Albspirit

Media/News/Publishing

Ksenofon Krisafi: Kur luftoja në Gjenevë për fatet e Kosovës

Në kuadër të kremtimeve të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, profesori i njohur i së Drejtës Ndërkombëtare, Ksenofon Krisafi, sjell të botuar në dy libra përvojën e tij në Gjenevë, kur vendoseshin fatet e Kosovës dhe luftën e tij si përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar për denoncimin e krimeve ndaj popullit shqiptar dhe artikulimin e mundësisë për vetëvendosje të Kosovës si zgjidhja e vetme

Një homazh të veçantë për atë pjesë të atdheut që ka vuajtur shumë, ka luftuar pareshtur e pas një shekulli arriti të shkëputej nga zgjedha e serbëve si një entitet më vete, i quajti diplomati dhe eksperti i së Drejtës Ndërkombëtare botimin e dy librave të tij më të rinj “Lufta e Kosovës në Labirintet Diplomatike” dhe “Në Gjenevë për Kosovën-Fjalime në institucionet ndërkombëtare”, të cilët u promovuan ditën e djeshme në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, ku morën pjesë figura të njohur të politikës, diplomacisë dhe botës akademike.

“Kam pasur fatin apo rastin që u ndodha në shërbimin diplomatik, atëherë kur kriza e Kosovës mori proporcione të dukshme e duke u shndërruar shumë shpejt në një luftë të armatosur me një prapavijë të sigurisë diplomatike e politike”, kujtoi Krisafi për të pranishmit. Ksenofon Krisafi e mori detyrën si Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë në vitin 1998. “Nuk luftohej vetëm në Kosovë nga personalitetet e shquara të vendit, nuk luftonin vetëm pjesëtarët e UÇK por luftohej edhe nga diplomacia, shqiptare” – kujtoi ish-diplomati, ndërsa përmendi si protagonistë të kësaj lufte diplomatike edhe ministrin e Punëve të Jashtme të asaj kohe, Paskal Milon dhe zëvendësministrin Pëllumb Xhufi, të dy të pranishëm në këtë ceremoni. Ndërsa në Shqipërinë zyrtare pushtetin e kishte marrë e majta që po mundohej të rimëkëmbte shtetin pas luftës civile, në veri të trojeve etnike, kishte ngritur kryet një tjetër luftë. Çdo ditë, ushtria serbe dhe grupe paramilitare masakronin, dhunonin, nxirrnin nga shtëpitë mijëra shqiptarë të Kosovës. Opinioni publik botëror kishte çdo ditë para sysh pamje të servirura nga mediat ndërkombëtare të pozicionuara në vijën e parë, por sa e ndërgjegjësuar ishte diplomacia e huaj në zemër të Gjenevës për tragjedinë që po ndodhte pas derës?! Si përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar i duhej të trokiste në çdo derë, përfaqësi, organizatë ndërkombëtare për t’i dhënë zë çështjes së Kosovës, që siç e kujton ai kish marrë përmasat e luftës dhe kudo ishte kthyer në çështjen e diskutimeve të ditës. “Sot, pas 20 vjetësh periudha 1998-1999, duken vite të një tjetër epoke dhe për një përfaqësues të Shqipërisë ishte pamundur të ruhej ftohtësia, tipar i diplomatit, ndërkohë që masakrohej një pjesë e popullit shqiptar. Ky zjarr e pasion, veç erudicionit, kompetencës juridike e diplomatike, ka qenë pjesë e recetës origjinale që i bënte fjalimet e profesor Krisafit të hynin deri në ndërgjegjet më të ftohta të përfaqësuesve të huaj. Gjuha e drejtpërdrejtë përcillte sigurinë e mbrojtjes së një kauze të drejtë dhe urgjencën për ta parandaluar këtë tragjedi”, u shpreh historiani Pëllumb Xhufi, i cili ka qenë edhe një ndër lexuesit e parë të librave, së bashku me ish-diplomatin dhe sociologun Fatos Tarifa, i cili ka shkruar edhe parathënien e një prej dy librave të promovuar ditën e djeshme. Detyra e ambasadorit të Shqipërisë në një forum si OKB-ja në Gjenevë, ku për më tepër ishte edhe një strukturë të posaçme si Komisioni i të Drejtave të Njeriut, ishte me patjetër dalja në mbrojtje e fateve të popullit shqiptar të Kosovës.

“Gjatë asaj periudhe kishte çdo javë diskutime për Kosovën. Ne, si mision modest me tre vetë, na duhej të ishim të pranishëm në të gjitha debatet e këtyre organizatave, në takime të ndryshme, darka e dreka, ku përçonim politikën dhe orientimet e qeverisë shqiptare.

Nuk është meritë e veçantë e imja në këta libra, por politika e shtetit shqiptar të asaj kohe që reflektohej në këto takime e biseda, që referoheshin nga goja e ambasadorit shqiptar në qarqet diplomatike të kohës. Fjalimet e mia i botova më vete, duke qenë se jemi në vitet ‘98-99, ku Shqipëria jonë kish dalë nga ngjarje shumë të vështira dhe strukturat nuk funksionin si sot dhe ishte e pamundur që misioni dhe ambasadori të priste vazhdimisht orientime apo edhe tekstet e fjalimeve. Pata kënaqësinë dhe privilegjin që ministër i Punëve të Jashtme të ishte Paskal Milo i cili më besoi, duke nisur rrethanat, t’i bëja vetë fjalimet me kolektivin e misionit dhe t’i mbanim në sesionet e konferencave të organizatave dhe ndaj pata kurajën t’i vija sipër kapakut të këtij libri emrin tim”, u shpreh Krisafi, ndërsa Xhufi vuri në dukje konceptet e forta politike dhe juridike të artikuluara prej ish-diplomatit kur fliste kundrejt regjimit të Beogradit, terrorit ndaj shqiptarëve, masakrat, shkeljen e të drejtave të njeriut, të Drejtës Ndërkombëtare humanitare, tentativat e regjimit serb për të shuar identitetin kombëtar në Kosovë apo kur akuzonte Millosheviçin për krime të luftës, krime kundër njerëzimit, për spastrim etnik dhe gjenocid të programuar kundër shqiptarëve. Çështje që jo vetëm rrezikonin ekzistencën e një populli, por gjithashtu paralajmëronin destabilizim të Ballkanit e më gjerë. “Qysh më 1 prill të 1999-ës përfaqësuesi i Shqipërisë njoftonte vendimin e qeverisë shqiptare për denoncimin e krerëve të regjimit të Beogradit dhe ushtarakët e lartë serbë në Gjykatën e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, gjë që ndodhi më vonë. Mbledhjen e fakteve dhe hetimet të vërtetuar me prova e dëshmi autentike krimet serbe e më 6 prill të atij viti artikulonte që popullit të Kosovës t’i jepej e drejta për vetëvendosje”, –tha Xhufi. Në librat e tij, Krisafi kujton lidhjen me Kosovën, të nisura qysh në rini në Gjirokastër, gjatë kohës kur ishte student e dëgjonte nga pedagogët apo kur mbante ligjërata si pedagog i ri në Universitetin e Prishtinës e më pas në Gjenevë gjatë misionit, ku siç thotë ai gjeti edhe një Dardani të dytë, një fshat që mbante këtë emër sepse banorët e tij kishin ardhur qysh herët nga Dardania e dikurshme, Kosova e sotme. Libra të mbushur me ngjarje, përfundon Krisafi.

Please follow and like us: