Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Koreshi, mjeshtri që e lëmoi dhe estetizoi fjalën

…Rrjedha e meditacionit, toni prej urtaku, strukturat e imta të sekuencave rrëfimore si në teknikën e skenarit, thyerjet e narracionit, ndërthurja e kohëve, iluzioni i një përmase të së lashtës që vjen dhe përthyen të sotmen, duke e bluar atë përbrenda saj, sa të thuash se kohët kanë ngrirë në njëra-tjetrën, për sot dhe në vazhdimësi, e bëjnë disi të veçantë romanin “Një grua me të verdha në pyllin e Budhas”. V. Koreshi në vitet e fundit e dominoi prozën me përmasën e stilistit, e sofistikoi atë. Nëse te “Ulku dhe Uili”, rrëfimi merrte ngjyrat gjuhës së librave e të legjendave biblike, te “Një grua me të verdha…” ndihet shija e urtësive lindore, e transmigrimit budist. Kjo letërsi e ardhur kështu te një shkallë e dytë (term i G, Genete) përforcohej dhe me atë çka thamë më lart: një velaturë lirizmi me të cilën Koreshi i mveshte pamjet e vrazhdëta të jetës. Kjo është një veçori e stilit të tij: estetizimi gjuhësor (Ulku dhe Uili), simbolika dhe meditacioni përmbi narracionin epik (Një grua me të verdha…). Koreshi solli risi në formën dhe në përmbajtjen e romaneve të tij. Nuk e dimë se sa këto prirje për universalitet dhe për një gjuhë më të përpunuar përkonin me atë konkretësi të figurës që kërkonte domosdo tekstura e skenareve të tij. Ai nuk i ndau nga dora të dyja: prozën dhe skenarin. Te ne ai ishte profesori i skenaristëve. Do të jemi të dëshiruar, tani që na la, për një prozë të ashpërsisë së shpallur si te novela “Dasma e Sakos”. Për një përkorje të fantastikes. Kjo novelë, një nga më të realizuarat e tij, përtej asaj që ka thënë kritika jonë për të, në thellësinë e saj sjell shpërfytyrimin njerëzor si prodhim i mërzisë dhe i shterpësisë provinciale (A. Zoto). Në skenarin për film kësaj lënde i dha fekëstima të tjera: në një vend të braktisur nga zoti e nga ligji mbizotërojnë agallarët e vegjël dhe shterpë që shpërfytyrojnë e marrin nëpërkëmbë çdo vlerë e shije të jetës. Koreshi vazhdoi të jetë deri në fundin jetës shkrimtari që estetizoi e lëmoi fjalën me merakun e mjeshtrit të lashtë. Ai nuk kishte hije tjetër veç atë të mjeshtërit të urtë. Nuk do t’i uroja asgjë më të mirë një shkrimtari. Deri në fund të jetës u ngjit gjer në arritjet më të mira të fjalës së shkruar.

30. 07. 2008

Please follow and like us: