Albspirit

Media/News/Publishing

Pse Kadare duhet ta fitojë Çmimin Nobel për Letërsinë?

Revista World Literature Today, e themeluar në vitin 1927,e cila botohet një herë në dy muaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, publikoi pardje një shkrim të Nina Sabolik, Profesore në Universitetin Shtetëror të Arizonës, nën titullin “Pse Ismail Kadare duhet ta fitojë Çmimin Nobel 2013 për Letërsinë”.

Në vijim po japim një përmbledhje të zgjeruar të këtij shkrimi.

 

Unë duhet ta urrej Ismail Kadarenë. Unë duhet ta urrej atë sepse unë jam maqedonase, ndërsa ai është shqiptar dhe dy popujt tanë kanë qenë armiq prej shekujsh dhe u futën në luftë së fundmi nja dymbëdhjetë vjet më parë. Unë duhet ta urrej atë, sepse në një takim së fundmi të PEN-it ndërkombëtar ne Bled të Sllovenisë, ai ishte i vetmi që refuzoi të firmosë një peticion për njohjen e Maqedonisë nën emrin e saj kushtetues – një peticion që u firmos nga të 70 anëtarët e PEN-it, përfshi dhe pesë shkrimtarët e tjerë shqiptarë… Megjithatë, pas leximit të romaneve dhe tregimeve të tij, unë jo vetëm nuk mund ta urrej atë, por dëshiroj ta nominoj atë për Çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2013. Më lini t’u tregoj përse.

Shumë nga librat e tij ishin ndaluar gjatë tridhjetë vjetëve që ai kaloi si një shkrimtar në Shqipërinë komuniste. Midis tyre është romani që është konsideruar si vepra më mirë e tij ‘Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981) i cili bën një paralele të dukshme midis regjimit të Hoxhës dhe një vendi të trilluar ku ëndrrat shqyrtoheshin për shenja të ndonjë disidence politike. Megjithatë, pavarësisht nga gjithë ky mendim i lirë i tij, Kadare jo vetëm mbijetoi, por u bë i famshëm në një vend ku shkrimtarët në përgjithësi internoheshin, burgoseshin, ose ekzekutoheshin për gabime shumë më vogla ideologjike.

Romani “Kështjella”, si disidencë e Kadaresë, është një alegori e një alegorie. Në thelbin e saj, ajo nuk është vetëm një kritikë e komunizmit, por gjithashtu një reflektim mbi relativitetin kulturor të shfaqjes historike.

Si historia e “Kështjellës” – dhe si ajo e familjes sime, në kuptimin më të vrazhdë, komunistët e klasës punëtore, socialistët borgjezë liberalë dhe antikomunistët konservatorë përziheshin dhe bënin krushqi me njëri-tjetrin – jeta politike e Kadaresë nuk përfaqëson një kufi të qartë midis komunistëve “të këqij” dhe disidentëve “të mirë”. Në vend të kësaj, në rrëfimin e tij Kadare përdor lentet e historisë për të treguar natyrën e disidencës politike në përgjithësi. Kronikani oportunist politik i “Kështjellës”, për shembull, sajon historinë e përplasjes midis ushtrisë osmane dhe armikut shqiptar, e cila është konsideruar nga kritikët bashkëkohorë si një histori mbi përplasjen midis komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre.

Të ishe shkrimtar në Shqipërinë komuniste duhet të ketë qenë e ngjashme me të qenit kronikan në një ushtri të madhe lindore në ditët e Perandorisë Otomane. Portretizimi i Kadaresë për Tursun Pashën, komandantin e ushtrisë otomane te ‘Kështjella” dhe një paraqitje e Enver Hoxhës dhe diktatorëve ushtarakë gjithandej, është rrëfyer në këtë vështrim. “Nata ishte shtatzënë dhe ai ishte në barkun e saj, krejtësisht i vetëm” është, për shembull, se si kronikani përshkruan gjendjen emocionale të Pashait në prag të kështjellës. Një karakter i trazuar në muzgun e jetës së tij, i shqetësuar për tatëpjetën e karrierës së tij ushtarake, Tursun Pasha ndihet i dërrmuar nga pesha sa personale dhe qytetëruese e misionit që ai synon të arrijë. Në barkun e dyshimeve të tij, ai i kundërvihet vlerës së jetës së tij të kaluar si një shërbëtor dhe krijues i një perandorie të sapolindur dhe mizore. Në fund të karrierës së tij, shfaqja e qiellit të kuq- gjak nga Lindja ishte parandjenja e një rrethimi të përgjakshëm, ndërsa vdekja e tij është i vetmi njoftim i mundshëm që del nga kufijtë e perandorisë. Kështu, “barku i errët” i natës shërben me qëllime të shumëfishta simbolike sa për konfliktet e brendshme të një personi të paaftë për t’i shpëtuar peshës dërrmuese të historisë, zgjedhës së një perandorie të stërmadhe të përhapur në drejtim të perëndimit, dhe, tërthorazi, por pagabueshëm, perandorisë komuniste të Stalinit. Vetëvrasja e Tursun Pashait në fund të rrethimit nënvizon kuptimin e zymtë të kësaj metafore, vdekja e tij duke u bërë “një lloj vendi askund, një vend me të vërtetë përtej mundësive të ligjit, jashtë botës dhe Perandorisë”.

Një element tjetër i kritikës së Kadaresë ndaj regjimit të Hoxhës është sulmi i tij mbi idenë e denacionalizimit, që te ‘Kështjella” fillon nga padishahu, ose sulltani, i cili ishte gjithashtu një argëtim i preferuar i perandorisë më të fundit komuniste… Kjo është një temë që Kadare i rikthehet në veprën e tij të fundit, “Aksidenti” (2010), e cila shenjon ndikimin korruptiv të vlerave të shtrembëruara perëndimore në Europën postkomuniste juglindore. Tek “Aksidenti”, megjithatë, armiku nuk është një diktator komunist, por sulmi ideologjik i vlerave të padiskutueshme perëndimore, i cili, në emër të lirisë, ka prishur thelbin moral të Shqipërisë postkomuniste.

Rrethanat e Kadaresë sfidojnë nocionin e Josef Brodskit që ekzili, fizik apo mendor, është e vetmja përgjigje e arsyeshme ndaj një regjimi shtypës. Për Kadarenë, mënyra e vetme për t’i bërë ballë një diktature, qoftë komuniste, koloniale, apo neokoloniale, është për ta luftuar atë, sërish e sërish, nga brenda, në thellësitë e shpirtit të saj.

Ndryshe nga autorë të tjerë disidentë nga regjime të ndryshme diktatoriale, Kadareja nuk sheh një dritë në fund të tunelit historik. Nuk ka shpëtim nga cikli i përjetshëm i grindjeve dhe pajtimit. Lufta vazhdon, nën shumë maska të ndryshme. Nuk ka shpëtim në anën tjetër të vijës kufitare, as në vijën e frontit të një revolucioni fisnik.

Të gjitha kundërshtimet kryesore për nominimin e Kadaresë për Çmimin Nobel rrjedhin nga një burim i vetëm: paaftësia e një audience perëndimore për të lënë pas provincializmin e vet kulturor dhe të vlerësojë një shkrimtar që nuk i përshtatet stereotipit të letërsisë botërore, siç e përshkruan James English, një përzierje salcash multikulturore vendore.

I pari prej këtyre kundërshtimeve, ideja se Kadare nuk ishte dhe aq disident dhe se ai bashkëpunoi me regjimin e Hoxhës, buron nga një opinion tipik perëndimor të disidentit antikomunist, si një figurë e spikatur, si fjala vjen Solzhenicini që boton veprën e tij disidente kundër mosmarrëveshje të mëdha, dhe pastaj emigron në Perëndimin e ndritshëm dhe të lumtur – një version hollivudian i disidentit të Europës Lindore. Kadareja, nga ana tjetër, bën pjesë ndër ata shumë të padukshëm që i rezistoi regjimeve diktatoriale nga brenda, një akt shumë më i frikshëm dhe më heroik. Kadare i mbijetoi për më shumë se dyzet vjet botimit të romaneve të tij në heshtje, por të padyshimta antikomuniste nën hundën e diktatorit të egër stalinist Enver Hoxha. E vetmja gjë që do ta bënte atë më shumë një hero do të ishte në qoftë se ai do kishte vdekur i persekutuar (një mundësi konstante kjo) dhe të publikoheshin rrëfimet e tij heretike nga vetë kupola komuniste.

Kundërshtimi i fundit, i publikuar nga New York Sun në vitin 2005, – ku thuhet se vepra e tij është shumë e errët dhe shumë e vështirë për t’u përkthyer, vendi i tij shumë i largët dhe i njohur për së keqi në audiencën perëndimore për t’u kuptuar (le më pastaj për t’u vlerësuar) – rrjedh nga i njëjti vetëgjykim perëndimor që e ka të vështirë ta imagjinojë Kadarenë si një kritik shumëdimensional të ideologjive kontradiktore. Temat e romaneve të Kadaresë – alegoritë ndaj perandorive të vjetra dhe të reja, çështja e historisë dhe kuptimi i saj; besimin e tij ende të sigurt të vazhdueshëm dhe këmbëngulës te shpirti i njeriut – të gjitha këto zhvillohen përtej kohës dhe kufijve. Konteksti për tregimet e tij nuk është vetëm Shqipëria në momente të ndryshme të historisë, ai është për ne – lexuesit, si dhe për botët që ne kemi krijuar në mendjet dhe zemrat tona. Gjuha e tij, ndonëse poetike dhe me të vërtetë e vështirë për t’u përkthyer me të gjithë gjallërinë e saj shkëlqyese, ruan fuqinë e saj edhe në një përkthim të dyfishtë, sikurse ndodh te “Kështjella”, e cila është përkthyer në anglisht nga frëngjishtja, e jo nga shqipja origjinale.

Së fundi, për t’u kthyer sërish te çmimet Nobel, këta Oskarë të botës letrare, çfarë idealizmi apo një “vepër letrare në një drejtim ideal” kërkohet sot? Idealistët nuk janë njerëz të cilët jetojnë në një kullë të fildishtë, duke parë përmes dritares së tyre të ngushtë një qiell të zbukuruar me palma, duke ëndërruar një botë të qetë, paqe dhe lumturi. Idealistët janë shpesh të çuditshëm, dhe nganjëherë vërtet mizantropë. Për ta, një qiell i zbukuruar me palma është sipas gjasave për të treguar më shumë vezullimin e  Technicolor-it dhe mjegullën e kulturës bashkëkohore pop se sa një oaz të ndritshëm të të ardhmes. Me fjalë të tjera, ata janë të përfshirë intensivisht me të tashmen. Kadare zgjodhi të komentojë mbi gjërat që janë të pakëndshme, për atë po aq sa dhe për ne; që shtrojnë pyetje më shumë se përgjigje, që nuk kanë asnjë zgjidhje në të tashmen dhe ndoshta asnjë në të ardhmen. Ky është idealizëm. Dhe kjo është arsyeja pse ai duhet të fitojë Çmimin Nobel për vitin 2013 në Letërsi./Perktheu: Xhevdet Shehu

 

15. 08. 2013

Please follow and like us: