrufeja, por nga ai fat i mbrapshtë, u bëra gati të largohesha pa marrë kusurin. Ajo më ndaloi vetëm me një fjalë: – Monsieur! – dhe bëri shenjë për reston. Më kot kurseu fjalorin. Ndofta nga që e dinte se zëri i saj qe një tjetër tregues magjepseje dhe donte të mënjanonte humbjen e rëndesës tek unë. Dhe kishte plotësisht të drejtë. Toni i atij zëri, qe radiofonik dhe plot muzikalitet. Ajo e njihte vetveten. Kurse unë, si përpara një ndriçimi, a të një spektri tejet verbues, isha jo vetëm larg dallimit të çdo tipari të saj, që fekste me pamje breroreje, a trupi qiellor e mbase, edhe si një njollë e ndritëshme deri në verbim; por kisha harruar tanimë edhe emrin tim. Veç kësaj, një ngazëllim I beftë më largonte edhe nga çdo arsyetim
Algjeriani, që mesa-dukej, e kishte zakon t’i numurojë mbetjen në kohën që pronarja e tij, i nxjerr të hollat nga arka, vuri re që ato ishin me tepri. Kur ia tha, zonjusha bëri rinumërimin dhe, bashkë me purpurin në fytyrë, më hodhi mua një buzëqeshje të plotë që të zbrisja nga qielli i shtatë. Dhëmbët e saj si inxhi, në atë gojë të bukur, për mua qenë një tjetër befasim e një tjetër ngasje që s’kishte të bënte me përcjelljen e klientit. Por mbase me të kundërtën: mbajtjen, gozhdimin, a robtimin e tij. Portreti i saj, o Zot, pas kësaj, qe kthyer në një aorerore të mëvetëshme. Në atë kioskë, Hëna shfaqej e Plotë edhe pse ishte mesditë!
Mua më mjaftonte edhe vetëm ky hutim i natyrshëm, që të bindesha se edhe ajo e kishte gëlltitur, pa e kuptuar, atë që e quajmë jo thjesht dëshirë, por dashuri vetëm me vështrim të parë. Prandaj i ngjyrosa me të errët këto fjalë, sepse më duket sikur zbus të kuqen përvëluese që ndjeva pas saj. Edhe sepse, më ngjan që, miklimin tim ajo pati përthithur. Të pranoj që ndjehesha gati të fluturoja pas kësaj, qe e pamjaftueshme. Nuk e di se ç’ishte. Por, vetëm trupërisht gjëndesha aty, se ( mos qeshni ) mëndërisht, kisha kapur majën e Kullës Eifel. Dhe kjo, ngjante kaq e vërtetë, sa: në çastin që më lindi një përshtypje e tillë, pranë meje, o Zonjë e Bekuar, bëri ballë ajo:
– Pesë vjet më pas.
I gjithë grupi i vizitorëve, u nisën për në Luvër.
Po të merresha me muzikë, mbase do t’a gjeja çelsin e këtij akordi që paralajmëronte një fund tragjik.
Dhe ashtu ndodhi. Unë vrapoja dhe dallova që nga larg se:
Një përndritshmëri, si atij që po mbytej në detin e errët,
Ajo: – Mirëse erdhët, zotni!
Unë: – Mirëse u gjej, zonjushë enigmatike!
Ajo: – Gaboheni zotni. Nuk jam më zonjushë dhe as enigmatike, por jam zonjë.
Unë: Ngriva e u ktheva në stalaknite
Portat e Qiellit, në një grimcë të sekondës, u mbyllën
Kalimi I saj në një tjetër shkallë respekti qytetarie, në atë të ZONJËS, ishte plotësisht I natyrshëm, megjithatë, mua më ngjau se u ndesha me një fenomen të panjohur dhe kushedi se sa çaste do të qëndroja si statujë, në qoftëse nuk do të më shkrinte:
Ajo: – Zotni i mistershëm e disi i padepërtueshëm që shfaqeni pas një gjysëm dekade, mos dëshironi një tjetër kallare bordo?
Pas goditjes së parë, erdhi edhe e dyta. Tani, pas kësaj, vetja më ngjau me një penglënës. Ajo më kujtonte kollaron. Më barazonte me blerësit e rëndomtë të saj. Kurse mëtoja veçantinë.
Unë pohova duke ulur kryet dhe jo me tundjen, siç edhe ndodh rëndom. Në këtë mënyrë, instiktivisht pranoja në një farë mënyre kërkesën dhe, klasifikimin e saj, por edhe kotësinë e rishfaqjes sime, kaq vonë, pas pesë vjetësh.
Gjithsesi ende, ndjeja po atë zë radiofonik,
Ali! Zotnisë paketoi nju kollare bordo dhe fjongon, vure Natalinë tonë t’ia lidhë se Ajo është me fat.
Unë, me duart që s’ishin më të miat, zbërtheva kollaren time e cila çuditërisht nuk më dukej gjithashtu imja. Dhe ia lashë në dorë vogëlushes për t’a paketuar. Kurse të renë e vendosa në qafë dhe u ula që të m’a shtrëngonte miturakja Natali. O Zot çfarë fati!?!
