Historia e gjuhës mes amatorizmit dhe objektivetit shkencor
Prof.dr. Mimoza Kore
Historia e gjuhës është një disiplinë që përfshin një periudhë të shtrirë nga prehistoria, nga e cila mungojnë dëshmitë e shkruara, e deri në ditët e sotme. Ajo ngjan siç thoshte Eqrem Çabej si hallkat e një zinxhiri të këputur aty-këtu që duhen rindërtuar. Por ky rindërtim kërkon objektivitet shkencor, intuitë dhe integritet prej studiuesi.
Pikërisht aty ku duhet të ngjiten këto hallka të padokumentuara, që të krijojnë vijimësinë, gjendet edhe shtegu për ndërhyrje joshkencore e të gatuara shpesh me ideologji. Po a ka pasur ndikime në çështjet e historisë së gjuhës shqipe apo kjo fushë studimi ka qenë e mbrojtur prej tyre?
Historia e gjuhës është pjesë e shkencave shoqërore të cilat kanë qenë gjithmonë nën presionin ideologjik dhe politik të regjimit të kohës, pre e kuturisjeve antishkencore e diletante ku shpesh është ndërhyrë edhe qëllimisht si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Megjithatë, ndryshe nga shumë fusha, mund të themi se historia e gjuhës ka qenë disi më e mbrojtur, por jo krejtësisht e lirë. E themi këtë, sepse kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve rrënjësore që pësuan shkencat shoqërore pas rënies së sistemit komunist. U panë me sy kritik, u përmbysën dhe u reformuan shumë nga studimet, tekstet, teoritë, literatura e përdorur në këto lëmi dijesh, por nuk pamë të ndodhte ndonjë ndryshim i thellë në studimet e historisë së gjuhës shqipe, veçanërisht në thelbin e teorive bazë të kësaj fushe. Kjo erdhi për disa arsye:
Së pari, sqarimi i problemeve të kësaj fushe studimi kërkon njohuri të gjera dhe përgatitje filologjike të mirë të studiuesit. Kjo ka bërë që me çështjet e historisë së gjuhës të merren studiues seriozë, të cilët të mbështetur në metoda shkencore rigoroze kanë arritur në përfundime të drejta që nuk lejojnë ndërhyrje as nga studiues të paformuar e as nga ndikimet ideologjike.
Me problemet themelore të kësaj fushe si ato që kanë të bëjnë me etnogjenezën e popullit shqiptar, me origjinën e shqipes dhe autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre, me marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera gjatë shekujve, me evolucionin e sistemit fonetik e gramatikor të shqipes u morën fillimisht alabanologë të huaj, shkencëtarë që hapën e shtruan rrugë në këtë fushë studimesh, si G.Von Hahn, N. Jokli, G. Meyer, H. Pederseni etj e që më tej në të ecën studiues shqiptarë po aq të përgatitur, si A. Xhuvani, I. Ajeti, E. Çabej, S. Riza, Sh. Demiraj, B. Bokshi, R. Ismajli, S. Mansaku etj.
Së dyti, argumentet e historisë së gjuhës u mbështetën edhe nga studiuesit e historisë dhe të arkeologjisë. Edhe në këto fusha, autoriteti shkencor, integriteti intelektual e qytetar i studiuesve me në krye prof. A. Budën, H. Cekën, K. Frashërin e të tjerë nuk lejuan ndërhyrje ideologjike e politike.
Së treti, edhe pse kjo fushë e dijes u zhvillua në vendin tonë në vitet e diktaturës, kohë gjatë së cilës dhuna dhe ndërhyrjet politike edhe në shkencë nuk njohën kufi, përsëri historia e gjuhës ishte disi e mbrojtur sepse, siç pohon prof. Seit Mansaku (Prishtinë, 2008) vetë fusha e kërkimeve, studimi i evolucionit historik të gjuhës, kryesisht në periudhën antike e mesjetare deri në Rilindje, nuk ka qenë afër problemeve aktuale të politikës së ditës.
Problemet më themelore të kësaj fushe […] mund ta bënin studiuesin që të rrëshqiste më shumë drejt qëndrimeve nacionaliste sesa drejt politizimeve të mirëfillta. Do të duhej një zell i tepruar politik i studiuesit për të futur politikën e ditës në trajtimin e evolucionit historik të tingujve të shqipes dhe të kategorive gramatikore të saj.
Gjuha shqipe pasi u përcaktua nga F. Boppi si gjuhë e familjes indoeuropiane për një periudhë bukur të gjatë mbeti jashtë vëmendjes së studiuesve të huaj, të cilët në kuadrin e studimeve për indoeuropianishten nuk iu referuan, për kushedi ç’arsye, njërës prej gjuhëve më të veçanta të kësaj familjeje gjuhësore.
Më 1964 M. Domi, në artikullin “Shqipja dhe struktura e saj gramatikore” botuar në Paris më 1966, duke theksuar se nuk mjafton vetëm leksiku, por shqipja ka edhe elemente themelore të sistemit gramatikor që lidhen me indoevropianishten, vëren me shqetësim se: “Me gjithë punën e lavdërueshme që është bërë në studimin e shqipes dhe rezultatet e shënuara që janë arritur, nuk mund të thuhet që gjuhësia krahasuese historike i.ev i ka kushtuar asaj vëmendjen e duhur, përkundrazi, shqipja nuk ka gjetur vendin që i takon si përfaqësuese e vetme e një grupi gjuhësh; të dhënat e saj janë përdorur pak nëpër manualet dhe traktatet përgjithësuese për gjuhët indoevropiane”.
Ky arsyetim shkonte edhe pas shqetësimit të N. Joklit më parë se “Gjuha e shqiptarëve deri më sot ka mbetur si një fëmijë i gjetur për gjuhësinë i.ev”, apo të C. Tagliavinit më vonë: “Indoevropianistët vazhdojnë ta trajtojnë shqipen si hirushen e gjuhëve i.eu”.
Formimi i etnosit shqiptar ose gjeneza e shqiptarëve mbetet një nga enigmat më joshëse të historisë së lashtë të Ballkanit. Në këtë mes, vështirë se mund të dalim nga qerthulli i hipotezave. Kjo u vu re sidomos në periudhën e Rilindjes gjatë së cilës kërkimi i rrënjëve historike u pa edhe si mjeti që i shtonte madhështi së kaluarës dhe fisnikëri legjitimitetit të një populli për të mbijetuar.
Kjo retorikë përmbushte një mision të caktuar ideologjik, por e gjykuar nga pozita nacionaliste ishte mision patriotik, sepse kërkonte bashkimin e shqiptarëve të cilët kishin një komb, por jo një shtet të tyren.
Formimi i shtetit dhe ndërtimi i kombit përfaqësojnë dy procese të ndryshme, të cilat në Europë, shpesh u mbivendosën. Ndërsa në Europën Perëndimore formimi i shtetit, përgjithësisht, i parapriu ndërtimit të kombit, e populli nën ndikimin edhe të ligjeve të tij, formoi për shekuj një ndërgjegje kombëtare, në shumicën e rajoneve të Europës Qendrore dhe Lindore ndërtimi i kombit u arrit para formimit te shtetit.
Në vendet e Europës Lindore e veçanërisht në Ballkan, shtetet u krijuan si rezultat i proceseve identifikuese kombëtare, i veçimit sa të ishte e mundur dallues nga të tjerët. Duke qenë se gjuha është edhe mjeti më identifikues, kombet e shtetet më vonë, me ndonjë përjashtim, u organizuan sipas parimit të gjuhës kombëtare.
Edhe shqiptarët krijuan së pari kombin e tyre e pastaj shtetin. Gjatë periudhës së Rilindjes zuri vend ideja se kombi ka në bazën e tij gjuhën kombëtare, e cila shihej si faktor i ngjizjes sociale.
“Nëse do të përpiqeshim ta përcaktonim Epokën e Rilindjes Kombëtare nga pikëpamja gjuhësore, besoj se nuk do të gabonim të thoshim se ajo është epoka që e bëri gjuhën pjesë të pandarë të ndërgjegjes kombëtare, faktorin më të rëndësishëm në lëvizjen për bashkimin dhe pavarësinë e vendit dhe për përparimin shoqëror të tij, është epoka që dashurinë, kujdesin dhe nderimin për gjuhën, për lashtësinë, veçantinë dhe bukurinë e saj i ngriti në shkallën e një kulti të vërtetë [S. Mansaku,“Perla”, 2004].
Ishin intelektualët e kësaj periudhe që propaganduan edhe mitin e lashtësisë për të mbështetur aspiratat nacionale. Ideatori i kësaj lëvizjeje të madhe në historinë tonë, Sami Frashëri në librin e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’ do të bëhet”, në zërin Shqiptarët në Kamusul (– àlam vëll. I) pohon se në vazhdën e mësimeve të Hahnit, Boppit, Dora d’Istrias, Kamardës e De Radës arrihet në përfundimin: “Pa dyshim Pellazgët janë kombi më i vjetër arian i Europës. Ka shumë fakte dhe shumë rrëfime që na tregojnë se Pellazgët që ne na duken si një përrallë për faktin që janë një komb shumë i lashtë, kanë folur këtë gjuhë që flasim edhe ne sot e kësaj dite. Emrat e perëndive që Pellazgët u faleshin, i ka huazuar mitologjia e grekëve dhe romakëve, por edhe shumë fjalë të tjera që historia i ka ruajtur si emra vendesh etj,.. duken që janë fjalë thjeshtë shqip edhe na tregojnë që pellazgët kanë folur mijëra vjet më parë të njëjtën gjuhë që flasim edhe ne sot, pothuajse pa ndryshime, ose me aq pak ndryshime saqë po të dilte ndonjë pellazg do të mund të flisnim me të si flet një gegë me një toskë.”
Edhe Naim Frashëri, për t’i mbrujtur shqiptarët me idenë kombëtare, e përdori këtë tezë të origjinës pellazgjike dhe shkroi ndër të tjera edhe vjershën e njohur “Shqipëria”, që nis me vargjet: Bota që kur është zënë / Shqipëria gjallë ka qenë / Pellazg’ u thoshin më parë / Më së fundi shqiptarë.
Kjo ideologji romantike që zotëroi gjithë këtë periudhë nuk e pengoi ideologun dhe eruditin e madh, Samiun, të arrinte më vonë në përfundime shkencore te drejta, të cilat duke i shkëputur nga konteksti pellazgjik janë aktuale: “Nuk ka asnjë dyshim se ilirët janë vetëm etrit e shqiptarëve të sotëm” dhe më tej: “Ndonëse ngjarjet që kanë ndodhur qysh prej dy mijë vjetëve në thelb janë të shkruara, nuk mbahet mend që në viset e Shqipërisë të ketë ardhur ndonjë popull tjetër dhe të jetë vendosur aty.”
Nga dëshmitë e profesorëve tanë, mësojmë se edhe gjatë viteve ‘50-‘60 u ringrit nga udhëheqja e kohës çështja e pellazgjishtes, sepse është i njohur fakti që diktaturat, historinë kombëtare e kërkojnë të “pastër”, “origjinale” e për nga vlerat të mos ketë krahasim me të tjerët. Kjo na kujton thënien e studiueses bullgare M. Todorova ”(1992): “Elita politike komuniste historinë e konsideroi si politikë të kthyer pas në kohë”
Gjuhëtarët nuk u joshën nga kjo tezë e cila ka shumë të panjohura, të cilat janë të paarritshme për shkencën dhe që më së shumti mund të jenë objekt i helenistikës dhe jo i albanistikës. Prof. E. Çabej e kishte dhënë prerë përgjigjen për këtë çështje gjatë analizës së teorisë së G. V. Hahnit: “[…]teza e një prejardhje pellazgjike të ilirëve, maqedonasve dhe epirotasve nuk ka mundur t’i qëndrojë kohës”(SGj, Prishtinë, 1976)
Sot ka një prirje të re që vjen kryesisht nga jashtë për të vënë në diskutim si të dyshimtë tezën e prejardhjes nga ilirishtja, duke e interpretuar si dogmë të pushtetit, si klishe e pëlqyer në literaturën divulgative, por edhe në librat shkencorë për historinë apo ata për historinë e gjuhës. Sipas këtyre studiuesve, hipoteza e zanafillës ilire të shqiptarëve është shumë e pëlqyer sidomos në Shqipëri, ku ajo funksionon si ngjizëze e identitetit dhe ka fituar plotësisht statusin e një doktrine shtetërore.
Ne besojmë se në kushtet e reja politike të krijuara në shtetet ku jetojnë shqiptarë, shkenca është e lirë të interpretojë me objektivitet dhe paanshmëri faktet e reja shkencore që do të dilnin në dritë në të mirë të kësaj çështjeje, por gjer më sot nuk kemi parë ndonjë argument që të rrëzojë bindshëm tezën e prejardhjes ilire, e cila nuk është vetëm objekt i historisë dhe i historisë së gjuhës, por edhe i arkeologjisë, etnografisë madje edhe i gjenetikës e që në këtë pikë janë në një emërues të përbashkët. Ajo është e vetmja tezë deri më tani që ka mbështetje historike e gjuhësore.
Gjithashtu, në ditët e sotme është ringjallur diskutimi për çështje të historisë së gjuhës, veçanërisht në shkrime divulgative. Hapja ndaj botës, inferioriteti në disa raste, ka bërë që shumë pseudostudiues të struken tek rrënjët e largëta e të trillojnë gjithfarë bashkëpërkimesh leksikore, për të vërtetuar lashtësinë e shqipes. Kurthe të tilla ngre e ashtuquajtura metodë “etimologjike popullore” (ang. folk etymology), d.m.th. krahasimi i fjalëve të shkëputura, me tingëllim të ngjashëm në mënyrë rastësore, krahasim madje i fjalëve në dy gjuhë të ndryshme dhe vendosja e lidhjeve gjenetike ndërmjet tyre. Kjo i përket periudhës parashkencore të gjuhësisë moderne.
I ashtuquajturi “etimolog” në këtë rast e shpjegon prejardhjen e një fjale jo me etimonin e saj, por me anë të një fjale tjetër, me ngjashmëri rastësore fonemash, që paraqitet së jashtmi si model mashtrues i saj. Shumë shpjegime të tilla joshkencore u dhanë nga rilindësit tanë, të cilat synonin rritjen e ndërgjegjes politike kombëtare. Fjalën arbën / arbër, Samiu e shpjegoi me “njeri që bën arë, bujk” kurse etnonimi “shqiptar” u lidh në mënyrë të padyshimtë me emrin e shpendit totem të shqiptarëve shqype / shqipe. Është provuar shkencërisht se e para lidhet me rrënjën alb të fisit Albanoi dhe pësoi evolucionin historik në arb, kurse etimologjinë e fjalës shqip, gjuhëtarët që nga G. Meyer-i e lidhin me çerdhen leksikore përkatëse të foljes shqipoj, shqiponj “kuptoj”, që lidhet me gjegjësen latine excipio “dëgjoj” e më gjerë “kuptoj”. Një argument për etnonimin tonë, shtohet prej variantit me përhapje më të madhe dialektore shqip(ë)toj “flas qartë”, i cili dëshmohet edhe te diaspora shqiptare e Ukrainës me kuptimin e mësipërm nok zallahit po shqipton “nuk flet por kupton” (Dh.Shuteriqi- S. Islami).
Zgjidhja e qerthullit të problemeve, të zhytura në mugëtirën e shekujve që kërkon të ndriçojë kjo disiplinë gjuhësore, etimologjia, ka thirrur për t’u përballur me vështirësitë e shumta që hasen linguistë të dorës së parë e me kulturë të gjerë filologjike. Fjalorët e parë etimologjikë mbi baza shkencore u hartuan nga të huajt si: G. Mayer, N. Jokli, V. Oreli. Shumë prej zgjidhjeve të tyre i qëndruan kohës, por ndërsa të huajt e mbështetën punën mbi metodën e krahasimit të jashtëm ata shqiptarë, si prof. E Çabej, si njohës të gjuhës amtare, u përqendruan tek krahasimi i brendshëm, te studimi i jetës së fjalës, së trevës të përhapjes së saj, të mjedisit ku është ngjizur dhe zhvilluar fjala si dhe në lidhjet e saj me fjalë të tjera brenda gjuhës dhe pastaj edhe me gjuhë të tjera.
Të gjithë etimologët seriozë operojnë me rregullat e fonetikës dhe gramatikës historike, të cilat vërtetimet i provojnë jo mbi fjalë të veçuara, por mbi shembuj të shumtë e që përsëriten në një periudhë të caktuar kohore.
Tani së fundmi, si lajm i mirë për botën shkencore, vjen edhe “Fjalori etimologjik” (2017) i akademik Kolec Topallit, fryt i përpjekjeve disavjeçare të këtij studiuesi. Ky fjalor është kurorëzimi i të gjithë studimeve të mëparshme dhe i gjithë përvojës më të arrirë të gjuhësisë shqiptare dhe asaj botërore. Ai është vijim i punës madhore të E. Çabejt, i cili me veprën 7-vëllimshe etimologjike, shumë njësi leksikore të shqipes që njiheshin si të huaja, ia ktheu fondit autokton të saj. Ky studiues i madh e mbi të gjitha atdhedashës iu kundërvu ideologjive nacionaliste që ndesheshin në Ballkan, të cilat qëllimisht kanë anashkaluar huazimet që shqipja iu ka dhënë gjuhëve fqinje: “Nuk mund të mos thuhet që ka pasur dhe ka edhe sot një prirje të ngritur vise-vise në një traditë që të mos gjykohet ndikimi shqiptar mbi gjuhët fqinje në përmasat e drejta” (S.Gj. VII).
E. Çabej diti të ndante “egjrën nga gruri” e këtë e bëri me zotësinë e shkencëtarit, por mbi të gjitha me integritetin e intelektualit. Ai u udhëhoq në punën e tij nga motoja se në trajtimin e këtyre çështjeve të historisë së gjuhës duhet “Të jemi objektivë, por jo indiferentë”, duke lënë një porosi aktuale për të gjithë ata që duan t’u qasen çështjeve të tilla.
*Departamenti i gjuhës shqipe, UT