Duart e njomzakes e kryen me dëshirën fëminore tërheqjen e atij rripi bordo. Pagova si përpara pesë viteve me monedhë që kërkonte resto. Francezes, edhe asaj, po I dridheshin duart tek përgatiste kusurin. Turbullt, por vërejta në ato duar një tejnderje. E zonja u mundua t’a paraqiste si tejnxitje, aty më parë, kur i tha të shoqit që të vinte të bijën Natali, këtë dlirësi kristali si më të denjë, a si një kujtim lamtumire të kësaj. . .,
Sikur të kishin shpërthyer nga Qielli bubullima e vetëtima me shtrëngatë, mbase, do të bënin ndonjë efekt më të butë e paqësor. Gjest, që fliste për ndërprerjen përfundimtare të çdo…, dialogu. Pas një grimë herë zonja e kioskut më hodhi një vështrim që u përplas me timin.
I saj, fliste për keqardhje e mbase pendim e një vetëndëshkim.
I imi, mesiguri kishte të shpërfaqur brerjen e ndërgjegjes se ndjeja dhimbjen e një faji që ende s’po e kuptoja, ndonëse e pranoja braktisjen.
Pas disa sekondave, të papërballueshme e tejet të rënda, pesha e së cilave më shtypte në kraharor, më bëri mua një përshëndetje me dorë përpara se të më kthente shpinën dhe shpreu po me atë zë plot muzikalitet, por tanimë, toni tingëllonte mbase orakullitaritar: – Orvua!
– Orvuar Zonjë! Orvuar Natali! – përsërita dhe e ndjeva se sytë m’u njomën. Fatmirësisht, ajo më kishte kthyer shpinën dhe nuk m’i pa. Gjykatësja që më dënoi, qe një femër tejet e pashpirt. Kurse kjo qënie femërore, herë më ngjante si ajo e herë me një zanë mali që mezi priste të fluturonte në hapsirat e saj. Po pse e ktheu për një dekikë, vetëm një grimë portretin? Ç’donte të thoshte, o Zot?!?
Fjalët më përziheshin me dhimbjen e natyrshme të një ndarjeje përgjithmonë. Zëri më dridhej. Sërish m’u kujtua Madam Baterflaj dhe ndjeva në shpirt diçka që më dogji thellë. Ajo që i shkakton farkëtari kuajve në veshë me hekurin e skuqur për t’i matrikulluar, mbase do t’i ngjante, por aspak të krahasohej me dhimbjen thellë në shpirt që më shkaktoi ajo ndarje.
Francezja uli qepenin me rrapëllimë si të rrëzohej shpati i një mali.
Ndërsa silueta e Saj qëndroi edhe një grimë herë pas grilave dhe unë e ndjeva atë largesë si të qe në pjesën e pasme të Globit.
Në rini kishim tallur poetin arbëresh që kishte shkuar me këmbë deri në Brazil për të dashurën e tij. Unë isha gati atë çast të shkoja deri në fund të BOTËS, apo edhe t’I ngjitesha me duar e thonjë Himalajës, ose të rrëmoja tokën si fiset Zulu, për të kryer një vetëdënim thjeshtë, të mos e humbja . . . ,
Përkitas ndali hapin një afroamerikan. Papagalli I tij tha diçka në anglisht:
– E ka me ju zotni, – m’u kthye I zoti në frëngjisht.
– Dhe çfarë thotë?
– Ai është i veçantë zotni. Ju ka studiuar nga larg dhe e kanë zënë ethet e tij që quhen PSITAKOZË. Ai mezi pret të Ju. . ., qesëndisë.
– Flisni më qartë, zotni!
– Ethet e papagallit, zotni! Ato shfaqen me përqeshje. Por, për t’a dëgjuar zotni i nderuar, duhet një . . . . stimulim.
Unë i dhashë një bakshish dhe ndjeva përqeshjen e një mendtë të shpendit; i cili i kënaqur që I zoti mori shpërblimin, ashtu si papagalli te Bonoparti, u ndje i përfillur dhe tha diçka si shtesë:
– Paraselenë**)
Ktheva edhe një herë kryet nga zonja, emërin e së cilës, nuk e mësova që nuk e mësova kurrë.
Hapat e saj largoheshin dhe vetëm atëhere kuptova se ku ishte burimi i atij trishtimi e mosbesimi në propozimin tim të para pesë viteve. Këtë ma tregoi ajo pusullë. Në ‘të shkruhej:
U ndodha në kohën e gabuar,
në vëndin e gabuar.
Lamtumirë!
Afroamerikani, si të qe fallxhor tundi kryet dhe pohoi atë që lexova te pusulla. Të bindesha për vërtetësinë e tyre, më tregoi me shenjë që të shihja të Zonjën e kioskut.
Unë bëra atë që më tha dhe nuk u çmënda!
Pashë në profil atë që po e shtynte arabi ALI mbi një karrocë invalidi. ISHTE E Shtrenjta Pa Emër. Në prehër qëndronte e bija: vogëlushja NATALI që i gëzohej nënës së saj.
Ai qeshi pak si për të nënvizuar diç mospajtuese në këtë botë:
– Ali, edhe ky ISLAMIK, është bashkëshorti i saj. . . , shëmbullor.
Tutje papagalli përsëriste:
– Paraselenë, Paraselenë, Paraselenë**)
Mua lotët po më zinin grykën.SOTIR ATHANASI
——————-
*) Paramnezi = Përzierje e realitetit me fantazinë
**) Paraselenë = Njollë në breroren e Hënës.